Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Muhameti në vitet 610-622, si Lenini në vitet 1902-1917 (2)

| E diele, 12.12.2010, 08:58 PM |


Muhameti në vitet 610-622, si Lenini në vitet 1902-1917 (2)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Sprova e parë e "profetit" si predikues ishte një dështim i vajtueshëm. Madje, ishte ungji i tij Ebu Lehebi, së bashku me gruan e tij, të cilët e mundën "profetin" në arenën e oratorisë. Prej këtej një nga suret më të çuditshme në Kuran, ajo Al Masad, ku Allahu, apo më saktë Muhameti shpërthen:

"Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai më është shkatërruar!

Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi!

Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë.

Edhe gruaja e tij, ajo që barti dru,

E në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur".(Kuran, Al Masad: 111/ 1-5)

Sikur Allahu në vend që të mundohej kaq shumë me Ebu Lehebin dhe gruan e tij, t' i kishte dhënë më tepër aftësi oratorike atë ditë Muhametit! Në vitin e gjashtë të profetësisë, Muhameti nuk kishte arritur që të bënte më tepër se dyzet ithtarë! Të gjithë këta me përjashtim të shërbëtorit të tij, qenë farefis me të.

Ajo çka të bën përshtypje tek shpalljet e pretenduara si hyjnore të Muhametit është se në to tregohet kujdes i madh që të mos lëndohen hebrejtë, madje duket qartë se kërkohet që ata të merren me të mirë, duke u adoptuar pjesa më e madhe e teologjisë së tyre. Ndryshe ndodh me të krishterët, të cilët atakohen ashpër që në Suren Merjem, të shpallur në Mekë, e cila është e dyzetekatërta në rendin e sureve të shpallura, por e nëntëmbëdhjeta në Kuran. Në këtë sure akuzohen të krishterët: "Isai tha: 'Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë librin dhe më ka bërë Pejgamber.

Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka urdhëruar namaz e zekatë për sa të jem gjallë'

Kjo është e vërtetë rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.

Nuk ka nevojë Allahu që të ketë ndonjë fëmijë, Ai kur do një gjë e bën në mënyrë të pastër, vetëm duke thënë "Bëhu" dhe ajo gjë menjëherë bëhet".(Kuran, Merjem: 19/30-35)

Qëndrimi i ndryshëm ndaj hebrejve dhe të krishterëve qe në pajtim me politikën e Persisë, e cila kërkonte që t' i bënte aleatë hebrejtë kundër Bizantit të krishterë.

Nuk është e qartë se kur Muhametit i erdhi urdhëri për ta shpallur publikisht Islamin. Tradita islame pretendon se kjo ndodhi tre vjet pasi Muhameti filloi shpalljen e fshehtë, do të thotë në vitin 616. Por nuk është e sigurt që kjo të ketë ndodhur kaq herët. E sigurt është se kjo ka ndodhur vetëm me suren e pesëdhjetekatërt, të shpallur, ku Muhametit i erdhi një urdhëresë e re "hyjnore": "Ti prediko publikisht atë që të është urdhëruar dhe shmangiu idhujtarëve".(Kuran, El Hijr: 15/ 94)

Nëse i kqyr suret e Kuranit sipas rendit kur ato janë shpallur dhe jo sipas rendit në të cilin janë vendosur në Kuran, konstaton se Sure El Hijr, në të cilën Muhametit iu dha ky urdhër, është shpallur e pesëdhjetëekatërta, edhe pse në Kuran është e pesëmbëdhjeta. Pra, deri tek sureja e pesëdhjetëkatërt, ende nuk ka filluar atakimi i idhujtarëve. Nuk është e rastit që urdhëri për të predikuar publikisht i vjen Muhametit në vitin 616, kur persianët arritën fitore të mëdha në luftën kundër bizantinëve. Në këtë vit persianët tashmë pushtuan edhe Egjiptin pas Sirisë, dhe kishin pushtuar të gjitha zotërimet bizantine në Lindjen e Mesme. Ajo çka të bën përshtypjen në urdhërin që Allahu i jep Muhametit për predikimin publik është se i kërkon që të mos i atakojë idhujtarët. Kjo ishte një këshillë diplomatike dhe nuk mund të vinte veçse nga spiunazhi persian. Prandaj Muhameti nuk e mohoi që në fillim publikisht panteonin e Kaaba, ai shpalli vetëm supremacinë e Allahut, emër me të cilin kurejshët dhe arabët e Hexhazit quanin zotin suprem të panteonit të Kaaba.

Derisa kurejshët qenë kujdestarët e Kaaba, për ta qe një sfidë e madhe që të dilte një prej tyre, i cili qoftë edhe vinte në diskutim kultin e tyre. Kjo cenonte autoritetin e kurejshëve në sytë e fiseve të tjera të Mekës dhe Hexhazit. Por kurejshët hezitonin që ta shtypnin me dhunë sfidën e Muhametit dhe të ndjekësve të tij, edhe pse këta qenë të pakët. Kjo për arsye se kurejshët i trembeshin ndonjë ndërhyrjeje persiane. Persianët qenë atëherë në kulmin e sukseseve në luftën me bizantinët dhe kurejshët nuk donin t' i ngacmonin shumë. Prandaj kurejshët zgjodhën taktikën e bojkotit ndaj Muhametit dhe ndjekësve të tij të pakët. Kurejshët vendosën që të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me muslimanët, duke i bojkotuar ata në gjithçka, në tregti, krushqi, deri edhe në komunikimin më të thjeshtë. Muhameti e shndërroi bojkotin në segregacion, duke i urdhëruar muslimanët që të abandonojnë shtëpitë dhe të shkojnë të banojnë në lagjen Shib Ebi Talib, të ungjit të tij.

