| E marte, 28.12.2010, 08:58 PM |
Duke kenduar Himnin e Flamurit
FJALA E GJUHES SE ZJARRTE NE SHEKUJ
Nga Vlashi Fili
Pesë vjet më parë z. Sadik Elshani, atëherë anëtar i këshillit drejtues të shoqatës “Bijtë e shqipes”, sot n/kryetar i parë i kësaj shoqate, kishte paramenduar dhe propozoi që shoqata jonë të zhvilloi një veprimtari të përvitshme, ku të përkujtohen të gjithë njerëzit tanë të shquar të gjuhës dhe kulturës shqiptare që në shekuj kanë punuar dhe luftuar, mandej kanë sakrifikuar edhe jetën për gjuhën shqipe, që do të kenë përvjetorë të plotë lindje. Propozimi u përkrah. U rrahën mendimet dhe së fundi u vendos që kjo veprimtari të emërtohej “Fjala e gjuhës së zjarrtë në shekuj” dhe të mbahet në fund të çdo viti, duke u bërë kështu edhe veprimtaria që do të mbyllte jetën e gjallë të shoqatës gjatë gjithë vitit.
Ishte viti 2006, kur më 16 Dhjetor u zhvillua për herë të parë kjo veprimtari, që u pasua më vonë, në çdo vit me simotrat e saj vjetore.
Sot mbas pesë vjetësh, është viti i fundit që do të mbyllë këtë cikël të plotë të kësaj veprimtarie. Gjatë pesë vjetëve u përkujtuan dhe u nderuan për veprën e tyre fisnike në shërbim të kombit dhjetra e dhjetra emra të shquar që kanë lënë gjurëm në fushën e letërsisë, artit dhe kulturës sonë kombëtare, duke filluar nga më të vjetrit ndër shekuj si: autori i formulës së pagzimit, Pal Ëngjëlli (590 vjetori), Marlin Barleti (560 vjetori), Pjetër Budi (440 vjetori), Frang Bardhi (400 vjetori), Pjetër Bogdani (380 vjetori), etj, etj, dhe deri tek ata që jetojnë ende si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Vaçe Zela, Xhevair Spahiu, Nark Krasniqi, Moikom Zeqo, etj, etj.
Në këto veprimtari peshën kryesore e mbajti z. Sadik Elshani, si mendimtari dhe nismëtari i këtij cikli, por jo pak kanë kontribuar edhe Naum Prifti, prof. dr. Agron Fico, prof. Anastas Dodi, dr. Besnik Budo, Llazar Vero, Petrit Zanaj, Dritan Matraku, Ivzi Cipuri, Suzana Vangjeli, Petraq Pali, Sotiraq Pema, Viktor Furxhi dhe autori i këtij shkrimi. me kumtesat e referuara per disa nga njerëzit e shquar që kanë spikatur më tepër.
Në veprimtaritë e të pesë viteve të këtij cikli kanë marë pjesë jo vetëm anëtarë dhe simpatizantë të shoqatës me banim në Filadelfia, por edhe miq, të ftuar nga Ambasada e Shqipërisë në Washington, poetë e shkrimtarë, aktorë e piktorë, gazetarë e kineastë, nga qytete të ndryshme të Amerikës si: Arjan Spase, sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Washington, Naum Prifti, Pëllumb e Xhuljeta Kulla, Petraq Pali, Iliriana Sulkuqi, Adem Harxhi, Pier Pandeli Simsia, Edmond Ismailati, Shaban Lajçi, Neriman Kumi, etj. Po ashtu edhe Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe Arteve, ka qenë shpesh herë jo vetëm pjesëmarrëse në këto veprimtari por edhe aktive me prof. dr. Skënder Kodra, kryetar i akademisë, prof. dr. Agron Fico, n/kryetar si dhe dr. Namik Shehu, sekretar i kësaj akademije.
Këto veprimtari i kanë bërë të larmishme recitimet me passion të aktorit Shaban Lajçi, znjsh. Iva Cipuri, z. Pier Pandeli Simsia, znj. Suzana Vangjeli, apo meloditë e violinës së nxënëses së shkollës shqipe “Gjuha jonë”, Iliriana Elshani, si dhe këngët e interpretuara në kor nga i gjithë grupi i fëmijëve të shkollës shqipe.
Më 19 Dhjetor 2010 Qendra Kulturore e Shoqatës “Bijtë e shqipes” u mbush përsëri plot. Do të zhvillohej veprimtaria “Fjala e gjuhës së zjarrtë në shekuj”, si mbyllëse e vitit por edhe të ciklit 5-vjeçar të kësaj veprimtarie.
E veçanta e këtij viti ishte se ajo u kombinua bukur edhe me nxënësit e shkollës shqipe që do të kalonin në pushimet dimërore në mbyllje të semestrit të parë të sezionit të tetë të kësaj shkolle. Ishin këta fëmijë që kënduan Himnin e Flamurit, të shoqëruar nga të gjithë të pranishmit, në fillimin e veprimtarisë së këtij viti.
Z. Petrit Zanaj, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” në hapjen e veprimtarisë, falenderoi fëmijët dhe të rriturit që mbushnin sallën dhe bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarive në të pestë vitet. Pastaj ai ia dha fjalën z. Sadik Elshani që mbajti materialin kryesor, në përkujtim të njerëzve tanë të shquar që kanë përvjetorë të plotë këtë vit. Ja kush ishin ata, të cilët z. Sadik Elshani i kishte renditur në material me një përmbledhje shumë të shkurtër të jetës dhe veprës së tyre.
560 vjetori – Marlin Barleti.
380 vjetori – Pjetër Bogdani.
