| E hene, 27.12.2010, 08:23 PM |
Raporti i Dick Martyt një trillim për qëllime të caktuara politike
Komuniteti shqiptar në Austri të Epërme, ka reaguar ndaj raportit të parlamentarit zviceran Dick Marty-t për akuzat e hedhura për drejtuesit e UÇK-s dhe implikimin e tyre në kontrabandë armësh dhe organesh. Komuniteti shqiptar në Austri të Epërme, në një takimt ë mbajtur në Linz ku ishin prezent të gjitha shoqatat dhe klubet shqiptare, ka nxjerrë një deklaratë të përbashkët në të cilin thuhet se raporti i Dick Marty-t është i pabazuar në prova dhe se ky raport një trillim, me shpifje për qëllime të caktuara politike. “Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova”, thuhet në reagimin e lëshuar nga këto shoqata të Austrisë së Epërme. Përmbajtja e raportit të z.Dick Marty-t, si dhe pretendimet e tij janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse. Gjithashtu të pranishmit deklaruan se raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Evropës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Evropës
“Shprehim indinjatën tonë të thellë për këtë Projekt-Raport absurd të mbushur me trillime, shpifje tendencioze, indinjuese dhe irituese. Ky raport si i tillë sulmon dhe vë në shënjestër faqen me të ndritshme të historisë më te re të kombit tonë, periudhën e luftës dhe pas saj, e pastaj duke njollos dhe etiketuar veprimtarët me të spikatur të UÇK-s. Përmes z.Thaçi si kryeministër i Republikës së Kosovës synojnë të goditet në fytyrë ?’do gjë që u krijua pas lufte, të ulet kredebiliteti i qeverisë dhe viktima të barazohet me terrorin e agresorit. Ky Projekt është vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të ish Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Carla del Ponte. Shprehim indinjatën me faktin që raportuesi i KE guxon të zëvendësojë Prokurorinë e cila është shumë më e specializuar dhe posedon mjete ligjore për të vlerësuar provat. Ky projekt është qartësisht i njëanshëm dhe përmban deklarata tendencioze që nuk i përgjigjen realitetit kur flet për „strukturën klanore“ të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për „mungesën e një shoqërie civile të vërtet“ Projekt-Raporti përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejt dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare, me masakrat e regjimit serb të Millosheviqit. Tentativat për të ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të KE.
Së fundi, përshëndesim të gjitha nismat ligjore dhe politike të ndërmarra si brenda dhe jashtë Kosovës, për të denuar këto shpifje absurde dhe të padenja, të cilat nuk i kontribuojnë shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie” thuhet në fund të reagimit të Komuniteti Shqiptar në Austri.