| E marte, 28.12.2010, 07:24 PM |
Ja si m’u shfaq pamja e Shën Marisë me Krishtin e vogël tek Shallavret
Nexhmije Hoxha u soll shumë keq për tarnsferimin e Zhanit
Drita Kosturi dhe Liri Belishova ishin shoqet që diskutoja më shumë
Ja si u realizua filmi “Si gjithë të tjerët”
Nga Albert ZHOLI
Këto ditë në ish shkollën Pedagogjike në Tiranë, ish-mësuesja, ish-folësja e radio Tiranës, Evanthi Ciko festoi 90-vjetorin e lindjes dhe përurimin e librit me kujtime “E bekuara mësuesi”. Në këtë takim mernin pjesë “Mësues të Popullit”, akadeimkë, profesorë, të afërm të familjes, miq, gazetarë dhe shumë ish-nxënës të saj. Mes lotësh dhe urimesh të pafund ajo, mes emocionesh me një zë të qetë dhe të pastër, ajo rrëfeu një pjesë të jetës së saj duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek lidhjet me Shtëpinë e Fëmijëve në Tiranë, ku ajo punoi për një kohë të gjatë si Drejtore.
“Nuk kam dashur të shkruhet për mua. Por, do të më ngelej peng nëse nuk do të shkruaja diçka për dashurinë dhe pasionin që kam ndjerë për mësuesinë. Dhjetë vjet, mësuese e klasës së parë... Dhjetë vjet, sytë dhe mendja e atyre engjëjve, në pritje se çdo të nxirrja unë nga goja. U kam dhënë ëmbëlsi dhe dituri. Më kanë falur lumturi dhe freski. Në vazhdim, me fëmijë më të rritur. Më pas, me fëmijë jetimë. Kurdoherë e rrethuar me pastërti dhe dashuri fëminore. Edhe kur u rritën! Respekti dhe mirënjohja e tyre kanë bërë që moshën ta ndjej vetëm në pasqyrë...
Faleminderit nxënësit e mi! E bekuar qofsh ti mësuesi! “
Evanthi Ciko
SI NDIHESH KUR ECEN SOT NËPËr tIRANË?
Ndjehem e lumtur tek shikoj ende në qendër të Tiranës, shtëpinë ku kam lindur para 90 vjetësh. Në krah të hotel “Tirana Internacional”, prapa librarisë “Flora” është një shtëpi dy katëshe me qerpiç, pronë e familjes Kazazi. Këtu, ka nisur jeta ime, më 13 korrik 1920. Im atë, Grigor Zoraqi, i ardhur nga Voskopoja, u martua me Eftalinë, bijë e Jakov Skakës, nga Belica e Strugës. Prej kohësh, gjyshi, ishte vendosur në kryeqytet, duke qenë një nga tregtarët më të njohur të kohës.
Dëshira për ta patur vajzën e tyre sa më afër, i detyroi që të kërkonin një dhomë me qira te fqinjët e tyre, Kazazët. Të dy shtëpitë ishin përballë njëra-tjetrës. Fat ishte edhe për mua, të rritesha mes dashurisë së gjyshërve. Ndaj, më shumë se atë dhomë ku u linda, sjell ndër mëndje shtëpinë e tyre. Hapje portën e madhe dhe para shfaqej një oborr i shtruar me kalldrëm. Në një cep të tij, ndodhej pusi nga ku sigurohej uji i pijshëm. Ngjisje tre shkallë guri dhe hyje në korridor. Menjëherë të binin në sy, shkallët prej druri që të çonin te kati i dytë. Dhoma e bukës, siç e quanim në atë kohë, ishte në katin e parë. Këtu rrinte gjyshi Jakov dhe gjyshe Dafina. Nuk ishte e vështirë për tu kuptuar kjo, pasi në krahun e djathtë të oxhakut ishte këndi i tij, shtruar me velenxa, rrethuar me jastëk anash, të zbukuruar me mbulesa që përfund kishin tantella. Po në këtë anë, ishte edhe dollapi i madh, ku gjyshi mbante verën, rakinë etj.