Kjo periudhë e segregacionit, duket se i shkurajoi shumë muslimanët, aq sa Muhameti vendosi të bëjë një "mrekulli" për të mbajtur lart shpirtin e tyre. Kur Muhametit i kishin kërkuar idhujtarët që të bënte një mrekulli, ai kishte thënë se mrekullia e tij ishte Kurani. Tash Muhameti e gjeti me vend se duhej të bënte provën e të gjithë profetëve, mrekullinë. Dhe mrekullia e tij duhej të qe e madhe, jo shaka. Një natë, Muhameti, para syve të ithtarëve të tij, e drejtoi dorën kah Hëna, dhe pastaj bëri shenjën sikur po e priste në mes atë si me thikë. Sipas traditës gojore islame njëra gjysmë e hënës u pa në njërën anë të malit Hira, ndërsa gjysma tjetër në anën tjetër. Kjo "mrekulli" e Muhametit përmendet në Sure Al-Qamar (E Hënës), ku thuhet:

"Momenti është afruar e Hëna është çarë".(Kuran, Al-Qamar: 54/1)

E tepërt të thuhet, Hëna nuk u nda më dysh përveçse në halucinacionet e ithtarëve të Muhametit, të trajtuar me droga aq shumë të përdorura historikisht në Lindjen e Mesme. Nuk është rastësi që Muhameti zgjodhi Hënën për të bërë një mrekulli. Ai me këtë merrte atributet e kryezotit-Hënë të Mekës, Hubal, ndryshe i quajtur Allah.

Nëse Muhameti do të ishte i aftë që të bënte mrekulli, ai me siguri do ta kishte bërë këtë gjë në qytetin Taif, ku shkoi në vitin e dhjetë të profetësisë, për të kërkuar strehim së bashku me mbështetësit e tij, dhe për të bërë ithtarë. Kjo ishte hera e parë që ai kërkoi ithtarë jashtë Mekës. Muhameti u kërkoi publikisht taifasve që të pranonin fenë e re. Ata në fillim e vunë në lojë, e tallën, pastaj filluan ta fyejnë, dhe në fund vendosën ta dëbojnë nga qyteti në mënyrën më të mbrapshtë të imagjinueshme. Paria e Taifit urdhëroi shërbëtorët dhe skllevërit që të formojnë dy rreshta në të dy anët e rrugës nga do të kalonte Muhameti dhe kur ky kaloi, ata e shanë, e pështynë dhe e qëlluan me lloj-lloj sendesh, derisa doli nga qyteti. Kur Muhameti qëndroi jashtë qytetit që të çlodhej, taifasit dërguan skllevërit që ta dëbonin më tutje, duke e qëlluar me gurë.

Pas katastrofës që Muhameti pësoi në Taif, me sa duket persianët vendosën që ta bëjnë të besojë se kishte përjetuar një mrekulli, për t' i dhënë pak kurajë. Kjo "mrekulli" ishte i supozuari udhëtim i Muhametit në Jerusalem gjatë natës, si dhe udhëtimi i dytë prej atje për në lartësitë qiellore. Pas të gjitha gjasave persianët e bënë që të përjetonte halucinacione të tilla, duke e trajtuar me droga dhe pastaj e vunë që t' ua shpallte ithtarëve të tij, si sure të Kuranit.

Deri në këtë kohë Muhameti nuk kishte kaluar nëpër rreziqe reale dhe kundërshtarët e tij më tepër e kishin tallur se sa e kishin luftuar seriozisht. Ashtu si Leninin atë nuk e shikonin si një njeri vërtet të rrezikshëm. Ashtu si Lenini, i cili përgjatë 15 viteve që prej kohës së shpalljes së doktrinës së tij revolucionare nuk bëri gjë tjetër veçse u mor me debate dhe intriga brenda rretheve të marksistëve rusë, edhe Muhameti për 12 vite, që prej kohës kur u vetëparaqit si i dërguari i Allahut, nuk bëri gjë tjetër veçse debate dhe intriga në skutat e Mekës.

Kur Leninizmi lindi si doktrinë në vitin 1902, ai nuk i tërhoqi kujt vëmendjen jashtë rrethit të marksistëve rusë dhe gjermanë- këtyre të fundit për shkak se Lenini kishte jetuar në Gjermani në kohën që botoi librin për doktrinën e tij revolucionare, të elitës revolucionare pararojë. Është interesante se kritika që marksistët rusë dhe gjermanë i bën Leninit, qëkurse ai shpalli doktrinën e tij, është e ngjashme me kritikën që iu bë Muhametit nga kundërshtarët e tij, kur ai shpalli fenë e re. Si Lenini, ashtu dhe Muhameti u kritikuan se kishin përpunuar doktrinën e krijimit të një organizate në shërbim të një diktatori, dhe se prej saj, nëse kishte sukses, do të lindte diktatura e një personi. Si Lenini, ashtu dhe Muhameti e provuan këtë gjë, kur u krijua situata e përshtatshme.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al

Gazeta Sot