Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdije Rexhepi: Baladë mbi Balad

| E marte, 28.12.2010, 07:03 PM |


Cikli 5.

SEVDIJE REXHEPI

Sevdije Rexhepi: “BALADË MBI BALAD”, poezi, botoi Shtëpia Botuese  “FAIK KONICA”

Prishtinë 2010. Botues: Nazmi Rrahmani; Redaktor dhe pasthënien: Shefqet Dibrani; Recensentë: Ramadan Musliu dhe Fehmi Ajvazi; Ballina: Skënder Hajdari; Redaktor teknik dhe realizimi kompjuterik: Enver Sulejmani. Libri ka 150 faqe, kurse Katalogimi në publikim – (CIP), Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës me nr. ISBN 978-9951-06-309-8.

 

MOLLË E NDALUAR

 

Ecje nëpër rrugë të vjetra

Të vjetra sa bota vetë

Në kopshtin ku lulet çelën së pari

Ku së pari u takuan

Shpirtrat që flisnin pa fjalë

Nën hije të një molle të ndaluar

U këput molla

Që atëherë dhe sot

Fajësohet belholla

 

20 janar 2010.

 

 

AMERIKËS...

 

Ty që më dhe dorën

E me fshive lotin

Të shkela Tokën...

 

Në shtizën tënde

Vara dashurinë

Krenarisht, erdha tek ti

Yjet nga qielli më thanë

Se ti gjithmonë pranë meje je

E unë si nuse e bukur

Në ditët e Lirisë

Me Ty gjithmonë

Mikja ime!...

 

16 nëntor 2006.

 

 

NË KËRKIM TË PROMETEUT

 

Në një botë pa emër

Ndërtoj muret e Trojës

Me lutjet pafund

Të mos depërtojë

Kjo uturimë qiellore

Që të çon peshë

Dhe nuk e lë rehat

Vallen e yjeve këtë natë

 

E shurdhër bëhem

Dhe roje e bindshme

Zgjuar...

Në kërkim të Prometeut

Të shndrisë errësirën

Hëna edhe ajo zgjuar, e ngratë

Të dyja të frikësuara deri në asht

Nga Kali i Drunjtë

 

U ngjita në Olimpin

E mendimeve të mia

Përsëri u luta në heshtje...

Zeusi – zot i zotave

Më fali ninullën – uratë

Mua dhe asaj

 

26 tetor 2009.

 

 

SI BOHEM

 

Mbi liqenin e Shkodrës

Reflektohet bukuria jote

Në pasqyrën e saj

Çiftëzohesh me ngjyrat

Që të falin jetë

Shikimi nuk ndalet aty

Ti si bohem

Shëtit luginave

Pa dalë më në horizont

Ndihet veç...

Shushurima e hapave të tu

Humbësh ende pa ardhur

Tek burimi që rrjedh rrëke

Në gjethe i lë fjalët...

Që unë dhe hëna

Bashkë me erën që frynë

Ti lexojmë

 

8 tetor 2009.

 

 

KËNGË PA FJALË

 

Ditës çdoherë i vë parmakët

Të mbahet e mos rrëzohet

Tek ngjitet e zbret

Shkallëve të kohës

 

Ruaj kokën

Nga plumbat e gjallë 

Që fluturojnë

Më shumë se zogjtë

 

Kufjet mbaj mbi vesh

Se rafalët janë refren

Të një kënge pa fjalë

Edhe më: Shpresa varet diku tjetër

 

Lutem: Pa fjalë të mos mbetem!...

 

5 nëntor 2009.

 

 

EMERA 

 

Në Lindje u errësua

Perëndimi përqafon të renë

Nga qielli

Emera do të zbres ngadalë

Në dritaren tënde

Fije rrezesh

Do të përkëdhelin fytyrën

Të të thonë se...

Ditë e re po lind

Ti do zgjohesh

Nga prekje të lehta fluture

Kur të mbërthehesh

Nga ujëvarë mëngjesi

A do qeshesh

Nga ëndërr e boshatisur?

 

20 nëntor 2009

 

 

METAMORFOZË

 

Mes roje tempujsh

Ndiej tek frymojnë perënditë

E shkuara më ngre për flokë

Hijet e se tashmes më ndjekin

Si Perseu

Do vjedh syrin nga Graitë

Për të më treguar

Të vërtetën e fshehur

Në copëza letrash

Ngjall kujtimet

Në miliarda pjesë të shpërbëra

E lodhur...

Kthehem tek të gjallët

Lë vdekjen fillikat

Supet nuk durojnë më

Kacafytje kohësh

 

12 nëntor 2009.

 

 

SHPRESËJETA

 

Kalova...

Nëpër Via Egnatia

Lexova lavdinë

E lindje – perëndimit  dikur

Veriu e Jugu

Me bisht të syrit më përcjellin

Pa dashje...

Provokatore për dreq u bëra

Dëshmitare në grindje akrepash

Dhe orë që njëra – tjetrën gëlltisin

Në sfond dëgjoj zëra poliglotësh

Që ditës i ngecin në orbitë

Nëpër rrugë shkronjash

Ecje e lehtë të mos thyhen ato

Mbështjellur me petkun e shpresëjetës

 

25 nëntor 2009.

 

 

MALLPALOSUR

 

Në valixhen e lodhur

Nga rrugëtimi i gjatë

Nxjerr...

