Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sh.m.a.i.k Illyricum Libertas: Reagim për zhvillimet e fundit politike në vend

| E merkure, 29.12.2010, 08:58 PM |


Shoqata për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar

 

Association for Defence and Affirmation of National Identity

 

ILLYRICUM LIBERTAS – Tetovë

 

Tel 00389/ 70 811 180

illyricumlibertas@live.com

 

Reagim për zhvillimet e fundit politike në vend

 

Sh.m.a.i.k ILLYRICUM LIBERTAS – Tetovë, vëren me keqardhje të madhe dhe të plotë se edhe përkundër përpjekjeve sakrifikuese të shoqërisë shqiptare në Ish republikën jugosllave të Maqedonisë për të dalë nga situata e rëndë në të cilën gjendet, nuk është duke u vërejtur përparim substancial në këtë drejtim.

 

1. Enciklopedia antishkencore dhe e politizuar të cilën e përpiloi dhe e botoi ASHM në vitin 2009, po tentohet që në forma të ndryshme të imponohet përsëri. Propozimi që krahas formatit të vjetër të botohet edhe me një aneks të ri në formë kritikash është krejtësisht i papranueshëm. Kërkohet që klasa politke shqiptare ta ketë parasysh këtë fakt dhe të bllokojë formalisht në Kuvend miratimin dhe financimin e saj.

 

Nga ana tjetër, duke përshëndetur dorëheqjen e paradokohshme të akademik Alajdin Abazit nga Akademia monoetnike shoviniste maqedonase, apelojmë tek historianët e paktë shqiptarë në FYROM që ti bashkohen Tiranës dhe Prshtinës dhe të kontribuojnë në përpilimin e enciklopedisë shqiptare si një dhe të pandarë.

 

Shoqëria civile shqiptare i ndjek me kujdes këto zhvillime dhe do të organizohet në forma të ndryshme qofshin ato protesta, peticione, debate dhe veprime tjera paqësore kundër, sipas rrethanave dhe situatave që do dalin.

 

2. Në lidhje me çështjen kardinale për shqiptarët në vend, atë të regjistrimit të ardhshëm të popullsisë, kërkojmë që klasa politike shqiptare  të ketë qëndrim unik dhe të vetëm në këtë pikë. Shqiptarët të shkojnë ose jo në regjistrim të bashkuar me një qëndrim unik të të gjitha partive politike, shoqatave joqeveritare, qarqeve akademike-shkencore dhe mbarë shoqërisë.

Nëse krijohen artificialisht dhe aplikohen në praktikë ndasi partiake edhe në çështjen fundamentale të numrit të popullsisë shqiptare këtu, atëherë humbet krejtësisht kuptimin bërja politikë te shqiptarët në IRJM.

Ne si shoqëri civile do të bëjmë përpjekje maksimale që të mbrojmë shqiptarët dhe interesin shqiptar në këtë ndërmarje madhore si dhe do të organizojmë aksione të ndryshme që nga peticionet e deri tek protestat e qeta demokratike kundër, në rast se paraqitet nevoja për këtë.

 

3. Strategjia e re në lidhje me maqedonishten nga klasa e parë për fëmijët shqiptarë e paraqitur nga ministri i arsimit Nikolla Todorov, është në thelb e njëjtë me strategjinë e vjetër e cila edhe u shpall antikushtetuese nga Gjykata kompetente maqedonase. Në këtë pikë kërkohet edhe njëherë unifikimi i qëndrimeve të faktorit shqiptar, sidomos i atij partiak.

 

4. Statusi i ushtarëve të UÇK dhe familjarëve të tyre nuk mer zgjidhjen e duhur as pas 9 viteve të përfundimit të luftës së vitit 2001. Kërkohet qëndrim i përbashkët politik për këtë çështje sa humane aq edhe politike.  Apelohet që në emër të dëshmorëve, në emër të gjakut të derdhur për liri, në emër të gjymtyrëve të trupit lënë maleve të këtij vendi, në emër të gjithë shkatërimeve e dëmeve materiale të shkaktuara nga kjo luftë, si dhe në emër të heroizmit të treguar nga luftëtarët shqiptarë, kjo çështje të zgjidhet më në fund.

 

5. Problemet në arsimin fillor e të mesëm për shqiptarët në Manastir, Shkup, Prilep, Veles dhe zona tjera më periferike vazhdojnë të rëndohen dhe nuk gjejnë asesi zgjidhjen e duhur. Kërkojmë nga përfaqësuesit politikë shqiptarë që zgjidhjen e këtyre problemeve ta kenë prioritet në agjendën e tyre dhe jo të meren me krjimin e kushteve për asimilimin e fëmijëve tanë duke hapur kolegje private aziatike. 

 

6. Projekti megaloman dhe qesharak “Shkupi 2014”,  përveçse ka rënduar dukshëm buxhetin e vendit, paraqet një diskriminim tragjik të shqiptarëve dhe një anashkalim e injorim të tmershëm të kulturës nacionale shqiptare. Pjesëmarja shqiptare në “Shkupi 2014” është minimale apo sa për të kaluar radhën. Apelojmë tek përfaqësuesit tanë politikë që të bëjnë përpjekje maksimale të zgjerojnë listën e monumenteve me figura tjera madhore nga e kaluara jonë e lavdishme dhe plot kulturë kombëtare.

 

7. Përfaqësimi i shqiptarëve etnikë në institucionet shtetërore asesi të korespondojë me kuotat reale të popullsisë shqiptare këtu. Edhe këtu kërkohet një angazhim gjithëpërfshirës, serioz dhe i depolitizuar në mënyrë që të punësuarit në këto institucione të jenë shqiptarë etnikë dhe të aftë profesionalisht. Kjo pasi shihet qartë se në emër të shqiptarëve në administratën publike punësohen gjithfarë apatridësh pa vetëdije kombëtare shqiptare si dhe mediokër të paaftë profesionalisht. 

 

8. Zona e lirë ekonomike e Tetovës kërkohet ti jepet investitorëve seriozë dhe me përvojë amerikanë, gjermanë apo europianë dhe kurrsesi investitorëve  që vijnë nga lindja  e cila nuk ka as përvojën aq të domosdoshme dhe as ekspertizën profesionale që të realizojë me sukses kësolloj projektesh të mëdha ekonomike.

 

Tetovë/Oaeneum                                                                       Valon Kurtishi

27.12.2010                                                                                      Kryetar