Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sarë Gjergji: Një lutje ungjillore për ringjalljen

| E merkure, 15.12.2010, 10:58 PM |


NJË LUTJE UNGJILLORE PËR RINGJALLJEN

 

Naim Kelmendi, Në një jetë pas Krishtit, Rugova Art, 2010, Prishtinë, f. 114

 

Nga Mr. Sarë Gjergji

 

Libri me poezi “Në një jetë pas Krishtit”, i N. Kelmendit na imponohet për lexim që me titullin e saj. Ky  titull, sipas mendimit tim, mund të lexohet dhe kuptohet edhe ndryshe, ta zëmë: si një jetë pa Krishtin, në të cilën dominon kaosi. Prandaj, nga shtjellimi i temave dhe motiveve që ngërthen libri, sikur sugjeron nevojën e pranisë së Krishtit në jetën tonë, të Krishtit si e mira, virtyti, rendi, rregulli, drejtësia, ndërgjegjja, rruga, vlera.

Librit, të sistemuar në  katër cikle, që ngërthejnë tema e motive të shumta, që kanë të bëjnë me aktualitetin tonë, por edhe me referime historike,  i paraprinë poezia “Gjithçka dhe asgjë”. Kështu, që në krye, autori hap dhe shtron  dilema të shumta, të cilat e karakterizojnë ambientin ku jeton ai, gjithë atmosferën e saj, jo pak paradoksale dhe absurde:

Gjithçka dhe asgjë janë hiri i mbetur i një sfinksi / janë përtëritja, janë jeta e dikujt deri në vdekje, shprehet poeti. Libri vazhdon me ciklin Balada e kthimit në atdhe, që është edhe titull i poezisë, poezi kjo që shpreh tërë entuziazmin e kthimit, siç thotë autori  “te burimi i etjes/për t’u dhënë kohëve emër e mbiemër”, por që më pas autori do të ndeshet me korin e korbave, të cilët “kur ta vajtojnë fatin e atdheut / janë duke ia sqepuar mëlçitë (Kori i korbave, f.17). Po kush janë ata që e përbëjnë korin e korbave? Janë, fatkeqësisht, vetë bijtë e atdheut, ata që kohës iu kthehen “me tjetër fytyrë” (Shënime për një biografi, f.20), janë tradhtarët, matrapazët, ndërgjegjevrarët, askushët e kombit. Për çudi, sipas autorit, janë “askushët sërish në krye të vargut” (Në foltore, f.21), pra ata që dalin në foltore dhe i mbajnë  ligjërata popullit, ata që udhëheqin pa të drejtë dhe pa fije turpi me atdheun. Dhe, kjo është vërtet një dramë tragjike, një dramë e llojit të vet! Përkundër kësaj gjendjeje, autori, më saktë populli, nuk do të dorëzohet, por do ecën tutje, do frymojë “jehut të shpirtit / me plagët e realitetit” (Edhe jam edhe s’jam, f.32), por pa harruar të na përkujtojë se “drurit i dhemb më shumë / kur me pykën e vet e çajnë” (Mësim për fatin, f.44).

Do thënë se  poezinë e këtij libri, siç mund të kuptohet, e karakterizon toni kritik me ngjyrime ironike, ku autori kritikon zhvillime të ndryshme e të padëshiruara në ambientin e tij, në rrafshin nacional e shpirtëror me të gjitha  shpërfaqjet dhe reflektimet e mundshme. Prandaj, në këtë poezi do kemi dukuri e fenomene të ndryshme, njerëz të shpërfytyruar  deri në palcë, të tillë që shfrytëzojnë situata të çfarëdoshme për të dalë në pah e për të marrë pozicione të tilla, edhe në rrafshin politik, praj nga na imponohen si heronj, si shpëtimtar e pararojë të atdheut, ndonëse thellësisht të degjeneruar e pa pikë morali. Qëndrimi i autorit karshi çështjeve, ngjarjeve e fenomeneve  të shumta sugjeron domethënie e mesazhe të caktuara. Ai, duke pasur një qëndrim aktiv, shpreh habinë e pafundme karshi personave, të tillëve që ndërrojnë ngjyrat si kameleoni, duke na ofruar kështu tërë kaosin që mbretëron në shoqërinë tonë, një shthurje totale të kohës. Prandaj, në këtë libër nuk mungojnë fytyra e karaktere të skalitura mirë të njerëzve të shthurur, por që pretendojnë të na vijnë nën petkun e qengjit, të njerëzve të pangopur, të etur për kamje, përfitime, famë, të tillëve që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, madje dhe të vdesin për një duartrokitje, për një çik pushtet, prej nga mundohen të fshehin fytyrën e vërtetë të tyre prej varrmihësi:

“Me dredhitë e fjalëve / ta rrëmihin përfundi dheun / sa për biografitë e jetës / e kanë të harruar atdheun”  (Varrmihësit, f.56), thotë poeti.