Mallin e palosur

E shuaj

Me pakëz ditë të numëruara

Lodhjen... harroj

Nën jastëkun e shtëpisë

Ku më pushojnë eshtra e shpirt

Ku gjej me bollëk dashurinë 

 

Këtu...

Ndihem e gjallë sërish

Ah, sërish...                

 

7 gusht 2009.

 

 

METAFORË

 

Në luftën e dyfishtë

Jashtë dhe brenda nesh

Thellë e më thellë gërmohet

Qetësinë për ta gjetur

Kur ditët sëmbohen

Helmohen...

Zbrazen nga kuptimi

Për antishok

Mbetur veç shpresa

E nesërmja mesopotamiane

Lind sërish metaforën

 

14 shkurt 2010.

 

 

ANKORIM NË MUZËN E POEZISË

 

Përtyp çastet që lënë gjurmë

E gjurmët hieroglife mbesin  

Në thellësinë e detit shpirtëror mbyllen

Ku Poseidoni ruan fshehtësitë

Të mos grabiten nga Erinitë

Se pastaj...

Si Pandora do shpërndajnë

Shtrëngimin në zemër

Trishtimin e përjetuar

Ngushëllimin për mik

S’e dua...

Në muzën e poezisë

Do t’i zbraz frikën e mërzinë

Sulm orësh...

Luftë akrepash

Rëndësi sekondash...

Ndriçim kometash...

Veç në shkronja do të ankoroj

Patundshmërinë e palmave të jetës

 

30 tetor 2009.

 

 

PANORAMË

 

Muzgu...

Lodhur bie dhembja mbi Balad*

Me ngjyra të ylberta

Qëndiset horizonti

Si letra e djegur

Panorama tretet në sekondë

Dikush flet në altoparlant

Mbi bunkerin e natës

Bien mortajat...

Si një klithmë e marrë...

 

2 dhjetor 2006.

*Balad – qytet në veri të Bagdadit

 

 

NATË E FUNDIT

 

Edhe në fund të botës

Vjen fundi i vitit

Tretet në heshtje

Natë e fundit

Edhe pa ardhur

Fundi i saj

 

Pa cakërrime gotash

Uroj:

GËZUAR!...

Thërras pastaj gjumin

Të më shpie

Në të nesërmen e bardhë

 

31 dhjetor 2006.

 

 

RRETH MEJE

 

Nën ritmin e Celine Dion

Kujtime motmotesh parakalojnë

Në një vend tjetër

Shtyj minutat e vjetër

...Program i çuditshëm festiv

Ushtimë aeroplanësh nga jashtë

Brenda Unë...

Mes të djeshmes e të nesërmes

Pres... dhe lutem në heshtje

Me gjuhën e paqes

                        Vetëm për  P A Q E...

 

31 dhjetor 2006.

 

 

ARRATISJE...

 

Në lakuriqësi nate

U zhveshën yjet

Për të fjetur

Hëna... u skuq

Nga paturpësia

Poshtë...

Luftohej marrëzisht

Luftë... jo veç e shkruar

Por bindshëm e vërtetë

Qielli mbeti në terr

Nata u bë rrëmujë

Hënë e yje

Trishtimthas u arratisën

 

21 shkurt 2010.

 

 

INCOGNITO

 

Pasdite e lodhshme

Frymëzënë në heshtje e terr

Ulur në një karrige

Të punuar hiç pa stil

Shikoj radhë makinash

Zhurmë pa mbarim e neveritshme

Tek gumëzhijnë me dritat ndezur

Presin shokët të ecin atje...

Ku as vetë se dinë

Jashtë nga këtu

Dhe telave gjemborë që na ndajnë

Nga zjarr e furtunë

Incognito* më shumë

Fobosi** tërbohet

Se Ata  edhe më tutje qeshin

Nuk frikohen

Nisen bashkë me engjëjt

Njëri pas tjetrit

Të gjithë bashkë luten...

 

27 tetor 2009.

 

 

EVA

 

Rastësisht

Në kopshtin e Edenit erdha

M’u kujtua sa larg

Nëpër diagonale të botës

Bredhim...

...e mendimet tërhiqen

Si në një pikë magneti

Dhe vetëm atëherë ndiej

Ashtu siç ndiente Eva dikur

Dashurinë e saj

 

Kopshti Eden, 2 dhjetor 2006.

 

 

LOT I HESHTUR

 

Sot...

Një jetë e njomë

U këput si një lule

Thanë...

Ka ndodhur

Aksidentalisht

...

Në sytë e saj e pashë

Lotin e heshtur

 

 

Humbje e një jete të njomë  në Balad,

3 janar 2007.

 

 

YJE E NYJE

 

Nga njëri skaj në tjetrin

Larg dhe afër

Kur gjumi hyjnorë të na kaplojë

E të humbkemi ndër yje

Ndoshta...

Me ndjenjën e kristaltë

Takohemi ëndrrave

E zgjidhim nyje

 

27 dhjetor 2009.

 

 

DET DËSHIRASH

 

Në parehatinë tënde

U bëra pagjumësi

Ëndrrat t’i mori Orfeu

E me to krijoi meloditë

 

Humbur në kërkim të Euridikës

Ti… kthen kokën kah fjalët

Unë shikoj presjet

Për t’i ngjallur sërish ëndrrat

 

As ato...

