| E hene, 20.12.2010, 10:11 PM |
Vangjush Ziko
VETEN E NDIEJ...
PARKINGU I PALLATIT
Natë me shi.
Qetësi.
Makinat lagen në shi.
Makinat lahen në shi.
Lagin kripën e dirsës.
Lajnë lodhjen e ditës.
Dhe hekuri
kërkon të shlodhet,
Të shmpihet.
Të shtrihet.
Në ëndrra të kotet.
Dit' e punës
të flerë kërkon.
Hij' e saj
mbështet kokën në timon.
Jashtë
parku kullon shi
dhe dirsë.
S' e shuan dritën.
Pret agimin.
Pret gjithë bijtë
t' i vijnë.
AEROPORTI
Është një orë,
as muzg.
as natë e plotë.
Syri nuk sheh
as qiell më
as tokë.
Dritarja,
ekran i zi sterrë.
Kërkoj pultin ta ndez,
të shoh ç' bëhet në terrët.
Është ora kur mbrijnë
avionët e largët
Me rrezet e diellit
akoma mbi krahët.
Me mallin e largët.
Me prushin e malltë.
Dhe unë,
aeroport' i heshtur,
në ethe.
Që s' është i zoti
të mbajë rrënqethjet.
Dritaren e zemrës sime
hap unë.
Mbi gjoksin tim
të vijnë të ulen.
Të ulen shamitë
lagur me gjak edhe lotë
Qëndisur me ëndrrat
e ankthshme
të Botës.
BLOOR STREET
Bloor.Street.
Bloor Street.
Arter i qytetit tim.
Gjakun e jetës mbart
agim më agim.
U bëra dhe un' kapilar
i yti një degzim.
Me trup ndjej uturimat.
Boritë në tru më buçasin.
Në gjak më lundrojnë makinat
Dhe drithërima t' asfaltit.
Zemra
m' u bë semafor.
Ndez edhe shuan sinjalet.
Të ecë një këmbësor.
Të fluturojnë alarmet.
Veten e ndiej qytet
të mbushur me gaz dhe dhimbje.
Agimin e punës pres.
Natën përkund ëndërrimet.
Në djepin tim të mishtë
Në pejzat e mia të nervave
Më zenë fill poezitë,
Filizat e rinj të poemave.