Por gjithë ky ton kritik, gjithë ky shqetësim i autorit duhet kuptuar si gjakim i pareshtur i tij për ta ndryshuar gjendjen brenda së cilës është katandisur etnia jonë. Por, për të arritur deri te kjo, së pari duhet demaskuar të keqen, duke grishur kështu lexuesin për nevojën  e kultivimit të traditës dhe të vlerave më sublime nacionale, që tek e fundit mund të kuptohen e janë edhe vlera universale:

“pastaj vertikalisht sërish / formulën e pagëzimit / ajrit do t’ia ligjërojë veç shqip/  dhe kthimin shqip te vetvetja” (Patjetër..., f.46-47). Është ky qëndrimi dhe kredoja e autorit. “Kthimi shqip te vetvetja”, në këtë kohë të shpërfytyruar e të shthurur, ku vështirë është të gjesh “së paku një ditë të vetme / pa ulurimën e njeriut” (Bungajë, f.61),  është kthimi tek vlerat, tek tradita e mirë. Nga ky kënd, është krejt e natyrshme që poeti të mos reshtë së kërkuari njeriun, d.m.th. njerëzoren tek të tjerët. Kjo kërkesë e autorit, ky gjakim pas gjenit fisnik të fisit tët ij, e çon tek lutja ungjillore:

“na shejtno / dashurinë në mes nesh / dhe përjetshëm / na mëso t’ia duam dhembjen/ na shejtno / me ShënKoll/ n’emër t’atit e t’birit /  e t’shpirtit t’shenit/ rrugën deri te shpirti/ dhe kohën tjetër / për të vdekur bukur...” (Lutje ungjillore, f.69). Vërtet, a ka më bukur se të shenjtërohet dashuria në mes nesh?! Edhe figura e Shën Kollit në këtë poezi, e këtij shenjti, i cili edhe sot nderohet nga populli ynë,  pavarësisht besimit, po thuaj në gjithë trevat shqiptare, është mjaft domethënëse, ndërkaq që lutja “për të vdekur bukur” është gjakimi i autorit për të jetuar në harmoni e për të kultivuar vlerat, më saktë, për t’u ringjallur në to:  “ngjarjeve dhe Shën Palë / udhëve të t’parëve” (Ringjallja, f.80), thotë krijuesi Kelmendi. Për këtë ai ka një parandjenjë të mirë: “nga fundi / fillon të bulojë / sërish një syth i fatit” (Parandjenjë e mirë, f.92). Vërtet, “në një jetë pas Krishtit / kemi vuajtur dhe ende vuajmë / njerëzoren e kryqëzuar në Golgotë” (Në një jetë pas Krishtit, f.108), shprehet poeti. Dhe ne, pse mos ta lirojmë nga gozhdët  njerëzoren e pse mos ta thadrojmë shenjtërinë në qenien tonë?! Kjo mbase shihet qartë dhe del si kërkesë  natyrshëm nga libri  Në një jetë pas Krishtit, të autorit Naim Kelmendi, sepse asgjë s’kemi fituar nga lavditë “e zeza t’urrejtjes djallëzore”, përfundon autori.

Sikundër me tonin kritik për zhvillime e kahe jo të mira në atdheun e tij, në fusha të ndryshme, gjithsesi, po ashtu edhe me lutjen engjëllore dhe me angazhimin e tij jo vetëm përmes artit krijues, për ndryshimin e gjendjes ekzistuese, autori prek konstelacionin ekzistencial të etnisë sonë. Kjo dhe është veçantia e këtij libri, e cila do parë në kontekst me rrethanat e shfaqjes dhe në komunikim deri në shkallë të polemikës  mjaft të mirë dhe të pa kompromis me kohën. Në këtë drejtim vepra Në një jetë... e N. K. duhet të kuptohet si një  kërkesë këmbëngulëse për një gjendje dhe orientim ndryshe jo vetëm në rrafshin politik e kulturor  të etnikumit tonë.