Nuk të vijnë më mysafir

Se bashkë me yjet

Ti i mat netët e gjata  

Në det dëshirash

Zhytur në kujtime

            Ndoshta i vetmuar

 

8 dhjetor 2009.

 

 

JAM KËTU...

 

Ti më thua

Këtu jam

Kur me erën vjen

Valëvit pak orët

Shpirtin ëmbël trazon

Pastaj shpejt ik

Atje...

Pas shtatë fushave

E maleve shtatë

Shtatë herë në ditë

Kthehem e vij

këtu ku jam

 

 

UNIVERS MES NINULLASH 

 

Nata më mori në krahët e saj

Tinëzisht...

Me nektar gjumi më mashtroi

Qerpiklëshuar...

Në mbretërinë time një çast humba

Si në djep fëmije...

Përkundej universi mes ninullash

Ëmbëlsisht...

Dëgjova zërin e feniksit n’fluturim

Kur nën dritën e hënës befas ateroi

Në rizgjimin tim...

E që më futi në ëndrra

Pafundësisht

 

 

MBI QERPIK

 

Mbi qerpik varur shpresa

Sytë hapur mundohem t’i mbaj

Gjumi mos t’më mashtrojë

Kapakët e lodhur t’i lëshojë

Aksidentalisht të mos rrëzohet

Lënduar e kokëthyer pastaj

Si do të ngjitet shpresa sërish

Aty në majë jete

Aty mbi qerpik

 

12 janar  2010.

 

 

NDËR PLANETE TË PASHKELURA

 

Me mijëra vjet drite larguar

Diku ndër planete të pashkelura

Tinëzisht ikur në mbretëri të paqena

Që ndërtohen veç në ëndrra

Përreth teje fytyrat e vjetra

Që afër kishe në ditë apokalipse

Më nuk kanë rëndësi

Afërsinë e zhduku gënjeshtra

Fjalët i përpiu kolera

Vranësisht dhimbje...

A e di?!

 

15 janar 2010.

 

 

NË MBRETËRI DRIADASH

 

Me Ty jam sirenë

Notoj e palodhur nëpër legjenda

Shpirtkështjellën ngritëm nën dete

Njelmësinë ëmbël e zhduk era

Fluturimthi në dendësi pyjesh 

Driadat thërrasin në valle

Mysafirë jemi në mbretërinë e tyre

Nën shushurimë gjethesh

Dirigjent... qetësia e kësaj nate

Orkestër... zemrat që rrinë zgjuar

Lidhim bashkë shkronjat

Që për ne shndrisin

Qielli lexohet pa fjalë

Çasteve kur Hypnosi

Ka harruar të na marrë

 

9 janar 2010.

 

 

AURORË E DHIMBSHME

 

Në zbrazëtirën pa emër

Si zogu i tmerruar

Përpiqet kot për aterrim

Krahëlodhur

Shtrëngon fort Gjirin

Të shpëtoj shpirtrat

Ushtimë...

Cicërima...

Zjarr...

Ra përtokë

Siç bie rrufeja

As një pupël...

As një shpresë...

S’iu gjet dikujt

Ashtu sikurse

Dita që puthitë Natën

U bënë bashkë

Dashuria me dhembjen

 

Qiell i mjegulluar

Shtrydhi njelmësinë e lotit

lagu datën...

 

“KULAK”, 9 janar 2007, 

Balad / Rrëzim aeroplan udhëtarësh

 

 

KURRË MË...

 

Ag e terr end shekujt

Mbarë e mbrapsht

Si në vek trikon

Me ngjyrat e jetës

Bëj ylber kohën

Mbërthej dhe i bëj bashkë

Krahët e ndarë dikur

Dhe betohem më kurrë

Në mes qëndis shqiponjën

 

8 shkurt 2010.

 

 

PËR OSKAR

 

Nën dritë abazhuri

E lodhur nga përditshmëria

Shfletoj faqet e një libri ngadalë

Teshtij dy a tri herë

Tek ndiej aromën e vjetërsisë së saj

E përhumbur ndër rreshta

Zhytur në një botë ku vetë bëj skenarin

Filmi si për Oskar në sytë e mi shfaqet

Papritmas aurora ëmbël më buzëqesh

Shoh librin jashtë shtratit larguar

Kur gjumi tradhtisht më kishte mashtruar

E ëndrra më ka pushtuar gjer në mëngjesin e ri

 

11 shkurt 2010.

 

 

SHPIRT I TRËNDAFILTË

(Mësueses Flora Durmishi)

 

Kur në majë gishtash

Mundohesha të prek qiellin

Si ëndërr fëmije atëherë

Ti m’i zbrite yjet e ndritura

Duke m’i bërë gjerdan dashurie

Fanarë drite për mua

Ndër shtrëngata të kohës

Këtyre stinëve të vështira

 

Kur u rrita...

Ti përsëri më mbajte për dore

Edhe shtigjeve të largëta

Edhe mërgimeve të pafund

 

Shpirti yt i trëndafiltë

I dha zemrës time aromë

Ditët e panjohura

I pata më të lehta

Nën ombrellën

e kujtimit për ty

 

Kur eca unë...

Shpirti yt eci me mua

Edhe në rrugët gjarpër

Edhe në fronte lufte

 

 

Edhe larg kur shkova

Të pata afër - Mësuese

Si nënë të kam dashur

Shoqe kahmot

 

Se ti F L O R A . . .

