| E premte, 17.12.2010, 10:18 PM |
ESE MBI ARTIN DHE ARTISTIN
(Fjalim i shkruar me rastin e mbledhjes së fundvitit të asociacionit të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në New York)
Nga Pal Ndrecaj
Jeta ka një kuptim dhe të zbuluararit e atij kuptimi është buka dhe vera ime. Pjesa më e madhe e jetës sonë s`ka asnjë kuptim, shkon kot; përleshemi me trazirën që na rrethon dhe me kaosin që kemi brenda. Atëherë na duket se ka diçka të kuptueshme dhe të gjallë brenda në shpirtin tonë! Atë duam ta zbulojmë (kuptojmë).
Me këto fjalë të filozofit të madh Will Durant po hap këtë dialog me krijuesin, (me ju shkrimtarë të nderuar), ndonëse dialogu është i hapur kaherë, kurse i tërë kontributi ynë konsiston në atë se si ta zgjasim më tej në kohë dhe në parmbajtje. Që nga momenti kur në jetën e njeriut u shfaq forma e të menduarit dhe të vepruarit që quhet art, që atëherë zuri fill përpjekja e njeriut – artistit- për t`i kundërvënë “trazirës” dhe “kaosit” (për të cilët na flet filozofi Durant) një trazirë tjetër, që quhet “art”, i cili nuk pushoi asnjëherë së prodhuari “trazira” dhe “kaose”.
Natyrisht, arti i kundërvuni të keqës e të shëmtuarës katëgorinë estetike të së Bukurës. Dhe kjo ishte një trazirë e re.
Për këto “trazira” që solli në jetë, arti përjetoi fat të ndryshëm nëpër kohë. Ndonjëherë ishte i përkëdhelur në atë masë sa mbretërit mbushnin oborret e tyre me artistë, nga më të mirët. Herën tjetër, po ky soj njerëzish, pra artistët, ishin të dënuar dhe të dëbuar nga shteti me akuza se prishnin rendin, edukatën me “trazirat” që sjellnin me artin e tyre, siç ndodhi me poetët në shtetin e Platonit, mijëra vjet më parë.
Ndonëse u shpreha se ”njëherë ishin të shpërblyer e herën tjetër të dënuar”, më duhet që, nën ndikimin e një “trazire” krejtësisht vetiake (me gjasë e ka burimin në vet natyrën e artit) , t`i bie pishman dhe të shprehem se në të dyja rastet artistët ishin vetëm të dënuarit; të dënuar në rastin kur u ftuan të bëjnë jetën e oborreve e të salloneve dhe të dënuar kur u ndoqën jasht shtetit platonik. Në rastin e parë, shpirti i artistit, i mbërthyer brenda një sistemi botëkuptimor të rrethuar me mure të pakapërcyeshme, nuk kishte si të ishte rehat. Meqë ai shpirt i takon hapësirës së pafund, s`kishte si të mos ndjehej i dënuar në morinë e të mirave materiale dhe të salltaneteve të oborreve. S`kishte si të mos ndjehej rob përpara kaosit të oborreve mbretërore, ku ndodhte që dikujt t`i shkrepte të binte dëborë në korrik; s`kishte si të mos ndjehej i tjetërsuar dhe i zvetënuar përballë gënjeshtrës që servohej si e vërtetë për të forcuar themelet e sundimit absolutist mbi popujt. Dhe, në këtë mënyrë, s`kishte si të mos ndjente nevojën për t`i kundërvënë atij kaosi një pikëpamje tjetër që “pikte” nga “majat më të larta të mëndimit të lirë”.
A nuk na mjafton për këto shembulli i përmasave gjiganteske të L. Da Vinçit, i cili, në situatën e njëjtë, për të cilën fola, me magjinë që di të bëjë vetëm arti, skaliti pikëpamje krejtësisht tjera nga ato të oborreve, përmasat e të cilave pikëpamje pritën disa shekuj penën e një artisti tjetër, të quajtur Dan Brown, për t`ia bërë të qarta njerëzimit.
Dënimi i artistit në rastin e dytë, në rastin e përndjekjes nga shteti platonik duket i vogël përballë dënimit të përjetshëm për të qenë rob i të Vërtetës, i të Dobishmes. Pothuajse, në të njëjtën mënyrë këtë e tha edhe poeti ynë i përmasave të gjithkohshme, Gjergj Fishta, kur shkroi:
Mirëpo këtë shkrimtarëve të ngratë
ua ka lanë lija zanatë
me i quajtë gjanat të gjitha në emën
mashkullin mashkull e femnën femën
………………………..
prandaj i kanë punët rrokopujë…
Zonja dhe zotëri, ky vit që po shkon, në bazë të kaçikut tonë, edhe ne shkrimtarëve shqiptarë na vuri përpara sprovës së rëndë të të zbuluarit të kuptimit të jetës, për të cilën bën fjalë Will Durant. Na vuri përpara sprovës që t`i kundërvejmë të Bukurën e të Dobishmën të Shëmtuarës e të dëmshmes. Aq më tepër, ndjej që kam të drejt ta them këtë, kur gjatë leximit të veprave tuaja, shoh se tematika kryesore e tyre lidhet me fatin jo aq të mirë të Atdheut tonë. Dhe përpjekja juaj për të bërë diçka të mirë në një kohë që prodhon më shumë gjera të këqija është një dëshmi se ne, si shkrimtarë kemi zbuluar atë që thoshte Durant se “është e kuptueshme dhe e gjallë brenda në shpirtin tone”.
Gjatë kësaj sprove, në raste të caktuara, u pa se u farkëtuan vepra të bukura arti. Pamë emra që premtojnë se do të përmbushin me sukses misionin para të cilit i vuri koha. Pamë vepra të pjekura dhe sosh që mund të piqen. Dhe pamë se fuqia magjike e mrekullibërëse e artit mund të zgjatet edhe tek ne.
Dhe për fund, po e mbyll këtë dialog me ju shkrimtarë të nderuar, me fjalët e filozofit të madh gjerman, Fridrich Nitsche:
“Feja, morali dhe filozofia jonë janë forma të dekadencës së njerëzimit.
Lëvizja e kundërt është arti”!