| E marte, 14.12.2010, 10:58 PM |
Koalicioni
Vazhdohet me të vjetrën
Shkruan: Shaban Peraj
Më në fund u bë publik koalicioni i subjekteve politike që do të udhëheqin pushtetin lokal të Ulqinit për katër vitet e ardhshëm, i dalur nga zgjedhjet e përsëritura të 17 tetorit. Ky koalicion: Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi, të z. Dinosha dhe Partisë së Prosperitetit Demokatik të z. Rexha me Partinë Demokratike të Socialistëve të z. Gjukanoviq ishte edhe në mandatin e kaluar, për çka sipas rrethanave të kijuara mbetet të besohet se më në fund kanë mësuar diçka nga mandati i kaluar për të mos e lënë Ulqinin në kushte dhe rrethana të tanishme. Megjithatë rrugët për arritje të një koalicioni të natyrshëm, Forca e Re Demokratike – Unioni Demokratik i Shqiptarve në Mal të Zi (pasi njëri fitoi 11 mandate e tjetri 10 mandate) duket se ishin ngatërruar që në start, nisur nga hasmëritë që kanë njëri me tjetrin dhe kjo bëri që për egoizëm të personave tu ngatërrohen këmbët me kokën pa shprehur as edhe më të voglën dëshirë për një organizim të mirëfilltë. Këto janë defektet tona dhe nuk duhet të na habisë fakti se të gjitha të këqijat që i bëhen komunitetit të ktueshëm vinë nga ata që duan të thonë se “ka edhe më keq”. Më keq nuk ka ku të bëhet se fakti që subjektet politike shqiptare të mos merren vesh njëri me tjetrin në të mirë të qytetareve, në të mirë të gjeneratave të reja, për një zhvillim e përparim të qytetit, për të mbrojtur një traditë më të hershme, ate të besës dhe premtimeve të dhëna.
Me këtë u vërtetua për të satën herë se dëshira e tyre është të ruajnë pozicionet e tyre megjithë rokadat e paralajmëruara brënda vetës, si dhe mesazhit të dhënë se kështu ndoshta do të vazhdojnë edhe për shumë mandate. Mesazhi i dhënë është i qartë për ata që kanë vesh për të dëgjuar e sy për të parë. Këta më shumë se njëherë premtuan, për sa kohë udhëhoqën pushtetin lokal të Ulqinit, por nga premtimet e dhëna e deri te realizimi i tyre u ka mbetur shumë punë për të bërë. A do ta arrijnë këtë mbetet të shikohet në këtë mandat të dytë prej nga vazhdon “dashuria e vjetër”. Vështirë të besohet për një zhvillim më të mirë të Ulqinit po të kihet parasysh se në këtë mandat hyjnë me shumë borxhe, gjë që qytetarin e bënë më skeptik për të besuar në mrekullira. Dhuntia më e madhe se jeta është ta jetosh ate pa borxhe. Pavarësisht asaj që premtuan, ndjeshmëria për ta çuar përpara premtimin buron nga besimi, po kush të besojë kur një pjesë prej tyre gjatë gjithë jetës përpiqen për ta çuar në vend marrëveshjen, kurse pjesa tjetër jetojnë pa ditur gjë me premtime që nuk i çojnë në vend. A nuk ka dëshmi për këtë?! Ajo që shqetëson komunitetin e ktueshëm është se çfarë do të bëhet me zhvillimin ekonomik, sa do të mëkëmbet ajo kur këtu nuk ka programe zhvillimore, po edhe nëse ka ata bëhen nga qendra në Podgoricë, kurse këtyre u mbetet për të aminuar e pastaj përvetësuar si program të vetin. Nga kjo tashmë është e qartë se nevojitet një qeverisje lokale e cila di t’i kushtojë rëndësi të veçantë shumë sektorëve, e sidomos sektorit privat, po edhe në infrastrukturë që për çdokend është katastrofike për një vend turistik siç është Ulqni. Këta në këto rrethana nuk i kanë plotësuar nevojat tona, tani sapo presin të fillojnë, ndaj shqetësimet që vinë nga qytetarët janë të arsyeshme e të përfillshme. Kriza ekonomike e cila tani ka trokitur në dyertë tona kërkon që pushteti lokal të fillojë të ndryshojë për të ecur në hap me kohën, ndryshe është e pamundur të pranojmë se ky pushtet funksionon mirë, në një kohë kur po mbaron viti kalendarik e akoma nuk duken shenjat e para për rebalans buxheti për këtë vit e jo më të flitet për buxhetin e vitit të ardhshëm, gjë që është përgjegjësi e legjislaturës së re.Dhe kështu do të ndodhë, do të kalojmë nga kriza në krizë, do të biem nga shqetësimi në shqetësim, megjithatë një shpresë duhet t’na mbajnë. Thelbësore është që pas gjitha këtyre ndodhive, struktura “e re” të mund të përgatitet në mënyrë të përsosur, me themel dhe në përputhje me parime të pavjetërueshme e të palëkundura. Në të kundërtën, po qe se ligjet nuk respektohen, atëherë qëndrimet negative të tyre mund të përmbysin çdo gjë.