| E enjte, 09.12.2010, 10:58 PM |
MAJMUN NË DIMENSIONIN PA BIOMASË
(Ose: Nga Déjà Vu… deri te Lincoln dhe Kennedy)
Nga S. Guraziu, 2006
…sepse normalisht njeriu në shkrimet pasqyrohet më i miri, më i vërteti, më i sinqerti. Ana e shkruar është më e ndritura, më e ngritura. Klithma me shkrim është klithma më intelektuale që ekziston. Ai që është i turbullt, ai nuk mund të shkruajë. Edhe nëse ka aftësi të shkruajë, në ujin e turbullt s’pasqyrohet asgjë.
Ndërsa njerëzit që mund të shkruajnë kanë çiltërsinë e ujit të kthjellët, ku pasqyrohet shumëçka. Ata që mund të shkruajnë janë të kulturuar, të urtë, të civilizuar. Ata edhe nëse çirren, bërtasin, shajnë… në kupë të qiellit, sharjet e tyre mbesin më të kulturuarat se cilatdo forma tjera të sharjes. Sepse janë sharje me shkrim, intelektuale. Janë rezignata intelektuale. Janë klithma të një shpirti që, padyshim, nuk pajtohet me diçka, janë thirrje të një urtaku. Klithma me shkrim është klithma më e civilizuar që njeh njeriu…
Déjà vu -
A mund të jesh ëndrra që unë kam njohur dikur?
A je ti ajo ëndërr?
Déjà vu -
A mund të jesh ëndrra që vërtetë do të ndodhë?
Me tërë shkëlqimin
Nuk shuhet kurrë kujtimi për ty
As për veten s’e ndal kujtimin
Déjà vu
Dionne Warwick (Përktheu: S. G.)
S’kam besuar se mund të ndalem e të shkruaj për gjëra të rëndomta të Internetit. Gjithmonë Internetin e kam shikuar nga fryma teknike, ashtu dhe sillem me të. Njoh disa gjuhë programuese, njoh shumë gjëra sa i përket Internetit, sa do t’ma "kishin zili" mjaft aso që deklarohen se janë specialistë. Me gjuhët programuese mbase do t’mund të shkruaja mjaft gjërash, lloj-lloj marifetesh, por as idenë s’e kisha se Interneti mund të struket në njërin nga shkrimet e mia. Dhe këtë jo gjysmë faqe, jo minitregim, as aso siç i quan një mik imi “tregime kikirez”, por disa faqe njëra pas tjetrës. Ngase, s’ma merr mendja se ajo çfarë kam të them zë vend në një faqe të vetme, e as në dy sosh.
Mirë, ja që dhe kjo do të jetë akt i kryer. Do të shkruaj për gjëra të cilat, sa i përket Internetit, janë tejet ordinere, siç bie fjala: Google, Email, Wikipedia, Yahoo etj. etj.
Sot njeriu, edhe po të donte, nuk mund të shpëtojë aq lehtë nga Google-t, nga Yahoo-të sepse tashmë janë “bërë” pjesë e asaj që ne quajmë Internet. Nisesh nga diku e del padashtas fare dikund tjetër. Aty të pret reklama e tyre dhe të thotë: “Mirë se erdhe loçkaman, pa kliko këtu nëse ta mban!”
Mirëpo unë pata përvojën se edhe pse del padashtas tjetërkund nganjëherë, kjo s’është e dëmshme. Përkundrazi, në mos mjaft e dobishme, varësisht nga situatat. Dua t’ju tregoj se si shkas që më shtyri të shkruaj për Interneta e Yahoo, është fjala "Deja vu". Sikur t’mos ishte kjo fjalë nuk do t’i kisha shkruar këto fjalë.
Déjà vu - I
Abraham Lincoln u zgjodh në Kongres në v. 1846.
John F. Kennedy u zgjodh në Kongres në v. 1946.
