| E diele, 04.11.2007, 11:21 PM |
Muzika, nga hobi më është shndërruar në profesion
Leontina Nika
Bertan Asllani |
Si ndiheni në këto momente dhe çfarë mund të na thoni, në lidhje më çmimin?
Sinqerisht ndihem shumë i mbushur, i emocionuar dhe i lumtur. Është hera e parë që kurorëzohem me çmim të parë. Pastaj artisti përjeton emocione të çuditshme, fiton një trofe dhe pret të rrëmbejë tjetrin. Më vjen mirë që mora një trofe nga festivali Mikrofoni i Artë, pasi është festival që ka lançuar gjithmonë vlera, profesionalizëm dhe cilësi.
Prisnit ndonjë çmim?
Po, pa diskutim, pasi kam punuar shumë me këngën që konkurrova, por nuk e mendoja se do të fitoja çmim të parë, pasi konkurrenca ishte e fortë. Mjaft këngëtarë kishin këngë shumë të mira, ndaj nuk e mendoja.
Kujt ia dedikoni këtë çmim? Kur u ngjitët në skenë dhe publiku ju priti ngrohtë, a ju krijoi siguri sado pak?
Ia dedikoj gjithë publikut shqiptar. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur publiku të do. Ai është matës shumë i mirë dhe i saktë, si në festivale edhe në turne. Kur dëgjoja thirrjet e tyre “Bertan… Bertan!”, ndihesha mjaft mirë, zëri më dilte nga shpirti dhe aty mendoja se e meritoja çmimin. Pa fansa artisti nuk ka jetë dhe çmimet nuk kanë asnjë vlerë, nëse nuk ke rrëmbyer zemrën e publikut.
Kjo këngë ka një histori konkrete dashurie, mos ju ka ndodhur juve?
Kjo është një histori dashurie mes një djali nga Shkupi dhe një vajze nga Tirana, por nuk jam unë, të jeni të sigurt të gjithë ju fansat e mi (qesh).
Sa zemër të jep publiku, kur je në skenë?
Çdo dalje është emocion i veçantë dhe unik. Kur je në prova ndihesh lirshëm, por nuk ka shumë vlerë, ndërsa kur del në skenë dhe shikon që publiku të do e të ndjek, aty mund të thuash se ke prekur Thembrën e Akilit, të spektatorit.
Ku qëndron suksesi i një këngëtari?
Mendoj se suksesin këngëtari duhet ta krijoj fillimisht vetë, dhe pastaj të induktohet te të tjerët. Kur kënga në të gjithë komponentët është e realizuar, si dhe koreografia është e mirë, për krijimin e një performance të veçantë, këtu nuk ka vend për dyshime, si artist për prezantimin. Unë kam katër vjet që këndoj profesionalisht, por që në fillim e kam ndjerë shumë përkrahjen e fansave të mi.
Çfarë ka qenë, është dhe do të jetë muzika për ju?
Fillimisht ka qenë hobi, por tashmë është një profesion, dashuri dhe biznes; mendoj se do e kem si mike të mira gjithmonë.
Projektet e juaja më të afërta?
Po punoj me disa projekte muzikore, jo vetëm për vete, por edhe për këngëtarë shumë të njohur; tani për tani nuk kam dëshirë që t’i bëj publike. Kam përgatitur një pjesë të mirë të materialeve muzikore për albumin tim të tretë, si dhe një klip të ri.
Krahas muzikës, mese merreni?
Jam në kolegj, gjë që një pjesë të kohës ia kushtoj shkollës, por sigurisht që muzika është ajo që i përkushtohem në maksimum, për momentin.
E shikoj që keni shumë fansa. Edhe këtu nuk po të lënë të qetë të japësh intervistën, ju bezdisin ndonjëherë?
Jo asnjëherë nuk më bezdisin, kam kënaqësi kur u jap autografe. Unë këndoj për ato dhe pa ato nuk do isha kaq i njohur e i dashur në këtë moshë.