Përherë mbushullon në mua

Që më mësove të ujis si duhet

            rrënjët e jetës jeshile

 

Me rastin e 7 Marsit (2008).

 

 

URNË ROZAFEJE

 

Zhytem në buzëqeshjen tënde

Humnerë ku ëmbëlsisht humbem

Herë pluhur, herë n’fluturim

Ringjallem si feniks

Ndërtoj ndjenjën

Me tjegulla kohe

Ia bëjë urnën Rozafës

Të cilën do ta varros

Në muret e Kalasë së Rozafatit

Ku tjetër veç në Shkodren Loce

E pastaj do të vij deri aty

Ku ndihet fryma jote

Të më lidhësh

Fjongon ngjyrë ari

E mos ta kujtoj më

Luftën

Frikën

E zjarrin

 

8 tetor 2009.

 

 

3 X 364...

 

Në këtë formulë vjetore

Fitova...

Rrudha më shumë

Në mes e përmes ballit

Nga diell i fortë

A nga ndjenja e mallit

                        Nuk e di?!...

 

 

LUTJE

 

Përnatë

I lutem Zotit

Yjet nga qielli

Të mos bien

Ëndrrat e nisura

Të mos m’i djegin

As flokët e rritura

 

20 qershor 2007.

 

 

DALLDISJE RESH

 

Në këtë prush ferri

Sodis dalldisje resh

Tek i japin qiellit

Një nur të brishtë

 

Bëhem pjesë pikturash

Pa emër...

Mendja më humbi

Në soditjet e kota

 

Vetëm mbështillem...

Nëpër ditët e zymta

Që jetës ia marr hua

 

Nuk më besohet

Mbase jam në ëndërr

E jo në fundin e Botës

Të një çmendurie të pafund

 

28 maj 2007.

 

 

SI NË RINGJALLJE

 

Më tha (?!...)

Përditë takohem

Me Vdekjen

Por s’ia kam frikën

Pasi do të ringjallem

Në yjet e flamurit tim

... i besova ...

. . . . . . . . .

           

1 qershor 2007.

 

 

MURAL

 

Shikoj përditë

Një pikturë që flet

Për ata që erdhën

Dhe jetën peng lanë

Dhe jetën peng e morën

Çdokush që këtë mur

Parë s’e ka

Bënë fotografi kujtimi

Pastaj i lidhin shkronjat...

Si ura që i lidh brigjet

Duke numëruar në heshtje

Ditët dhe emrat që ikin

 

1 qershor 2007.

 

 

RUTINË

 

Mendimet e lodhura

Udhëtojnë drejt

Atdheut

 

Kur dita ik

Shtrëngoj dhëmbët

Duke u  lutur në heshtje

Për një datë të plakur

 

Symbyllazi

Dëgjoj zëra monotonë

Përplasje...

Se jeta m’u bë lojë guralecësh

 

Mbrëmjeve

Shikohen filma pirat

Blerë në Bazaar irakian

Me më pak dollarë

 

Netëve korb

Me baterinë në dorë

Ndriçoj hapat e mi

 

Ah,

Ç’ironi...???...!!!...

 

 

ËNDRRA PËRHITURE

 

Stinëve të ftohta

Ndiej dorë ëndrrash

Që më shkrijnë dëborën

Them...

Ku jemi të 2-të?

 

Shtjellë pluhuri

M’i mbyll

Sytë e mi të malluar

 

Pyes:...

Janë ëndrra përhiture

A gjumë borëbardhe

Apo Tren Luftërash

Që përshkojnë

Hekurudhën - J E T Ë . . .

 

13 gusht 2007.           

 

 

DËSHIRË

 

Në shkretëtirën e pa skaj

Gjendet oaza e mendimeve të mia

Që pi lotin e mallit tim

Duke bredhur kësaj shkretëtire

 

Në qiellin e hapur

Retë shtrydhin ditën

E atë e freskon era e lehtë

Dhe pak riga shiu nëse mund të bien

 

E unë...

Desha të nisem për atje

Ku mund të lagem...

Ku mund të dehem...

Ku mund të freskohem...

 

Nën shiun e qytetit tim

 

13 gusht  2007.

 

 

BOTËPENDËL

 

Nga larg

Sikur ndiej dorën tënde

Tek më lëmon flokun

Dhe m’i merr brengat e mia

E mbi supet e tua i vë

E mua: Botën Pendël

                        ma bënë...

 

19 tetor 2007.

 

 

NDËRDIJA

 

Alarm... alarm

Në gjendje gatishmërie

Menjëherë

Helmetë ushtari mbi kokë

Dhe jeleku plumb veshur

 

Diktonte Zëri diktues

Me fytyrë të mbuluar

 

Ah,

Sa m’u rëndua

Ndërdija

Në këtë ritual përditshmërie

 

 

LARG  KOSOVE

 

Nuk do jem me ju

Kur nis pranvera e blertë

As në mëngjesin e ri...

 

S’do t’i dëgjoj

Krismat  e dashurive

Me shekuj mbledhur në këtë pllajë

As shpërthimin e lotëve

Gëzimet e përhershme

Dardani - në kurorë mbuluar

 

Liburna del mbi valë

Nami Yt ringjallë - Kosovë...

 

Unë larg teje Atdheu im

Ti afër me zemër

Do mbetesh ajo

Kurrë më tjetër emër

 

17 shkurt 2008.

