Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albina Idrizi - Një shkrimtare që po bën emër me veprën e saj

| E hene, 20.12.2010, 10:42 PM |


Në Përmbyllje  të Manifestimit  “ Vjeshta letrare e Gjilanit”

 

NJË SHKRIMTARE QË PO  BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ

 

(Nga prezentimi  dhe vlerësimi i  krijimtarisë  letrare të  shkrimtares Albina Idrizi)

 

Gjilan, 19 dhjetor 2010

 

Në ambientet poetike të Sallës së Vogël të Teatrit të Gjilanit, është mbyllyr për këtë vit, Manifestimi më i ri letrar në Kosovë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizuar dhe realizuar përms Ars Clubit “Beqir Musliu”, një asociacion alternativ që tubon shkrimtarë nga vise të ndryshme shqiptare dhe që seli veprimi ka po qytetin e Gjilanit.

 

Në Përmbyllje të këtij Manifestimi u prezentua krijimtaria letrare e shkrimtares Albina Idrizi, përkatësisht dy librat e saj të fundit, përmbledhja poetike “Dashuruar në diell” (2010) dhe romani “Hijet e kullave” 2009, I  përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën rumune, kah fundi i vitit të kaluar.

 

Për poezinë e Albina Idrizit, përkatësisht përmbledhjen e poezive “Dashuruar në diell” , me vështrimet e tyre u paraqitën, Menduh Leka (vështrimin e të cilit e lexoi, znj. Fatushe Haliti, njëra nga themelueset e Ars Clubit “Beqir Musliu” si dhe  Bilall Maliqi , poet e publicist nga Presheva.

 

Ndërsa për romanin  “Hijet e kullave”, shkrimtari dhe kritiku nga Shqipëria, z. Mihallaq Qileri , z. Nexhat Rexha, poet e kritik  letrar, nga Kamenica si dhe u lexua dhe një vështrim i kritikut rumun, Mihai Antoneskut, po për romanin nga aktori Ramadan Kurti.

 

Pjesë nga krijimtaria e Albina Idrizit, poezi të zgjedhura dhe fragmente nga romani, deklamuan aktorët e teatrit të Qytetit, Mejreme Berisha e Ramadan Kurti. Ndërsa për intermexo muzikore kësaj radhe u përkujdes,  talentja e re e shkollës së muzikës në Gjilan, Jona Idrizi.

 

Letërnjoftimi letrar i Albina (Aliu) Idrizit

 

U  lind në Tërnoc (6 maj 1966) të komunës së Bujanofcit (Kosova Lindore). Si fëmijë shpërngulet në Gjilan ku edhe kryen shkollimin fillor dhe ate të mesëm. Fakultetin Filolgjik, drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe përfundon në Universitetin e Prishtinës.

Prozën e parë e boton si nxënëse e shkollës fillore më 1980 në revistën për fëmijë ‘ Pionieri’ nga ku përfshihet edhe përmes poezisë në periodikun e kohës deri më 1997 kur boton përmbledhjen e parë me poezi për të rritur ‘Heshtje e mbarsur’ në botim të RILINDJES. Në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen për fëmijë ‘ Ëndrra me ylberë’. Në prill të vitit 2009 boton romanin  Hijet e kullave’. I mirëpritur nga lexuesit dhe kritika si ‘një ndër librat që bëjnë historinë’ romani përkthehet në gjuhën rumune po të njejtin vit në Bukuresht në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumunisë ALBANESUL. Në të njejtin vit përzgjidhet t’i bashkohet poetëve shqiptarë nga të gjitha viset me poezitë e saja në antologjinë dygjuhëshe: shqipe dhe rumune TEMPLUL CUVANTULUI  gjegjësisht TEMPULLI I FJALËS. Në prill të vitit 2010 del nga shtypi përmbledhja me poezi për të rritur ‘Dashuruar në diell’ .

Në Gembloux, qytetin muzeal në periferi të Brukselit në Belgjikë, në majin e këtij viti 2010, në Sallonin e 40 jubilar nderohet me medaljen e argjentë për poezi nga Akademia Europiane e Arteve.

Ndërkaq, nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI Albania, nderohet me Çmimin Special për romanin ‘Hijet e kullave’.

Është anëtare e LSHK.

Albina Idrizi, tashmë ka arritur pjekurinë e saj krijuese. . Ajo po bën emër me veprën e saj dhe  po e pasuron gjithnjë e më shumë  sfodnin e letërsinë shqipe.

Nuk është zgjedhur rastësisht për t’ u prezentuar dhe vlerësuar në “Vjeshtën letrare të Gjilanit”.

