| E enjte, 03.01.2008, 11:12 PM |
Moxhi, dashurinë për radion nuk do ta braktisë kurrë
Nga Leontina Nika
Shumë flasin për dashuri dhe ndarje, se këto janë pjesë e jetës, ndërsa gazetarja dhe spikerja e Radio Plus 2, Moza Allaraj, rrëfen emocionet, pasionin e pafund që ka për kutinë magjike me emrin radiooo. Tashmë, puna në radio për të është pjesë e qenies së saj. Moxhi thotë se do të luftojë që ta ketë edhe në Austrinë e largët, ku është larguar për një master, dhe për t’u bashkuar me pjesën tjetër të familjes”. Çdo arritje në profesion dhe kudo ia dedikon nënës së saj. Gjithnjë ndarjet janë thika me dy presa; e tillë mund të quhet edhe kjo, pasi po lë një dashuri, për të përqafuar një tjetër, e cila i ka munguar prej disa vitesh. “Një peng në zemër kam, - thotë Moxhi, - do të doja ta shijoja nga afër “Mikrofonin e Artë”, për të cilin kam punuar me shumë dëshirë dhe dashuri. Së fundmi, dëshiron të përshëndesë kolegun e saj, Oltin, për bashkëpunimin e frytshëm në emisionin “ Radio show”.
U bënë gati tetë vjet përballë mikrofonit, si erdhën momentet e para të punës në radio?
Do thosha se kam përjetuar dy momente të para. Ishte pranvera e 1999-s, kur fillova të punoj për herë të parë në Radio Kukësi. Nga drejtuesit, por edhe dëgjuesit, mora përgëzimet dhe urimet e para për emisionin muzikor-informativ e argëtues që përgatisja dhe drejtoja. Vlerësimin më të madh e mora për zërin. Më 2001-shin erdha në Tiranë me studime dhe, pas një shkëputjeje njëvjeçare, tetori i vitit 2002 më çon në Radio +2. Ky është momenti i dytë, sepse, pas provës së zërit dhe asaj të aftësisë improvizuese, unë fillova punë në Radio +2. Mbaj mend datën e parë të daljes në transmetim. Ishte 19 tetor data që më fali mundësinë për të përjetuar emocione të veçanta e ta kuptoja më shumë rëndësinë e të qenit e përgjegjshme, sepse isha në studion e një radioje kombëtare dhe shumë të ndjekur.
Si nis një ditë për një gazetare dhe spikere në radio?
Shumë energjike, për t’u zhvendosur nga shtëpia në punë, plot ide, për të realizuar një program të këndshëm dhe një “VIP on TRIP” tërheqës, si edhe plot optimizëm për të shijuar edhe një ditë të bukur nga jeta.
Puna që ju bëni, sigurisht që ju ka përballur me emocione të veçanta. Mund të na rrëfeni disa prej tyre?
Po. Përveç emocioneve me ndonjë të ftuar, emocionet më të veçanta dhe njëtrajtësisht të vazhdueshme i kam marrë nga disa dëgjues që më ndjekin gjithmonë. Dëgjuesit për mua janë dhuruesit më të mëdhenj të emocioneve.
Gjatë karrierës suaj si gazetare keni marrë vlerësime dhe kritika. Si i përjetoni që të dyja?
Të punosh në media do të thotë të dish ta transmetosh realitetin dhe të mos e transformosh atë, të përcjellësh emocion, dhe jo të bëhesh i bezdisshëm. Kam punuar edhe në gazetë, revistë dhe televizion, por pjesën më të madhe, padyshim besoj se e kam investuar në tregun radiofonik të radiove me 2, se i kam shumë qejf (Radio +2 dhe në Radio Tirana 2). Të marrësh kritika, do të thotë se të tjerët vazhdojnë të jenë të interesuar për punën tënde, ndërsa, të marrësh vlerësime, do të thotë se të tjerët të dëgjojnë me vëmendje dhe të kuptojnë shumë mirë. Jam tip që i kërkoj vetë kritikat, sikurse me marifet kërkoj edhe pak nga vlerësimet. I përjetoj shumë mirë që të dyja.
Kë cilësoni, si kritikun tuaj më të mirë dhe mbështetës në profesionin tuaj?
Kritika më e mirë gjithnjë vjen nga njerëzit që të duan më shumë dhe, për mua, kritikë më të mirë se pjesëtarët e familjes nuk ka. Motrat, por më shumë mami, më kanë kritikuar, si dhe mbështetur në punën time. Çdo kritikë e mamit më ka shërbyer si një bazë e palëkundshme për krijimin e personalitetit tim, jo vetëm në radio, por edhe jashtë saj. Çdo arritje timen, në çdo aspekt, ia dedikoj nënës sime.
Po të vini në balancë përqindjet e fatit me punën, si do i ndanit?
Asnjëherë nuk janë në balancë. Po të nisem nga çasti i parë, kur kam nisur punë në radio, do i jepja 90 për qind fatit dhe 10 për qind punës. Ndërsa, pas vazhdimit të punës, sigurisht që punës i jap 70 për qind dhe fatit 30 për qind.