 

 

DITË LEHONIE

 

Thonjtë i hante nga (pa)vetëdija

Ose nga uria 

Për të parë qetësinë

 

Si zorrë nëpër këmbë

Mbështillen çastet e ikura

Në këtë rrëmujë alarmesh

 

Marrëzisht të patrazuara

I kërkoj                

Netët e mia të mjalta

 

Ah, ti kohë... grabitqare

Që merr e gjë s’kthen

Shëro dhembjet nga lehonia

E këtyre ditëplagosurave

Nëpër fronte lufte

Këndej...

nëpër mërgimet e mia

 

24 janar 2008.

 

 

7.

 

Mëngjesi i zymtë

Frymëmarrje e rëndë

Ndjenjë e turbullt

Në këtë mëngjes

Qerpikët u rënduan

Bebëzat e syve mbyllen

Nga mjegullnajë pluhuri

 

Me hapat e të verbëritë  

Ecje e pasigurt

Ujku do mjegull

Po njeriu veç dashuri

 

Eh, dikush lëshoi

Një alarm..........

Që përhapi ushtimë e frikë

7 sekonda në pritje

Të jetës a vdekjes

 

E mua...

Për çudi

Më e ëmbël Jeta

            m’u duk!!!

 

17 prill 2008.                                                                            

Ditë sulmesh të pandërprera në Balad.

 

 

ENIGMË

 

Shpirti i lodhur

Bredh nëpër shkretëtirë

Nga thatësia

Dejtë e zemrës tkurren

Hapat rëndojnë

Sa malet

Që këtu zoti s’i krijoi 

 

I frikohem

Vrapit deri në cak

Se mos më merr jeta në thua

Më thyhen dashuritë

E pastaj qesh Sizifi...

                        me mua

 

20 prill 2008.

 

 

MASKË E TRISHTUAR

 

Ditë e mundimshme

E plagosur rëndë

Orët u zgjatën pa fund

Shpirthelmuar një gjarpër

Ia mbështolli trupin ditës

E fytyra i mbeti maskë e trishtuar

 

Në dhomën e zbrazët

E bëra botën e lumtur

Krijova qetësinë e paqenë

Nën një melodi të panjohur

E ngushëllova natën futë të zezë

Se hëna kishte ikur nga llahtaria

 

E unë symbyllur u luta

Që e nesërmja të mos lëngojë

Nga plagët e marra sot

 

23 prill 2008.

 

 

TRESHE

 

Falë zhurmës së gjeneratorëve gjigantë

Rryma kurrë nuk mungon

S’ka as restrikcione

Edhe pse luftë është

Njerëz robotë

Që përpijnë rutinën me frikë

Të mos u mbetën sekondat në fyt

 

Kalitur në ushtima gjithfarëshe

Të etshëm për pushtime

Për më shumë se botë

Mbase e vogël është

Karshi lakmisë së madhe

 

Këtu koha shitet për para

E ditët mbeten më pak

Edhe më pak...

Se që ishin dje

Në këtë qytet të improvizuar

Ku nuk vlen njeriu as 5 pare

 

E ku jetojnë bashkë

Mërgimi e Frika    

Dhe Lakmia për çudi...

 

27 prill 2008.

 

 

HIPOTENUZË MUNGESE

 

Diçka endet në mua

Si rrjetë merimange

Ditët i shndërron

Në hipotenuzë mungese

E katetet

Luftojnë netët e zhurmshme

Ku fishekzjarrët nuk janë të rrejshme

Si për dekor e spektakle

Diell e pluhur bëhen pëlhurë

E sytë verbohen nga matematika

Që s’ka lidhje me gjuhë

Nën thembrat e mia

Ndiej gurët e thepisur

Që ecin rrugën e njëjtë

Prush të nxehtë

Vitet shpejt ikën, u bënë hi

E hirin e mori era në pa kthim

 

30 prill 2008

 

 

LEMZA

 

Më fal Nënë

Nëse të ngacmon lemza

Për fajin tim

Se në heshtje

Të thërras emrin përditë

 

Zgjohem

Me  emrin tënd në buzë

Pimë kafen bashkë

Si dikur...

 

Kur kujtoj zërin tënd

Marr fuqi këtu larg

Me emrin tënd, më lehtë

E mposht edhe një ditë

Edhe një tjetër...

                        ... edhe një tje...

 

3 maj 2008.

 

 

UDHËKRYQE

 

Pështyjë poshtë

Në gji

Pështyjë lart

Në sy

 

Desha ta pështyjë

Kohën mashtruese

...

Por në duar më mbeti

Faculetë e zhytur

Nga pështyma

në fytyrën time...

 

Balad, 22 shtator 2008.

 

OPERACION PA INFUZION

 

Punë praktike

Në prerjen kirurgjikale

Të ditës

Pa pasur lidhje me mjekësi

Në trend...

Sipas rregullës në shkretëtirë

Me maska të bardha

Gojëmbyllur pa dallim

Të mos ndihet

Kundërmimi i gjymtyrëve

Të shkapërderdhura

Valë e nxehtë fryn

Verbon sytë që flasin

Në vend të gojës

Mushkëritë rëndohen

E frymëmarrja gulçon

Provim i mjekësisë ligjore

Pa ligje

Shpresa ruhet diku në brendi

Se dita do të ringjallet

 

Çuditërisht

Edhe pa infuzion

 

Balad, 22 shtator 2008.