Le të fillojmë me gjuhën (apo në stilin) e Internetit, por ju premtoj se nuk do ta zgjas shumë. Fjala deja vu, [ dé jà vu ] u krijua nga psikologu frëng, Emile Boirac (1851–1917) duke e cekur në librin e tij "L'Avenir des sciences psychiques" (E Ardhmja e shkencave psikologjike) - Burimi: Wikipedia.
Në të njëjtin vend, pra në Wikipedia, do të gjeni më gjerësisht lidhur me fjalën "Deja vu", nëse dhe ju keni interes, siç ishte (dhe akoma është) rasti me mua. Tash, derisa jam duke gugluar burimet e "Encyclopaedia Britannica" më del: Rezultatet e kërkimit: 1-10 nga 38.
Siç e shihni, plot 38 sqarime-artikuj do t'i gjeni dhe ju, pa lëvizur vendit, pa kërkuar fare dikund tjetër. Për të lexuar 3 ditë rresht. Printoni ato dhe ja, keni një libër falas. (Librat, sido që të duken nga jashtë, qofshin edhe vetëm ca faqe të printuara, gjithmonë janë të vlefshëm, nëse kanë të bëjnë me gjërat që nuk i dimë).
Artikulli i parë (në krye të listës: Rezultatet e kërkimit) ndër të tjera thotë: "Déjà vu - It has also found its way into literature” - (hm… paska gjetur rrugën e vet gjithashtu në letërsi - nuk më habit kjo aspak)!
Por nuk është asnjë e dhënë që lexoj ajo çfarë më duhet të mësoj rreth kësaj fjale!
Mua më duhet diç tjetër, një tjetër verifikim. Për të mos e zgjatur, ju tregoj se ka të bëjë me një shkrim timin të cilin e nënquaj "dromca filozofike". Më duhen ca info, jo shumë sosh, nuk më duhet e gjithë formula, por më duhet të di nëse është = apo +. E, siç bëj zakonisht me të gjitha kërkesat e kësaj natyre, fillimisht i tëholloj dhe i bëj më të mprehta në mega-bibliotekën virtuale (pothuajse kjo është bërë një praktikë, ndoshta për arsye të shpejtësisë dhe të lehtësisë). Nëse eventualisht nuk i gjej dot, ose jo kënaqshëm, orientohem në mbretërinë e letrave të njëmendta. Këndej, jashtë ekranit, kuptohet kërkimi nuk është fare i lehtë. As në bibliotekën time tepër modeste (që prapë, thuaja secilën herë rritet fare rastësisht, dhe rrallë) e deri tek libraritë dhe bibliotekat klasike të qytetit.
Ju tregoj se nga dhjetra e qindra lidhje (links), ku natyrisht si gjithmonë gjatë kërkimeve është vetëm çështje ekspertize e ndarjes së shapit prej sheqerit, nuk më shmangën as info nga burime të tjera, të cilat gjithashtu janë burime të respektuara, që kanë emër, e njerëzit refererohen në to me shumë besim. Diç gjej edhe në Microsoft® Encarta®, diç edhe në publikimet e CIA-s. Diç dhe në Bibliotekën e Kongresit, diçka në Bibliotekën e Vatikanit, diç në Metropolitan Timeline, në Bibliotekën Kombëtare Austriake… etj. etj.
Déjà vu - II
Abraham Lincoln u zgjodh President në v. 1860.
John F. Kennedy u zgjodh President në v. 1960.
Për çudi, nga i gjithë kërkimi andej e këndej, nuk është se nuk mësoj asgjë të re lidhur me atë që kërkoj, prapseprapë ndiej se nuk ia arrij qëllimit të bëhem më i mençur për fjalën “Déjà vu”. Kjo, kuptohet, sipas kritereve të mia. Sqarimet shkencore të ekspertëve, pastaj mikset ndërmjet shkencës e joshkencës, termave shkencor e sharllatanizmave, ideve interesante e mjaft fascinuese të të tjerëve sa këtej, sa andej... ma rëndojnë kokën.