 

Vlerësime të shkëputura për veprat e shkrimtares Albina Idrizi

 

Agim VINCA

Ka kohë që nuk kam lexuar ndonjë dorëshkrim të një autori të panjohur e fillestar, që të përvetëson me qartësinë, sigurinë, por edhe me bukurinë e ndjenjës, të mendimit dhe të shprehjes poetike sikurse ky dorëshkrim i poetess ë re nga Gjilani Albina Idrizi. Vjershat e përmbledhjes së saj ‘Heshtje e mbarsur’- prej të parës e gjer tek e fundit – janë të mbarsura me mendim, por me një mendim që rrjedh qetë, ngadalë e natyrshëm, pa zhurmë e sforcim. Poezia e saj nuk imponohet me pozën e mençurisë e gjestin e kërkuar për efekt, siç ndodh te shumë poetë të tjerë, të vjetër e të rinj, porn a qaset si një qenie e urtë e me shpirt. Është një zë i veçantë, i pjekur që në start. Autorja e ka gjetur mënyrën sit a artikulojë botën e vet të pasur shpirtërore dhe si të komunikojë me lexuesin. Është një poezi vërtet e mbarsur me mendim, emocion, ritëm e figuracion.

Dhe, në fund, edhe një kompliment: Albina Idrizi është padyshim një nga poeteshat më të talentuara e më premtuese kosovare, me gjasa reale që të bëhet edhe njëra nga më të mirat. ( 1997 )

 

Sabit RRUSTEMI

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (jo dhe aq larg, si mund të tingëllojë një shekul), Albinë A. Idrizi më shumë u promovua dhe impnoua si prozatore, tregimtare se sa si poete. Duke konkuruar dhe, fituar nëpër disa konkurse letrare të kohës, ajo dha shenja premtuese si një krijuese e talentuar që pa zhurmë shumë po hynte dhe përbirohej në botën e letrare.

Kur, pas shumë provash të sukseshme në fushën e tregimit po pritej dhe tubëza e parë e tregimeve përmbledhur në formë libri, ajo befasoi këndshëm në vitin 1997 me përmbledhjen e poezive “Heshtja e mbarsur’ një titull sa metaforik, sa sinjalizues, po aq edhe intrigues. ( 2009 )

 

Mihallaq QILLERI

Befasia e një proze të shkëlqyer, e një konceptimi artistik të veçantë, e një historie lufte sa makabre, po aq edhe pacifiste, një qerthull vigan lëvizjesh, spostim personazhesh e ngjarjesh të krijojnë përshtypjen se shikon një sahat dore, të cilit i është hequr kapaku i pasmë dhe ingranazhet e vegjël e të mëdhenj intonojnë në lëvizjen e njëri-tjetrit. Lufta për çlirimin e Kosovës, një nga historitë më dramatike europiane të fundshekullit XX, do vijojë të tërheqë vëmendjen e letërsisë edhe për shumë e shumë vite të tjera. Por shkrimtarja e re ka preferuar ta shpërfaq atë duke u vendosur shpesh në llogoret armike dhe prej andej të na tregojë se si shihet një vend i djegur, i vrarë, i përdhunuar dhe një popullsi e gjitha e traumatizuar.

Romani, mendoj se është një vlerë e rëndësishme e prozës shqiptare të viteve të fundit, ndërsa për autoren përpjekja e parë në prozën e gjatë mund të konsiderohet tepër e suksesshme.

 

Nexhat Rexha

 

Vlera e romanit qëndron në korrektësinë e realizimit objektiv  si dhe në mënyrën e rrëfimit klasik,  e   përforcuar me anën  leksikore e semantike,gjithnjë duke e ruajtur  nivelin artistik, e  për t`i dhënë  funksion zgjidhjes së enigmës  për boshatisjen e  kullave ,si dhe shpalosjen  e zhgënjimit të një koloneli për të bërat e tij.

Rëndësia e romanit do të rritej sikur ai të përkthehej  edhe në gjuhën serbe.

 

 Ardian KYÇYKU - Revista HAEMUS

Pas vëllimit poetik “Heshtja e mbarsur” (1997), krijimtaria e Albina Idrizit lind, por në prozë, një tjetër lloj heshtjeje, përmes romanit «Hijet e kullave». Autorja shprehet se vendet ku zhvillohen ngjarjet e romanit i ka parë vetëm një herë, mirpo empatia artistike ia del mbanë të ngjizë një botë mëse të besueshme, me dy palë rrënjë: në vërtetësinë e pakundërshtueshme të fiksionit dhe në përmasën (zhgj)ëndërrore të historisë. Me një shqipe të pastër dhe krejt i lirë nga kakofonitë e libreskut, romani flet po aq për hijet e kullave, sa edhe për kullat e hijeve. Në cakun që ndan e njëson hijet me kullat, aty ku qënia njerëzore mbijeton duke u zhvendosur nga e përnjimendta në vegim dhe duke e shlyer të ardhmen me dhimbje të papërshkrueshme, Albina Idrizi zbulon dhe bën të rrjedhë drejt ndërdijës së lexuesit një heshtje që haset shumë rrallë në prozën e sotme shqipe. Një heshtje e hapur, - himn ndaj durimit e vetmohimit, - e cila hyn në qënien e lexuesit edhe kur ky i fundit është i huaj ndaj thelbeve të letërsisë. (Dhjetor 2009 )

 

Albert ZHOLI

Paqe! Ky është mesazhi i romanit “Hijet e Kullave”, Janë fjalët më të bukura që duhet të shndrisin në qiellin e kaltër të gjithësisë. Paqe, kjo fjalë magjike, që duhet të zejë vendin më të ngrohtë në zemrat njerëzorë.  Kush do paqen, ka fituar lirinë. Kush zgjedh luftën, ka marrë përsipër vargonjtë e robërisë. Njerëz,  lidhni pazgjidhsmërisht jetën me emrin kuptimplotë të të qënit paqësor. Faleminderit Albina që na solle një roman ndryshe, ku njerëzit e arsyeshëm në çdo moment dinë ta gjejnë rrugën e së vërtetës. Rrugën që të çon në dashurinë e bukur njerëzore.

