| E marte, 28.12.2010, 04:47 PM |
SKËNDER  R. HOXHA
(Dy vjersha për fëmijë)
KËNGA E PËRROIT
Nëpër fshatin tim
që quhet PLEPISHTË
gjarpëron një përrua
ograjë e lajthishtë.
Këndon këngë të bukura
me atë gurgullimë,
muzika e komponuar –
e zogjve cicërimë.
Përroi i Plepishtës
fëmijëve u këndon ninulla
që i ruajnë në kujtesë
edhe kur të bëhen burra!
Dimrit përmbi akull
fëmijët lozin me saja
përroi në gjumë të rëndë
atyre u tregon përralla…
DY FËMIJË 
KUVENDOJNË PËR VITIN E RI
Agroni: Dëshirë të madhe kam
              që çdo Vit i Ri
              të jetë më i MIRË
              edhe më i DËLIRË!
Teuta: FËMIJËT E GJITHË BOTËS
           të mësojnë pa përtesë
           në GJUHËN E NËNËS
           pa asnjë pengesë!   
Agroni: Çantat e SHKOLLARËVE
              të jenë – LIBRA plot
              urrejtja të flaket
              çdokund në botë!
Teuta: Krismën e armëve
           e kam mëri
           për tanke e bajoneta
           S’DUA AS TË NDIJ!
Agroni: Fjalët VARFËRI
              as të të vegjëlve URI
              të mos i dëgjoj KURRË
              këtë e kam DËSHIRË!
Teuta
e
Agroni: Urra, urra, urra!
              drejt DITËVE të MIRA
              që çdo Vit i Ri
              t’na i PLOTËSOJË
              këto DËSHIRA!
(1995)