"Ti ke të bësh dhe tjera punë, sot!"- ky alarm më sjell në vete. Në orën time ngatërrohen përafërsisht
Më duhet ta ndërpres rrugëtimin tim pyllit të pafund virtual. Nuk jam i kënaqur por s'kam ç'të bëj. Më duhet të shkoj (sipas ca numrave në një copë letër këtu pranë tastaturës, letër e cila sikur pretendon se është axhenda ime, ai blloku i shtrenjtë me infot personale, ku shënohen data e numra të rëndësishëm, numra telefonash sekretë e josekretë, adresa, shifra, kode “personale”. Por ju tregoj se s'është ashtu. Vendi dhe fati i saj është në shportë. Mund edhe ta djeg fare lehtë. Sidomos tash, kur më trazon me kujtimin se do ta takoj zonjën van de Berg, në zyrën e saj).
Ia kam ngulitur sytë kësaj letre dhe më vjen ta shqyej... Më ndalon vetëm parafytyrimi i znj. van de Berg. Më ndalon shikimi i saj. Shikim që në moment të ngjall imagjinatën për akullnajat, për Siberinë, për Antarktikun.... Shikim që të bënë të imagjinosh të çarën e një akulli dikund në Veri dhe ti të jesh ajo balena nën akullin. Tek dyshon se mund të ngopesh frymë nëpërmjet asaj të çare. Por jashtë s’mund të dalësh. Jo tek ashtu, sepse akulli është i paskajshëm. Shtrihet si qiell i zi fare mbi kokën tënde.
Por, sidoqoftë, copëza e letrës shpëton. Duket (ose shihet) se letra ka fat.
Déjà vu - III
Që të dy (Lincoln dhe Kennedy) u morën dhe ishin të preokupuar me të drejtat e njeriut.
Gratë e të dyve humbën nga një fëmijë gjatë jetës në Shtëpinë e Bardhë.
Derisa koka fiksohet në trajektoren e rrotullimit të ndryshkur (kujtoni ata vinçat gjigantë, të porteve), shikimi im do të rrëshqasë prapë mbi ekran. Vëmendja ngulitet tek një titull. Çuditem, kah doli tash ky titull-titulush. Klikoj... Titulushi më shpie askund tjetër pos... drejt e në Yahoo (në fakt, çdo rrugëtim i imi virtual pak a shumë fillon nga Yahoo, aty fillimisht shikoj postën). Titull-titulushi më ktheu aty, nga ku isha nisur 1 orë më parë. Në Yahoo-në time të mrekullueshme, të lumturueshme. Them mrekullueshme e jo mrekullueshëm. Pse? Sepse unë vërtet nuk di nëse Yahoo duhet të jetë diç mashkullore apo femërore. Për mua Yahoo është faqe, e faqja në shqip është femërore.
Por mos ta harrojmë klithmën Yaahuuuuuu, siç klith psh. një "cowboy". Të njëjtën klithmë mund ta bëjnë edhe femrat, anipse ato janë "cowgirls". Femrat siç e dini s'mund të jenë "cowboys". Zëri i klithmës del më ndryshe, mirëpo s'ka rëndësi. E rëndësishme është se dhe femrat mund të klithin Yahuuuuuu.
Unë mendoj se Yahoo është emërtuar pikërisht sipas klithmës së një “cowgirl” nga Teksasi. Ajo ndodhej në një kazino kur papritmas kishte fituar një shumë të madhe parash. Si në kazino që mund të fitojë njeriu, s’duhet shumë kilifete. Pastaj, kur pati ardhur në vete nga gëzimi, s’kishte ditur ndryshe e ia kishte bërë një “yyyaahuuuuuuu” të gjatë me tërë fuqinë, si një “cowgirl” e kohës së Geronimo-s. Një djalosh që ishte ndodhur aty pranë, thonë se ishte trembur aq shumë sa kurrë s’e pati harruar atë trembje.
