| E shtune, 11.12.2010, 07:55 PM |
At GJERGJ FISHTËS*
In memoriam
Nga Përparim Hysi
Po të falem At I Shënjtë
Po të bie në gjunjë,i ngrati,
Se këndove me lahutë
Trimërinë me derte Frati.
Kush fytyrën ëngëllore
Masakrisht ta nëpërkëmbi
Kush mbështyu mbi veprën tënde
Kush dhe varrën tënd e nëmi?
Ti Lahutë e gjallë Malcie
Që lëshove zë kushtirmi
Ti,Apostull Shqipërie,
Humbe siç humbet harrimi.
Ti e mbrojte Shqipërinë
Në New Jork dhe në Europë
E shpërblimi qesharak:
As për varr një copë tokë.
E kërkova varrin tënd
Dhe s'e gjat as kurkund
Ngushëllohesha se të gjeja
Nëpër këngë me lahutë
Andaj falem para teje
Tash që erdh Demokracia
Apostull i Shqiptarizmit
Ti je vet Krenaria.
________
Susta e fatit *
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
Lista e mungesave
Më mungojnë shumë gjëra
Lista e tyre:e gjatë,pafund
Nga këto mungesa,u zhbëra
Se t'i plotësoj,nuk mund.
T'i rreshtoj,vallë,për ju ka rëndësi?
Dhe hiç nuk më duhen ato,
Kur më mungon ti,moj Shqipëri...
Njësoj
Njësoj si punëtori i MIgjenit tek "Moll'e ndalueme"
Trotuarëve të Sant Petërsburgut,ezber,po shetis *
Njësoj me atë jam:nga xhepi unë jam "krunde"
Por dhe unë si ai:"s'i le gja mangut zotnis"
Hiç nuk më pëlqen ky soj zotnillëku
Të shetis rrugëve të botës nuk më pëlqen
Jo.As që e kam dashur këtë lloj rrësku
Në Shqipëri do të kthehem;i varfër le të jem.
* qyteti ku jetoj përkohësisht,në Florida.
Më gjeti
Më gjeti si pulën shqirake
(këtë nuk e zë gjumi,pa parë në ëndërr
Sikur ha grurë?!...)
Dhe mua nuk më zë gjumi
Pa parë në ëndërr Shqipërinë
Që e kam lënë ka qëkur...
Prishja
Ikën plaçkat.Fluturuan.Si një shkumë që e merr era
(ato plaçka vënë me djersë,që të gjitha seç i falëm!!!)
Më së fundi,mbetëm qyq;si të vdekur dualëm nga dera
Unë e Sika morëm rrugët;u përcollëm me të afërm.
Morëm rrugët për kurbet;larg e larg e prapa diellit
Po t'na shihje,shihje "hije" që lëviznin fare kot
Kur i hipëm ne avionit,sikur shkonim drejt "kiametit"
Jemi sosur ka qëkur;mezalla,s'mësohemi dot.
Susta e fatit
Susta e fatit m'u hap shumë
Më vërviti goxha larg
Edhe pres,me shpresë unë
Në vënd tim të më kthejë prapë.
Po s'u mblodh dhe mbeti hapur
Dhe më la këtu ku jam
Do më gjeni me buzëplasur
Dijeni që ia kam bërë bam!...
Kalin e kurbetit
Kalin e kurbetit kam shaluar mbi shpinë
As fre i kam vënë dhe as yzengji
Sa do t'i qëndroj këtij"kali" mbi shpinë?
Kot që më pyesni,as vet nuk e di.
Fati
"Me fatin veç u ngrindkam kot
Ai më talli dhe më fort..."
Lermontov
Fati me mua bëri si deshi
Kur desha baluke,ai më qethi.
Më la pa punë,pa plangë e shtëpi
Më nisi kurbetit,në arrati.
I humba unë me miq e me shokë
Dhe vërdallisem,por vetëm kot
Ditët i shtyj,tamam si një murg
Me trup i lirë;me shpirt si në burg.
