| E diele, 02.01.2011, 08:57 PM |
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
DASHURI E NDËRPRERË
Më 20 maj filluam provimet e fundit të vitit. Provimi i parë ishte ai i algjebrës me shkrim, dy ushtrime dhe një problemë. I zgjidha në një kohë rekord. Provimin tjetër hartimin, e kishim pas pesë ditësh.
24 maj 1951. U bëra gati të shkoja si zakonisht te Jorgua. Babai më pa dhe tha:
- Në orën gjashtë shko te agjensia për të pritur hallën..
- Mirë, babi!
Ora ishte katër. Kisha edhe dy orë kohë. Kur mbërrita te Jorgua, e gjeta duke lexuar një libër.
- Po përgatite për hartimin e nesërm? - e pyeta.
- Jo, po lexoj kot.
- Me siguri, njëra nga temat duhet të jetë për themelimin e partisë. Sivjet ështe dhjetëvjetori i saj.
- Po, me siguri.
- Unë do shtjelloj temën e dytë, atë letraren.
- Edhe unë.
- Dëgjo, Jorgo, A nuk shkruajmë ndonjë trakt
dhe e ngjisim tek agjensia?
Ai u tregua i gatshëm. Shkruam traktin e mëposhtëm:
Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!
Banorëve të Vlorës
Mos u besoni komunistëve. Ata ju gënjejnë.
Luftoni për liri në doni të përqafoni burrin tuaj,djalin
tuaj ose vëllanë tuaj, në një të arthme të afërt, tek ju, në shtëpinë tuaj, në tokën tuaj të lindjes.
Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre të poshtërve!
Vrajini këta mizorë të mallkuar! Më mirë vdekjen në luftë se sa jetën në skllavëri!
Atdheu është në rrezik. Traktet e “ATDHETARIT” do t’ju tregojnë të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë. E vërteta do të triumfojë!
“ATDHETARI”
Këtë trakt e bëmë dy kopje, në mënyrë që ta vendosnim në dy vende. Pastaj u nisëm për në agjensi. Menduam që njerin ta ngjisnim atje, kur të gjenim rastin që të mos kishte njerëz.
Autobuzi i parë mbërriti, por halla nuk ishte. Ajo nuk erdhi as me të dytin që mbërriti pas një gjysmë ore. U afruam dhe pyetëm shoferin:
- A ka autobus tjetër?
- Jo.
Kurrë nuk e mora vesh përse nuk erdhi halla. Pritëm edhe pak, deri sa u errësua dhe vendosëm të ngjisim njërin nga traktet. Jorgua bënte roje, ndërsa unë e ngjita në mur. Të dytin menduam ta ngjisnim në ndonjë vend tjetër.
U nisëm. Kur mbërritëm pranë sahatit pashë Nerin që po shkonte në shtëpi.
- Jorgo, unë po shkoj këndej - i thashë shokut
Ai, duke e ditur ndjenjën time për të, pasi e
kishim biseduar, buzëqeshi dhe më tha me dashamirësi një shprehje që e kisha lexuar dikur në një roman të Leon Tolstoit:
- Kuajt e hazdisur i njoh nga vrapi i tyre, për njerëzit e dashuruar flasin sytë e tyre.
Vura buzën në gaz dhe u ndava me mikun tim. Po ndiqja si një hije misterioze Nerin. Hija e ime ndiqte hijen e saj. Ajo ecte pa më vënë re, ndërsa unë nuk guxoja që t’i flisja. Ecja duke parë siluetën e saj. U fut në shtëpi dhe filloi të ngjiste shkallët. Kur mbërriti në shesh pushimin e tyre, qëndroi për një çast dhe po vështronte qiellin që shndriste nga yjet. Unë u fsheha në hijen që lëshonte një shtëpi tre katëshe, dhe admiroja profilin e saj të bukur. Për një çast vendosa t’i flas, t’i them që e dua, që është ylli i shkëputur nga qielli për të ndriçuar rrugën time. Por zëri nuk më dilte. Në atë moment ajo hyri në shtëpi dhe unë mbeta i zhgënjyer nga mungesa e inisiativës time. U nisa për në shtëpi i dëshpëruar..
