| E hene, 06.12.2010, 10:49 PM |
Kostaq Duka
Cikël me poezi
Tefta Tashkos ne 100-vjetorin e lindjes.
Po vjen
perëndeshë e bukurisë
fytyrë larë, fytyrë lëmuar në krojet e fshatit tonë,
ëngjëllorja, magjiplota,
syshkruara,
shtëllungë drita e rrugicave të kalldrëmta.
Po vjen
me bilbilat e pyjeve halore të Moravës mbi supe,
me zërin qiellor që hap dritare e portë,
që drithmëron zemrat vajzërore
e tek syri i plakur bën të rrjedhin lotë...
Po vjen,
drita e jetës, fytyra e Korçës, princesha Teftë!
Klithma
Ne mes të sheshit
Para Kishës se Ringjalljes
Dhe grehinës se shtetarëve duart ngriti drejt qiellit e klithi:
Ku jeni, ku jeni qytetarë?!
Zëri humbi tej Moravës tek kryq i lartë në majë u përplas.
Ata që ecnin brinjas tij thërmuan nëpër dhëmbë fjalën: ç’bën ky i marrë?!
Ku jeni qytetarë, ku jeni....?!.
Pastaj këmbët tërhoqi zvarrë
Asfaltit duke lënë një vragë........
I helmuar për humbjen e vetes
Të qytetit
Të rënë në vorbullën e mediokritetit e marrëzisë
Vetvrasjen shpalli:
Aktin e fundit tragjik të qytetarisë.
Mashtrimi i vetes
Shpesh buzëqeshim
Kur së brendëshmi urrejtjen përziejmë
Bëjmë kryqin
Kur fenë e vlerësojmë thjesht sajesë
Shkojmë të prostituojmë
Pasi kemi dhënë leksione për besnikëri bashkëshortore
Derdhim lotë
Mbi arkivolin e njeriut që gjalljen s'ja dëshirojmë....
Dhe kështu....ecim si “qytetarë”
Që në lindje deri në plakje.
Ngarkuar me ëndrra përsosmërie
Edhe pse errësirës shkëmbejmë në treg të "ndaluarat" e kësaj bote.
Tualeti….
Filloi tualeti i krishtlindjeve
në krahët skeletore të pemëve...
Në sallonin e bukurisë
vajzat e reja
përtërijnë në tone të çelura fytyrën e pleqërisë.
Nëntor 2010