| E shtune, 18.12.2010, 08:58 PM |
Intervistë me Nehat Jahiun mësues në shkollën nëntvjeqare “Faik Konica” në Sllupçan dhe Orizare të komunës së Likovës në malësin e Kumanovës
NUK KA KËNAQËSI MË TË MADHE NË JETE SE KUR NXËNËSI YT FITON TITULLIN PROFESOR, INXHINJER, MJEK, MAGJISTËR, POR AJO CKA TË BËNË EDHE MË KRENAR ËSHTË KUR ATA FITOJNË TITULLIN DOKTOR SHKENCE
Nga Sokol DEMAKU
Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtëpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, i ngritur dhe i arsimuar në shkallë të duhur, të ketë pikëpamje të drejta e të qarta, kulturë të gjërë shkencore, të luftojë primitivizmin dhe të kontribojë në ngritjen arsimore e kulturore. Mësuesi si edukator i gjeneratës së re, të cilit i është besuar kjo detyrë shumë e rëndësishme, duhet të jetë shembull për nga cilësia e karakterit, ndër të cilat në radhë të parë duhet të numërojmë modestinë, si vyrtyt shumë i lartë i njeriut.
Kam dëgjuar dhe lexuar që thonë një fjalë shumë të vjetër “ Shpia pa pushkë asht si burri pa djep, asht si mali pa drurë”. U ula gjithnjë pranë prindërve, pleqve të familjes, lagjes, fshatit..., që të dëgjoj me vëmendje rrëfimet ndaj miteve, legjendave dhe trimërive, sidomos të temave për vendlindjen dhe atdheun tim. Burrat pleq të Orizarës që në piskamën e parë të foshnjës e dinin se a ia vlen ai për kamzë a për penë apo jo. Vrapova sëbashku me mocanikët e mi nëpër oborret, kopshtet, livadhet ,fushat, malet e vendlindjes sime duke e shkelur me këmbë dhe duke e prekur çdo pëllëmbë të tokës sime mëmë që më lindi e më rriti me aq afsh e dashuri.
Sa i përket sistemit të arsimit sot në Maqedoni më duket se për çdo ditë bëjnë ndryshime si stinët e vitit ndërsa rezultatet mbeten askund. Në letër mundohen të ecin para me reforma dhe të kapin trendet Evropiane dhe botërore, por në realizimin konkretë numërohet në vend ose më mirë thënë në ven të ecjes së një hapi para këtu ecet një hap mbrapa. Për cdo vit bëhen ekspirimente...
Për jetën kultorore të shqiptarëve në Maqedoni , respektivisht në trojet tona shqiptare mendoj dhe shoh gjithëçka dhe shumëçka që më kënaq dhe më brengos shumë. Kam bindjen se nuk është shumë e pasur, heq dy- tre manifestime republikane dhe mbarëkombëtare që mbahen në Maqedoni të lenë përshtypjen se këtu fare nuk frymon shqip.
Bacloku përveç që ishte një poet, profesor , ai ishte edhe shumëçka për mua dhe për të gjithë studentët. Ishte shumë i afërtë me ne. Sidomos afërsia dhe përkrahje e tij ishte shumë e madhe për ne studntët që ishim jashta Kosovës, sepse i dhembte shpirti për ne duke e ditur se cfarë sakrifica kishin të rinjtë shqiptar në atë kohë në Maqedoni për të studjuar në gjuhën shqipe.
Ju lutem nje prezentim të shkurtër?