Marius CHELARU

Letërsia shqiptare, sipas eseistit rumun Qelaru, „i ka dhënë botës njërin nga prozatorët e më të mëdhenj të këtij mileniumi Ismail Kadaren, shqiptarin më të famshëm në botë. Ekziston ndërkaq, së paku te disa prozatorë shqiptarë, njëfarë lloj vlerësimi të një tjetër tipi „ekzotik” për lexuesin oksidental, të traditave, të krejt asaj që definon kultura dhe historia e popullit të tyre, një gërshetim i reales me fantastiken, me mitin dhe legjendën, me historinë. Fjala është për disa romane të Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur duke i ruajtur proporcionet në rastin e krahasimeve tjera, siç është libri i Albina Idrizit.” Hijet e Kullave është romani i parë i një autori kosovar që del në gjuhën rumune. Autorja flet për luftën e errët që zhvilluan forcat paramilitare serbe në Kosovë. Fjalori i Albinës nuk është i sofistikuar, por i drejtëpërdrejtë dhe i thjeshtë. Kështu mendon Marius Qelaru duke theksuar se theksi i rrëfimit, tejmatanë kontureve të ngjarjeve dhe personazheve bie mbi vuajtjet e kosovarëve dhe barbarizmat e ushtarëve serbë, por edhe refuzimi i kolonelit për ta kuptuar urrejtjen si mënyrë jete.Me një fjalë, mund të kuptojmë se fjala është një libër të mirë mbi jetën dhe vdekjen, mbi dashurinë dhe shpresën, mbi refuzimin dhe dëshirën për rigjetje, mbi krimet dhe mizoritë e luftës, shkatërrime materiale, lëndime të shpirtërave, prishje të ëndërrave, shpartallim të miqësive të dikurshme, mbi tmerrin dhe skëterrën që mund ta krijojnë njerëzit mbi dhe. (2009 )

Mihai ANTONESCU

Të rrallë janë librat ku gjejmë aq thellësi, aq (mirë)kuptim dhe përkëdhelje për qenjen humane të ndodhur në kotarin e njerkëzimit dhe urrejtjes nën shenjën e fatkeqësisë.  Në Hijet e Kullave kam shpaluar një skaj nga shpirti i florinjtë i kësaj prozatore të madhe, që është Albina Idrizi, duke i dëshiruar përgjatë 100 faqeve sa ka libri, një mik të mirë të mirëkuptimit dhe lotit në emër të popullit shqiptar në Kosovë. ( 2009 )

 

 Nga Aleksandra Shabani UPLI ( SHBA), Ë.P.S

‘Dashuruar në diell’ është një rrokëzim shprehimisht ndjenjash të pashterrshme, që ekuilibrojnë në ritmin jetik botëve të panumërta të poetes. I perceptuar në tri frymë mendimtare: Me ty jam, Gjithmonë vjen një kohë, Ëndrrat nuk vdesin kurrë, ajo të drejton në një perceptim të drejtë, të pastër tingullimisht ndjenjësor rrëfimtar në çdo detajimësi guximtare të pakushtëzuar. Poetja e ka rrumbullaksuar botikën e saj si një diell dhe e rendit atë, sikur në çdo rreze të tij të japë mesazhe për dashurinë, për njeriun, për ëndrrat, për gjithësinë që e rrethon dhe e shqetëson.

Dhe për fund, të flasësh me gjuhën e poetes është të lundrosh në të dhe të ndjesh kaq pranë dashurinë.

Pra shkurt, poezia në vëllimin ‘Dashuruar në diell’ është një prurje e gjallueshme e poetes Albina Idrizi dhe kontribut poetik i saj në fushën poetike, NJË SOLSTIC SHPIRTËROR DIELLOR I PËRKORË...

( 21 nëntor 2010 )

 

Menduh Leka

 

Poezia e Albinës vjen si bindje , si shpresë me kumtmirin se jeton poezia , ka shpirtë dhe rritë shtat. Duke qenë në rezonancë me këto kërkesa  ajo i mbulon të gjitha zonat gjeologjike  të meditimit , të gjitha hapësirat e përjetimit dhe sjellë para neshë idhujtarin e ri  poetik plot imazhe dhe oksigjen që lëshojnë petalet vargnore.Kjo është  gama poetike e Albinës në librin “ Dashuruar në diell”.

 (Gjilan, 18 dhjetor 2010)