Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Çezar Kurti

| E hene, 06.12.2010, 10:28 PM |


Çezar Kurti u lind në vitin 1935.

Ka kryer studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik 4 vjeçar (Gjuhë dhe Letërsi Ruse) më 1957 dhe në vitin 1964 kreu Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.

Punoi si redaktor-përkthyes në Agjencine Telegrafike Shqiptare deri kur u emërua pedagog në Universitetin Shtetëror në Tiranë në vitin 1962.

Më 1973 u emërua shef i katedrës së gjuhës dhe letërsisë ruse.

Në vitin 1976 ''për mungesë vigjilence dhe zbutje të luftës së klasave'' e larguan nga Universiteti dhe e dërguan me punë të detyruar në Minierën e Bakrrit në Kurbnesh të Mirditës, ku punoi si punëtor nëntoke.

Në vitet 1981-1989 punoi si mësues në shkollën e Mesme të Maminasit në rrethin e Durrësit.

Nga viti 1976, kur botoi përkthimin e tregimeve të Gallsworthit "Shpëtimi i Forsajtit", atij iu ndalua botimi për dhjetë vjet rresht.

Në vitin 1985 mundi të botonte përkthimin e veprës së Eskilit "Prometeu i Lidhur", ndërsa në vitin 1989 redaktoi romanin e Tolstoit "Lufta dhe Paqja".

Ka përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë botërore, si "Ferri" të Dante Aligerit, "Kujtime nga Shtëpia e të Vdekurve" të Dostojevskit, "Toka e Njerëzve" të Antoin De Sent Exupery, "Zadigu ose Fati" të Volterit, ''Sonete'' dhe ''Antoni dhe Kleopatra'' të Shekspirit etj.

Ceazr Kurti është autor i librave "Learn Alabanian - Mësoni Shqip" per lexuesit anglisht-dhe rusishtfoles dhe "Bashkëbisedues Shqip-Anglisht".

Zoti Kurti është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: anglisht, rusisht, frëngjisht, italisht.

Është i martuar me zonjën Adelina Gina dhe gëzojnë dy fëmijë intelektualë, një vajzë dhe një djalë.

Vajza e tyre ka mbaruar doktoraturen PHD për sociologji. Punon pedagoge në Fordham University në Nju Jork, ndërsa djali, vazhdon studimet master's degree.

Jeton bashkë me familjen e tij në Nju Jork, Sh. B.A.

 

Përgatiti: Pierre-Pandeli Simsia

 

 

Çezar Kurti

 

 

Nata njujorkeze


Në monitor nata njujorkeze me yje,
me yje - pikla në sfondin sterr të zi.
Dhe unë rri shoh si yjet bien mbi grataçiele
Duke lënë një bisht të ndritur pas.
Kështu pata parë qiellin me yje
nga maja e Kulmeve të Dervenit,
kur dilja natën nga turni i tretë.
Dhe isha i kënaqur që nuk i shihja
nga prapa telave me gjemba
apo nga vrima e vockël e qelisë.
Sa herë pata vendosur të mësoja
yjet dhe emrat e tyre në hartë,
sikur ta dija se kurrë s'do më shqitej nga pamja
qielli natësor me yje.
Dhe ja tani vështroj natën e Nju Jorkut
në ekranin e monitorit.
Dhe të afërmit e mi të dashur
ndodhen larg, larg,
përtej detrash, oqeanesh,
dhe unë nuk e di
në ç'drejtim t'i kërkoj,
sepse kurrë nuk mësova
të gjejë Arushën e Vogël
dhe as yllin polar,
dhe pse e dija që e kam mallkim
të kundroj yjet në natën sterr të zezë,
larg, shumë larg nga të dashurit e mi,
dhe tani edhe nga mëmëdheu im.

