| E marte, 21.12.2010, 10:58 PM |
Një vizitë në Dubrovnik
Nga Meri Lalaj
Para shumë vitesh, mikesha ime Helena, e cila pat pasur fatin ta vizitonte Dubrovnikun e para viteve ’90, më pat thënë: “Nuk e merr dot me mend se sa i bukur është Dubrovniku!” Pata edhe një arsye tjetër, që e shtoi edhe më fort kurreshtjen time për këtë qytet, gazetari i famshëm amerikan George Seldes (Xhorxh Sellds) e përshkruan Dubrovnikun në librin e tij “Dëshmitari i një shekulli”, libri i fundit që kam përkthyer.
Ashtu siç më ka ardhur jeta dhe që gjithçka e kam bërë me shumë vonesë, më së fundi e pashë edhe Dubrovnikun. Udhëtuam për mrekulli me një autobus të Agjensisë “Galaxy” duke përshkuar krejt bregdetin dalmat të bukur të lagur prej detit Adriatik. Pasi qëndruam e bëmë foto afër ishullit të Shën Stefanit, vizituam qytetin Budva.
Natën, aty nga ora shtatë e gjysmë, mbërritëm në Dubrovnik. Sapo bëra këmbë brenda në sallën e pritjes së hotelit “Kompas”, përmbi tryezën e lartë në një vazo të madhe, syri më kapi një tufë të mrekullueshme zambakësh ngjyrë çiklamini të errët. Janë pikërisht ata zambakë jashtëzakonisht të bukur, që i ka përshkruar në librin e tij Xhorxh Selldsi, i pa ata për herë të parë përballë Adriatikut përgjatë rrugëve kodrinore pranë Dubrovnikut me emrin (Lilium dalmaticum rubrum), ai mori me vete për në Amerikë disa zhardhokë dhe i mbolli në oborrin e shtëpisë së tij në Hartland-4-Corners, në Vermont.
Të nesërmen, ditë e diel, është dita më e shënuar për kombin tim: 28 nëntori i Skënderbeut të vitit 1443, 28 nëntori i Ismail Qemalit i vitit 1912 dhe 28 nëntori i çlirimit të Shqipërisë londineze nga pushtuesit e huaj. Grupi ynë i udhëtimit niset që në mëngjes për në Dubrovnikun e Vjetër. Genci, udhërrëfyesi ynë na shpjegon gjthçka gjatë gjithë kohës. Dubrovniku ky qytet mesdhetar është më shumë se një qytet. Ai është një ndërthurje e përkryer e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes për kulturën, trashëgiminë dhe bukurinë natyrore. Ja Mali Petra përkarshi qytetit të vjetër, aty ishte vendosur artileria serbe gjatë viteve 1991-1992 dhe prej andej lëshonte breshëritë e zjarrta kundër qytetit, njërit prej qyteteve më të bukur të Europës. Shoh të piketuara në hartë vendet historike të rrënuara rrafsh me tokën dhe ato të dëmtuara pjesërisht. (Por në Dubrovnikun e Vjetër nuk ka mbetur asnjë shenjë, asnjë plagë lufte, shumë shtete ndihmuan për ta rimëkëmbur, për ta risjellë në jetë e për t’i dhënë bukurinë e dikurshme). Gjatë udhëtimit ndërsa shohim nga lart të futurat e të dalat e bregut të detit, në një gji ndodhet një hotel, aty u strehuan gjatë luftës serbët dhe kur u larguan e bombarduan. Tani ky hotel ka mbetur në atë gjendje si dëshmi e barbarisë serbe, gjithashtu pashë edhe një shtëpi trekatëshe të plagosur pa çati dhe me muret të nxira nga zjarri i armikut.
