Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Hajdin Morina

| E marte, 07.12.2010, 10:57 PM |


Hajdin Morina

 

 

ZJARRI I JASHARËVE

 

Në fillim të marsit 1998

Kosovës pak qiell

I kishte mbetur mbi kokë

Nuk jetohej aq ngushtë

Pa dritë pa blerim

 

Dhe Ademi me Jasharë bënë zjarr

Tokë e shpirt mbushën me zjarr

Të zhbëhej zhbërja jonë

 

Dhe Kosova bëri qiell për diell

 

Në fillim të marsit 1998

Qielli digjte saç

Qielli deshi t’i binte

Kosovës përmbi kokë

 

Por sakaq

Qielli që digjte saç mbi Prekaz

Si një shqiponjë fluturoi lart

 

Pas mijëra vjetësh

Një Promethe tjetër

Për liri bënte zjarr

Adem Jashari

Në Prekaz ndër Jasharë

 

 

FJALA FJALË

(Poetit Din Mehmeti)

 

Fjalën e linde fjalë

I vure plis mbi kokë

E mbushe plot Kosovë

 

Kullë e bëre mendimin

Kullë trimëreshë të Dukagjinit

 

Shpeshherë Baclok nuk e di

A më kanë mbuluar vargjet

A në Det më mbytën dallgët

 

Kur shtegtoj vargut të dhimbjes

Nënën time e gjej tek ma arnon

Me arna të ngrohtë

Këmishën e shkollës

Këmishën më të bukur të jetës

 

Nuk e di Baclok a jam fëmijë

A jam bërë Kosovë në një metaforë

 

Krisja në kupë të qiellit

Në kupë të qiellit krisja

Baclok pashë besën

 

Të mos shemben kullat e moçme

Të mos shkrihet mbi bjeshkë bora

Plisi i bardhë i kryengritjeve tona

 

 

MË DJEG MALLI PËR NËNËN

 

Sa s’kanë filluar të më dridhen gjethet në shpirt

Mund t’ju them vetëm kaq:

Nëna ime ka vdekur më 26 korrik 2006

Mos më bëni më pyetje për nënën time

Mos më bëni më pyetje për dhimbjet e saj

 

Vështirë të shkruaj shumë vështirë të flas

I lutem qiellit për një det shi për lotët e saj

 

Hap shpirtin të fryjë pa pushim jugu

Të fryjë mbi gjethet e ftonjve që mbolli nëna

Dhe mbi gjithçka tjetër që mbolli e rriti ajo

 

Lutem dallgët të fryjnë pa pushim të fryjnë

Mbi sëmundjet e Kosovës që nënën ma morën

 

Nuk e di në cilin qiell të Universit

Mund të çmallem me nanën