| E enjte, 30.12.2010, 06:07 PM |
Një dritare ku shihen kënde të reja të jetës...
(Mendime për librin "Takim me të papriturën" të shkrimtares Albana Lifschin)
Nga Agim Shehu - Poet
Gjenevë, Zvicër
Një dritare ku shihen kënde të reja të jetës dhe një shpirt i ndjeshëm
njerëzor prej artisteje. Në libër jepet kryesisht jeta e shqiptarit në
Shtetet e Bashkuara, bota e tij dhe psikologjia e tij e zbërthyer dukshëm në
përpjekjet me një jetë të panjohur e të trazuar.
Autorja është një prej tyre, e për këtë tregimet kanë vërtetësi jete të
thëna me mjeshtëri arti. Si i mbaron së lexuari ndjen një lloj tronditjeje
të përligjur : jeta në Shtetet e Bashkuara me dinosaurien e veçantë dhe të
papriturat, dhe bota e shqiptarit për t’iu përshtatur asaj. Të shkrira
bashkë si gjymtyrë të njera tjetrës, ato jepen pa kozmetikë, me realizmin e
çveshur e të çiltër që kanë në natyrën e vet.
Kjo ndodh se autorja ulet me dinjitet për t’i përshkruar ato. Nga dashuria
gjer në dhimbje për njeriun, atë e jep ashtu siç është, pa e tjetërsuar të
vërtetën, pa ia nënështruar atë dëshirës apo dhimbjes së saj për njeriun.
Amerika e madhe sugjestionuese, ëndër e njeriut e sidomos e shqiptarit dalë
nga lëngimi i gjatë i diktaturës, mbetet ajo që është; por tek ata që i venë
ajo merr përthyerje të ndryshme sipas njeriut siç përthyhet syprina e detit
nga erërat që i vinë
Kjo ndodh se ajo botë e re e panjohur nuk është vetëm beton e rrokaqiejsh,
por dhe prej mishi e ëndëra njeriu në gjirin e saj ku gjallojnë si virtyte
dhe vese siç i ngarkojnë njerëzit nga shpirti i vet në shpinë të tyre; aty
madhështia e jetës është e pandarë me luftën për jetën. Për të fituar, kur
njeriut s’i mjaftojnë virtytet, përdor dhe veset.
Ashpërsia e kësaj lufte shpesh jep hutim, më tej dhe çgënjime të natyrëshme.
Këtu s’e ka fajin Amerika në vëndin e vet por i ardhuri - i papërgatitur për
t’iu përshtatur asja si në vitalitetin dhe në të rëndomtat në jetë,
veçanërisht në bizneset e ngatëruara qoftë dhe për një vënd pune
Kjo paaftësi vë në lëvizje, pra bashkë me energjitë e njeriut edhe
dobësi të tij. Autorja e mënçur, asnjanëse në këto dukuri, tregon se në
Shtetet e Bashkuara ku ajo disi është harmonizuar, bashkë me njeriun dhe
hallet e tij, «emigrantë» venë dhe dobësi brënda tij. Këto përplasje me
njera tjetrën në tregime shfaqen me densitet dramash që të mbeten në mëndje
se autorja i shpreh me penë të mprehtë e të hollë.
Këto përshtypje duken veçanërisht në tregimet Takim me të Papriturën,
Biznes në Nju Jork, Një nga Ata, Telefonatë në Mesdnatë. Ngjarjet dhe
njerëzit aty ushqejnë njera tjetrën si të qenë mishi dhe skeleti i një
organizmi të vetëm. Aty shtrihet ngjarja e prerë nga jeta, aty skalitet
portreti i njeriut me saktësi gjer në qelizën dhe frymën e tij. Ngjarjet
autorja i përshkruan gjer në imtësi të tyre (herë-herë duke u zgjatur disi
tepër). Të tilla, temat moderne të kohës, disi të panjohura në tregimin
shqiptar, kanë një derdhje klasike në të rrëfyer. Është e plotë përshtypja
se autorja i ka njohur nga afër njerëzit brënda tregimeve të saj, gjë që e
ka mundësuar t’i rikrijojë në art më të vërtetë nga sa duken në jetë.
Mpehtësia e vëzhgimit prej shkrimtareje dhe dhimsuria njerëzore për ta ia
lë të gjalla lexuesit në përfytyrimin e tij. Herë herë ideja përfundon aq
bukur e natyrshëm në metaforë siç përcaktohet në fund të tregimit punonjësi
biznesmen : « Ju nuk i doni lulet, zotni » !
Njeriu, veçanërisht emigranti dashurohet më shumë në hallet e në dhimbjet e
tij. E ndërgjegjëshme për këtë, shkrimtarja në Nju Jork nuk i jep ata
bulevardeve të Brodueit, po nëpër labirinthet e shtigjeve ku së pari
kërkojnë punën. Mbeten të paharrueshme çgënjimet e saj nga mosmirënjohja
gjer në pabesi e shoqeve të ardhura të cilave u ka bërë të mira e i ka
mbajtur në shtëpi. Megjithatë tek ajo nuk shfaqet asnjë ndjenjë urrejtjeje;
në të kundërt, mbi prozën e saj për to fryn thënia kristiane : « faliua,
Zot, se s’dinë ç’bëjnë » !
Shkrimtarja mbetet ajo që është, di t’i njohë e t’i gjykojë paanësisht
bashkatdhetarët, ashtu si « vjehrës amerikane » di t’i përshtatet si nuse e
mirë Shqipërie.
Do ta veçoja dukshëm tregimin brilant « Shamia e Zezë », mesa kuptohet –
ngjarje e vërtetë për gjyshin e saj . Një dramë me densitet shekspirian
prerë nga bjeshkët e Shqipërisë : një plak-legjendë prej Malsie, 45 vjet
larg Atdheut cilësuar armik si familje (edhe pse një bir ia bënë në rrethana
të ngatëruara hero të vëndit), i sëmurë rëndë donte të vdiste në Atdhe. Në
vitet e fundit të diktaturës rregullon një leje ambasade e niset…Pas dy ditësh në vëndlindje, pa iu terur ende lotët e rrallë të mallit, njerëz të
shtetit venë i thonë se duhej të largohej menjëherë si i apadëshiruar («
faji » i tij dikur kish qënë se pushtuesin nazist donte ta luftonte pa yllin
në kapelë dhe pa grushtin bolshevik në ballë) ! Qetësisht, si një baladë
tanimë me kapak të mbyllur largohet përsëri nga Atdheu dhe shkon i mbyll
ditët e fundit në mërgim përsëri…
Papritur, mbesa shkon e gjen në arkivol dhe rri para tij si para një
historie shpërndarë nëpër botë, ndërsa mitologjinë e kish lënë në
vëndlindje, te dheu i tij.
Atë histori mbesa-autore e përshkruan me një penë të fuqishme ku proza
shoqërohet me filozofinë dhe poezinë.
Për më tej, tregimet gjykohen më saktë duke i lexuar vetë.