Futemi nga njëra portë e qytetit (janë disa porta nga drejtime të ndryshme). Çdo portë nga ana e pasme ka patur një lloj mekanizmi, që tërhiqte dhe lëshonte një zinxhir me hallka të trasha me anën e të cilit ngrihej urëza, mbyllej porta dhe qyteti ishte i mbrojtur. Zbresim me anën e shkallëve të gurta nëpër rrugëzat e ngushta, që ndajnë një ndërtesë shtatlartë tri a katër katëshe nga tjetra. Të gjitha ndërtesat janë prej guri të bardhë e të mbuluara me tjegulla të kuqe. Ja Kështjella e fuqishme e Shën Gjonit, e cila mbron hyrjen për në portin e Dubrovnikut të Vjetër. Zbresim në qendër të qytetit ku gëlojnë turistë më së shumti janë shqiptarë dhe japonezë. Në sheshin e qytetit me emrin Luza ndodhet Shatërvani Onofrio, Manastiri Françeskan e të tjera kisha. Është e diel dhe herë pas here bien kambanat, futemi në një kishë katolike, pastaj në një kishë ortodokse thjesht sa për të ndezur nga një qiri. Gati në mes të sheshit ndodhet Shtylla e Rolandit, e shekullit XV me shtatoren e një luftëtari dhe në krye të shtyllës valavitet flamuri kroat. Futemi në një muzeum me piktura murale, aty ndodhet farmacia e ngritur së pari në vitin 1371, ndoshta farmacia më e vjetër e botës, sapo lexova vitin sepse mu kujtua murtaja që ra në Europë në Mesjetë. Tek njëri prej mureve të muzeumit janë vendosur flamuj të shteteve të ndryshëm, (por unë sot në këtë ditë të shënuar dua të shoh flamurin e vendit tim), dhe kur e pyes zotërinë që më jep shpjegime thotë se këto flamuj përfaqësojnë burrat e shtetit të vendeve përkatës, të cilët kanë vizituar këtë muzeum. Ai më tregon edhe për një prift shqiptar me emrin Prelja, që jeton aty në Dubrovnik. Një tjetër kështjellë me emrin Revelin, e cila ka shtatoren e shenjtit Vllaho larë në argjend e flori, i shekullit XV, ai ndodhet përballë detit dhe në duar mban qytetin. Të gjitha kështjellat mbrohen prej shenjtit Vllaho. Në njërën nga kishat ndodhet një triptik shumë i bukur i Shën Mërisë me shenjtorët dhe Mihajllo Hamziç i pagëzuar në Lumin Jordan. Gjatë rrugës shohim urën e varur, një urë shumë e bukur e ndërtuar së fundi për të shkurtuar rrugën midis Dubrovnikut dhe Splitit. Ura mban emrin “Dr. Franjo Tugjman”.
Pasdite vonë jam ulur në sallën e pritjes së hotelit dhe aty lart tek sporteli ku bëhen veprimet për qëndrim në hotel numëroj njëzet e tetë flamuj të shteteve të ndryshme të botës: Izraeli, Kanadaja, Japonia e të tjerë. Syri nuk më kap flamurin e kombit tim (nja katër a pesë autobusë plot me vizitorë shqiptarë kanë zënë vend në këtë hotel këto dy ditët e fundit). Ngrihem dhe e pyes sportelistin. Ai mundohet të më japë një farë shpjegimi duke më thënë se duhet të pyes drejtorin. Të nesërmen kërkoj drejtorin, por nuk është. Pyes se cili është pronar i hotelit e më thonë emrin Goran Shtork, emër të cilin e ndesha teksa lexoja një revistë aty tek tryeza. Ai ka bërë investimin e parë në Angli duke blerë një hotel në Uindsorin Mbretëror ndërtuar prej arkitektit të famshëm anglez Kristofer Ren, tani është bërë qendër biznesi. Goran Shtork është një biznesmen shumë i fuqishëm në fushën e turizmit. (Dikur Goran Shtork paska qenë një shofer i thjeshtë!)
Pyes sërish për flamurin tim, ata më shmangen me përgjigjet e tyre. Unë them: “Flamuri i vendit tim është më i bukuri në botë!” Ata të dy burrat hidhen e thonë se është i tyri. Nuk dua të grindem sepse jemi ballkanas, por e di se flamuri im është më i bukuri i botës mbarë.
Kur mbërrij natën në Tiranë rruga është e bllokuar nga policia sepse festohet nata e bardhë e 29 nëntorit. Eci përgjatë Bulevardit “Bajram Curri” dhe nga Bar-Lulishte “Tajvani” dëgjohet kënga ruse “Kalinka”.