Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fjala përmbyllëse e Manifestimit "Vjeshta Letrare e Gjilanit" nga udhëheqësi i Ars Clubit "Beqir Musliu", z. Sabit Rrustemi

| E diele, 19.12.2010, 10:57 PM |


PATËM  PËR ÇKA ME U ANGAZHUAR...

 

(Fjala përmbyllëse e Manifestimit "Vjeshta Letrare e Gjilanit" nga udhëheqësi i Ars Clubit "Beqir Musliu", z. Sabit Rrustemi)

 

 I nderuari auditor

miq e artdashës,

 

U përpoqëm, thjeshtë, që, përmes Manifestimit "Vjeshta Letrare e Gjilanit", si një  nismë e re dhe që do bëhet tashmë pjesë e agjendës sonë letrare, për dy muaj ditë ( nga 18 tetor - 18 dhjetor 2010) të prezentojmë, atë që është shkruar, atë që ne e vlerësojmë vlerë dhe që gjendet mes kopertinash, si libër. Dhe, që sheh dritën, jo vetëm në një vit botimi.

 

Me ndihmën e krijuesve, përkrahjen e artdashësve, dhe fare, pak, apo aspak nga institucionet tona lokale  a qendrore, përkundër se ju trokitëm, ne rrumbullakësuam ate që, edhe patëm për synim. Me dëshirën dhe vullnetin dhe sakrificën e mëtejme krijuese, bëmë  një fushatë sensibilizimi për librin si vlerë dhe vlerën si pasuri shpirtërore e shoqërisë.

 

E nisëm më 18 tetor 2010, po këtu, në Sallën e Vogël të Tetrit në Gjilan. Hapëm një faqe të re veprimtarie me një titull të ri, jo vetëm të Manifestimit por, edhe të botimit të librit të parë përmes Ars Clubit "Beqir Musliu". Ishte përmbledhja e poezive "Pikojnë heshtjet" me autor, Nexhat Rexhën. Vazhduam me portretin letrar të shkrimtarit Haxhi Vokshi, në 70 vjetorin e tij të lindjes dhe 50 vjetorin e krijimtarisë letrare.

 

Në ndërkohë, vdekja e shkëputi prej jete dhe prej këtij Manifestimi, shkrimtarin Ibrahim Ibishi, të cilit ia përkushtuam më pas, një mbrëmje nderimi.

 

Por nuk u ndalëm. Në vazhdim prezentuam romanin më të ri të shkrimtarit të mirënjohur, Ibrahim Kadriut, ,,Gloria në mes".

 

Dhe, e përmbyllëm me një emër që po i bën nder letërsisë shqipe, Albina Idrizin dhe dy veprat e fundit të saj, romanin ,,Hijet e kullave" dhe përmbledhjen e poezive  ,,Dashuruar në diell".

 

Sa ia kemi qëlluar, si e kemi trajtuar dhe zgjedhur krejt këtë që  prezentuam këtë here, le të vlerësohet.

 

E përsëris, ne sëpaku  u përpoqëm. Ne, do përpiqemi sërish. Kësaj rruge që  tashmë e trasuam .

 

Kur tjerët mund të na harrojnë a s'bëjnë  diç për neve, ose bëjnë sa për të thënë, neve s' duhet të rrijmë duarkryq.

 

Kemi  guximin për të vepruar, sepse kemi çka për të prezentuar. Krijojmë e veprojmë. Ecim tutje  për veten, për letërsinë , për shoqërinë.

 

Ars Clubi "Beqir Musliu", si një asociacion shkrimtarësh e krijuesish që kanë vlerë, shkaku dhe i një emri të madh që bartin, do vazhdojë në  përmbushjen e misionit të tij. Dhe, nuk shpenzohet vetëm për një stinë. Shpirti krijues nis nga zeroja  dhe synon zenitin, edhe kur gjithë këtë mund e bën pa asnjë cent. Po, e bën për ndjenjën, respektin dhe detyrimin vullnetar që ka ndaj artit, ndaj lexuesit - publikut.

 

Gjilan, 18 dhjetor 2010