Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Dr. Sadedin Gjoka në klinikë

| E merkure, 15.12.2010, 10:56 PM |


Dr. SADEDIN GJOKA NË KLINIKË

 

Mbresa për një shok të dashur. Pjesa e parë.

 

Nga Luan Çipi

 

Mjeku stomatolog Sadedin Gjoka mbushi 75 vjeç, por si 50 vjet më parë, vazhdon të punojë i suksesshëm në profesionin e tij, tani më, në një Klinikë Private  Stomatologjike në Tiranë, ku është zot i punës së vetë. Për të ardhur deri këtu ka kaluar një kalavar i gjatë përpjekjesh, mundimesh e deri vuajtjesh, i nisur nga ndihmësmjek dhe mjek stomatolog në Klinikat Shtetërore në Shqipërinë e 58 viteve më parë. Ai, në veprimtarinë e gjatë të tij si dentist, ka provuar dhe eksperimentuar, nën kujdesin  dhe me nisiativën e mjekëve stomatolog që kishin studiuar jashtë shtetit, bisturinë për ndërhyrje deri në operacione të vështira, i ka takuar të caktohet mësues, në profesionin delikat e gati artistik të stomatologut në Shkollën e Mesme Mjekësore Vlorë, ka emigruar në Greqi ku ka ushtruar për disa vjet profesionin e dentistit, është punësuar në klinikat e para private brenda vendit para 20 vjetësh, ku është njohur dhe ka ushtruar praktika te reja bashkëkohore dhe së fundi  para 10 vjetësh, ka hapur  dhe drejton klinikën e vetë modeste stomatologjike, në zemër të Kryeqytetit.

Me Sadedin Gjokën jemi njohur si nxënës të një shkolle, gjashtëdhjetë  e pesë vjet më parë, në qytetin e Vlorës dhe pas asaj kohe, kemi pasur shoqëri e miqësi të pandarë. Në vitet e rinisë na ka bashkua më shumë edhe aktiviteti i përbashkët sportiv, kur ai është shquar si një futbollist i talentuar i  Sport Klub “ Dinamos” elegante dhe futbollist e trajner i “Flamurtarit” të bujshëm.

 

Në vitet 2000, në Tiranë ne u ribashkuam me shumë vlonjatë, shokë të hershëm fëmijërie e rinie. Me ta takohemi rregullisht tre herë në  çdo javë. Më së shumti pimë kafe, çaj, por ndonjëherë dhe birrë a raki, apo festojmë datëlindjet e njeritjetrit. Në këto takime tregojmë kujtime e ngjarje të kaluara, bëjmë qyfyre e shaka, këndojmë, kryesisht këngët tona vlonjate qytetare e labe. Verës, në kohë të mirë, vend i parapëlqyer takimesh është Parku i Kryeqytetit, te Liqenit Artificial, që sadopak, na jep një vizion të përafërt imagjinar për detin dhe Vlorën tonë të dashur, magji që e kemi mbajtur të pashkëputur nga qenia jonë, si simbol ëndërrimtar bukurie dhe bashkimi. Vijnë në shoqërinë tonë me Sadedinin: Llambi Kona, Llazar e Harilla Papajorgji, Niko Gjyzari, Sezai Hoxha, Milto Shuka, Bardhyl Golemi, Axhem Gjonaj, Minella Konomi, Irfan Bregu, Duro Mustafaj, Spiro e Pavllo Papa, Ymer dhe Pirro Veshi, Vasillaq Ndini, Nexhat Mersini, Kudret Arapi, Tajar Bonjaku, Astrit Isaraj, Lili Dodi, Luan Gorishti, Edmond Luçi, Etem Likaj, Perlat Rama, Laver Hasani, Minella Mosko, Reshat Kripa, Taulla Binaj, Xhoxhi Bitri, Nikolla Qirko, Vangjel Loli, Pandeli Janina,Vasil Deçka, Fatosh Voshtina, Sabavet Ymeri, etj. disa prej të cilëve tani nuk jetojnë më fizikisht, por ruhen e kujtohen me simpati. Në disa raste jemi takuar edhe së bashku me gratë, duke organizuar  ndonjë piknik apo darkë të thjeshtë në natyrë.

 

Klinika e dentistit të spikatur vlonjat, mësuesit te pasionuar, ish futbollistit të talentuar, Sadedin Gjokës, është bërë një tjetër qendër  e përhershme takimesh për ne dhe për vlonjatë të tjerë me banim në Tiranë. Secili prej nesh sikur është përtërirë dhe ribërë në këto vitet e fundit të jetës: gjithnjë më i gjerë shpirtërisht, më i shkathët në veprime e në preokupime shoqërore reciproke, më i çiltër dhe më bujar në këshilla e mendime. Shokët  tanë vlonjatë kanë takuar të jenë me arsim të lartë dhe specialistë pak a shumë të njohur, shumica, me tituj dhe grada shkencore.

Me të drejtë njëherë akademiku Bardhyl Golemi, me modestinë qe e karakterizon dhe për të shfaqur respektin dhe dashurinë e tij për të tjerët, tha: “Për mua, secili nga shokët tanë, mund të ishte i vlerësuar kaq sa unë.”

