Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Shqiptarët kërkuan Bashkimin Kombëtar deri më 2012

| E hene, 13.12.2010, 10:58 PM |


Artistët bashkë me të pranishmit kënduan Hymnin Këmbëtar
Artistët bashkë me të pranishmit kënduan Hymnin Këmbëtar

 

Në Barzio të Lecco-s u bë përmbyllja e manifestimeve të bukura për kremten tonë kombëtare:

 

SHQIPTARËT KËRKUAN

BASHKIMIN KOMBËTAR DERI MË 2012

 

Manifestimin, bukur, e kishin përgatitur bashkërisht shoqatat Nënë Tereza dhe Stublla, me seli në Lecco. Ishin të pranishëm shumë qindëra shqiptarë të të gjitha trojeve tona etnike – nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe bashkë kënduan e vallëzuan fuqishëm, duke kërkuar që deri në vitin 2012 të realizohet edhe ëndërra jonë shekullore e bashkimit kombëtar. Bukur ishte përgatitur edhe lotaria festive, që tashmë është bërë tradicionale. Të gjitha mjetet financiare të mbledhura nga kjo festë, u tha se do të derdhen në konton e shoqatës Stublla dhe do të përdoren për motive humanitare. Programin kulturo-artistik bukur e kishin organzuar Gëzim e Agim Demaj të AVI “Fortuna” dhe vallëtaret e grupit të valleve “Fluturat”, ndërkaq publikun e kënaqën me këngë Mehmet Bajrami nga Kumanova, Majlinda Kapedani nga Shqipëria dhe vëllezërit Pjetri nga Kosova. U ndanë edhe çmimet e turneut futbollistik të organizuar me rastin e festës, ku golgeter dhe lojtar më i mirë i turneut u shpall veterani Marjan Ballabani.

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

Këshilli organizativ i përbashkët i shoqatave “Nënë Tereza” dhe “Stublla” kishin përgatitur bukur manifestimin përmbyllës, me rastin e festës sonë kombëtare. Në mbrëmjen e 4 dhjetorit, në palestrën sportive, në Barzio të Lecco-s u bë një manifestim madhështor, ku muarën pjesë qindëra shqiptarë – nga Shqipëria, nga Kosova e nga Maqedonia. Sipas traditës, manifestimi u hap me këndimin e hymnit kombëtar. Pastaj doli në skenë moderatori tashmë i rregullt Ardion Andreja, i cili i ftoi të pranishmit të ngriten në këmbë dhe t’i nderojnë me një minutë heshtje të gjithë të rënët për lirinë tonë kombëtare, nëpër shekuj. Mandej, në emër të shoqatave, të pranishmit i përshëndeti veterani ynë i devotshëm Pashk Ballabani, i cili apeloi te të gjithë, që t’i hapin zemrat dhe të hudhin pika dashurie në oqeanin e dashurisë, duke u ndihmuar njerëzve nevojtarë. Përshëndeti dhe uroi edhe kryetari i shoqatës “Sofra Shqiptare” Ndue Qokaj. Pastaj moderatori Andreja ia dha fjalën autorit të këtij reportazhi Engjëll Koliqit, për të lexuar temën speciale të përgatitur enkas për këtë manifestim “28 Nëntori ditë e shenjtë arbërore”. Në këtë temë që u ndoq me shumë vëmendje dhe kurreshtje nga të pranishmit, u bë një shëti nëpër shekuj dhe nëpër histori, që nga 28 Nëntori i parë arbëror, kur kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e kishte ngritur për herë të parë flamurin tonë kombëtar me shqipen dykrenare e me yllin gjashtëcepësh mes dy krenave të Shqiponjës, në Kalanë e Krujës, ku plot 25 vjet kishte valuar i pamposhtur nga otomanët. Pas vdekjes së Gjergjit, u bënë shumë dyndje dhe dëbime të farës arbërore nga trojet e tyre dhe u dashtën edhe 444 vite pritjeje e vuajtje, tmerr e robëri, derisa përfundimisht u ngrit në Vlorë nga Plaku i Urtë – Ismail Qemali – Vlora. Në këtë temë, u citua edhe një pjesë nga fjalimi solemn i Plakut të Vlorës, kur triumfalisht ngriti Flamurin e qëndisur nga Marigona dhe shpalli mvetësinë e Shqipërisë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Pastaj erdhi 28 Nëntori i vitit 1955, që lindi kryekomandantin legjendar të UÇK-së – Adem Jasharin dhe 28 Nëntori i vitit 1997, kur u bë paraqitja e parë punlike e UÇK-së. Në këtë manifestim përmbyllës të Ditës së Flamurit, u inkorporua edhe 100 Vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza, për të cilën gjithashtu foli autori i kësaj teme.