Pas disa vjetësh, prindërit u sistemuan me shtëpi diku aty ku sot është godina e Telekomit, në fillim të rrugës “Myslym Shyri”. Jo shumë larg shtëpisë, babai hapi një kafene ku punonte vetë. Pikërisht ka qenë një kapanon i madh, tip magazine, por im atë, Grigori, e përshtati shumë këndshëm duke u bërë një nga lokalet më të frekuentuara.
Cilat ishin lojrat e preferuara?
Futbolli. Vajzë isha, por me shkathtësinë dhe gjallërinë që kisha, isha e dëshiruar nga skuadrat më shumë se sa një djalë. Zakonisht qëndroja në portë, duke mos lënë asnjë top të kalonte pas meje. Mbase koha edhe i ka zbehur këto kujtime, për të lënë të freskët përjetësisht, atë ndodhi të çuditëshme që përjetova një ditë.
Çfarë ndodhi?
Ndërsa isha vendosur në mes të portës, e ktheja kokën sa nga një anë te tjetra, për të mos hyrë gol, befas në krahun tim të majtë, në lartësinë 5-6 metra, m’u shfaq pamja e Shën Marisë me Krishtin e vogël në krah. Ngriva e hutuar dhe nuk po kthjellohesha dot. Atë ikonë të larë në ar, e kisha parë çdo të dielë, vetëm në Kishë. Pas disa sekondash, ajo pamje mu zhduk. Iu rriktheva përqëndrimit në lojë, por ndjehesha shumë e emocionuar nga ajo ndodhi e papritur që përjetova. Ndoshta në kujtesën time, kjo çudi mund të ishte zbehur me kalimin e viteve, nëse pasditja nuk do të pasonte ndodhinë në vijim. Ika në shtëpi, për të ngrënë drekë dhe pushuar pak dhe më pas dola përsëri te fusha. Këtë radhë, më shumë se sa loja më tërhoqi një tufë delesh ku më mahnitën sidomos qingjat.
Ka qenë pranverë. Ndoshta muaji mars. Hyra mes tufës dhe fillova t’i gëzohesha një qengji të vogël, laraman. E ndërsa ledhatoja shpinën e tij, befas në shpinën time, ndjeva një të shtyrë që më përplasi për tokë. Çohem përsëri dhe menjëherë më vjen e njëjta goditje... Ia plasa të qarit. Dhe kur kisha pësuar edhe goditjen e tretë, e pashë veten në duart e bariut të tufës. Mes të qarave dhe rënkimeve munda t’i tregoj atij se ku e kisha shtëpinë. Dëgjova kur i tha nënës, se e ka goditur me brirë dashi i tufës... Në çast, i gjithë kurrizi im u mbulua me qepë e kripë, në pritje të ditës së nesërme, për të shkuar në spital dhe të kontrollohesha se mos kisha thyer ndonjë brinjë. Por, prindërit mbetën pa gojë në mëngjes, kur më panë mua që u çova si gjithë ditët e tjera. Nuk ndjeja në trup, as më të voglin shqetësim. Më pas, kur unë i tregova nënës se, dje gjatë lojës më ishte shfaqur dhe ajo ikonë e shenjtë, ajo shtoi:
- Po pse nuk flet ti moj bijë?! Ty të ka mbrojtur Shën Maria dhe Krishti!
Po nga vitet e shkollës çfarë do të veçoni?
Isha 12 vjeç, kur fillova shkollën e mesme pedagogjike “Nëna Mbretëreshë”. Kuptohet, për familjen time ishte ndihmë e madhe qënia konviktore, por për mua nuk ishte dhe aq e lehtë për tu përballuar nga ana shpirtërore. Gjatë gjithë vitit, kisha mundësi të vija në shtëpi, vetëm ditë festash si, Bajrami, Pashkët dhe Vitin e Ri.
Në ditë festash kombëtare dhe ceremoni zyrtare, nxënëset e shkollës pedagogjike demonstronin, bukurinë, gatishmërinë, atdhedashurinë dhe disiplinën ushtarake. Ishin krijuar tre kompani në krye të së cilave ishin përkatësisht tre motrat e Mbretit, princeshat, Sanije, Rukije dhe Maxhideja.