 Problem janë vitet që mbartin në kurriz dhe kjo është një nga arsyet që unë hera herës, në shenjë respekti dhe nderimi, përpiqem të përshkruaj portretin e gjithsecilit

Këtu më shumë do të shkruaj për mikun tim të dashur Sadedin Gjoka, që mund të ishte ndër të parët për ta merituar pa mëdyshje nderimin si një intelektual i mirëfilltë duke qenë jo vetëm  futbollist i shquar ndër vite, po dhe specialist i lartë mjeshtër i vërtetë me njohuri shkencore për profesionin dhe nga ana tjetër si personazh shoqëror mirëdashës, që dallohet në çdo gjë deri  në këngëtar, frekuentues i jetës kulturore, teatrore dhe operistike, po mbi të gjitha si një filantrop e bamirës i rrallë.

            Një ditë në Klinikën e tij në Tiranë diskutonim rreth një libri me kumtesa, botuar nga Shoqëria “Vlora”, për Ismail Qemal Beun. Dihet se, çdo  shqiptar patriot, entuziazmohet sa herë dëgjon emrin e vlonjatit të madh.

            Dikush, me këtë rast, i frymëzuar nga aktet e shquara historike e patriotike shqiptare të vlonjatëve në tërësinë e viteve, tha: “Hajde Vlorë, hajde, ç’burra ke lindur e ke rritur!” Tjetri shtoi: “Ismail Qemal Vlorën, mbi të gjithë”.

Po, vazhdova unë, ndesh shpesh qytetarë vlonjatë me vlera.  Të duket sikur vlerat vlonjatëve ja shtojnë mjedisi që e rrethon: ullinjtë, portokallet dhe deti. Dhe vazhdova, ngaqë sa kisha mësuar se pikërisht këtu te kjo Klinikë Dentare e thjeshtë, një vlonjat ishte nismëtar i krijimit të Shoqatës Bamirëse për mjekimin pa fitim me kosto, shpesh edhe falas, të pensionistëve dhe paraplegjikve: “ Ja ku kemi këtu Sadon. Nuk krahasohen, thoni ju me njerëzit e shquar, Po, or po. Në rrënjë, po. Se, unë Malon ( Ismail Beun) e çmoj dhe e respektoj sa asnjë tjetër (idhull kam Skënderbeu dhe Mëmë Terezën), për veprimtarinë e  madhe dhe të shquar diplomatike dhe patriotike dhe, sidomos, për aktin suprem të ngritjes së Flamurit dhe të Shpalljes së Pavarësisë, pa të cilën vihej në dyshim vet ekzistenca e Shqipërisë, po Sadua përfaqëson njeriun model dhe  ka vlera konkrete, si pjesë të mirësisë së madhe”

 

Një drejtim që e dallon dhe e lartëson dr, Sadedin, sidomos në kushtet e tanishme të një babëzie të paparë, shpesh kohë ryshfetesh, mashtrimesh dhe abuzimesh korruptive, është figura e tij humane. Dr. Sadedin Gjoka, si pjesëtar aktiv i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Stomatologëve, jo vetëm merr pjesë rregullisht deri në Kongreset Evropiane te Stomatologëve, por është ndër të parët që  mbështet porositë e tyre humane dhe filantropike. Ai është i papërtuar në ndihmat dhe shërbimet falas për Shoqatën e Antikapatëve dhe Shoqatën e të Verbërve, duke i vizituar dhe mjekuar njerëzit e varfër falas dhe njerëzit në nevojë, me çmime të ulëta, në kosto

Tani, të vijmë te çështja tjetër, që të jep gjithashtu, entuziazëm dhe frymëzim poetik,  aqsa duhet të frenohesh, duke u mbajtur me këmbë në tokë:

Po Sadua, Sadedin Gjoka?

Merr nder, kur me të bën toka,

Të lartësohet koka.

Thua: “Biri i Malos”, rroka!

 

Sa i dashur, aq i mirë,

Buzagaz e plot hir.

Si kërcente dhe këndonte,

Po aq bukur me top lozte.

 

Shumë e donin, se na donte,

Për gjithçka ai ndihmonte,

Na shëronte, na mjekonte,

Jetën tonë e zbukuronte.

 

Qysh fëmijë dhe në rini

Dikur, kur ishte në Vlorë,

Ashtu bën edhe tani

Me flokë të bardhë borë.

 

Vlorën prure në Tiranë

Sadedin, o mik i rrallë,

Do të jemi gjithnjë pranë,

Në gëzime dhe në hall..

 

Tinga do mbushet klinika

Me bobole dhe xinxifa,

Me fiq deti e xhixhivalle,

Me qitro e portokalle

 

Do kujtojmë djemtë çamarrokë

Dhe vajzat si shtojzovalle,

Kur këndonim, mbledhur tok,

Kur loznim dhe hidhnim valle,

 

Kur bënim cfita në rërë

Top lecke me qime kali,

Dhe, me pas, në det, të tërë:

“Le të dali ku të dali!”

 

Hej ti, moj rinia jonë,

Kur u “qethëm me shelegë”.

Kemi, kemi ç’të kujtojmë

Jetë në zbore, breg më breg.

 

Tani, ti moj Vlorë e vyer,

Dashuri e pa kufi,

Iluzionin e ke kthyer

Pleqërinë e bën  rini.

 

Këtu e përfundoj  pjesën e parë me mbresa dhe kujtime për një shokë të dashur fëmijërie, ish futbollistin e shquar, mjekun stomatolog vlonjat, Sadedin Gjoka, për të vazhduar në pjesën e dytë me aspekte të veçanta të jetës së tij.