| E premte, 31.12.2010, 08:46 PM |
Bajram Mjeku*
D E A
Nuk dole nga zgoret e statujës së mermert
As nga korridoret e errëta të Butrintit
Je farë e zënë në Dardaninë e trazuar
Klithmë që shpërtheu në Polin e Veriut.
Ç’të duhet ty Amfiteatri i Butrintit
Dhe vargani i statujave të ftohta përreth
Po u shfaqën aktorë nga kohët e lashta
Rikthe emrin mbrapshtë dhe bëhu Aed.
Zbrit këmbëzbathur në skenën antike
Perëndeshë e arteve në hapësirën bosh
Mes honit të antikës dhe kohëve moderne
Në skenën e tragjedive vallëzo veç danc.
Papritur mund të shfaqet hija e Ugolinit*)
Në shkallët e teatrit tash si spektator
Ai nuk e di që një shekull më vonë
Statuja mori shpirt dhe u bë e gjallë.
Fërfëllima e jugës, dallgët e Jonit
Janë stërkala fresku që krijojnë ndjesi
Mbi skenën e Butrintit rrapëllojnë hapat tu
Tek hedh vallen e lashtë gjer në përjetësi.
Ndjehem i trishtuar kur ti më mungon
Koha më ndalet si dikur në lashtësi
Mes hapësirës bosh e qetësisë funebre
Më bëhesh e gjallë dhe kthehesh përsëri.
*) Koka e Deas u zbulua nga arkeologu italian Luigji Ugolini, e cila u grabit dhe u dërgua në Itali në vitin 1928, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1981. Poemën ia dedikoj sime bijë Deas, dashurisë, ndjenjës dhe pasionit tim të madh.
AJO QË NË KUJTESË MË VJEN
Gjatë-gjatë e kam dashur vajzën balerinë…
Ende i dëgjoj hapat e saj shkallëve të teatrit
Mbrëmjeve kur dilte vetëm nga foajeu bosh
Dhe sytë e saj kur shkrepëtinin si të ishin vetëtimë.
Ka njëzetepesë vjet që s’e kam parë vajzën balerinë.
Kam mall, oh sa kam mall për sytë e saj gri
Për zërin drithëritës, për hapat fëshfëritës
Për ombrellën e saj të zezë kur ecte nëpër shi.
Njëzetepesë vjet s’janë pak të fanitesh në magji.
Ende shëtis bulevardit i trishtuar gjithë vetmi
Të nëjtat dafina çdo fundvjeshtë të shtrira përdhé
E njëjta dashuri që s’ndryshket gjer në përjetësi.
Bulevardi bosh, foajeu i errët, gjithçka në shkreti.
Ende besoj se ajo zbret shkallëve të teatrit
Dhe më ndjekin magjishëm sytë e saj gri
Zëri i saj i tejbotshëm që larg ende më thërret
“Të dua, gjithmonë të dua gjer në përjetësi…”.
Shumë-shumë e kam dashur vajzën balerinë…
Në kujtesë ajo më vjen ndehur dhe pa bujë
Tash sa vjet duke e pritur te shkallët e teatrit
Një ditë do shndërrohem në statujë.
*Bajram Mjeku, është poet e tregimtar. Punon për Shërbimin Informim të Policisë së Kosovës, në Prishtinë