Unë Nehat Jahiu u linda në mëngjesin e 10 tetorit të vitit 1951 aty pranë vatrës së oxhakut të shtëpisë të ndërtuar me gurët e bjeshkëve të maleve të Karadakut plak dhe të baltës së tokës së prindit, gjyshit dhe stërgjyshërve të mi. Linda mu aty, në njërën ndër lagjet më të bukura dhe më të dashura- lagjen e “ Arnorëve” – “ Cumelve”. Linda, kalova fëmijërinë time, u rrita sëbashku me mocanikët e mi të lagjës sime dhe të fshatit tim shumë të bukur, të këndshëm dhe të dashur- Orizarës. Linda në këto kulla stërgjyshërore shqiptare, në këto vatra të Karadakut për tu njohur qysh në fëmijërinë time njomarake me traditat dhe historinë shqiptare, me ninullat në krye të djepit e mbi pushkën e varur mbi trarët e lisave të fortë e të lashtë të malit plak “Përzhal” të Orizarës. Kam dëgjuar dhe lexuar që thonë një fjalë shumë të vjetër “ Shpia pa pushkë asht si burri pa djep, asht si mali pa drurë”. U ula gjithnjë pranë prindërve, pleqve të familjes, lagjes, fshatit..., që të dëgjoj me vëmendje rrëfimet ndaj miteve, legjendave dhe trimërive, sidomos të temave për vendlindjen dhe atdheun tim. Burrat pleq të Orizarës që në piskamën e parë të foshnjës e dinin se a ia vlen ai për kamzë a për penë apo jo. Vrapova sëbashku me mocanikët e mi nëpër oborret, kopshtet, livadhet ,fushat, malet e vendlindjes sime duke e shkelur me këmbë dhe duke e prekur çdo pëllëmbë të tokës sime mëmë që më lindi e më rriti me aq afsh e dashuri. Shumë herë agimeve të hershme dhe mbrëmjeve, i hapja krahët prej bregut të Korijës së Plakë, i hapja krahët dhe me sa fuqi kisha e përqafoja vendlindjen time dhe nga dashuria sa mundja e shtrëngoja në gji, njashtu si nënëlokja ime kur kthehesha me tufën e deleve më dilte tek dera, më merrte, më puthte në ballë, më përqafonte e më shtrëngonte thellë e ngrohtë në gjirin e saj, më donte, më donte ashtu siç e doja unë vendlindjen time Orizarën.Pushoja pak, ma shtronte sofrën e bukës për të ngrërë, e më vonë shtrihesha në prehrin e nënëlokes sime e ajo më përkëdhelte ballin, njashtu më zinte gjumi i ëmbël në prehër të nënës sime që në mëngjes ngrihesha sëbashku me ëndrrat e bukura të vendlindjes sime.Kur i mbusha shtatë vite me një gëzim të paparë vrapova drejt shkollës sime, aty në qendër të fshatit, për tu futur në klasë të parë, për tu takuar për herë të parë me mësuesen time shumë të dashur e të paharruar- mësuesen Lumnije. Shkollën fillore (tetëvjeçaren) e kreva në vendlindje, të mesmen në Preshevë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjakovë.
Profesioni i juaj?
Profesioni im është arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe punoj në shkollën fillore nëntëvjeçare “ Faik Konica” të fshatit Sllupçan që gjendet në mes të fshatit Sllupçan dhe vendlindjes sime Orizarës.Profesioni i mësuesit është një profesion mjaftë i mirë, por edhe shumë i vështirë. Kjo thënie aq kuptimplote dhe aq e thellë mund të kuptohet seriozisht vetëm nga ana e atyre arsimtarëve apo edukatorëve, që këtë profesion e konsiderojnë si të tillë: të mirë, të vështirë dhe shumë me përgjegjësi. Që të edukosh të tjerët duhet vetë të jesh i edukuar, që të ndikosh drejtë te brezi i ri, duhesh të jesh shembull i mirë.Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtëpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, i ngritur dhe i arsimuar në shkallë të duhur, të ketë pikëpamje të drejta e të qarta, kulturë të gjërë shkencore, të luftojë primitivizmin dhe të kontribojë në ngritjen arsimore e kulturore. Mësuesi si edukator i gjeneratës së re, të cilit i është besuar kjo detyrë shumë e rëndësishme, duhet të jetë shembull për nga cilësia e karakterit, ndër të cilat në radhë të parë duhet të numërojmë modestinë, si vyrtyt shumë i lartë i njeriut. Ky profesion, profesioni i mësuesit, edukatorit është shumë i rëndësishëm, sepse mësuesi i mëson dhe i edukon lulet më të bukura – të vegjëlit dhe të rinjtë, brezin e ardhshëm. Mësuesi duhet të arsimojë dhe edukojë brezin e ri, ta paisë me tërë atë që do ti kontribojë zhvillimit të mëtejmë të shoqërisë. Nisur nga kjo, duhet thënë se para mësuesit, edukatorit dhe profesorit shtrohen detyra të rëndësishme.Mësuesi, jo vetëm që është trasmetues i shkencës dhe kulturës, i traditës dhe historisë njerëzore, por edhe vlerave materiale e morale. Puna e mësuesit nuk është punë e rëndomtë e një punëtori apo e një nëpunësi, punë e një zejtari, por është punë që kërkon para së gjithash, ideal. Sepse, ai në duart e veta ka forcën subjektive të zhvillimit të mëtejmë të shoqërisë, ka në duar dhe duhet të edukojë gjeneratën e re, e cila duhet ta zëvendësoj të vjetrën. Në duart e mësuesit nuk do të jenë vetëm punëtorët dhe ekspertët e ardhshëm të veprimtarive të ndryshme , por do të jenë edhe shkenctarët edhe letrarët , edhe piktorët dhe skulptorët e shumë e shumë talentë të tjerë të profesioneve të ndryshme.Prandaj, është detyrë e mësuesit, që këta talentë ti zbulojë dhe të u jap mundësi për zhvillim të plotë.Mësuesi duhet të punojë jo vetëm për aftësim intelektual të nxënësve, por edhe për aftësimin e përgjithshëm, për zgjerimin e kulturës në të gjitha fushat,ti aftësojë për të kuptuar dhe për të adhuruar artin, sepse atë mund ta kuptojnë vetëm njerëzit e ngritur në këtë pikëpamje. Funksioni i mësuesit gjatë jetës nuk do të jetë vetëm dhënie e mësimit, por edhe edukimi i drejtë i brezave të rinj.. Do të mbështeten në synymet dhe idealet e zhvillimit shoqëror, duke mbjellë kështu farën e ardhmërisë më të mirë dhe më të lumtur.Dihet mirëfilli se, të gjithë mësuesit e mirë, njëkohësisht kanë qenë njerëz me ideale dhe e kanë dashur arsimin dhe punën edukative, kanë dhënë gjithë mundin për arsimin dhe edukimin e drejtë të gjeneratave të reja.Mësuesit e vyeshëm edhe nëse nuk kanë lënë vepra të shkruara, kryevepra e tyre është puna edukative me brezat e rinj, me masat e gjëra popullore. Mësuesi gjithmonë ka qenë edhe mbetet njeriu më i afërtë i masave popullore. Edukimi i atij brezi të ri do të bëjë punën e mësuesit të përjetshëm. Sado e vogël dhe e thjeshtë të duket kjo punë e mësuesit, ajo shkruhet në analet e shkollës, edhe pse mësuesi atë nuk e shkruan me laps, por me punë dhe me mund. Pikërisht për këtë arsye, mund të them se puna e mësuesit gjatë jetës do të mbështetet në ideal dhe në pasion për përparim kombëtar...
Përvec se një mësues i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Maqedoni do te ishte me interes te mësonim nga ju se si e perkufizoni rolin e një mësuesi të gjuhës amtare në Maqedoni?
Për të qenë mësues i gjuhës amtare duhet personi të ketë një kultivim të thellë të dashurisë ndaj gjuhës. Gjuha është element thelbësor me të cilën përcaktohet identiteti i një kombi, kultura e tij, me te shprehen të arriturat matriale dhe shpirtërore. Ajo përveç që shërben për komunikim mes anëtarëve të të njejtit komb, njëkohësisht ka një rrol dominant në afirmimin e një kombi në suazat botërore. Kjo arrihet me një përkushtim të madh nga përdoruesit e saj siç janë intelektualët, krijuesit letrar etj. Kjo më shtyri të përcaktohem për gjuhën amtare shqipe. Me një frymëzim të posaçëm edhe nga Rilindasit shqiptarë të cilët me një entuziazëm shkruanin për gjuhën shqipe. Vetëm të thekësoj sa për ilustrim dhe të citoj nja dy vargje për gjuhën shqipe të poeti t tonë të madh Naim Frashërit: “ Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël, sa e gjërë! Sa e lehtë, sa e lirë!...
Keni studjuar në Kosovë, cka ju shtyri ta studjnoni Gjuhën?
