| E marte, 28.12.2010, 08:56 PM |
Dy parodi:
KY NUK BANË – AI NUK BANË
Prej se u linda dhe u rrita –
Një refren dëgjoj çdo dita !...
M’ irriton , më neveritë ,
Ma shpon zemrën dhe mushkëritë ...
Këtë refren, që është bërë “modë” –
E dëgjoj n’ zyrë, n’ rrugë e n’ odë ...
Përgojohen t’ gjithë me rend –
Që nga lagjja deri n’ Kuvend !...
Njeri t’ mirë mbi tokë nuk lanë –
Ky nuk banë – ai nuk banë !
Ky i keq – ai i marrë ,
Ky spiun – ai tradhtarë !...
Ky refren, kudo jehon –
Ky nuk di – ai s’ meriton !
Ky hajduk – ai kopuk ,
T’ gjithë luftojnë veç për kolltuk !...
Dal e rri n’ kafeteri –
Ku bërlykën pleq e t’ ri –
S’ mbetet kush pa u marrë për gojë ,
Për këto punë kem shumë përvojë !
As në shkencë, as n’ histori –
S’ mbet i mirë, plak as i ri !...
Duke pirë kafe e raki –
Ma t’ mirët mbetëm :UNË dhe TI!
MOS RRI ME KËTE – MOS FOL ME ATË
Janë do burra këtu ndër ne ,
Që s’ duan komb, as s’ duan Atdhe ,
S’ njohin Zot, as s’ njohin fe ,
S’ dinë pse rrojnë , as pse kanë le !...
Për veti nuk kanë boll mend –
Dinë për t’ mësuar tjetër kënd !
Përçajnë njerëz këtu e atje –
Mos rri me këtë – mos fol me atë !...
S’e duan motrën , s’e duan vëllain –
Vet – vetit po ia thyejnë krahun !
Nuk duan shokë, as nuk duan miq ,
Nuk duan farë, as nuk duan fis !...
Edhe tokës i bëjnë hata –
Ma marri për burrë a ka ?
T’ thyejnë me djalë e t’ thyejnë me vëlla –
Mos rri me ata – mos fol me këta !...
More i mjerë, fytyrë marruar ,
A ti do dike për t’ mësuar –
Me kënd t’ flet e me kënd t’ rrijë ,
Me kënd t’ hajë e me kënd t’ pijë ?!
Merre veten me të mirë –
Pshurru n’ tokë – këqyru n’ pasqyrë !
Mos jeto me gajle t’ huaja ,
Se bien n’ dergjë e t’ kapë sëmundja !...
Gjilan, më 27.12.2010.
Demir KRASNIQI