Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Libri “Bukuri e nëmur” i Sali Bashotës botohet në frëngjisht

| E hene, 13.12.2010, 10:40 PM |


Luan Topçiu dhe Sali Bashota në festivalin poetik të Brailës, 2010
Luan Topçiu dhe Sali Bashota në festivalin poetik të Brailës, 2010

 

Libri “Bukuri e nëmur” i  Sali Bashotës botohet në frëngjisht

 

Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota po e hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike.

 

Nga Baki Ymeri

 

Libri me poezi “Bukuri e nëmur”, i poetit Sali Bashota, botuar nga PEN Qendra e Kosovës në vitin 2006, i cili u nderua edhe me Çmimin e Mitingut të Poezisë në Gjakovë -libri më i mirë i vitit me poezi, këto ditë në Cyrih u botua në gjuhën frënge nga botuesi i mirënjohur zviceran  Xanthippe/Edition ASPASIA. Libri është përkthyer në gjuhën frënge nga  Frédérique Duversin.

Në parathënien e librit  “Beauté maudite ”(“Bukuri e nëmur ”), shkruar nga Dr. Yvonne-Denise  Kochli, ndër të tjera, thuhet : “Poetët e çdo  kombi synojnë t’i paraqesin vlerat e tyre kombëtare, por edhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerat u takojnë të gjithë atyre që për mision e kanë humanizmin dhe lirinë e fjalës së vërtetë. Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota po e hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike ”.

 

Përndryshe, poezia e Sali Bashotës është përkthyer dhe botuar në libra të veçantë, në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht dhe maqedonisht, ndërsa autori është nderuar me çmime dhe shpërblime të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë çmimet: “Pjetër Bogdani”, “Serembe”, “ Menada”, “Pena e Artë” etj. Botimi i  librit “Bukuri e nëmur” në gjuhën frënge është suksesi më i ri i poetit Sali Bashota, por gjithashtu, është  edhe afirmim i vlerave të  poezisë bashkëkohore shqipe jashtë vendit.

---------------

 

Dr. Yvonne-Denise Kochli

 

POEZIA E IDENTITETIT SHQIPTAR

 

Sali Bashota konsiderohet njëri ndër poetët  më të suksesshëm të Kosovës, i cili është përkthyer në shumë gjuhë botërore.

Idetë dhe motivet e poezisë së këtij  autori ndërlidhen kryesisht me Kosovën, me jetën e shqiptarëve, fatin e kombit, të  ardhmen e tij në Evropën e qytetëruar.

Në këtë libër me poezi, tema e luftës zë një vend të  konsideruar në poezinë e këtij poeti, i cili në një mënyrë e ka poetizuar fatin e tij dhe të popullit shqiptar të Kosovës përmes temave, motiveve dhe figurave të bukura poetike.

Ky përjetim i ngjarjeve apo drama e tij shpirtërore është paraqitur me mjeshtëri artistike, sidomos me  trajtimin e periudhës së viteve të fundit të shekullit XX, kur vendi i tij përballej me luftën. Prandaj, poezia e  këtij poeti në një mënyrë është poezi e mbijetesës së njeriut dhe aspiratës për liri njerëzore dhe kombëtare.

Libri “Bukuri e nëmur” i sajon kujtimet për gjërat e humbura, por të dashura dhe të paharrueshme. Shtëpia e djegur e poetit në vendlindje bashkë me hirin e bibliotekës, librat , dorëshkrimet, fotografitë - të gjitha të djegura, ringjallen në penën e poetit dhe bëhen “tregime historike” për brezat e sotëm.

Sali Bashota është poet që e ndien shpirtërisht frymëmarrjen e popullit të tij, edhe kur shkruan për krenarinë kombëtare, por edhe kur shkruan për dhembjen, vuajtjen, pikëllimin; apo kur i shkruan ato balada të bukura për dorëshkrimet e djegura.

Poetët e çdo  kombi synojnë t’i paraqesin vlerat e tyre kombëtare, por edhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerat u takojnë të gjithë atyre që për mision e kanë humanizmin dhe lirinë e fjalës së vërtetë.

Duke i lexuar këto poezi të bukura, sikur e ndiejmë një trokitje të lehtë në mendimin tonë,  e cila dalëngadalë fillon ta rrisë ritmin e saj dhe të bëhet pjesë e një kujtese njerëzore, në një vend dhe në një periudhë të caktuar.

Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota  po e hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike.

(Parathënie e librit:  Sali Bashota, Beaute maudite, Traduction de Frédérique Duversin,  Xanthippe/Edition ASPASIA, Zurich, 2010)