| E merkure, 15.12.2010, 10:54 PM |
Vangjush Ziko
ZOGJTË KËNGËTARË
Sa zogj këngëtarë
paska në botë!
Sa zëra,
sa ngjyra magjike!
Zoti,
s' i krijoi së koti.
Nga misteri i tij
u dha nga një çikë.
Poetët janë një racë me zogjtë.
Pendën zogjve ua kanë marrë.
Por kanë një ndryshim të vogël,
të vogël fare kanë.
Sytë s' i mbyllin
siç i mbyll bilbili.
Nuk dridhen në erë si laureshë.
Ata këndojnë vesën e prillit
që çel oazin e jetës.
Ata këndojnë dhe për stuhitë
që shembin pyjet,
vrasin zogjtë.
Ata
edhe të qajnë dinë
për hallet e kësaj bote.
Zoti
u dha diçka më shumë
se zogjve këngëtarë.
Ata i bëri të pagjumë.
I bëri të mençur
dhe...
të marrë.
Dhjetor, 2010