 

 

NATË HIPOKRITE

 

Rafalët (në)pasdarke

Dëgjohen nga afër

E mua më janë përzier

Bashkë me muzikën shqip

 

Nga ky zjarr

Mundohem t’i largoj

Të paktën mendimet e mia

Që gërmojnë thellë në të kaluarën

Ku më riNgjallin kujtime...

E më sillen vërdallë

Në të tashmën që po e rijetoj

Ehu i plumbave

Dhe e rrahura e zemrës vazhdon

Me të njëjtin ritëm

Dridhet gjithçka

Në shkallë të lartë Rihteri

Pastaj...

Mbulohem nga qetësia

Gjumi më rrëmben

 

Ah,

Ç’natë hipokrite

                        ...më rrethon!!!

 

21 korrik 2009.

 

 

SOMNAMBUL

 

Rrëshqas shkretëtirës

Rëra përcëlluese më djeg lëkurën

Zhytur...

Gjurmëve të vjetra

Ku dikur Lindje e Perëndim

Kryqëzoheshin në Bagdad

Nuk e shikoj dot Heliosin

Se më verbon dritën në sy

Somnambul shoh Perlat...

Aty ku së pari u gjet koha e humbur

Ngjitem qiellit si feniks

Kur digjej e shkatërrohej nëpër histori

U lodha duke bredhur

Civilizimeve të lashta

Sumeriane

Babiloniane

Asiriane

Hapa sytë, për çudi

Frymova lirisht vetëm

...në Iliri 

 

21 korrik 2009.

 

 

NË EDEN

 

Rrugë e gjatë

Mendje e shkurtë

E largët Lindja

Tretur nga Perëndimi

Me kokën në trastë

Dheu i huaj prush i gjallë

Mbi tokën tënde

Ecim këmbëzbathur

Në vend të luleve – zjarr

...

Në vend të dashurisë

Urrejtje e marrë

 

27 nëntor 2006.

 

 

NË BABILONI

 

Gjea... u rizgjua nga Kaosi

Qindra shekuj

E rëndojnë mbi supe

Në një cep

Damarët e shterur nga thatësia

 

Hermesi pa mëshirë

Ditët ia lidh me zinxhirë

Heliosi i pjek në rërën zbrazëtirë

Mijëra thërmi pafundësisht

I merr era

 

Nga lufta qiellore

Për pak çaste

Pikëza që bien vertikalisht

Zeusi dhuroi freski

Në një skaj të botës

 

Diku në Babiloni

 

27 tetor 2009

 

 

KULLA E BABELIT

 

Kjo natë e pagjumë

E gjatë sa Eufrati

Si Hadi e errët

Nga plagët e marra

Dhe ëndrrat e vrara

Eosin, yllin diellor

Zështerur e thirra kot

Se më la të pres

E strukur në një qoshe

Deri në mëngjes

Mendjelodhur

Krijova Kullën e Babelit

Desha të prek qiellin

Të marr pak shpresë

E të lutem për njerëzimin

Siç bënte dikur qytetërimi

Në thellësinë e shekujve

 

30 tetor 2009.

 

 

NË KËTË AMFITEATËR

 

Në Tokëjetim pa afërdet

Ku kriposet gjithçka

Të çon peshë gjer në qiell

E përplas përtokë

Asht ngjitur s’të lë

Pluti  qesh me ne

Si uni mbetet i paprekur

Prej kundërmim – barotit

 

Nga fillimi i pafund

Ende për diçka

Të tretur mbesim

E vërteta

Sillet vërdallë në eter

Si në amnezi

Shtiremi se nuk e dimë

Mbase vetë s’duam ta kapim

Të humbur e të pangopur

Sa aktorë të këqij jemi

Në këtë amfiteatër

 

6 nëntor 2009.

 

 

ME DIOPTRI

 

Në qytetin e përkohshëm 

Që përkohësisht

Muri gjembor

Na ndan nga realiteti

Makinat lëvizin në perimetër

Të tjerat marrin fatin me vete

Rrugëve gjarpërore ec jeta

Ata me sy të uritur e trupleckosur

Pafajësisht qeshin me ne

Ne po ashtu me ‘ta

 

Ata me dorë na përshëndesin

Ndjejnë fajësi për mungesë bardhësie

 

Ndihet  kudo

Muri, gjembat, ndarja

Ah, ç’fatkeqësi

Jeta shikohet me dioptri

 

Kampi në përditshmëri...

30 nëntor 2009.

 

 

MPREHTËSI SHQIPONJE

 

Ditë e natë zogj të hekurt

Sillen vërdallë mbi kokë

Me mprehtësi shqiponje

Vështrojnë nga lart Shkretëtirën

Ruajnë përditshmërinë...

Të mos shndërrohet

Në hije të frikshme

E përsëri në shkretëtirë

 

17 nëntor 2009.

 

 

LLOGARITJE

 

Papritmas u tha

Të mblidhemi në një vend

 

Të numërojmë njëri-tjetrin

Si kokrra fasule

 

Ata të Ditës

Shfaqën fytyrat për llogaritje

 

Të Natës me pikëpyetje

Symbyllas hapën derën

 

Të zemëruar i lamë

Për ndërprerje ëndrrash

 

Askush nuk e tha pse-në

Nuk deshën të na trembin

 

Pranuam heshtjen

Të vërtetën lexuam pa fjalë

 

11 nëntor 2009.