Të veshura ushtarake me pantallona qillota, çizme dhe shpatë në brez secila u printe 40 nxënëseve me kostume në ngjyrë gri. Xhaketë, fund dhe një këmishë e brendshme e bardhë që dukej vetëm jaka. Mbi krye, çdo vajzë mbante bustinën, ku ishte vendosur në majë të saj, një pupël. Në krye të këtyre kompanive, hipur mbi kalë qëndronte princ Hyseni i veshur shumë hijshëm si ushtarak. Parakalonim me hap rreshtor dhe nën rritmin e bandës duke përshkruar rrugën mbretërore, atë të Kavajës, Shallvaret dhe ktheheshim në shkollë. Të dy anët e rrugës në të tilla rastesh, mbusheshin plot me qytetarë që na shoqëronin me duartrokitje dhe përshëndetje.
Dhe erdhi një ditë që kjo krenari dhe ky identitet kombëtar, të shpërfytyrohej nga pushtimi fashist. Shkolla jonë u mbyll për disa javë. Por edhe kur u hap, i shëmbëllente asaj që i kishte ndodhur Shqipërisë. Gjithçka ishte shkatërruar. Konvikti, klasat, bankat kishin pamjen e një pasbeteje. Edhe pse i kishim lënë të kyçura, dollapet tona personale i gjetëm të hapura. Më shumë se për gjithë ato sende që kishin grabitur e shkatërruar, na erdhi keq për fotografitë.
Të qartë në strategjinë e tyre fashistët, bën çmos që shkolla të rrifillonte normalisht.
Vitet e pas shkollës, ku i çon kujtimet?
Isha duke u kthyer bashkë me Hatlijen nga liqeni I Tiarnës për në shtëpi, kur dëgjoj nga bregu i liqenit një të qarë gruaje me zë të lartë. Afrohem dhe shikoj që gruaja që qante ishte drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve. E ndërsa po e pyesja se çfarë kishte ndodhur, nuk pata nevojë për përgjigje, pasi polumbarët po nxirrnin nga uji trupin e një fëmije të mbytur. Mu zu fryma dhe errësuan sytë nga dhimbja. E njoha menjëherë! Ishte Petrika, 12 vjeçar që e desha aq shumë! Simpatik, i urtë, i ëmbël që ecte mirë me mësime. Akoma i rrinte në ballë një tufë flokësh përpjetë...
Kishte dy kurora dhe unë shpesh herë i thosha se do të marrësh dy nuse. Çfarë irone?! Ai e këputi jetën e tij, në ujërat e këtij liqeni. Më duket e çuditshme edhe kjo fatkeqësi. Më kujtohet, se gjatë pushimeve të verës në Golem, Petrika nuk lahej kurrë vetëm. Hynte bashkë me shokë në det dhe po kështu dilnin në breg. Bashkë me trupin e pa jetë, ikëm në shtëpinë e madhe. Rrugës mes pikëllimit, kujtova ndodhinë e pak viteve më parë ku Petrika u adaptua nga një nënë elbasanase. Mirëpo pa kaluar dy muaj, e shikoj të hyjë në zyrën time. Mes lotësh dhe përqafimeve më thotë:
- Shtëpia ime është këtu dhe nëna ime je ti...
Paska qenë e shkruar që të kthehej për të mos jetuar!
Drita Kosturi
Disa nga shoqet e mia të pedagogjikes nuk i ndihmoi fati në jetë. Edhe pse i dhanë partisë shpirtin ajo ua shpërblevi me vujatje dhe mundime. Por unë nuk u ktheva shpinën asnjëherë. Kam patur kurajo për tu afruar përshëndetjen dhe atë shoqëri të sinqertë që kemi patur që në rininë tonë. Me Drita Kosturin kam qenë shoqe që në shkollën fillore. E humbi nënën pa u rritur, mbeti jetime. U takuam përsëri kur ishin në Pedagogjike. Ishte shumë e shkathët dhe nga më të shquarat në lëvizjen antifashiste. As në fejesën me Qemal Stafën nuk pati fat, pasi ai u vra. Gjatë kohës që ajo ishte e internuar dhe unë isha në seksionin e arsimit, shikoj një ditë të strukur në një cep të autobuzit, një grua. Ishte Drita. Ika dhe e përqafova duke u ndrojtur më shumë ajo se sa unë nga ky veprim. Më erdhi keq, ajo vajzë që dikur lëshonte xixa sot ishte mbledhur një grusht dhe e diskredituar nga rregjimi i kohës. Gjatë viteve të demokracisë, i shkova disa herë për vizitë në shtëpi.
