| E merkure, 15.12.2010, 07:53 PM |
Presidentit të ShBA-ve, z. Barack Obama,
I nderuari President,
Lajmi i vdekjes së z. Riçard Holbrook është një lajm i pikëllueshëm për diplomacinë amerikane, diplomacinë botërore dhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të njohin nga afër efikasitetin e këtij diplomati të shquar në parandalimin e krimeve dhe gjenocideve në territorin e ish Jugosllavisë.
Duke e njohur personalisht dhe duke e parë angazhimin e tij për t’i dhënë fund politikës gjenocidale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, më lejoni që si udhëheqës i ish Grupit Diplomatik të UÇK-së t’u përcjell, në emrin tim dhe në emër të anëtarëve të ish Grupit Diplomatik të UÇK-së, ngushëllimet më të sinqerta Juve, si president i SHBA-ve, Departamentit të Shtetit Amerikan, miqve të z. Riçard Holbrook dhe familjarëve të tij.
Në kujtesën e popullit shqiptar kujtimi për z. Riçard Holbrook do të mbetet kujtim i përhershëm për një personalitet të shquar që përfaqësoi diplomacinë amerikane si « Buldozer » i pakompromistë kundër diktaturës Millosheviqiane në luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti
15 dhjetor, 2010