 

 

SI GILGAMESHI DIKUR...

 

Në rrasa argjile të kohës së arratisur

Të shkruara mbetën

Frymëmarrja e ditëve të fjetura

Nëpër Babiloninë e lashtë

Kërkuam së koti

Si Gilgameshi dikur

Pavdekshmërinë

E ëndrrave të blera

Duke ecur pavetëdijshëm

Në fije peri

Jeta qëndroi e pa këputur 

Duke shpresuar...

Dhe lutur...

 

5  janar 2010.

 

 

PA PROTOKOLL

(Vizitë në Qendrën Presidenciale të Bill Klintonit)

 

Nga Vendi i Shqiponjave

E patrembur fluturova tek Ti

Pashë me bebëzat e mia

Piktura të së kaluarës

Të varura në Qafën Tënde

Fytyra që më flisnin pa fjalë

Për ankthin e përjetuar dje

 

Kujtova ditët e humbjeve

Frikën e netëve pa gjumë

Vagonë të mbushur përplot

Që tretnin shpresën në pa kthim

 

Si thesar...

M’i kishe ruajtur të gjitha këto...

 

Të sodis në qetësi yjet në shtat

Tek shkëputen e shndërrohen

Në pëllumba të bardhë

Ndalen e pushojnë

Në vija pentagramesh

Se jetën e njeriut mbrojnë

 

Erdha sot... pa protokoll...

Veç me shpirt

Të të them nga zemra

Faleminderit Amerikë

 

Në kohë të vështira

Dhe të Lirisë

 

15 maj  2009.

 

 

TRETJA  E ENKI-IT

 

Në shkretëtirën e pambarim

Oazat e pakta

Pinë ujë nga lumenjtë e vjetër

E pashuar ende mbetet Etja

Se Enki u tret

Nëpër plasaritje shekujsh

La tokën shterp

Shtjellat e rërës

Verbojnë sytë e kohës së re

Madhështi...

E shkruar nën tokë e mbi të

Nga lart...

Anu përcjell gjurmët

Kacavjerrë mban mendimet

Thërret Enlil-in - Perëndinë

T’i fryj larg dhimbjet

Dhe këtë shkretëtirë

Me bari ta mbijë

 

7 janar 2010.

Anu  Perëndi Mesopotamiane e Qiellit

Enlil – Perëndi Mesopotamiane e erës (ajrit)

Enki -  Perëndi Mesopotamiane e ujit dhe tokës pjellore

 

 

NGA MBRETËRESHA NË FRON

 

E  patrembur nga e nesërmja

Pushoj në Panteon

Kur ditës i zihet fryma dhe mua

Me eter sytë fërkoj

Nëpër epe e mite duke bredhur

Alivanosur dhe ringjallur

Lot i dhembjes në Tigër derdhur

Shpirti shëtit karvanëve n’shkretëtirë

Ndër tempuj e trungje palmash

N’kërkim të sekretit të lavdisë dikur...

Dërguar nga Mbretëresha në Fron

Shqiponja fluturimthi më vjen në Mesopotami

Aortë e saj më mban ende të gjallë

Sot e shumë shekuj më parë

Më mbron me krahët  e saj

 

11 janar 2010

 

 

NGA MBRETI NEBUKODONOSOR

      (Kopshtet e varura të ndërtuara 590 p.e.r)

 

Nëpër kopshtet e varura të Babilonit

Bukurinë rrëmbeva

Atë  e bëra kurorë

Mbështjell me aromën e përjetësisë

Në këndin e padukshëm të kohës

Lëshova letrën e pashkruar në erë

Të aterojë në Al Hilla

Ndër gërmadha shekujsh

Të shkruhet poezia e vjetër

Kur për Semiramidën mbretëreshë

U fal mrekullia

Nga ndjenja dhe dashuria

 

29 dhjetor 2009.

 

 

TË TASHMËN PREK

 

Në pamjen pa fjalë shikimi flet vetë

Pafundësia hap gojën të të përpij

Shfaqje e zymtë shkronjash

Që nuk lindin dot fjalët

Kur në vallen e tyre pa ritëm

Lozet me hapa të dehur

Ndër shtrëngata të çoroditura

Zgjohem në një botë tjetër

Të tashmen e prek nga afër

Jetoj me shekujt që ikën

E  përgjumur...

Mbulohem me jorgan lashtësie

Shtrij këmbët në Babiloni

Se ëndrrat  m’i përkund Iliria 

 

5 shkurt 2010.

 

 

UDHËTIM PA ITINERAR

 

Në syprinën e  huaj

Gjerë e gjatë

Shtrihen mendimet

Duke udhëtuar pa itinerar

Poshtë e lart bredhin

Si Baltazari

Pastaj kthehen sërish

Në një skutë

Ku pika pikën tërheq si zhiva

Engjëllor vjen bekimi

Kur ditët ecin me hapa kërmilli

Nëpër çmenduri dallgësh

Besimi rritet dhe më shumë

Jeta e pakërrusur mbetet

Në luftë sfidash

Blasfemia fundosur në humnerë

Apostazisë i mbylla derën

Kurrë s’e pranova për mik

E çova në dreq të mallkuar

Dhe pikë(.)

 

29 janar 2010.

