| E diele, 19.12.2010, 08:57 PM |
Ndue Ukaj
Ikja e kohës
Sot asgjë e bukur s’ka ndodh
Kalendari im mbeti i zbrazët
Asgjë e keqe s’ka ndodh
Në dritare është vizatuar pritja
E ftohtë, si akulli mbi koka tona
Dhe ditët e errëta suedeze
Që i zverdhin shikimet e ngrohta.
E heshtur shembet koha e rrënojat e saj na përpijnë.
Nëpër këmbët tona që humbasin drejtpeshimin.
Dridhen shikimet e përhumbura nëpër hapësirë.
Dhe pikëpyetjet e çelikosura që rëndojnë mbi ne
Në vorbullën e kohës pa shpirt pëlcasin, përplasen
E djeshmja e veshur me rroba të trasha
Ka ardhur sa lehtësisht tundon. E pa fjalë.
I ngjason tunelit të pambarim. Mistershëm.
S ‘dihet as si hyhet e më pak si dilet.
Dhe pra asgjë e re sot. Kohët përplase keq.
Pa fjalë valëvit trishtimi.
Dhe n’ qiell shkreptinë një rrufe.
Si flamur disfatash e kohë trishtimesh.
Nuhas rrënojat e kohës së përmbysur
Teksa mbi kokat tona valëvit pikëllimi
Një lajm krejt i parëndësishëm si vetëtima,
Pushtoi gazetat ane e kënd rruzullimit. Trishtim.
Dhe mijëra lexues të mbirë para dokrrave,
Që dyfishojnë thartësirën e expressos
Asgjë e keqe sot. Fjalët kanë pushuar së ekzistuari.
Në dritare pritja është trishtuar si korb nate
E trashur si merimangat në kohë zhurme.
E shikon borën e errët mbi hijen e Hamletit,
Si venitet bashkë me misteret, tretet pa gjurmë.
Dhe i tund pamëshirshëm dilemat e kohës.
Asgjë e mirë sot, qielli është zhvesh nga retë e zeza,
E keqe asgjë. Fjalët kanë pushuar bashkë me qiellin.
Dhe bubullimat e tija që zbardhin errësirën.
Në dritare pritja ka vizatuar gishtërinjtë e gjatë.
Që prekin dhembjen e Pandorës te kuqe si gjaku
Ku qe thënë se u tund keq lumturia e saj
Dhe mbeti vetëm shpresa lakuriqe.
Nëpër hijen e ikjes përgjatë fjalës që ushqente
Iluzionet e përhershme përjetësisht
Se bora gjithsesi duhet shkrihej në pranverë.
Përndryshe dimri është fundi prej trishtimi.
Iluzioni i kohës
E pa trembur endet gjuha ime
Në ujëvarën e dridhmave t’ shkuares
Një lot i ngrimë si akull antarktiku mbi mua
Bënë hije të frikshme çatisë së deformueme.
Nata bie e qetë si grua e dashuruar në shtrat
Ku ushqehen frikshëm iluzionet e përjetësisë
Ku trokasin frikshëm iluzionet e ardhmërisë
Ku frikshëm pëlcasin kohët, shkreptijnë zjarr.
Kohët e tretura kalendarëve të grishura.
Atëherë kur rënkimet pushtojnë qiellin
Zi si futa
Toka na ha me merimangat e kalbura
Që na lidhen nëpër këmbë keq e më keq.
E n’ kupë të qiellit fluturon një zog i vetmuar.
Ka lënë folenë e rrënuar nga pluhuri dhe stuhia
Në lartësi vizaton një kuti t’ kuqërremtë
S’është e Pandorës, të ligat s’ i ka brenda.
Dhe as nuk ushqen iluzionet e përjetësisë
Ai zog është dhe vetëm fluturon, liri kërkon!
Edhe kur nuk kemi vesh për të dëgjuar
Të pabëmat nëpër qytetet e pluhurosura
Ku blasfemohet katedrale dashurisë
Dhe lirisë i vjen erë e qelbur harrimi.
Zogu fluturon, lirinë kërkon.
Të kredhur në besimin e pakufishëm
Nuhasim të trishtuar dashuritë e mëdha
Nëpër libra që ushqejnë kohët e vrasin harresën
Tërë ditën na predikohet si është më keq
Ne emër të qytetit të vdekjes e shpallim vetën të marrë
Engjëjt e djallëzuar që si kameleon i kanë ngjyrat
Tamam si djalli para Krishtit në mundime.
Melankoli
Bie pikëllimi e i lanë duart e lodhura,
Në ujin e njelmët rrëzë kështjellës së mendimeve
Ku nuhatën me pëshpërima pritje, dënesjet e zogjve
T’ uritur me këndua t’lirë qiellit pa re.
Bie pikëllimi e i lanë duart e lodhura
Mbi sythin e ëmbël që e kotë gjumi i kot
Në mesin e ditës që ia përkund ëndrrat
E kështjellës së mashtrimeve
Dhe ikjen e zogut nga vetëtima që ia pëlcet sytë.
Bie pikëllimi në duart e lodhura e vizaton lirinë
E fsheh nëpër këmishën e djersitur letrën e grishur
Ku gjen ca shkarravina të padëshifrume. Se kupton.
Zogu s’ ka fole me u kthyer në liri. Ec rrugëve të qiellit.
Tokës së pikëllimit i lan duart e mërdhira.
Dhe bie pikëllimi e shpejt i lanë duart e lodhura
Pranë anijes së shpëtimit i ngatërrohen këmbët në rërë
Atdheu i tij është koha dhe mëshira e stuhive
Zogu s’ka atdhe, as fole për lumturi.
(Poezi nga libri Ithaca of the word)