Liri Belishova
Në Pedagogjike kam patur shoqe edhe Liri Belishovën. Ajo bashkë me Drita Kosturin kanë qenë një vit më të vogla se unë por klasa e tyre ka bërë jehonë më të madhe. Quhej klasa revolucionare. Më kujtohet që në një demonstratë antifashiste, Liria humbi edhe syrin në përleshje me pushtuesit. Për herë të parë pas çlirimit, u takuam kur unë isha mësuese në shkollën “Naim Frashëri”. Në atë kohë filluan të bëheshin nëpër kolektiva rrethet politike ku diskutoheshin direktivat e partisë. Temat vinte dhe na i caktonte një instruktor nga komiteti i partisë. Ne përgatiteshim dhe pas disa ditësh bënim diskutimin në një takim të përbashkët. Njoftohemi se një ditë do të vinte nga lart për kontroll, Liri Belishova, anëtare e byrosë politike. U mobilizuam shumë dhe filluam ta vlerësonim temën e radhës për të nderuar veten dhe shkollën. U takuam si të njohura por gjithsesi vendi i saj ishte në presidium dhe e shoqëruar. Filluam të diskutojmë të gjithë për temën por kur bëri konkluzionet e ardhura nga lart sikur nuk u kënaq shumë.
“-Duhet të bëni përpjekje më të mëdha dhe nuk duhet nënvleftësuar puna politike. Ajo duhet tu paraprijë të gjitha punëve se pa të ngec çdo gjë”. Diçka të tillë më duket se tha. Të gjithë mbanin shënime dhe ishin të përqëndruara ndërsa unë mezi prita sa kërkova lejë për të thënë dy fjalë. Edhe tani i them vetes, po mua ç’më duhej ajo ndërhyrje.
- Urdhëro shoqja Evanthi! Çfarë ke për të thënë?
- Desha të them se edhe aq sa ishim përgatitur atë kohë ia hoqëm gjumit pasi jemi shumë të ngarkuara. Është shtëpia, janë fëmijët, vjen darka do të bëjmë ditarin. Pastaj kalojmë te puna politike... Ju shoqja Liri nuk kini nga këto punë se ua bëjnë të tjerët...
Vuri buzën në gaz dhe duke u çuar ma ktheu:
-Hë ç’je ti, je një shejtankë..
Dhe nuk e zgjati më tej. Por, nëse i peshonte pak më shumë fjalët e mija mundet që të përfundoja edhe keq. Pra, dinte të respektonte shoqen dhe miqësinë e dikurshme.
Hera tjetër që u përballa me të, ka qenë pas disa vjetësh. Isha inspektore e arsimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, dhe ndërsa ikja për në punë u shkëmbyem në rrugë. I kishte futur krahun të shoqit dhe ecnin shumë të mërzitur, pa folur me njëri-tjetrin. Më bëri përshtypje kjo gjendje e rënduar shpirtërore. Hyra në zyrë dhe pa u ulur akoma, më pyet shoqja që kisha në krah:
- E dëgjove radion mbrëmë. Kishin shkarkuar nga detyra Liri Belishovën.
Më erdhi keq se ka qenë një vajzë e zgjuar dhe ka sakrifikuar për idealin e saj. Në një nga ato ditë shefi, më thotë se do ikësh të prezantosh Lirinë, si drejtoreshë të shkollës “7 Marsi”. Të gjithë rrugën e bëmë bashkë si të dy shoqe të pedagogjikes... Vinte herë pas here në seksion dhe takoheshim vazhdimisht. Më kujtohet edhe shakaja e shefit të seksionit, Manol Muçkos.