Disa vjet më vonë, djaloshi (dikur burrec, tashmë burrë) së bashku me një koleg të vetin themeluan firmën me emrin e çuditshëm, Yahoo! Djaloshi-burrec edhepse ishte shashtisur atëkohë, pati zbuluar se klithma yahuuuuu kishte diç elektrike, diç magjike në vetvete. Si dritat vezulluese të reklamave të Las Vegasit. Për këtë arsye ai ishte i bindur se emri që kishte zgjedhur, ishte emri më i bukur i planetit.
Sidoqoftë, njerëzit patën kujtuar se fjala është thjesht për një dyqan mokasinkash. Shitore mokasinkash për apaçët. Bile dhe njëfarë kryeplaku, thonë, me emrin Demi Që Nuk Mbath Mokasinka, me të dëgjuar për hapjen e dyqanit, kishte dalur nga wigwam-i dhe ia kishte thërritur me gjithë gurmazin, Yaaaahuuuuuuuu.
Déjà vu - IV
Të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u vranë ditën e Premte.
Të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u vranë me plumba në kokë.
Titull-titulushi më bën të ndiej përsëri respekt për Yahoo-në. Këtë Yahoo-në time që e përdor për 4-5 vjet rresht, në mos 6 vjet. Sall për email-at unë s'mund t'ua kthej kurrë hakun atyre djelmoshave të Yahoo-s. I përdor shërbimet e tyre pothuaj përditë, i përdor ende, as mendja s’më shkon t'i tradhtoj, t'i lë, t'ua kthej shpinën. Përveç nëse më lënë ata mua. Atëherë është diç tjetër, kuptohet. Përveç nëse marrë një letër nga ta, ku të lexoj:
“I nderuar Mr. Deja Vu,
me keqardhje ju lajmërojmë se shërbimi ynë i postës, pas një dekade shërbimi për gjithë njerëzit e botës, pa bërë dallime nëse janë amerikanë, malazezë, çifutë, kinezë, babilonasë, eskimezë, inkasë apo të ardhur nga Neptuni, nuk do të jetë tash e tutje falas...
Për fat të keq, s’është e mundur tutje të punojmë falas. E dimë se ju keni qenë ndër përdoruesit më të devotshëm, pa paguar asnjë cent për shumë vjet me radhë, por ne shpresojmë në mirëkuptimin tuaj...
Me nderime e shumë respekt,
Yahoo-djelmoshat”.
Një këso letre do t'ishte e ftohtë si ai telegrami që të sjell një lajm tepër të rëndë. Ose si një letër ku e dashura, ajo më e dashura, zemra, zemërushja... ta thotë troç, se të ka lënë përgjithmonë. Dhe ti e di mirë se ajo çfarë thotë letra është fundi, jo fundi i mesit, por fundi i vetë fundit.
Déjà vu - V
Sekretaresha e Presidentit Lincoln quhej Kennedy.
Sekretaresha e Presidentit J. F. Kennedy quhej Lincoln.
Sikur t’mos ekzistonte Interneti, e me këtë kuptohet s’do të ekzistonte as Yahoo, s’do ta njihja askend. Dhe anasjelltas. Kam njohur hiç më pak, por gjysmën e botës, falë tyre, falë Super-djelmoshave të Yahoo-s.
Përndryshe, s'do të kishte shans as vetë Superman-i (nëse doni shtojmë dhe Batman-in, Spiderman-in gjithashtu) t'i njihte gjithë "vilajetet" e principatat shqiptare, gjithë agjencitë e lajmeve, gjithë forumet kombëtare, artistike, patriotike, partiake… të gjithë aktivistët e organizatat etj. etj. Pra duke fluturuar nga sekondi në sekond (çfarë sekondi, ashtu do të vonohej: nanosekond, mili - mikro duhet të jetë…) për të bartur postën. Merreni me mend. Kapërthejeni nëse mundeni. Për secilin syresh të kësaj bote që i teket të shkruajë email.