 

 

Ankth


Përse ky ankth më ka pushtuar
Dhe mendjen po ma pështjellon?
Një zor ndiej krejt të papërshkruar,
Që trup e shpirt m'i drithëron.
Nga botë e huaj i rrethuar
S'gjen qetësi ky shpirti im,
Veç hije rri duke kërkuar
Në dhe të huaj, në mërgim.
Ato që dua s'i shoh dot,
Ato që shoh nuk më gëzojnë,
Dhe endem unë nëpër botë
Me hijet tok që s'më lëshojnë.

 

 

Sa të vij tek ti


Jam ulur para monitorit,
në zgavellën e Bronxit.
Katërmbëdhjetë vjet shkuan
që kur i mbylle sytë përgjithnjë.
Dhe më le vetëm,
kur kisha aq nevojë për ty.
Dhe ike e dëshpëruar,
e plakur, e drobitur,
kur duhej të ishe e lumtur.
O zot, si më shtrëngon në zemër,
kur mendoj se u bëra shkaku
i pezmit tënd të pasosur.
Dhe kurrë s'më the një fjalë qortimi,
gjithnjë më dhe kurajo.
"Kurajo, mik!" më thoshe
kur shpresat i humbisja
dhe në heshtje psherëtija.
Dhe më tregoje përrallën e "Ofi" -t.
Dhe dilja për të kërkuar "Ofi"-n"
duke e ditur se "Ofi" yt
ish pa mbarim.
Pa mbarim
deri sa i mbylle sytë
atë ditë të ndezur prilli,
kur qielli dhe ajri
dukeshin si të flakaritur.
Dhe ti mbarove në krahët e mi,
më shikoje me sytë e zmadhuar
dhe s'më përgjigjeshe dot.
Dhe të thirra
e të thirra më kot
deri sa ngrive e tëra.
O zot i madh, sa të vij tek ti edhe unë.
Sa të vij dhe të shtrihem tek këmbët e tua
në harrim!

 

 

Zgavella moderne


Përsëri në zgavellë?
Përsëri në punë të detyruar...
Nuk kam më zhele,
s'më janë gjakosur duart nga lopata,
s'më dhëmbin as këmbët as krahët
nga shtytja e vagonit,
por i njëjti ajër i ndotur
në një zgavellë moderne.
Kurrizi më dhemb
i kërrusur gjithë ditën
përpara monitorit,
duke shtypur
tërë idiotësitë e botës.
Dhe kur dal nga zgavella,
nuk shoh më pyllin e gjelbërt,
nuk thith më ajrin e pastërt
të Kulmeve të Dervenit.
Endem midis thasëve të zinj
me garbixhin e ndotur të Bronxit.
Eci rrugës para vitrinave plot dritë,
para dyqaneve të mbushura plot,
me mllefin e vazhdueshëm
përse të jemi kaq të varfër,
dhe me frikën në zemër
se dikush më kall një thikë pas zverkut.
Kur dal nga zgavella,
thith ajrin e ndotur të Bronxit
dhe s'kam më shpresa të vagëta
si në Kulmet e Dervenit.
S'shoh asnjë dritë përpara
kur dal nga zgavella moderne
e Bronxit të New Yorkut.

 

 

Në endërr a kllapi?.

 

Nuk di në jam
në ëndërr a kllapi,
Por veten shoh
të shtrirë gjatë e gjerë,
Zë trupi im
hapësirën pa kufi,
Ky trupi im
zë Shqipërinë e tërë.
Përsipër sorra,
korba më vërtiten,
Përqark plot hiena,
qenër angullijnë,
Si t'isha kërmë
ata nuk po më shqiten
Që të më shqyejnë,
të më përpijnë.
Si shqip, sllavisht,
greqisht a dreqërisht
Me korbat
qent' e hienat ulurasin,
Pastaj mbi mua
turren qenërisht,
Nga kockat mishin shpejt
që të ma zhvasin.
S'duroj dot korbat
mishin kur ma grijnë,
As hienat
kur kockat m'i lëpijnë.

