| E hene, 20.12.2010, 09:11 PM |
Vështrim
POEZI QË PASQYROJNË REALITETIN KOHOR
(Sevdail Demiri “Duke pritur mëngjesin”, “Jehona e Karadakut”, 2002 Kumanovë, faqe 90).
Nga Bilall Maliqi
“Kryq e tërthor i rashë atdheut, kufinjtë e cunguar m’i gjakosën krahët, por fluturimin nuk ma ndalën që ta shoh atdheun në të katër anët”.
Me këto vargje prekëse që të ngjallin emocione, me këto vargje që japin një realitet të hidhur por objektiv fillon libri poetik “Duke pritur mëngjesin” i poetit dhe publicistit të njohur Sevdail Demiri, me të cilat vargje mjaft domethënëse na jep një rikujtesë se me të vërtetë atdheu mbetet ende i cunguar pavarësisht luftrave të zhvilluara gati në çdo cep të shkëputur të shqiptarëve, por optimizmi ende ekziston tek autori se fluturimin për ta parë atdheun nga të katër anët nuk mundi të ia ndalë askush. Pra me këto vargje kuptimplote fillon cikli i parë poetik /Lirisë/.
Motivi patriotik dhe ngjarjet të cilat janë zhvilluar nëpër kohë në nënqiellin tonë e kanë motivuar në masë të madhe autorin që ta shkoqis dhe ta trajtojë këtë motiv nëpër poezitë e tij të cilat për nga karakteri janë poezi gjysëmhermetike të paisura me tematikë të zgjedhur dhe me figuracion të duhur poetik.
Populli ynë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, por tek ta qëndresa dhe durimi ka qenë e pranishme shekuj me radhë. Simbol qëndrese kanë qenë kullat në të cilat janë mbrojtur nga agresorët e shumtë, por edhe nga tradhëtarët e tjerë. Në poezinë /Qëndresa/ në vargje shihet qartë mesazhi poetik i autorit:
“Ruaje tymin e oxhakut
Flake urrejtjen brenda kulle
Atdheut dhe tradhëtisë jepja hakun”
Poashtu ciklin në fjalë e vazhdojnë edhe më tej poezi të motivit patriotik të cilat autori i ka mvesh me shprehje dhe me figuracion të begatshëm poetik. Kështu pra edhe më tej para nesh si pasqyrim autori na i prezanton poezitë e tjera të cilat shpalosin artin poetik të autorit të derdhur gjithandej nëpër poezi të këtij libri.
Gjurmues i kujdesshëm
Vazhdimisht autori gjurmon idetë frymëzuese të tij dhe para lexuesve vë në spikamë vlerën e poezive në vijën e hollë të shtjellimit të tyre. Poezitë e këtij libri tërheqës për lexim janë të shkruara në vite dhe kohë të ndryshme varësisht frymëzimit momental të autorit për t’i hudhur në letër mendimet e tija poetike. Pra tani para lexuesve Sevdaili na
Cikli poetik që kemi para nesh shoqërohet me poezi të cilat shumica janë të karakterit patriotik si:/Gërmadhat e atdheut/, /Përtej lirisë/,/ Kthesa/, /Lirisë/, /Atdhe i vrarë/ etj., në të cilat shprehet mjaft mirë revolta e autorit dhe protesta nëpër vargje sepse tek poeti është krijuar një koncept i dhembjes, kjo shihet qartë në vargjet e poezisë /Klithje/
“Botë e shurdhër
Ku je”
Kështu poeti i drejtohet botës e cila asnjëherë nuk e ka shikuar korrekt, qartë dhe arsyeshëm çështjen tonë kombëtare:
“A i dëgjon klithmat e foshnjave
Që digjen në gjirin tënd”
Autori nuk resht së pyeturi Evropën se /A i ndjen rënkimet e atdheut tim, për lulet e dhunuara para syve të botës tënde/
Pra këtë fat tragjik e kishim ne shqiptarët: gjëmët e pleqve, klithjet e fëmijëve, dhe qindra vajza shqiptare të dhunuara, dhe ate në sy të Botës dhe Evropës. Dhe këto pyetje të pareshtura të autorit janë shumë të arsyeshme dhe këto poezi të cilat ia ka dedikuar shpirtërisht atdheut gjithnjë të motivit patriotik do të mbesin vulë e dokumentuar për kohën e shkuar e cila ishte përplot padrejtësi për të gjithë etnikumin shqiptar.
Nëpër vargje autori paraqet edhe poezi të tjera të cilat japin një pasqyrë shumë reale të Karvanit të zisë e cila na ka shoqëruar gjatë kohë, e për fat të keq ky karvan po vazhdon për ta vrarë atdheun edhe në tkurrjen e tokave tona dhe mosshtrirjes së sovranitetit të plot në tokat e atdheut tonë. Pjesë e ciklit të parë janë edhe poezitë:/Vallja tradhtare/, /Oaza e trazuar/, /Vaj/, /Jeta vazhdon/, /Gjurmë agimesh/ etj., etj., të cilat mbajnë vlerën e qëndrueshmërisë artistike.
Gjakim i kohës
Në vazhdim të shtjellimit të poezive para lexuesve na paraqiten poezitë e ciklit të dytë poetik të cilat i ka përmbledhur në /Rrugëtime/, të cilave autori iu ka dhënë tematikë të qëlluar, brenda tyre fshihet porosia e autorit dhe ate në mënyrë alegorike me vargje të parimuara por me fuqinë shprehëse të autorit të derdhur gjithandej vargjeve të poezive të këtij cikli dhe më gjërë. Ndër poezitë që mbajnë vlerën e kënaqshme të këtij cikli janë:Poezia /Habi /me vargjet interesante dhe të ndërtuara me mjete poetike si:
“Të çoroditur hapërojmë kohën
Me kokën mbrapa
Shikojmë ardhmërinë
E bota gjithnjë na ngelë jashtë
Me jetën moderne”
Pastaj edhe poezitë e tjera që e kompletojnë këtë cikël si:/ Bardh e zi/, /Koha e frustruar/, /Kujtimet boshe/ ,/Mozaik dhembjesh/ ,/ Gjakim i kohës sime/, /Besa/, /Shpresë edhe pas vdekjes/ etj., tek të cilat poezi shihet serioziteti krijues i autorit.
Cikli i fundit i këtij libri titullohet / Pritje/, cikël ky që përbëhet prej nëntë poezive te të cilat vërehet motivi i dashurisë i shoqëruar me vargje gjysëmhermetike dhe diku- diku dhe hermetike të paisuar edhe me figuracion të begatshëm artistik të shtrirë nëpër vargje të poezive të këtij cikli poetik. Poezitë që e shoqërojnë këtë cikël janë:/Pritje/, /Deri kur kështu/, /Shpresa/, /Akrepat e orës/, /Hidhërimi/, /Njollëverdhë/, /Porta e mbyllur/ dhe / Ty bota ime/.
Libri poetik “Duke pritur mëngjesin” i plotëson të gjitha kriteret e librit të botueshëm dhe shoqërohet me vlera të arrira artistike. Shumica e poezive mbajnë vijën e qëndrueshmërisë poetike, gjithnjë duke gjurmuar edhe më tutje vlera drejt krijimit të individualitetit krijues.