Nuk them se Superman-i s'do t’ia dilte kurrësesi, por nga frekuenca e fluturimeve të tij do të ndalej koha. E edhe Toka do të dilte prej boshtit të vet. Sëpaku kështu Superman-i pati bërë në film një herë. Kur iu desh ta shpëtonte dikend, nëse s’gabohem një vajzë në të cilën qe dashuruar tinëz. I duhej ta ndalte kohën, ta kthente kohën mbrapa. Krejt nga dashuria. Po, po edhe Superman-at dashurohen! Mos u çuditni. Tek e fundit edhe ata njerëz janë, anipse janë Super. Tamam siç janë dhe Super-djelmoshat e Yahoo-s.
Në rastin e emailave, jua them se Superman-i nuk do t'ishte vetëm Super-Korrier apo Super-Pëllumb, por Super-Superman. Kështu dhe Spiderman-i do të kthehej në Super-Spiderman, edhe Batman-i në Super-Batman etj.
Déjà vu - VI
Në të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u bë atentat nga dorasë të Jugut.
Vendin e të dyve e zunë kandidatë (presidentë) nga Jugu të quajtur Johnson.
Por a i njohim vërtetë gjithë ata njerëz të email-ave, msn – yahoo-messenger – google korrespondencave?
Nëse do ta merrnim me mend gjithë korrespondencën e jetës, secilin email të shkruar e të lexuar, secilin mesazh në MSN, në Yahoo-messenger, në Google... telat do të digjeshin! Ihaaaaa, kalkulatori im u dogj. Ja, as gëk nuk bën.
Këso njohjesh mbase nuk mund të quhen kushedi çfarë njohjesh, por unë për veten time së paku e di se kam njohur anën më të mirë të tyre. Anën më të mirë të njeriut. E, edhe ata anën time, atë më të denjën. Sepse normalisht njeriu në shkrimet pasqyrohet më i miri, më i vërteti, më i sinqerti. Ana e shkruar është më e ndritura, më e ngritura. Klithma me shkrim është klithma më intelektuale që ekziston. Ai që është i turbullt, ai nuk mund të shkruajë. Edhe nëse ka aftësi të shkruajë, në ujin e turbullt s’pasqyrohet asgjë.
Ndërsa njerëzit që mund të shkruajnë kanë çiltërsinë e ujit të kthjellët, ku pasqyrohet shumëçka. Ata që mund të shkruajnë janë të kulturuar, të urtë, të civilizuar. Ata edhe nëse çirren, bërtasin, shajnë… në kupë të qiellit, sharjet e tyre mbesin më të kulturuarat se cilatdo forma tjera të sharjes. Sepse janë sharje me shkrim, intelektuale. Janë rezignata intelektuale. Janë klithma të një shpirti që, padyshim, nuk pajtohet me diçka, janë thirrje të një urtaku. Klithma me shkrim është klithma më e civilizuar që njeh njeriu.
Sikur që është dhe klithma e thjeshtë Yahuuuuu. Lexojeni një herë. Shkruajeni një herë. Dhe do të shihni sa klithmë e mrekullueshme që është. Të klithesh Yahuuuu nuk është ngashëm me klithmën tingullkeqe Kukuuuu! Absolutisht jo. Yahuuuuuuuu është klithmë e gëzimit të paskajshëm, e shfrenimit, pra kur këputen frerët e atij gëzimi…
Nëse s’keni kohë të shkruani së paku një herë në ditë Yahuuuuu, provojeni të thërrisni me tërë fuqinë që keni: Yahuuuuuuuuu! Mos mendoni për të tjerët. Mos vrisni mendjen se çfarë do të mendojnë ata kur t’ju dëgjojnë. Thjesht, krisjani. Pas dy ditësh edhe ata të tjerët do t’ju bashkohen.
Déjà vu - VII
Andrew Johnson, i cili u bë president pas Lincoln, kishte lindur më 1808.
Lyndon Johnson, i cili u bë president pas Kennedy, kishte lindur më 1908.