Po, është e vërtet se kam studjuar në Kosovë dhe ate në Gjakovë qe kam shumë kujtime të paharruar për Kosovën , Gjakovën ,shoqet dhe shokët e mi nga mbarë Kosova, Kosova Lindore , Mali i Zi dhe Maqedonia . Njekohësisht dhe ndjehem shumë krenar dhe kam një nostalgji të paharruar për profesorët e mi të dashur dhe të respektuar. Për ata që janë gjallë dhe ata që sot nuk janë në mesin e të gjallëve.Për të studiur gjuhën më shtyri shumëçka, por mbi të gjitha dëshira dhe vullneti që kisha gjithnjë për gjuhën time amtare, për këtë gjuhë që ma mësoi nëna ime e ndjerë qysh kur isha fëmijë në djep. Njëherit këtë vullnet dhe dëshirë timen e përforcuan edhe aq më tepër arsimtarët e mi të gjuhës dhe letërsisë në shkollën fillore dhe ate të mesmen. Po siç e ceka më lartë kisha dhe kam një dashuri të paparë për gjuhën amtare.Për këtë arsye edhe e studiova.
Ju i jeni perkushtuar pra punës me fëmijë, arsimimit si e ndieni vetën si mësues?
Po, që nga dita e parë kur kapa me dorën time ditarin i jam përkushtuar profesionit tim të mësuesisë me një përkushtim që të punoj me nder dhe respekt të veçant me nxënësit e mi, sepse ky profesion është një profesion i shenjtë dhe sidomos të punosh me fëmijë nuk ka gjë më të dashur , më të çmuar dhe më të shtrenjtë. Të mësosh dhe të edukosh brezin e ri , ardhmërinë e kombit tënd nuk di se a ka kënaqësi më të madhe shpirtrore në jetë.
Nga e merrni frymëzimin ne punën e juaj? Cfarë ju frymëzon në punën tuaj?
Eh, ku e marrë frymëzimin tim në punën time...! ? Po, a ka frymëzim më të dashur se kur e paramendon dhe pergatitesh që nesër do të nisesh për të shkuar në punë, të futesh në oborrin shkollor dhe të shohësh nxënësit tufë- tufë duke pritur arsimtarët e tyre dhe të duken nxënësit si një kopsht me lulet më të bukura që çelin në pranverë dhe zbukurojnë kopshtin .Këto janë lulet më të bukura që me me aromën e tyre më të këndshme mbushin livadhet malet dhe fushat. .. Të marrësh ditarin në dorë dhe të futesh në mësonjëtore aty ku të presin të buzëqeshur këto lule të bukura e të bëhet zemra mal. Së fundi ka zë më të ëmbël se zëri i fëmijës...
Ju jeni shumë aktiv edhe ne jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve këtu në trojet shqiptare ne Maqedoni, cka ju shtyn në ketë drejtim dhe në cka më shumë është i angazhuar Nehati?
Ju në pyetjen tuaj që më parashtroni thuani se unë jam shumë aktiv edhe në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve këtu në trojet tona shqiptare në Maqedoni dhe çka më shtyri në këtë drejtim dhe në në çka më shumë jam i angazhuar. Unë nuk do të thoja se isha dhe jam aq aktiv ,këtë le të vlerësojnë të tjerët, por një gjë do e them se asnjeherë nuk kam qenë i qetë që mos të angazhohem fizikisht dhe shpirtrish që sëpaku të vë një gur diku ku është dashur të vihet. Këtë ia kam pasur dhe ia kam borxh gjuhës, kulturës, artit në përgjithësi ,traditës, historisë, vendlindjes ,atdheut, popullit tim të lashtë. Edhe pse jam munduar dhe mundohem të bëj diçka nuk mund të them se kam bë dicka, por nëse kam bërë dic të vogël edhe njëherë po e potencoj le të vlerësojnë të tjerët e jo unë.
Cka mendoni per sistemin e arsimit sot në Maqedoni konkretisht kur kemi të bejme me shkollat shqipe, cka kishit me ndryshue ne këtë drejtim po të pyteni ju?
