Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faik Krasniqi: Çfarë do të thotë ''Kosovar'', të gjithë jemi shqiptarë

| E diele, 19.12.2010, 08:57 PM |


Çfarë do të thotë ''Kosovar'', të gjithë jemi shqiptarë

 

Nga Faik Krasniqi

 

Shqiptar apo Kosovar ky ishte titulli i një diskutimi që u zhvillua para disa muajve në emisionin Top Show.

Personalisht debati më la një shije të hidhur në gojë dhe nuk prisja nga ana e shqiptarëve(apo të ''kosovarëve'' siç kanë qejf ta thërrasin vetën shumë në Kosovë) të Kosovës atë lloj reagimi ( mbase ishte vetëm reagimi i atyre pseduoanalistëve që ishin të ftuar në emision ).

Si mundet sot të ketë kuptim një pyetje e tillë?Çfarë do të thotë Kosovar?

Sot në qoftëse ka një shtet të Kosovës dhe  kjo ishte gjëja më madhore për shqiptarët e Kosovës pas shekujsh pushtimi, nuk do të thotë që ky veprim i thjesht administrativ të vërë në pikëpyetje të qenit një komb?

 Shqiptarët kurrë nuk e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar as mbi pesëqind vjet nën perandorinë osmane, as nën bizantim dhe as nën serbin dhe komunizmin.

Si mundet sot kur ne jemi të lirë të shtrohet një pyetje e tillë, kur edhe Arbëreshët që kanë mbi pesë shekuj  të shkëputur nga toka mëmë kur i pyet sot thonë që janë shqiptarë.

Çfarë do të thotë me qenë ''Kosovar'', çfarë ndryshon sikur të thuash se jam Prishtinali apo jam Durrësak, Tiranas ose Tetovar?

''Nuk e besoj që sot të ketë në Kosovë një elitë e cila vetëm për të pasur një karrige dhe pak më shumë pushtet arrin deri aty sa vë në dyshim të qenit Shqiptarë''.

A e harrojnë këta njerëz kaq lehtë gjakun e derdhur në emër të shqiptarizmës, jo vetëm në luftën e fundit për lirinë e Kosovës, por gjakun e derdhur nga breza të tërë patriotësh për të gjithë tokën arbërore.

Po të harrohet gjaku atëherë me gjithë mend që paska humbur identiteti i këtyre njerëzve dhe do tu japin të drejt serbëve dhe sllavomaqedonasve(bullgarëve) me enciklopeditë të tyre.

Ne jemi pellazgë, arbër dhe shqiptarë qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Shqipëri, qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Kosovë apo Maqedoni, Mali i Zi e Serbi, jemi Shqiptarë edhe në kufijntë e shtetit Grek ( edhe pse ata e mohojnë) dhe si përfundim jemi Shqiptarë kudo që ndodhemi nga Europa në SHBA.

Jo vetëm ne por dhe bijt e bijëve tanë do të jenë SHQIPTAR siç janë dhe sot e kësaj dite kudo nëpër Botë.