Të gjithë ata që kam njohur nëpërmjet emailave, i kam njohur, siç thashë më parë, falë djelmoshave të Yahoo-së. Dhe këta djelmosha kurrë s'më kanë zhgënjyer. Kurrë s'më ka ndodhur qoftë as një incident i vockël me emailat. Kurrë as nuk më kanë pyetur për gjë, as të paguaj diç. As një të vetmën herë, 1 dollar, 5 as 5 centë. Djelmosha korrektë, profesionalë sa s'ka njeriu si të jetë (profesionalisht) më profesional. Nuk hyj kurrë në hak të tyre, se vërtetë gjithmonë ma kanë mbajtur syrin çelë.
Nëse ndokush nga xhungla internetike hyn në hak të tyre, padyshim do të ndodhte ndonjë hata, ndonjë tërmet, ndonjë vërshim... Apo do të ndodhte ndonjë eklipsim i gjithë diejve në Cyber Space, jo aso "temporary" por "permanently".
Déjà vu - VIII
Lincoln u vra në teatër dhe vrasësi pati ikur (të fshihej) në një shtëpi mallrash.
Kennedy u vra nga të shtënat prej një shtëpie mallrash, ndërsa vrasësi pati ikur në një teatër.
Ja, tash përsëri Yahoo dëshmon se mund të mbështetesh në klithmën Yahuuuuuuu. Yahoo- djelmoshat janë maza, ajo maza më e ëmbël e Internetit. Tash doli se këta paskan nisur një modul të ri brenda Yahoo-ngrehinës të quajtur "…Ask, Answer, Discover" (... Pyet, Përgjigju, Zbulo). Bukur shumë. Titulli që përmenda më lart, e që më solli në këto faqe, lexonte “E dini se ç'është Deja vu?”. Kjo është një pyetje pra, ngjashëm si e imja.
E pranoj: kurrë s'më ka shkuar mendja se Yahoo merret dhe me Deja vu e këso gjërash! Unë e di se ata merren me emaila, me lajme e me çfarë tjetër jo, por sa për Deja vu s'do t'i pyesja kurrë. Jo se ata nuk i dinë këto hesape, por se s'duan të merren me to. S'kanë motivacion.
Siç e shihni, zbulova se edhe dikush tjetër qenka i interesuar. Njëjtë si unë. Nuk jam i vetëm, fillikat… mirëpo dreq o punë, s'kam më shumë kohë sot. Shikoj orën me nguti. Drita e kuqe është ndezur qysh moti. Letra që pata falur, edhe ajo më vështron me ca sy të kuq.
Sidoqoftë, kërcej në faqet fringo të Yahoo-s, aty ku më josh shpresa se do të gjej përgjigjen. Mendoj: “ta regjistroj në Favoritet faqen përkatëse, kur të kem kohë ndoshta kureshtja ime do t’ngopet kënaqshëm rreth problemit Déjà vu”! Ashtu dhe bëj. Ja browser-i u mbyll.
Kam disa minuta të ik. Çdo vonesë do të rezultojë në probleme. Tjera pasoja gjithashtu, në vajtje-ardhjet e mia. Pyet, Përgjigju, Zbulo. (Nganjëherë, më shumë më pyesin, e unë fare. Nganjëherë Pyes dhe unë. Nganjëherë kot Pyes, kot Përgjigjem, kot më Pyesin). Kthehu prapë nga e para, prapë në fillim. Nisu dhe kthehu. Shko dhe eja... si një PP, Pyetje-Përgjigje që nuk ndalet, e pafund. ADN-ja e Cyber-Majmunit të Xhunglës. Mund ta merrni me mend sa shumë PP janë në atë ADN?
Vallë, mos e gjithë kjo është vetëm një faqe nga Cyber-Manifesti, ai i integrimit kozmik… me aktin kreativ të Vullnetit të Mirë të njeriut!? Por jo, nuk është. Sepse nga kjo prizmë do t’mund t’i kuptonim edhe shërbimet falas të Yahoo-s. Kjo xhungël është diç tjetër, xhungël e sojit të vet është.
