| E hene, 13.12.2010, 08:53 PM |
Kristaq Turtulli
Pikërisht në orën 5 mbasdite
Pikërisht në orën pesë mbasdite...
Shkava, u rrokullisa brenda oqeaneve të syve,
Ti ishe e befasishme,
E pushtetshme,
Magjike,
Nazike.
U përpoqa të mbahesha mbas qerpikëve,
Por ato ishin elastike,
Butë si në filmat vizatimorë u thitha prej thellësive.
Pikërisht në orën pesë mbasdite.
Jashtë, mbi ujë frynte erë,
Binte borë,
Bënte ngricë.
Shkisnin slitat mbi akullin e fortë.
Brenda thellësive dukej si me ngrohtë,
Mrekullisht tretesh prej ujërave,
Joshes mbas korale të fshehura mes shkëmbinjve,
Shkujdesur pranon ngjitjen e luspave, leshterikëve, zvarranikëve,
Gjelbërimin e avullt të ëndrrave,
Puthjet tinëzare të sirenave.
Ujëvarat e lotëve,
Kriposnin kripëzimin e oqeaneve.
Pikërisht në orën 5 mbasdite...