Më talli dje,po më tall dhe sot
E gjallë më rri shpresa;jam shpresëplotë.
Tash që kam fundin t'më ëmbëlsoj
Se tani jam plak dhe më nuk duroj.
Unë
Unë jam si një anije që lundron nëpër det
As vela nuk kam,por s'kam as direk.
Fatin tim e ka furtuna-kurbet
Më nxjerr në breg apo më zhyt në det...
Nuk jam pa faj
Nuk mund t'i lajë duarët si Ponc Pilati
Se,gjasme,faj nuk pata në këtë botë
S'kam si e mohoj:kam faj unë, kokëbardhi
Se a lihet vëndi në këtë moshë?!
Nuk është gabim,po plotësisht faj
60-vjeçari shkon kërkon "Edenin?!"
Ndaj si Ponc Pilati duarët nuk i laj
Ju që i lexoni,për "dënimin tim",shihni "nenin..."
Tani
Tani që më erdhën ca kaseta nga Shqipëria
Shtëpinë e kam kthyer në "sallë koncertesh"
Me plot me ajër m'u mbush mua mushkëria
Jam çliruar tani prej hallesh dhe dertesh.
Se pak,fare pak,po më kapi mërzia
Tak dhe vë një kaba myzeqarëshe
Për të shëruar mërzitjen,s'më duhet farmacia
Kam gjetur,siç e shihni,të tjera "ilaçe".
E ngre unë zërin dhe buçet muzika
Mërzia largohet,sa nuk i bie pika.
*poezitë janë shkruar në vitet 2001-2010
_________
Autobiografi me vargje
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
1. Nëpër vargje
Nëpër vargje që kam shkruar,nëpër strofa,nëpër rima
Do të gjeni jetën time,si në jetë ia kam bërë prima
Jam zvarritur,shallavitur,nëpër rrugë e ndër rrëpira
Turp e shpirt më janë kapitur,në ca kohë të vështira
Kohë e ashpër më goditi,asnjëherë s'më la rehat
M'u godit keqas shpirti,mënd u ktheva në sakat
Por s'e ula njëherë kokën;vazhdiminsht kam qenë rrebel
Anarshist nuk kisha shokën;o lexues,për trim s'më merr.
Por kurajo unë kam patur,jam përleshur dhëmb për dhëmb
Ndaj dhe koka m'u ka zbardhur,porse hiç nuk jam pishmën
Tash u plaka,s'kam fuqi,nuk përleshem dot unë më
Ndaj dhe shkruaj poezi,t'u tregoj unë një për një.
2.Ma prenë ëndrrën
Një ëndërr të bukur ma ndërprenë
Ç'ëndërr të bukur po shihja!
Gëzimin me sëpatë ma prenë
Më iku,më iku Shqipëria.
Ma prenë në mes ëndrrën e bukur
Mëkat!Ç'më bën?Ç'mëkat!
Sa ndjeva të bëhesha i lumtur
Ëndrrën ma prenë si me sëpatë.
U ngrita vrik nga krevati
Prej zverku ta kapja "fajtorin"
Por tak dhe më la inati
A nuk jam unë fajtor-largori?!...
3.Ndarja me bibliotekën
E prisha çnjerëzisht kontratën
U ndava unë me bibliotekën
Të madhe,të madhe e kam vragën
Se me të e kisha të lidhur jetën.
Ndërsa me të unë tani ndahem
Zëmra sa nuk më çahet dysh
Tek i dhuroj,me lot lagem
Si lidhur me të pazgjidhmërisht.
Ia dhurova mikut tim Lulzim Omari
Dhe matem të shkoj e t'i "vjedh" tinëzisht
Paska patur hak Silvestër Bonari *
Si ai dua të bëj dhe turp nuk kam hiç
*personazh homonim i Anatol Frans
4.Diskutim "luajal" me gruan
-Edhe ti prapë po shkruan?Nuk e sheh,na "pasurove?!"