Është edhe një këngëtar tjetër, i cili ka emrin e përafërt me ju, dhe shpesh thonë se ju keni konflikte bashkë. Si është e vërteta?
Po, është Berkani, na ndryshon në emërtim një (t) në (k). Ne jemi shumë të ndryshëm, si në aparencë edhe në zhanrin muzikor. Shpesh flasin gazetat se Bertani dhe Berkani kanë konflikte bashkë, nuk janë shokë etj. Me të vërtetë nuk e quaj si konkurrent, dal me të pi kafe dhe, kur jemi ndodhur në ambiente të ndryshme nuk jemi parë si të tillë. Ne jemi të dy këngëtarë dhe secili ka fatin e vet dhe rrymën e vet muzikore. Nuk kam asnjë konflikt as me Berkanin, as me ndonjë këngëtarë tjetër.
Shoh që familja ju rri shumë afër dhe një pjesë të suksesit tuaj ia dedikoni asaj.
Babi, mami dhe vëllai më kanë mbështetur që në hapat e parë të mia në fushën e muzikës. Mami mund të them se është marrë më shumë, pasi është menaxherja ime, dhe gjatë gjithë kohës në koncerte është me mua.
Ju bezdis prania e mamit, gjatë gjithë kohës me ju?
Absolutisht jo, pasi kemi krijuar një marrëdhënie disi të veçantë. Mamin e kam edhe shoqe e më kupton shumë në çdo situatë.
Ëndrra juaj që fshihet në sirtar, në lidhje me muzikën?
Jam shumë i ri, vetëm 17 vjeç, dhe sigurisht që kam shumë ëndrra e dëshira që dua t’i realizoj, në lidhje më muzikën, por do i shpalos në kohën dhe momentin e duhur, pasi kam dëshirë që mos i bëjë gjërat shpejt e shpejt, pa u menduar, e të pendohem më as. Çdo artist duhet të punojë shumë gjatë karrierës së tij artistike; më vonë e kupton se ëndrrat vetvetiu kthehen në realitet, si pa e kuptuar. Ku ka më bukur?!
Kush është këngëtari juaj i preferuar?
Pëlqej shumë Justin Timberleik. Është shumë i veçantë, si në klipe edhe në zgjedhjet muzikore që ai publikon, pasi gjithmonë ka surpriza. Sidomos albumi i fundit është shumë interesant dhe profesional.
Sa vëmendje i kushtoni look-ut dhe sa rëndësi ka për ju pamja e jashtme, si artist?
Mendoj se është një pjesë shumë e rëndësishme, jo vetëm për mua, por për çdo këngëtar. Nuk mjafton që të këndosh bukur dhe të kesh një këngë të mirë; në skenë pamja ka rëndësinë e saj të pamohueshme.
Kush kujdeset për pamjen tuaj, në tërësi?
Unë kam idetë e mija, por i realizoj përmes stilistit tim Armend Ramadani. Ai ka kuruar edhe pamjen time në festivalin Mikrofonin e Artë. Një ndihmë të madhe në ide ma jep vëllai im Merti. Gjithmonë i kushtoj rëndësi pamjes. Në çdo koncert ku marr pjesë mundohem të jem ndryshe.
Ke ndonjë pikë referimi, ndonjë artist i huaj që ju pëlqen në look apo thjesht ndjek tendencat e modës?
Jo, nuk referohem te asnjë person, por rregullisht mundohem të përcjell tendencat e fundit të modës. Nuk jam konservator në zgjedhje, mjafton të më pëlqejë diçka dhe e vesh. Maniak i etiketave nuk jam; nëse diçka është e bukur dhe më rri mirë e vesh me kënaqësi, edhe pse nuk është firmato. Nuk ia vlen ta paguash 500 euro një bluzë, kur nuk të rri mirë, apo jo?