Ndonëse në këtë xhungël s’ka biomasë siç është rasti me xhunglën e Tarzanit. Edhe vetë njeriu në botën reale është thjesht një grimcë e biomasës së planetit, edhe vetë Tarzani ishte. Të gjitha racat e majmunëve në fakt.
Vallë çfarë majmunësh mund të ketë në një dimension pa biomasë?! Çfarë majmuni jam pikërisht unë? Shimpanzë apo Gorillë! Cyber-Majmun i Etur, apo i Uritur! Cilado të jetë, s'ndryshon asgjë. Identifikimi final: Majmun i Pangopur, në eksplorimin e mbretërisë xhunglore të çuditshme. Pa biomasë. Parasysh më vezullojnë reklamat: Enciklopedia e Xhunglës, Wikipedia xhunglore, Encarta e Xhunglës. Habitat ideal i xhunglorëve.
S’dua të dëshmoj asgjë, unë vetëm pata dëshirë që ta shihni se Pyetjet nuk kanë të sosur… Athua e di kush sa cyber-majmunë kyçen e çkyçen çdo sekond në Cyber-xhunglën e planetit Tokë!? Dikush e di, por ai sigurisht do t’ma kthente: “Nuk është punë për ty!”.
Më mban të fortë vetëm fakti se nuk jam i vetëm. E kuptuat si pata humbur shpresën për atë Deja vu-në, por zbulova se ka edhe të tjerë që kërkojnë si unë? Përndryshe as që do t'ishte shpikur kjo xhungël.
Betohem se unë nuk e kam shpikur. Ndonëse, këtë e dini dhe ju vetë.
Fund
Për ata që mendojnë “ndryshe” nga unë lidhur me Déjà vu!
Abraham Lincoln u zgjodh në Kongres, në v. 1846.
John F. Kennedy u zgjodh në Kongres, në v. 1946.
Abraham Lincoln u zgjodh President në v. 1860.
John F. Kennedy u zgjodh President në v. 1960.
Që të dy (Lincoln dhe Kennedy) u morën dhe ishin të preokupuar me të drejtat e njeriut.
Gratë e të dyve humbën nga një fëmijë gjatë jetës në Shtëpinë e Bardhë.
Të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u vranë ditën e Premte.
Të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u vranë me plumba në kokë.
Sekretaresha e Lincoln quhej Kennedy.
Sekretaresha e Kennedy quhej Lincoln.
Në të dy presidentët (Lincoln dhe Kennedy) u bë atentat nga dorasë të Jugut.
Vendin e të dyve e zunë kandidatë (presidentë) nga Jugu të quajtur Johnson.
Andrew Johnson, i cili u bë president pas Lincoln, ishte i lindur më1808.
Lyndon Johnson, i cili u bë president pas Kennedy, ishte i lindur më 1908.
John Wilkes Booth, i cili vrau Presidentin Lincoln, ishte i lindur më 1839.
Lee Harvey Oswald, i cili vrau Presidentin Kennedy, ishte i lindur më 1939.
Të dy vrasësit (atentatorët) njiheshin me emrin e tyre – trini.
Emrat e të dy vrasëve përmbajnë nga pesëmbëdhjetë shkronja.
Lincoln u vra në një teatër të quajtur “Ford”.
Kennedy u vra në një veturë të markës “Lincoln”, fabrikuar nga “Ford”.
Një javë para se Lincoln të vritej, kishte qenë në Monroe, shteti Maryland.
Një javë para se Kennedy të vritej, ai ishte së bashku me Marilyn Monroe.
Lincoln u vra në teatër dhe vrasësi pati ikur (të fshihej) në një shtëpi mallrash.
Kennedy u vra nga të shtënat prej një shtëpie mallrash, ndërsa vrasësi pati ikur në një teatër.
Të dy vrasësit e presidentëve, Booth dhe Oswald u likviduan para se të gjykoheshin.
Të dhënat për presidentët, përkthyer nga S. Guraziu.
Burimi: Yahoo! (natyrisht!!!)
Ilustrimi: Yaaahhhuuuuuuu (Digital Cowboy)
2006