| E diele, 12.12.2010, 04:41 PM |
Vullnet Mato
ARRATISJE NGA KANARINA
Kanarinën ma përkuli
kafazi shtëpiak,
ma gërryen vitet
me rrëke mendimesh,
me pakësim gjumi
nga hallet përqark,
dhe tani më hedh
breshërima qortimesh.
Kërkon të shtyp herët
butonin e abazhurit.
Cicëron shpesh:
"Ç'të duhen vjershat?"
Më thotë të qetësoj
pasionet e trurit
me domino lulishtesh,
me nipat e mbesat!"
Breshërimat ia përcjell
te dimrat acare.
Përfytyroj si mbushen
koshat në pemishta,
çiftet që puthen
si zogj në trotuare
dhe vargjet më rrjedhin
nëpër gishta.
Koshin e vjershës
mbush i përgjumur,
derisa arratisem,
humbas udhëve.
Më kërkojnë telefonat
te "Njerëz të Humbur",
më gjejnë rob
në mbretërinë e puthjeve.
MBRËMË NË TELEVIZOR
Mbrëmë në televizor,
sytë m'i mbërtheu
një bionde
me flokët rica-rica.
Një hënë mes reve
puplore krehur,
me dy yje te balli,
dy planete te cicat.
Për seksin e lirë
e të pambrojtur,
priste me gjuhën brisk
shtruar e butë.
Futej te fjalët rezervë
pa u ndrojtur,
për shenjat e fshehta
të njeriut në trup.
Kisha mprehur veshët
krejt i çmeritur,
të fiksoj çdo frazë
nga zëdhënësja e kohës,
që zbulonte enigmat
e botës së mbyllur,
pasi kishte hapur
në ekran kasafortën.
Dhe kur përvojën e saj
quajti më të mirën:
"Dashurinë e kam
tek ai që më tërheq,
në shtëpi bëj
vetëm detyrën",
thashë,
lum shtrati me magnet,
mjerë shtrati me dreq!
Sepse shtypjen e lashtë
me egërsi diktati,
seksi i bukur
i këtij shekulli plot qejfe,
po ia shpërblen
çomages së patriarkatit,
duke i shkarë nga çarçafët
krejt në heshtje...