| E diele, 30.12.2007, 12:09 PM |
Nga Alma Mile
![]() |
Albert Verria |
Kjo nuk është edhe aq e lehtë, pasi “sikundër dhe aktorët e tjerë, nuk kemi asgjë të përbashkët me këto karaktere”. Edhe pse është e qartë që për të realizuar një karakter të tillë duhet të kesh “stofin” e duhur, Verria është modest dhe thotë se meritë të veçantë në vizatimin e karaktereve dhe në tjetërsimin nga një figurë në tjetrën, kanë regjisorët, që sipas tij ia kanë zbërthyer deri në detaj karakteret e personazheve.
Pavarësisht roleve të spiunëve e bejlerëve, roli që e ka bërë të famshëm Verrinë është ai i xha Sulos, tek filmi “Kapedani”. Një nga filmat më të dashur për publikun shqiptar, i famshëm për batutat “Kur të shkul mustaqen e majtë ti do të shkrehësh topin e majtë…”, “Me kë e pe me atë me xham, apo me atë pa xham”, apo “Kujt i bën Dapi – Dupi ti more!”… Batuta, që jo vetëm të bëjnë të qeshësh sa herë i dëgjon, por që kanë hyrë dhe në zhargonin e përditshëm. Kur ka luajtur këtë rol, Verria ka qenë vetëm 32 vjeç, ndërsa duhet të futej në lëkurën e një të moshuari. Sigurisht që nuk ishte e thjeshtë. Ishte një aventurë që ndërmerrnin regjisorët Fehmi Oshafi dhe Muharrem Fejzo, që zbuluan nën mimikën e Verrisë, aktorin e duhur për rolin. “Duhet të shikoja plastikën, të mbarsja veten me mendime patriarkale, konservatore, gjë që unë si Albert nuk i kisha dhe mbi të gjitha duhet të urreja dhe femrat, që ishte jashtë dëshirës sime”. Verria pranon se ka qenë një punë vërtet e vështirë, por që teksa e sheh në ekranin e televizionit, si një ndër filmat e rrallë që i ka rezistuar kohës, beson se ia ka dalë deri në fund. “Roli i xha Sulos më ka dhënë emër dhe kënaqësi. Kam qenë vetëm 32 vjeç dhe filmi është realizuar në vitin 1970. Më ka bërë një publicitet të jashtëzakonshëm, por më ka bërë edhe dëm, sepse më mbajnë të gjithë si armik i betuar i grave. Mund të jem në rol, por si individ i respektoj dhe i dua shumë”, - thotë Verria duke qeshur, i cili vetëm një muaj më parë u shfaq në skenën e “Këngës Magjike” nën petkat e Xha Sulos, duke “flirtuar” me Çiljetën.
Gjatë karrierë 45-vjeçare, ka realizuar mbi 100 role në film e teatër. Momentalisht po përgatitet për një tjetër film televiziv me 15 pjesë xhirimet e të cilit fillojnë rreth muajit mars. Sërish një nga ato rolet “negative”. “Ç’ti bësh”, - thotë Verria, i cili edhe pse ka një personalitet artistik të skalitur në detaje, është në merak të vazhdueshëm. E ndien dashurinë e spektatorit dhe kjo e bën të ndiejë përgjegjësi edhe më të madhe karshi tij. “Duhet të ruaj reputacionin tim, ndryshe humbas gjithçka. Kjo është lufta ime e përditshme me djallin që kam brenda vetes.”