 

Pastaj u vazhdua me programin shumë të pasur kulturo-artistik, duke vallëzuar valle speciale me motive patriotike dhe këngë atdhetare, historike, epike e lirike. Këngëtarët e mirënjohur – Mehmet Bajrami dhe Majlinda Kapedani shklqyen me interpretimet e tyre fantastike, shoqëruar nga AVI “Fortuna” – Gëzim e Agim Demaj. Gjithashtu shkëlqyes dhe mjaft kumbues ishin edhe rrapsdët – vëllezërit Kastriot e Driton Pjetri, shoqëruar me çifteli edhe nga instrumentisti i mirënjohur i SHKA “Zëri i Karadakut” nga Stublla – Gjon Ukaj. Gjithashtu vezulluese dhe shumë tërheqëse kanë qenë valltaret e grupi “Fluturat”.

 

Të rinjtë ishin organizuar dhe një javë më parë kishin zhvilluar turneun festin në futboll të vogël dhe në programin festiv u dhanë edhe çmimet dhe kupat e këtij turneu. Si skuadër e parë kishte dalë ajo e shoqatës “Nënë Tereza”, kurse golgeter e lojtar më i mirë i turneut ishte shpallur veterani Marjan Ballabani, lojtar i së njëjtës skuadër. Çmimet i kanë ndarë veprimtarë dhe veteranë të futbollit, si: Ndue Qokaj, Zef Ballabani, Fran Lorenci, Vink Gjoni etj.

            Bukur ishte organizuar edhe lotaria festive që tashmë është bërë tradicionale dhe të gjitha çmimet ishin sponzorizuar nga bashkatdhetarë, anëtarë të këtyre dy shoqatave. Çmimin e parë, ofruar nga veprimtari i devotshëm – Pashk Ballabani – një biletë aeroplani vajtje/ardhje për në Prishtinë, e ka fituar Ali Ukaj. Tiketat e lotarisë i kanë tërhequr fëmijët.

            Veprimtari Agim Shabani na tha se në këtë mbrëmje festive të hyrat financiare dhe sponzorizimet kanë qenë të konsiderueshme dhe që të gjitha do të dedikohen në misione humanitare, për nevojtarët në Atdhe. Ky hap shumë njerëzor in dërmaerrë nga këto shoqata, është për çdo lëvdatë, gjë që do ishte mirë të ndiqej edhe nga shoqatat tjera shqiptare në Itali dhe në mbarë diasporën.

 

Engjëll Koliqi, duke lexuar referatin festiv
Engjëll Koliqi, duke lexuar referatin festiv

Ndue Qokaj, duke i dorëzuar çmimin e parë sportiv Marjan Ballabanit
Ndue Qokaj, duke i dorëzuar çmimin e parë sportiv Marjan Ballabanit

Veterani Pashk Ballabani, duke i përshëndetur të pranishmit, në emër të shoqatave
Veterani Pashk Ballabani, duke i përshëndetur të pranishmit, në emër të shoqatave

Këngëtari i shkëlqyeshëm Mehmet Bajrami me AVI Fortuna
Këngëtari i shkëlqyeshëm Mehmet Bajrami me AVI Fortuna

Rrapsodët Driton e Kastriot Pjetri dhe Gjon Ukaj
Rrapsodët Driton e Kastriot Pjetri dhe Gjon Ukaj

Këngëtarja e mirënjohur Majlinda Kapedani me AVI Fotruna

Këngëtarët këndonin e vallëzonin me manifestuesit e gëzuar
Gëzimi s’kishte kufi
Gëzimi s’kishte kufi

Çaste nga tërheqja e lotarisë festive
Çaste nga tërheqja e lotarisë festive

Garlate (Lecco), 5 dhjetor 2010