| E shtune, 11.12.2010, 08:03 PM |
Enkelejda Kondi Masseboeuf
DUAJI POETËT
Lexoje poetin dhe vargun e tij
Në ç'do gërmë e rimë buzëqesh jeta.
Dhimbja dhe gëzimi derdhin melodinë
Këngën këndon zemra.
Kuptoje poetin dhe vargun e tij
Që të ndjesh se jetës ke jetuar
Është ujvarë që shkon në pafundësi
Fllad i ngrohtë për t'u shijuar.
Poezia është kitara e shpirtit
Pikë loti të jep melodinë
Vargu i saj dritë që ndriçon maja
Është djepi që përkund lumturinë.
Duaje poetin o njeri.....
KORIDORI I JETËS
Në koridorin e jetës eca
plot dyer e dritaresh muresh-vitesh
Ca m'u hapën e ca m'u mbyllën
Kapituj librash plot kujtime.
Dhe rrugën e gjeta dhe kur drita s'pati
Se besova se për mua Dielli do ndriçojë
Me Hënën, dritën e saj u ngazëlleva
Depërtova erësirën me sytë shqiponjë.
Disa herë eca dhe me sytë mbyllur
Fati nëpër hapa të nxituar më ndihmoi
Me grushta në zemër godita heshtjen
Në gjoks vetminë e çora me thonj.
PËRKOHËSISHT
Përkohësisht, mos më kërkoni..... po shkoj,
Pak larg ku zemra ime të gjejë dlirësi
U mërzita me intrigën e mëshiroj
Se shpirti im i brishtë s'lëndon njeri.
Do të iki larg, nuk do të jem
Do të nisem me zogjtë shtegëtimeve të lira
Në qiejt kaltëroshë, kush do vjen e më gjen
Sa herë që të trokasë.....Portën ja hap e mira.
Do të iki ca kohë, se mos bota ndryshon
Do të kthehem ne fole, kur qielli të jetë larë
Unë këngën do ta çoj në qiejt që dëgjojnë
Atëherë prej lagështirës dhe Toka do të jetë tharë.
RUTINA
Të kisha lënë si pa kuptuar mënjanë
Dhe thonë që Dielli ngroh botën njëlloj
Po ti kishe mbetur gjithnjë gjysmë Hënë
Natën dëshpëruar zemra jote më kërkoi.
Ishe aty pranë meje dhe unë s'te shihja
Transparent para shikimi tim indiferent
Të vrau kaq shumë nga unë largësia
Me ndrojtje erdhe ......Në portën zemër troket.
Eh, rutina që kish zënë vënd si pa u ndjerë
Mes nesh akull, ajsberg, na ftohu dashurinë
Kaq shumë kisha harruar që ti ishe gjysma ime
Rigjetja na solli mes kujtimesh lumturinë.