Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Marshi i Barabajt

| E marte, 07.12.2010, 10:58 PM |


Marshi i Barabajt

 

Nga Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

Kur isha i vogël lexoja shumë libra. Midis tyre kisha një më të preferuarën. Ishte romani per fëmijë “Liza në botën e çudirave” të shkrimtarit Lewis Caroll. Bashkë me romanin edhe unë rroja në botën e çudirave. Por kur e përfundoja atë mësoja se personazhet e tij nuk ishin gje tjetër veçse një palë letra bixhozi. Letra bixhozi që manovroheshin nga pokeristë mjeshtra.

            Kjo lojë vazhdon edhe sot që kam arritur moshën e pleqërisë. Pokeristë mjeshtra , nën shembullin e atyre të  kohës se fëminisë time, vazhdojnë të luajnë me disa fatkeq që janë bërë karta bixhozi në duart e tyre.  Sot dëgjojmë të çirren dhe bërtasin për demokraci apo shkelje të të drejtave të njeriut shumë prej atyre që në të kaluarën bënin pjesë në atë që quhej klasa udhëheqëse e shoqërisë socialiste. Të tillë ishin edhe drejtuesit e “kllasës puntore” apo kryetarët e Bashkimeve Profesionale, siç quheshin në atë kohë. Madje ndonjërit prej tyre i ishte mbushur mendja se ishte dhe poet, ndaj zhgaraviste poezi të cilat i botonte neper fletushkat e kohes. Natyrisht, kujt ia mbante të mos i botonte “veprat” e kryetarit të Bashkimeve Profesionale, sidomos kur militonte në një nga veprat e famshme energjetike të pesëvjeçarve. Doni të mësoni disa vargje nga një poezi e tij? Ju a tregoj unë:

                                                Ne jemi shokët e Ismetit 

Të Shkurtës, Agronit, Ademit...

Libër

pushkë

e kazëm

Gati do t’i kemi

 kurdoherë. 

            E pra ky bandill, papritur dhe pakujtuar, pas ndryshimeve demokratike na u shndërrua, brenda njëzetekatër orëve, në një luftëtar të demokracisë dhe doli në ballë të saj, madje zuri edhe poste të rëndësishme qeveritare si ai i Zëvendëskryetarit të Komitetit të Përndjekurve Politikë dhe më vonë, kur pushtetin e kishin socialistët, e emërojnë Drejtor të Institutit të Përndjekurve Politikë.          Me kalimin e viteve dhe me largimin e tij nga këto poste, xhonglerit tonë i lindi idea të krijonte një shoqatë të përndjekurish politikë. Grumbulloi firmat e nevojshme, ju e kuptoni që në këtë vend nuk është e vështirë të mbledhësh firma, dhe themeloi shoqatën së cilës i vuri një emër të madh: ” Shoqata Mbarëkombëtare e të Përndjekurve Politikë” (a thua se aktiviteti i saj shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut, kudo ku banojnë shqiptarë) dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj. Por fatkeqja shoqatë nuk ka as degë nëpër rrethe, as seli, as rregjistra me listat e antarve, as libreza antarësie, por ka vetëm Sekretarin e Përgjithshëm. Ka edhe një kryetar, një ish i burgosur politik, por ku i le shteg sekretari kryetarit. Çuditërisht sekretari shkruan nëpër gazeta, flet nëpër televizione, mban konferenca shtypi, madje është edhe përfaqësuesi i shoqatës (sipas disa zërave na qenka përfaqësuesi i të gjithë të përndjekurve të Shqipërisë) pranë Presidentit të Republikës.

            E pra ky përfaqësues na boton një shkrim në të cilin i kundërvihet  shkrimit tim me titull “Kurora e vetmuar”. Natyrisht kushdo ka të drejtë të botojë  mendimet  e  tij  për