 

 

SHAMATË

 

Shikim i zbrazët

Më e zbrazët se retë

Që nuk sjellin shiun

Zhurmë gjithfarësh përzier

Që nuk i ngjan melodisë

Numërojmë në vend

E ditët pa emër i lëmë

Javët na kujtojnë harrimin

Në duel me vetveten

Kënaqemi me Fitoren

Qoftë kjo si e Pirros

Kohë e tretur në infinit

Që nuk përsëritet si stinët

 

26 dhjetor 2009.

 

 

E VËRTETË E AMPUTUAR

 

Në sfondin e mëngjesit

Të shtënat sporadike

Shkundin gjumin

Erë baroti përkujton se

Ende jemi këtu...

Në djepin ku dikur

U përkund civilizimi

Zëri shteret

Qielli gri i lë retë të flasin

Mendimet mbështillen

Me vello shkretëtire

Fillim e fund ngatërruar

Si flokët e pakrehura

Verbërisht...

Amputojmë të vërtetën

Edhe sot si dje

Mashtrojmë veten

 

15 janar 2010.

 

 

PENEL NË ZEMËR

 

Netët njëra – tjetrën filtrojnë

Nga zhgjëndërr e përsëritur

Në kohën e pafjetur

Rrëfyer Herodotit 

Lindjen e agimeve të errëta

Nën breshëri plumbash e mortajash

Edhe më  tej s’i besohet vetes

Jeton ëndrrën

Atë të vërtetën e hidhur?

Me penel në zemër

Duke pikturuar shpresën

Me ngjyrat që falin

Një të nesërme të ndritur

 

23 janar 2010.

 

 

ME FLOTË LIBURNE

 

Përtej vetëhijes

Mas kohën në lashtësi

Valë jete thyej me flotë Liburne

Kryq e tërthor i bie historisë

Në qiellin e pafund të Babilonisë

Gdhendur shqiponjë e gjallë

Më jep fuqi në ditët e stërzgjatura

Krahët e saj m’i falë

Të fluturoj etshëm në Dardani

Sa herë damarët më shteren

E sytë verbohen nga kjo thatësi

Oh, sa herë kthehem atje

E vij këtu përsëri

 

25 janar 2010.

 

 

VEGIM MITIK

 

Zeusi me skeptrin e tij

Nuk i la ditët

Të ndryshken nga frika

Se aty pushonte shqiponja

Që prej se u krijua jeta

Shikimi...

I padjegur mbeti

Kur Karrocë e Diellit

Zbriste në shkretëtirë

Për të fjetur

Nën Mburojë Akili

Mbijetoi njomësia e shpirtrave

Thembra nuk u zbulua

Sizifi i kohës së re

Thanatosin lidhi sërish

 

26 janar 2010.

 

 

KOHA

 

Në ekuacion ngjet

E barabartë me asgjë

Me plus një ditë të re

Minus një të vjetër

Që ik në pa kthim

Pjesëtuar me para

Koha më e madhe se infiniti

Shumëzuar...

Me humbje momentesh

Të pakthyera

Gjeometrikisht koklavitje

Në trajta të ndryshme

Ende me të panjohurat luftohet

Nëpër boshtin e  jetës

Sinus e kosinus thyhen

Tangjentja ecë më tutje...

 

28 janar 2010

 

 

NË ORIGJINË

 

Do të kthehem

Ndër fushat e gjera

E malet me legjenda

Aromë e barit të njomë

Zemër e ndjenja t’i ringjallë

Symbyllur si në ëndrra...

Do të ndiej aromën e Karadakut

Ajri i vendlindjes

Mushkëritë do m’i shpërlajë

Nga pluhuri i shkretëtirës

A harresës, as vet nuk e di

Yjet do të shndrisin në mua

Pastaj me mua ata do të ecin

Nga Edeni e gjer në Dardani

Në krahët e Atdheut

Do të ëndërroj e qetë

përsëri

 

2 dhjetor 2009

 

 

POEZIA IME...

 

Ti lum...

 

Nëpër kthesa e lakesa

Herë e drejtë

Herë gjarpërore

Më e gjatë se Nili je...

                          poezia ime...

 

E pafund...

 

Sa Oqeani Paqësor

Por jo e qetë

Dallgëve të rrepta

Lind e çiltër si mëngjes

                          poezia ime...

 

Ti vullkan...

 

Lavë shpirti

Që shpërthen si Etna

Mister i gjallë

Nëpër kohë e pashuar mbete

Gjithmonë Ti

                          poezia ime...

 

18 shkurt 2010.

 

Zvicër/St. Gallen, 26 dhjetor 2010.

Përgatiti: Sh. Dibrani

 

 

SHËNIME PËR AUTOREN:

 

Sevdije Rexhepi është lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Për dy vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services, në Kampin Amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes, ndërsa nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, në Irak me kompaninë amerikane (KBR). 

Sevdije Rexhepi, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht. Ajo, momentalisht punon në Kopshtin e Edenit në Irakun verior.

Baladë mbi Balad” është libri i katërt me poezi.

 


Është prezantuar në këto antologji:
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
3. “Nënës”, Tirane 2007.
 
Veprat letrare:

1.  “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2.  “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.

4.  “Baladë mbi Balad”, poezi, Prishtinë 2010.

5.  „Between Rivers of Babylon”, poezi, Prishtinë 2010.

 

(Sh. Dibrani)