- Moj Evanthi, sa herë që hyn Liria në zyrë, çohem në këmbë. Më duket sikur është akoma anëtare e byrosë.
Por, më pas Lirisë i shkuan punët edhe më keq . Një herë erdhi dhe më kërkoi ndihmë për t’i siguruar triskën e ushqimit dhe të veshmbathjes. Më pas e larguan edhe nga Tirana dhe e internuan.Fatkeqësia me vajzën e saj, të cilën e morrëm vesh gojë pas gojë, më preku shumë.
U takuam përsëri në këto vite të demokracisë si dy shoqe të vjetra dhe të mira. Sa herë që më shikon në televizor, më telefonon dhe përgëzon.
Me Drita Saraçin, shoqen tjetër të pedagogjikes kemi qenë edhe më të lidhura. Gati në të gjitha shkollat që kam qenë unë do të ishte edhe ajo. U martua me Ymer Saraçin, kryetar i bashkisë së Elbasanit, para çlirimit një burrë zotni dhe me kulturë gjermane. Kjo ishte arsyeja që në vitet e partisë u burgos dhe më pas punoi në ndërmarrjen e konsumit të gjerë si punëtor, por gjithmonë njeri dinjitoz. Kishin pesë fëmijë të mbarë që e kemi ruajtur lidhjen dhe sot.
Zhani në Patos për edukim në bazë
Bëja çmos të përkrahja të tjerët, kur nuk isha e zonja të ndihmoja edhe familjen time nga ashpërsia dhe ligësia e asaj ideologjie. Në këtë kohë që isha në krye të organizatës së gruas, Zhanin e hoqën nga Teatri i Operas dhe Baletit dhe e çuan në Patos. Madje, më kujtohet se edhe atë ditë që u bënë zgjedhjet dhe më propozuan për kryetare, jam çuar dhe u kam thënë faleminderit, për respektin dhe besimin që po tregoni, por nuk më takon kjo detyrë, pasi partia djalin tim, e ka kritikuar dhe çuar për edukim në bazë. Edukim them unë tani, se për ne, ka qenë si internim. Kemi ndjerë një dhimbje të madhe në shpirt. Vajzën, Ketin e kishim martuar dhe tani ishim detyruar të rrinim pa dritën e syve. Gëzonim kur na flisnin për Zhanin fjalët më të mira, specialistët e muzikës që ishin edhe miqtë e Mihalit. Dhe krejt papritur, vjen një çast që mendimet e tija “liberale” , dëmtojnë ideologjinë e partisë. Kishte filluar furtuna e plenumit të katërt të partisë...
Nexhmije Hoxha, shoqja ime e dikurshme e Pedagogjikes
Kam dalë me lotë sy nga këto dy pritje të shëmtuara. Halli më bëri që të shikoja për më lart për Zhanin. Menjëherë mëndja më shkoi te Nexhmije Hoxha, shoqja ime e dikurshme e Pedagogjikes. I bëj telegram dhe të nesërmen vjen përgjigja, me orën e takimit. Nuk kisha hyrë asnjëherë në Komitetin Qendror. Sa e lajmëron sekretarja, ajo del nga zyra dhe më pret gjithë buzëqeshje.
- Hajde shoqja Evanthi! Mirësenaerdhe!
Nisi bashkëbisedimi i ngrohtë duke kujtuar ngjarje nga ato vite të herëshme, më përgëzoi për shëtitjet e mija nga kodrat e Liqenit Artificial dhe falenderoi për drejtimin e organizatës së gruas në lagje. Pasi mbaroi ajo, fillova unë duke i thënë se kam ardhur për dy probleme. I pari është për djalin që e kam në Patos. I thashë që kemi mbetur vetëm dy pleq. Por e njoftova që edhe Patosi është dakort. Kur prisja mirëkuptimin e saj, vërejta se ju shpërfytyrua fytyra.
- E çfarë do të bëj Zhani këtu?
-Po, ja të vijë në Lice dhe të japë mësim..., - ia ktheva.
- Të vijë Zhani jot, dhe të edukojë rininë me ato pikëpamje liberale? Jo në asnjë mënyrë!