Sa i përket sistemit të arsimit sot në Maqedoni më duket se për çdo ditë bëjnë ndryshime si stinët e vitit ndërsa rezultatet mbeten askund. Në letër mundohen të ecin para me reforma dhe të kapin trendet Evropiane dhe botërore, por në realizimin konkretë numërohet në vend ose më mirë thënë në ven të ecjes së një hapi para këtu ecet një hap mbrapa. Për cdo vit bëhen ekspirimente që nuk arrihen tek qëllimet për të cilat dedikohen këto reforma, kuptohet atyre që u dedikohen nxënësve. Unë nuk mund të paramendoj një gjë që çdo nxënësi ti ofrohet kompjutorë ose laptop në mësonjëtore, kur atij nxënësi i mungojnë gjërat më elementare për mësim dhe edukim. I mungon karriga ku të ulet, i mungon banga, i mungon kabineti, i pikon shiu në mësonjëtore i mungojnë gjërat më elementare. Sa i përket shkollave shqipe ata e kanë gjendjen shumë më të vështirë se sa ata të palës tjetër maqedonase, shumë pak gjithnjë është investuar për të mos thënë aspak për shkollat shqipe në Maqedoni, por gjithnjë janë munduar që ti shuajnë ato e mos të flasim për ndonjë përparim. Edhe pse këto shkolla shqipe gjithnjë u hapën. Edhe pse për shkollat shqipe kontribut kanë dhënë bijat dhe bijtë më të mirë të kombit. Shkollat shqipe në Maqedoni nuk mund të krenohen me pozitën aktuale të tyre në krahasim me shkollat tjera në rajon. Shqiptarët për përmisimin e një pullazi të shkollës duhet pritur me shumë vite dhe të varet nga vullneti i dikujt tjetër nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me shkollat në fjalë. Prandaj çfarë shkolla do të kemi dhe me çfarë cilësie të mësimdhënies e kemi fajin sëpari vet e pastaj të tjerët. Pra, për të ngritur shkollat shqipe në një pediastal më të lartë nevoitet një angazhim i të gjithë neve. Shpresojmë që në të ardhmën e afërtë edhe shkollat shqipe do të jenë të një rangu me shkollat tjera. Kjo është dëshirë e imja e sa do realizohet ate do e shohim.
Si e kalon Nehati një ditë të punës ne shkollën ku punon?
Dita e punës më kalon si çdo ditë tjetër. Vështirë e kam të bëjë ndonjë dallim të thekësuar, ngaqë obligimet që më presin në shkollë janë identike të çdo dite. Por, obligim parësor i imi është që në vendin ku punoj të jap maksimumin për të mirën e nxënësve dhe të shkollës. Të them të drejtën nuk kursej as gjë nga vetja në këtë drejtim. Por, sa ia kam arritur që këtë ta realizoj mund të ju tregojnë koleget dhe kolegët e mi me të cilët punoj për çdo ditë, nxënësit dhe prindrit e tyre etj.. Mendoj se ata janë barometri më i mirë për të matur angazhimin tim në vendin e punës ku unë e kaloj një ditë punë në shkollë aty ku edhe unë punoj.
Ju jeni me profesion arsimtar i gjuhës por merreni edhe me shkrime dhe publicistikë, cfare momentalisht është më inetres për ju?
Edhe njëra edhe tjetra. Primare për mua është puna me nxënës, por kohën e lirë e kaloj duke u marrë me shkrime. Mundohem që edhe në këtë fushë të kontriboj aq sa më lejon kapaciteti im intelektual. Nuk them se kam arritur diçka të jashtzakonshme, por me mundësitë dhe aftësitë e mia mundohem të jem prezent në krijimtarinë letrare.
Cka ka botuar deri me tani Nehati dhe cka pret lexuesi ne të ardhmen ga ju?
Deri më tani kam botuar këto libra :1. “ Në sytë e tu” – 1982;
3. “ Fluturimi i pëllumbave” – 1990; 4. “ Të pret malli që na treti” – 1993;
5. “ Hidhe vallen Laro!...” – 1994; 6. “ Kukuvajka” – 1995;
11. “ Brez pas brezi në luftë për shkolla shqipe”-2008; 12. “Lulëkuqe mbi varre” – 2010;
13. “ Orizarja ndër shekuj” – 2010
Shpresoj se shumë shpejt lexuesit do të kenë në dorë edhe dy përmbledhje poezish, njëra për fëmijë e tjetra për të rritur, jam nga përfundimi i tyre, më mbetet të gjejë botues nga që dorëshkrimet i kam gati. Pra, gati puna ka mbaruar dhe shumë shpejt këto dy përmbledhje do të dalin në dritë.