330 vjetori – Nazim Frakulla.
280 vjetori – Theodor Haxhifilipi (Dhaskal Todhri).
190 vjetori – Jani Vreto, Thimi Mitko.
185 vjetori – Pashko Vasa.
180 vjetori – Leonardo De Martino.
145 vjetori – Shahin Kolonja, Petro Nini Luarasi, Zef Skiroi.
140 vjetori – Milo Duci, Josif Bagerri
135 vjetori – Papa Kristo Negovani, Faik Konica, Kristo Luarasi.
130 vjetori – Parashqevi Qirjazi, prof. Aleksandër Xhuvani, Mid’hat Frashëri.
125 vjetori – Hil Mosi, Viçenc Prenushi.
115 vjetori – Haki Stërmilli, Josip Rela.
110 vjetori – prof. Skënder Luarasi.
95 vjetori – Dhimitër Shuteriqi.
90 vjetori – prof. Kristo Frashëri, Arshi Pipa, Lluka Perone, akademik Mark
Krasniqi, prof. Anton Çeta, Marie Logoreci.
85 vjetori – Martin Camaj.
80 vjetori – Fatos Arapi, Ramiz Kelmendi, Muharem Qena, prof. Bedri Dedja,
Abdylazim Islami.
75 vjetori – Skënder Drini, Bilal Xhaferi, Adem Gajtani, Pjetër Arbnori,
Muhamet Kerveshi.
70 vjetori – Pëllumb Kulla.
65 vjetori – Xhevair Spahiu, Ndoc Papleka, Beqir Musliu, Ymer Shkreli.
60 vjetori – Roland Gjoza, Rudolf Marku, Sabri Hamiti, Edi Shukriu.
Z. Sadik u ndal pak më gjatë në 100 vjetorin e këmgëtares lirike Tefta Tashko Koço, ku foli për jetën dhe punën e saj të palodhur. Po ashtu ai lexoi edhe një përshëndetje dërguar nga Eno Koço, i biri i Tefta Tashko Koços. Në këtë përshëndetje z. Eno Koço mbasi falenderonte shoqatën “Bijtë e shqipes” që kujtonte nënën e tij, në 100 vjetorin e lindjes së saj, zbulonte disa moment të reja të jetës së kësaj këngëtare të madhe që u largua e re nga kjo jetë, në moshën 37 vjeçare, por që la një emër të madh. Ndërkohë, në ekranin e televizorit shfaqeshin foto nga jeta e Tefta Tashko Koços
Z. Sadik Elshani
Në vazhdim grupi i fëmijëve këndoi këngën e vitit të ri.
Më pas u vazhdua me referatet nga Llazar Vero, Rustem Halili dhe dr. Besnik Budo.
Z. Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës, referoi materialin që bënte fjalë për jetën dhe veprën e Sami Frashërit. Ai u ndal më tepr tek vepra e këtij patrioti “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Përshëndeti pastaj miku i shoqatës sonë, aktori Shaban Lajçi, i ardhur nga Nju Jorku, si dhe recitoi me shumë passion poezinë e Vaso Pashës “O moj Shqypni”. Interpretimi i këtij aktori u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Pastaj ai dhuroi disa libra për bibliotekën e librit shqip “Prof. Anastas Dodi”.
Rustem Halili, i ardhur para pak ditësh nga Shqipëria, referoi materialin me titull “Jeta dhe vepra e Faik Konicës” ku theksoheshin “gjurmët” që la Faik Konica në shërbim të kombit tonë. Para se të udhëtonte për në Amerikë z. Rustem kishte takuar znj. Alma Konica, mbesën e Faik Konicës dhe kishte mësuar prej saj se kishte filluar botimi i veprës së Faik Konicës, dhe se dy volumet e para kishin dalë nga botimi. Kopje të këtyre volumeve ajo ia kishte dhënë z. Rustem për shoqatën “Bijtë e shqipes” së bashku me përshëndetjen e saj për shoqatën. Të dy volumet e para, z. Rustem ia dorëzoi shoqatës në fund të fjalës së tij.
Më pas përsëri fëmijët, me zërat e tyre mbushën sallën. Këtë radhë kënduan këngën “Atdheu”. Në këngët e tyre fëmijët shoqëroheshin me fizarmonikë nga z. Gojart Dobi, vajza e të cilit është nxënëse e dalluar në shkollën shqipe “Gjuha jonë”.
E mbylli ciklin e referateve dr. Besnik Budo që referoi materialin për jetën dhe veprën e Skënder Luarasit, të cilin e ka njohur personalisht.
Autori i këtij shkrimi, mbasi foli pak për suksesin e shkollës shqipe edhe për këtë vit, si në shtatë vitet e mëparëshme, njoftoi fëmijët dhe prindërit përfundimin e mësimeve për këtë semestër, uroj atyre festat e fundvitit dhe njoftoi se mësimet do të rifillojnë më 9 Janar 2011.
Së fundi z. Petrit Zanaj falenderoj përsëri fëmijët e shkollës shqipe, pjesëmarësit si dhe referuesit për materialet e përgatitura dhe i ftoi të gjith në një drekë modeste të sponsorizuar nga z. Dhimitraq Xhoxhi, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës.
Me urimin “Gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindja dhe Viti i Ri” u mbyll me sukses edhe kjo veprimtari e shoqatës “Bijtë e shqipes” edhe për këtë vit.
Femije e te rritur moren pjese ne veprimtari |
Femijet duke kenduar Atdheut |
Z. Petrit Zanaj |
Z. Llazar Vero |
Aktori Shaban Lajci |
Z. Rustem Halili |
Dr. Besnik Budo |