ndonjë shkrim. Por halli i heroit tonë nuk paska qenë ky shkrim, por një tjetër ku, sipas tij na qenka cënuar personaliteti i Presidentit të Republikës. Do t’i thoja zotërisë në fjalë që të mos merakoset shumë për presidentin pasi nuk është zëdhënësi i tij. Presidenti, po ta shoh të arsyeshme, ka zëdhënsat e tij zyrtarë. Megjithatë dua t’i them se nuk jemi kundërshtarë të Presidentit. Do t’i sugjeroja, lidhur me këtë, të lexonte shkrimin tim me titull “Besoj te Bamiri” botuar në gazetën “Tema” datë 18 korrik 2008. Por është e drejta e jonë që për gjëra që i kosiderojmë të padrejta të shprehim opinionin tonë. Këtë e kemi bërë edhe me Kryeministrin me shkrimin “Letër e hapur” botuar në gazetën “Republika” datë 1 korrik dhe “Standard” datë 3 korrik 2007. Po ashtu e kemi bërë edhe me Kryetaren e Kuvendit me shkrimin “Heshtja që vret” datë 6 gusht 2010. Në qoftë se ka kureshtje, zotëria të shkojë në Bibliotekën Kombëtare dhe do t’i gjejë gazetat në fjalë.

            Tani edhe pak fjalë edhe për sa kam shkruar në dy shkrimet e mia. Në ditën e pavarësisë shkuam te varret e të rënëve nga diktatura komuniste pasi e konsideruam si detyrë themelore tonën. Edhe kurora e vendosur nga ana e jonë, ndonse e vetme, u bënte sfidë kurorave të shumta të vendosura në monumentin “Nëna Shqipëri”.

            Shumë vonë je kujtuar për heqjen e yllit komunist nga varrezat e dëshmorëve të kombit. A e dini se më 28 nëntor 1991, kur ylli nuk ishte hequr ende zyrtarisht nga flamuri kombëtar, dy djem të rinj vlonjatë hipën në shtizën e flamurit në Vlorë  grisën dhe dogjën yllin nga flamuri që socialistët kishin ngritur. Ju jeni njeri i lexuar! Si nuk paskeni lexuar nëpër shkrimet e botuara ndër vite nëpër faqet e gazetave nga ana e jonë për këtë çështje?

            Sa për çështjen e dekorimit të martirit Havzi Nela, dua t’i bëjë me dije Presidentit të Republikës   se ju e keni mashtruar duke i thënë se trashëgimtarja e tij është ish e shoqja. I kujtojmë presidentit vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës me Nr. 98 datë 25.05.1985 (pra mbi tre vjet para ekzekutimit të martirit), në të cilin thuhet:

            Gjykata e Rrethit Kukës ka vendosur:

            Zgjidhjen e martesës ndërmjet paditëses Jallda Nela dhe të paditurit Havzi Nela për fajin e përbashkët

            Ky vendim ka marrë formë të prerë më datë 04.06.1985.”

            Ndërsa në aktin e trashëgimisë Nr.849 datë 29.03.1993, lëshuar nga noteria e rrethit Kukës Hatixhe Gojani thuhet:

            Të lëshojë dëshminë e trashëgimisë për trashëgimlënësin Havzi Shaban Nela, duke përcaktuar si trashëgimtarë të vetëm të rradhë së tretë vllezërit Asllan Shaban Nela dhe Shaban Shaban Nela si dhe motrat Sale Shaban Nela (Dafku) dhe Lefije Shaban Nela (Sahitaj).”

            Por ju nuk jeni mjaftuar me kaq. Keni depozituar në Ministrinë e Drejtësisë një  çertifikatë familjare fallso të vitit 1988 ku Havzi Nela figuron së bashku me ish gruan e tij.

            I drejtohemi Presidentit të Republikës që t’i shqyrtojë këto raste dhe i rekomandojmë që të shkëputët sa më parë nga këta klloun mashtrues, pjella të sistemit të përmbysur. Ata në asnjë mënyrë nuk mund të përfaqësojnë shtresën e të përndjekurve politikë pranë një institucioni të tillë siç është Presidenca.

            Janë pikërisht këto arsyet që mendoj se Shqipëria, ashtu si Liza e fëminisë time, ndodhet në botën e çudirave. Dhe për ta mbyllur para syve më dalin vargjet e Nolit të madh që i perifrazon këta tipa në këtë mënyrë:

                                   

Allallah, o rezil e katil, allallah,

Shtroni udhën me hithër edhe shtok, turfanda,

Gumëzhit o zinxhir e kamzhik batërma,

Lehni laro, kaba, hosana Baraba!