Nga e merrë frymëzimin Nehat Jahiu, cka permbajnë poezitë e juaja?
Më pyetët nga e marrë frymëzimin- Po frymëzimi më vjenë nga e kaluara e lavdishme e popullit tim, nga të arriturat e tij kulturore, nga jeta e përditshme, posaçërisht nga jeta e e përditshme e botës fëmijërore. Me të marrë lapsin në dorë si stuhi më vijnë frymëzime të shumta saqë ndonjëherë ngatrrohem në to. Por, me kënaqësi të madhe frymëzohem nga bota e fëmijëve, për ketë arsye më së tepërmi veprimtaria ime letrare i kushtohet fëmijëve duke mos anashkaluar edhe botën e të rriturve për të cilët shpeshëherë kam një sy kritik për to. Gjë që mund të shihet edhe nga veprat për të rritur të cilat ngërthejnë në vete një mori satirash e humor thumbues. Në kohën e fundit lexuesi ,miket dhe miqtë e mi kanë pasur mundës të lexojnë nga krijimtaria ime letrare edhe një numër jo të vogël vargjesh të poezive lirike që lexuesi mund ti njoh edhe nëpërmjet dy personazheve kryesorë Zana dhe Guri.
Ju ishit student i poetit dhe profesorit të ndjerë Din Mehmeti, kisha me ju lutë të na thoni dy fjalë për Baclokun?
Po, kisha një nder dhe privilegj që isha student i poetit tani të ndjerë dhe të profesorit tim shumë të dashur dhe të paharruar Din Mehmetit. E kam shumë vështirë të flas për një njeri i cili kryekëput veprimtarinë e vet letrare ia kushtoi popullit të vet. Unë për te kam një respekt të vecant si njeri me vyrtyte të larta njerëzore, si krijues letrar, si pedagog, si atdhedashës etj. Bacloku përveç që ishte një poet, profesor , ai ishte edhe shumëçka për mua dhe për të gjithë studentët. Ishte shumë i afërtë me ne. Sidomos afërsia dhe përkrahje e tij ishte shumë e madhe për ne studntët që ishim jashta Kosovës, sepse i dhembte shpirti për ne duke e ditur se cfarë sakrifica kishin të rinjtë shqiptar në atë kohë në Maqedoni për të studjuar në gjuhën shqipe.Kosova ishte vendi ynë që na përqafonte sëbashku me profesorët e saj që ne të studjonim në gjuhën tonë amtare shqipe. E këtë meritë e kishte edhe profesori dhe poeti i madh Din Mehmeti- Bacloku. Kujtimet e mia për Baclokun janë të shumta dhe të paharruara që në këtë intervistë nuk mund të përfshihen.
Një publicist, një poet dhe një punëtor kulturorë kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër. Si është Nehati nga natyra?
Unë nga natyra jam shumë modest dhe i thjeshtë, por në brendi të shpirtit tim ekziston një zbrastirë që vështirë mbushet nga dëshira ime për të marrë informata ose për tu informuar. Sa më tepër që pranoj informata më duket se aq më tepër ajo zbrastirë zmadhohet. Pra, për të ditur diç më tepër , për tu informuar në gjitha aspektet jam i pangopur. Kjo është veti e imja shpirtërore. Kundër kësaj nuk mund të luftoj nga që e kam dhunti nga Perendia.
Ju jeni edhe nje aktivist i dalluar kulturor, cfarë është aktiviteti juaj në këtë drejtim dhe sa jeni i kënaqur me këtë që ju beni këtu në vendlindjen tuaj?
