Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Liman Zogaj: Loja mbi gurë (IV)

| E diele, 02.01.2011, 07:14 PM |


LIMAN ZOGAJ

 

LOJA MBI GURË

 

- Poezi-

 

 

NUK VDES

 

“ARBRI” H Z e mbron Arbrin

Arbëresha mbi një gur

Këmishën e përgjakur

Do ta bëjë Flamur

 

 

DASMA

 

Me këngën e krismave

Vasha bëhej nuse

Toka edhe lulet

U bënë të kuqe

 

 

KËNGA

 

Dil shikoje Nëno

Një skifter të gjallë

Bashkë me rreze drite

Ngrihet në lapidar

 

 

DRITA

 

Kur e nisen luftën

Arbri dhe Ismeti

Pse Luzhnicë u dridhe

Si me të ra tërmeti?

 

 

SHQIPËRIA

 

Do gjymtyre t’i prenë

Me shpatë e me thikë

Por sot mblidhi krahët

Sepse terri t’u bë dritë

 

 

BASHKIMI

 

Njëri nga Lladroci

Tjetri nga Kumanova

Herë thërrisnin Shqipëria

Herë thërrisnin Kosova

 

 

VLORA MË 1997

 

Dikur kështjellë burrërie

Dasmorë me Flamur

E sot

Pse e përgjakur Vlorë

Pse të rrjedhë gjaku gurrë

 

Lokemadhe mbahu

Rrënjë e shtat Shqipëri

E kuqe nëpër terr

Me gjak në liri

 

Kush të sjellë tërmete

Në stinën me behar

Ai djalli që do varre

Ai s`të do të gjallë

 

Por nuk shembet Korabi

Me shtatin gjer në diell

Nga gjaku i lirisë

Lulëkuqe në pranverë

 

 

KUR ...

 

U përkula gjer në tokë

E  putha e qava

Si i dehur belbëzova

Të falem o dhe!

 

Te “Syri i Kaltër”

Lisa të vrarë nga rrufetë

Thirra gjer te retë

Të falem o diell!

 

Kur i lexova do germa në gurë

Loti m’u bë rigë

Nëpër shkrumbin e buzëve ofshana

Ju falem o varre!

 

 

VIOLINA PA TELA

 

Pse të ka vrarë heshtja

Si qyqe mbi ferra

Pse s’ma vret vetminë

Violina ime pa tela

 

Kamertonin e mbyt pikëllimi

Shpirti një këngë pret

Në cilën notë t’u dogj melodia

Heshtja sa më vret

 

E sa kohë e egër

Syri dritë nuk ka

Unë dhe violina

Me dhimbjen sa kala.

 

As harku nuk hingëllon

Në violinën pa tela

As dielli më nuk ngrohë

Pres e pres pranvera