Unë po si burrë nopran:-Mjaft se veshët më shurdhove.
Pa zë vënd mbi kompjuter,zë e shkruaj ndonjë rresht
Ajp prapë,po këtë herë:-Ç'hair pamë nga jotja vjershë?!
Ja,kështu,seç diskutojmë(është apo jo "luajal?!")
"Sherri ynë është pa zarar dhe ky"sherr" na mban dhe gjallë.
5.Përse shkruaj
Po bëj pyetjen:-Përse shkruaj?Njeri trastën nuk ma varë
Unë shkruaj dhe vetëm vuaj;vjershat mbetën në sirtar.
Kur e shoh që stiva rritet dhe sirtari nuk nxë më
THem të derejtën pak dhe frikem:hallit si t'i bënetë?
Por s'më rrihet,nuk më rrihet;unë për dita veçse shkruaj
Stiva rritet,edhe rritet;ah,koj stivë që do më hajë !...
6.S'kam ditur për veten time
Për veten time hiç nuk kam ditur
I paskam hyrë detit në këmbë
Disa po dihet:pllakën kanë vërtitur
Dhe janë tani të hanë me dhëmbë.
Unë fare s'kam ditur që të marrë kthesat
Për kthesat unë kurrë nuk mora "patentë"
Se në jetë kurrë s'i kam honepsur rrenat
Por gjithmonë drejt... e vetëm drejt
Për veten time... ja që nuk kam ditur
Vetëm shkruaj vargje; a nuk jam i lajthitur?!
7.S'jam i pasur
Që nuk jam i pasur,mirë e di;po hiç s'më bëhet vonë
Se kam të madhen dashuri dhe kjo më pasuron
Se gjumin hiç s'e fle me frikë;kot nuk jam i varfër
Se gjumë nuk bën një pasanik;s'e lë rehat një gjarpër.
Diku i del në rrugë përpara;diku dhe e kafshon
Atij po,i dhëmb"dhëmballa" dhe bëhet si demon
Kurse unë pasha i varfër,si unikal në botë
Zili më ka mua çdo i pasur,se gjumin e bëj top.
8.Gjithmonë
Gjithmonë nga një"vijë",gjithmonë nga një rresht
Të soset.të soset dhe sot një vjershë
Se dita me ditën ja që nuk ngjajnë
Dhe nata me natën të ndryshme janë
Sot del një temë a ndodh një ngjarje
Unë zë e them dhe e hedh në vargje
Ndonjëherë çohem natën se koha nuk pret
Me vrap e shkruaj vargun se jam pak poet.
9. Unë
Unë vërtet kam kënduar për një sy të bukur
Kam kënduar dhe për një trup të drejtë si kavak
Por kurrë kokën nën fustan s'e kam futur
Në se dikushi ka kërkuar ndihmë qoft dhe varfanjak.
Se aq i thekshëm sa jam pas një syri
Aq i prekshëm bëhem për një nevojtar
Kurrë nuk ma ka bër tërr mua syri
Dhe jam përleshur dhe me pushtetarë
Shpërtheja si vullkan dhe llavën e shpirtit
E hidhja mbi "xhelatët" që kishin pushtet
Tanimë nuk kisha më gjakun e Krishtit
Penduar nuk jam, në s' kam qenë dhe Muhamet.
10. Amanet
Kur të vdes,varrin e dua në Mbyet *
Atje kam prindërit...është dhe imvëlla
Shpesh "çohem" dhe bëj pak muhabet
Dhe malln që kam,me ta zë e ndaj ca.
Natyrisht,që aty ka dhe të tjerë
Me ta?Natyrisht,më rrallë
Shokë e miq që unë kam ë Fier
Ata nuk i pres:dua të mbeten gjallë...
* fshati ku janë varret në Fier.
* * Poezitë janë shkruar në vitet 2001-2010