Sa i egër ju duket tregu mediatik dhe, për këtë fakt, ju ka ndodhur që të mendoni ta braktisnit, qoftë dhe përkohësisht?
Ja, për shembull këtu fati zë 90 për qind të asaj që thashë. Sepse isha me fat kur fillova punë, dhe punova shumë që të kisha të njëjtin fat. Tregu mediatik është shumë i egër, por kur krijon personalitetin tënd, natyrisht që se ndjen këtë egërsi. Kam qenë me fat, kam punuar shumë dhe asnjëherë s’kam menduar ta braktis radion. Gazetën dhe televizionin i kam braktisur. Revistën “Spektër”? Është limonada, pas një emisioni të drejtpërdrejtë, pra edhe revistën s’do ta braktisja.
Sekreti, rezistenca përmes zërit, a është e vështirë?
Po. Nëse unë qesh dhe qaj me dëgjuesit, sepse i kuptoj se si ndihen moralisht, nëpërmjet mesazheve dhe këngëve që kërkojnë, e kundërta ndodh me ta. Dëgjuesit vetëm qeshin e argëtohen me mua, sepse asnjëherë s’e kuptojnë kur jam e mërzitur dhe aspak në formë për një emision të bukur. Bëjnë përjashtim rastet kur unë e them vetë publikisht që jam pak e mërzitur ose s’jam në formë sot. Sigurisht, të rezistosh përmes zërit është një sekret i rëndësishëm, po aq sa edhe i vështirë, sepse më duhet ta fsheh gjendjen jo të mirë emocionale, të cilën edhe spikerët, si edhe dëgjuesit, duhet ta përjetojnë.
Ç’farë ju irriton më shumë? Në radio apo në përgjithësi?
Në përgjithësi, më irritojnë shumë gjëra: gënjeshtarët, servilët, spiunët, zërat e hollë e të spërdredhur, rëra e plazhit etj., etj.
Moza, shpesh keni intervistuar të tjerët, si po ndiheni në rolin e “të akuzuarit”?
Pak e vështirë, po shumë mirë ndihem, dhe shpresoj që të mos mbarojnë këtu akuzat, sepse tani nga fundi sapo ia mora dorën antiakuzës.
Ju do largoheni nga Shqipëria, çfarë ndjeni në momente ndarjesh e, aq më tepër, me vendin tënd?
Do të largohem dhe fati e deshi që të largohem për studime në Austri. Një ditë kisha temë në emision: Ku është më mirë t’i bëjmë studimet e larta? Dëgjuesit zgjodhën opsionin jashtë Shqipërisë. Dhe unë mora parasysh zgjedhjen e tyre. Jo, në fakt, e vërteta është se universitetin e kam mbaruar në Tiranë, por master-in do ta bëj atje. Si ndihem? Jo edhe aq mirë, po jo edhe aq keq, sepse, përveçse për studime, do të bashkohem me pjesën tjetër të familjes.
Ç’farë do t’ju mungojë më shumë, më thuaj të drejtën? Shpirti juaj ndodhet në dilemë, pasi ju duhet të lini një dashuri dhe të përqafoni një dashuri tjetër?
Këtu më ke prekur në tel. Ndoshta s’do ta besoni, por unë e kam quajtur radion dashurinë time, shoqen dhe shokun tim të përhershëm e të përjetshëm. Radioja ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet pjesë e qenies sime.
Sa do të luftoni ju, që ta keni dashurinë tuaj edhe atje ku do të shkoni?
Do luftoj derisa të shterojë tek unë forca e dëshirës, vullnetit e pasionit. Do luftoj derisa këmbënguljes sime t’i vijë fundi dhe, pa dyshim, vetëm pasi të kem dashurinë time edhe atje.
Ku ndalet hovi jua?Mendon se do ndalet?
Mbase, do ta ndaloj hovin tim te një radio, sipas idesë dhe dëshirës sime, kur të ekzistojë një radio që i plotëson parametrat e një medie të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse.
A të duket se tolerova pak si shumë? Pse, vetëm punë bëni ju? Do thyeni ndonjë zemër, me ikjen tuaj?
Ej, nuk po iki në “atë botë”. Gjallë do jem! Them se do thyej zemrat e të gjithëve atyre që e njohin Moxhin nga afër, por, pse jo, pretendoj se do të thyej edhe zemrat e dëgjuesve të mi të mrekullueshëm.
Ç’do mbani mend nga revista “Spektër” dhe Radio +2?
Nga revista do mbaj mend bashkëpunimin perfekt me Leo dhe Borën, ndërsa nga radioja do mbaj mend shumë më shumë. Do mbaj mend studion, stafin, dëgjuesit, si dhe çdo detaj të radios. Do mbaj mend, veçanërisht Gerin. Do mbaj mend Vinin që, edhe pse e kam lodhur me ato regjistrimet në montazh, gjithnjë më ka ndihmuar të bëj regjistrime perfekte.