E ndjeva që isha bërë e padëshiruar për të. Madje pashë që uli dorën dhe shtypi diçka në cep të tavolinës... Në sekondë hyri sekretarja dhe e njoftoi për një takim. E kuptova që bëhej fjalë për daljen time... Më duket se as dorën nuk i dhamë njëra-tjetrës. Dola shpejt sepse ligësia më bllokoi frymëmarrjen. Kuptohet, problemin e dytë as që munda t’ja parashtroja. E trishtuar nga dështimi i këtyre takimeve, stafeta kaloi në duart e Mihalit. Si një profesor i nderuar në Akademinë e Arteve dhe personalitet i njohur i muzikës, u prit nga një sekretar i Aparatit. Iu premtua se diçka do të bëhej. Telefonat vijuan deri sa pas një viti Zhanit i erdhën dokumentat në Tiranë. Filloi punë pas ca kohësh, mësues violine në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Film për jetimët
Koicidencë e bukur ka qenë edhe hedhja e idesë nga Bashkimi i Grave të Shqipërisë, për realizimin e një filmi artistik me metrazh të gjatë, për jetimët. Duke qenë se sukseset ishin mjaft të dukshme, ishte menduar që ky kujdes, të skalitej në një film artistik.
Një ditë, më telefonon dramaturgu, Ruzhdi Pulaha dhe kërkon takim me mua. U ndjeva mirë që skenarin do e shkruante një shkrimtar kaq i dëgjuar dhe i njohur. Thjesht dhe saktësisht, i tregova për disa ditë me radhë, momente të rëndësishme nga jeta e këtyre fëmijëve. Mu dha shansi, edhe një herë për të përjetuar gjithë ato ngjarje dhe mbresa të atyre viteve, kur drejtoja Shtëpinë e Fëmijës.
Edhe më shumë u emocionova, kur në derë më trokiti Artistja e Popullit, Tinka Kurti që do të luante rolin e drejtoreshës.
- Unë nuk kam qenë asnjëherë drejtoreshë, ndaj dua të njoh sa më mirë dhe afër personazhin që do të përjetësoj në këtë interpretim artistik,- më tha me atë zë të ëmbël dhe gjithë kulturë, artistja jonë e madhe që e takoja për herë të parë.
Për fatin e saj, atë ditë tek unë gjeti edhe dy fëmijë të asaj shtëpie që ishin martuar bashkë dhe kishin ardhur të më gëzonin mua. Ndjeu nga afër miqësinë, komunikimin e ngrohtë, mirënjohjen dhe respektin ndaj meje si nënë dhe jo si drejtoreshë. Madje, shijoi edhe tortën që më kishin prurë si peshqesh.
Në ditët që vijuan, lamë takime për bashkëbisedime të tjera, jo vetëm me mua por edhe me fëmijë jetimë, deri sa u krijua përfytyrimi i duhur dhe i mjaftueshëm, për të nisur punën aktorët dhe grupi realizues.
Dhe ia arritën më së miri qëllimit. Unë i jap notën dhjetë. Sa herë që e shikoj, drejtoresha e filmit më nxjerr mallin e Evanthisë...
Para pak kohësh u largova nga Tirana për rreth dy muaj. Kur iu rriktheva, shëtitjeve nga kodrat e Liqenit Artificial, një mikesha ime, më tha:
- Më ke munguar por malli nuk më ka marë... Sa ike ti, bleva CD e filmit tënd dhe e kam parë në vidio për javë.
Desha të them se edhe Tinka, në atë interpretim është një nënë shumë e mirë, e komunikueshme, e dhimbshur, e respektuar dhe e dashur.
Titulli i filmit, është shprehja që unë e kisha gjithnjë në majë të gjuhës, kur flitej për fëmijët jetimë se edhe ata duhej të ishin “Si gjithë të tjerët”.
Me këtë shprehje që për mua ka qenë motivim dhe frymëzim, në ato vite pune të paharrueshme, dua t’i mbyll edhe rreshtat e këtij libri që unë nuk kam dashur të shkruhet më herët.
I shkrojta tani, për të dëshmuar dhe më besuar se edhe unë, kam qenë si gjithë të tjerët...