Po, është e vërtet se përveç obligimeve në vendin e punës dhe krijimtarisë letrare merrem edhe me aktivitete tjera kulturore siç janë manifestimet e ndryshme në shënimin e përvjetorëve të rëndësishme nga historia dhe kultura e popullit tonë, posaçërisht në manifestimet që organizohen në vendin ku unë linda dhe jetoj. Vlenë të ceki shënimin e 2 Majit _ Ditës së shpalljes së Zonës së lirë, Pervjetorit të rënies heroike të Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, dhe manifestimeve të ndryshme që mbahen në shkollë , komunë dhe më gjërë. Përveç manifestimeve marrë pjesë në provime librash dhe aktivitete tjera kulturore të llojeve të ndryshme. Çdoherë në këto aktivitete e kam si synim të paraqes të arriturat kulturore të popullit tim dhe vendlindjes sime me qëllim afirmimin e saj në komunë e më gjërë.
Cka mendoni per jetën kultutore te shqiptareve në Maqedoni respektivisht në trojet shqiptare këtu, si ju e shifni ketë?
Për jetën kultorore të shqiptarëve në Maqedoni , respektivisht në trojet tona shqiptare mendoj dhe shoh gjithëçka dhe shumëçka që më kënaq dhe më brengos shumë. Kam bindjen se nuk është shumë e pasur, heq dy- tre manifestime republikane dhe mbarëkombëtare që mbahen në Maqedoni të lenë përshtypjen se këtu fare nuk frymon shqip. Duhet që jetën kulturore në Maqedoni ta begatojnë me vlera të mirëfillta shqiptare siç janë folklori, muzika e ëmbël popullore, etnografia etj. Per të cilat mendoj se në kohën e fundit janë lënë anash ngaqë më së shumti kultivohet shundi, folklori dhe muzika e huaj që nuk kanë fare të bëjnë me kulturën dhe traditën shqiptare, po ç, ti bësh sot çdo gje po shikohen në prizmën komerciale. Mendoj se aspekti komercial të jetë dytësor dhe më shumë vend ti lëmë asaj që na afirmon si popull me tradita të lashta dhe një kulturë mijëvjeçare. Kam bindjen në këtë situatë gjendemi nga arsye e mungesës së institucioneve të mirëfillta kulturore që kanë të bëjnë me popullin shqiptar. Behen në kohë e fundit ca përpjekje për të themeluar ca instuticione me ëmblemë shqiptare sic është teatri shqiptar në Kumanovë dhe në trevat tjera gjë për të cilën duhet përshëndetur, por kam dëshirë që kjo nismë e mbarë mos të mbetet e izoluar , por të shërbejë si shkëndijë që të formojmë edhe institucione tjera siç i kanë të tjerët në Maqedoni. Kështu mendoj unë.
Nëse do te kishe mundësi te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptarët, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka ne dhe pse?
Po të kisha mundësi, po këtë mundësi e di që nuk e kam dhe nuk do e kem asnjëherë, por po llogaris se do e kem dhe ndihmesën time do të ia përkushtoja kryesisht afrimimit të librit duke themeluar një bibliotekë shqipe në Kumanovë ose Likovë Një shtëpi kulture në komunën e Likovës ku do zhvillohej kultura shqiptare e kesaj ane dhe në tërësi kultura jonë kombëtare. Aty kisha dashur ti shoj të rejat e ti rinjtë e jo në ato kafetiri dhe çajtore të mbushura plot e përplot me tym duihani. Pastaj do ta kisha ndryshuar edhe strukturën udhëheqëse të disa institucioneve kulturore që sot udhëhiqen nga shqiptarët. Ne kemi nevojë që kuadrat e mirëfillta të gjejnë vendin e vet sipas meritave e jo e gjithë kjo të bëhet nëpërmjet librezave partiake. Po deshëm kulturë të mirëfilltë politika duhet të jetë jashtë saj. Nga që mendoj se aty ku përzihet politika aty bastardhohet kultura.
Nëse lamia e mësusisë nuk do të ishte profesioni juaj, në cfarë profesioni do e gjente vetën Nehati më së miri?
Tërësisht do ti isha përkushtuar krijimtarisë letrarte. Profesioni im i dytë është krijimtaria letrare. Heqim punën si mësues nuk me mbetet tjeter. Mendoj se jam i kjartë.
Përveç punës suaj ne shkollë tani si nendrejtor, si e kalon kohën e lirë?