Kur mbërrita atje, u tregova për hallën që nuk kishte ardhur. U shqetësuan dhe dërguan Agimin të bënte një lajmërim-thirrje telefonike për të nesërmen që të pyesnin Dritën. Halla banonte atje. Nuk qëndrova poshtë, si zakonisht, por u ngjita në dhomën e sipërme gjoja për të mësuar. Mendoja çastet që kisha kaluar duke vështruar Nerin. Ndjeja zëmrën e saj të rrihte pranë times. Më dukej sikur dëgjoja zërin e saj të ëmbël që më thoshte:
- Edhe unë të dua!
Më lindi ideja të shkruaja një poezi kushtuar asaj. Nuk jam poet, por ajo poezi do të më dukej si më e bukura në botë. Kisha derdhur zemrën time në të. Isha një adhurues i vargjeve të Naimit, ndaj e shkruajta në vargje gjashtëmbëdhjetë rrokësh. Këto vargje kumbojnë ende në veshët e mi:
KUSHTUAR TY
Fale zemrën që s’guxoj, të të thotë dy tre fjalë,
Ish premtimi që dhuroj dhe gjithmonë do ta mbajë.
Ia dëgjon zërin bilbilit bukur këndon në pranverë?
Ia ndjen erën. trëndafiles, që lulzon plot me erë.
Është kjo fjala e ime, nuk e di a më beson?
Po besove Perëndinë, dëgjo zemrën që premton.
Të dua, më foli zemra, e përulur para teje,
Besomë, ti je imja ëndrra, që s’do shuhet kurrë prej meje!
Vendosa që këtë poezi t’ia dhuroja ditën e nesërme, kur të mbaronim provimin.
- Eja të hamë darkë! - dëgjova zërin e nënës që më thërriste nga poshtë.
- Nuk më hahet. Hëngra nja dy byrekë me Jorgon.
Nuk i thashë të vërtetën. Por nuk kisha oreks. Për mua tashti egzistonte vetëm një ëndërr, vetëm një emër. Ky ishte emri Neri. E përfytyroja veten si heronjtë e romaneve që kisha lexuar.. Fatin e cilit do të kisha në dashurinë time?
Këto po mendoja, kur dëgjova zhurmë hapash në shkallë. Pas pak, u hap dera dhe brenda hynë dy oficera, një civil dhe pjestarët e familjes të frikësuar. Njerin nga oficerët e njihja. Ishte
- Ky është, - tha Dhimitri duke më treguar me gisht.
Oficerët panë njeri-tjetrin me dyshim. Pastaj Demiri foli duke u drejtuar nga unë:
- Ngreu, do të vish me ne!
Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Syt e të gjithve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë morën fletoren time të hartimit. Para se të niseshim, Agimi foli
- Përse e merrni?
Si dëgjoi këtë, Demiri e pa me inat dhe i tha me ashpërsi::
- Edhe ti eja me ne.
Kur dolëm përjashta, pashë një grumbull me policë që prisnin. Në këtë kohë dëgjova zërin e Fatushes që thirri:
- Ndaluni një minutë!
Përqafoi Agimin, pastaj mua duke më thënë me zë të ultë:
- Mos u trëmb! Bëhu burrë!
U nisëm.
Në Degën e Punëve të Brendëshme Agimin e lanë në korridor të shoqëruar nga policët. Mua më futën në zyrën e zv/kryetarit. Pas meje hyri edhe Demiri. Atje ishte Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, Fadil Kapesyzi. Ai qëndronte ulur në tavolinën e tij. Nxorri një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve duke thënë:
- Ti i ke shkruar këto?
- Jo.
Vuri buzën në gaz. U ngrit nga tavolina, u afrua përballë meje dhe, duke më shkulur fort veshin, tha:
- Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë. Pranoje dhe nesër do të jesh në provime me shokët.
- Mos u trëmb! Bëhu burrë!
Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:
- Nuk kam shkruar gjë.
Një breshëri pëllëmbash flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit.
- Hë, do të vazhdosh të mos flasësh? - përsëriste zv/kryetari herë pas here.
Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht i fortë më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instiktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi mbi injorancën time fëminore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ai ishte një burrë i pjekur, ndërsa unë një fëmi.
- Prisni! - tha.
U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxorri traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi tha:
- E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?
E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi vete.
- Çojeni në qeli! - tha kryetari.
- Po të vëllanë?
- Lirojeni!
Demiri thirri dy policë. Ata erdhën, më ngritën në këmbë dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën. Agimi kishte ikur. Pastaj më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve që të shpinte në bodrum ku ishte vargu i qelive.