Me ju thënë të drejtën aq edhe kohë të lirë nuk kam. Atë kohë të lirë që e kam e kaloj kryesisht në familje, me miq e dashamirë, me njerëz të profesionit tim dhe me krijues letrar. Tek unë mbizotron dëshira që edhe kohën e lirë ta shëndroj në një punë konstruktive, të dobishme për mua, familjen dhe të tjerët. Pra, kohës së lirë i caktoj një qëllim të mirë. Ashtu kot nuk dua ta kaloj.
Cka ju benë të lumtur dhe cka ju mundon më së shumti në jetë?
Çdo gjë e mirë dhe e dobishme për popullin tim, posaçërisht më bënë të lumtur fakti kur i shoh nxënësit e mi të dikurshëm të kthehen në vendlindje me tituj të ndryshëm shkencor dhe të gatshëm për ti shërbyer këtij populli të vuajtur. Nuk ka kënaqësi më të madhe se një nxënës i imi të fitoj titullin profesor, inxhinier, mjek, magjistër, bile edhe doktor shkence. Atëherë e kuptoj se mundin që kam dhënë për ta nuk më ka shkuar kot. Më dëshpron kur shoh se dikush merret me antivlerë, shund dhe në mesin e popullit tim ka edhe të atillë që i janë përkushtuar veseve të këqia siç janë droga., alkoli, bixhozi, prostitucioni, tregtia me njerëz etj. Këto gjëra më bëjnë të ndihem shumë keq sa që me dhemb edhe shpirti. Po, të kisha një shkop magjik do ti kisha zhdukur nga faqa e dheut, por kjo nuk është në mundsinë time. Ç, ti bësh...
Ju keni botuar edhe nje Monografi për fshatin tuja të lindjes, cka ju shtyri në këtë?
Po unë kam botuar dy monografi. Një monografi për shkollën time ku punoj që mban titullin “Brez pas brezi në luftë për shkolla shqipe” botuar më vitin 2008 dhe tani në fund të vitit 2010 botova monografinë “Orizarja ndër shekuj” për fshatin tim, gjegjësisht për vendlindjen time Orizaren që ishte një ëndërr e kahershme që e mbaja në shpirt për ta pritur që një ditë të shpërthej në një monografi që sot edhe lexuesit e kanë në dorë. Këtë e ndjeja si obligim ndaj vendlindjes sime e cila me shumë mall dhe dashuri më lindi dhe më rriti .
Po të kishit mundësin të zgjidhni, ku do kishit jetu sot?
Haha, haha..., Nehat Jahiu din të jetë shumë serioz, din të thumboj mirë me satirën e tij, din të bëjë dhe shkruaj edhe humor me një puhi të freskët që ledhaton nganjëherë vetveten , miket, miqtë dhe lexuesit dh buzëqesh vet dhe i bënë të buzëqeshin edhe të tjerët, ndërsa në rastin konkret miku im shumë i nderuar z. Sokol me bërët ju që të buzëqeshi e të qeshi më këtë pyetje të parashtruar...Ku do të jetoja unë po të më jepej mundsia nëse do të zgjidhja sot për të jetuar. Ku tjetër pos në vendlindjen time në Orizare. Vendlindjen time nuk e ndrroj as me metropolet botërore, jo se Orizarje është më e bukur se metropolet, por ja që dashuria për vendlindjen më qëndron gjitmonë në shpirt. A nuk ishte Çajupi ai i cili vizitoi dhe jetoi në shumë vende të botës, por për as një vendi nuk i thurri as edhe një varg, pervec vendlindjes dhe vendit të tij. Pra, ku mund të jetë balta më e ëmbël se mjalta... Për vendlindjen kam një nostalgji të veçantë dhe kam dëshirë që çdo e re dhe i ri të ketë mundësi ti gëzoj të gjitha mundësitë për një jetë të qetë, të lumtur, të begatë ku do të ketë një mirëqenie sociale. Paramendoni se ç, ndjej unë në shpirt kur shoh autobus të mbushur plotë me të reja e të rinj shqiptar që për të siguruar kafshatën e bukës marrin rrugën e kurbetit , plagë e cila me shekuj rëndon mbi ne.