 

 

Lutje për Riçin


Të lutem, Zot, ndihmoje motrën time.
Të lutem, nënë, lutju Zotit
Që ta ndihmojë Riçin.
Është e sëmurë Riçi,
Është lodhur e po vuan.
Ndihmojeni, ju lutem,
Shpëtojeni, ju lutem.
Gjithë jetën ndihmoi të tjerët,
Gjithë jetën u cfilit për të tjerët.
Kurrë nuk u ankua,
Gjithnjë e urtë,
Kurajoze, vetëmohuese.
Ndihmojeni, ju lutem,
Shpëtojeni, ju lutem!
Ndodhem larg e s'mund t'i rri pranë
T'i japë zemër, t'i japë kurajo,
T'ia lehtësoj vuajtjet,
Të vuaj edhe unë bashkë me të,
T'i marr një pjesë të vuajtjeve.
O Zot, ndihmoje, o Zot,
Dhe ti, nënë, lutju Zotit ta ndihmojë!

 

 

Kurrizin unë i ktheva shpejt veriut


Kurrizin unë i ktheva
shpejt veriut.
Kam para diellin,
qiellin tok me det,
Kam Moln' e Robit,
Malin e Njeriut,
Dhe prapa tij
një mall e një qytet.
Më vjen ndër mend
ai çast në vegjëli,
Kur prapa malit
krejt e xixëlluar
Një fashë ergjendi
bredh në kaltërsi
Dhe ik nga ne me vrap,
me t'iu afruar.
Më kot nga deti
unë e hedh vështrimin,
Më kot të mbushem pres
me kaltërsi,
E humbën det e qiell
krejt shkëlqimin,
Gëzim s'më japin
si në vegjëli.
Mbyll sytë me kurrizin
drejt veriut
Dhe xixat shoh
pas malit të Njeriut.

 


Çdo gjë e shoh?

 

Çdo gjë e shoh
siç është në t'vërtetë,
syhapur qark
kur rri duke vështruar,
më duket toka - tokë
dhe deti - det,
më duket bota
krejt e përcaktuar.
Dhe rri e shoh
si t'isha i nemitur,
çdo gjë që mua
qark më ka rrethuar!
Por kur mbyll sytë
si për të dremitur
çdo gjë më duket
krejt e pështjelluar.
Më ngjan se varet
toka përmbi det,
dhe deti ngjan
si t'ishte ngurtësuar,
çuditem, shtangem,
kur si t'ish vërtetë
mbi det shoh tokën
kokëposhtë kthyer.
Me sytë hapur
ndihem i nemitur,
Me sy të shqyer
rri duke dremitur.

 

 

Buçet e ulurin furneli


Buçet e ulurin furneli i thellë
Nga mija zëra kërcënues, të frikshëm,
Veç tym e mjegull pa pushim ai vjell,
Kandili vezullon krejt i përzishëm.


Nga gjumi zgjohem unë krejt papritur,
Vështrimin n'errësirë hedh më kot,
Oh, në skëterrë më kanë vërvitur,
Që kurrë i gjallë të mos dilkam dot.


Me flakn'e zemrës dritë e bëj errësirën,
Me flakn'e zemrës terrin unë e çaj,
Sa zemra zemrës sime shpesh i thirrën,
Që nga skëterra shpejt në dritë të dal!

 

 

Përkthime nga Cezar Kurti

 

William Shakespeare 

"Sonete"

 

XXVIII
Si mund të ndiekam sërish gëzim,
Kur s'kam të drejtën as për të pushuar ?
Ngacmime ditën, natën plot trazim,
Si ditën natën ndihem i dërrmuar.


Dhe ditë e natë - armike aq të vjetra -
Shtrëngojnë duart për të më munduar,
Me punë njëra, me ankime tjetra,
Që larg prej teje rri i përmalluar.


I bëra qejfin ditës dhe i thashë:
Ti qiellin plot me re e hijeshon,
Të zezën natë pa e mburrur s'lashë:
Kur yjet zbehen, mbrëmjen ti praron.


Si dita, vuajtjet dita bën të gjata,
Si nata, dhembjet shton më shumë nata.


XXX


Kur para gjyqit të mendimit heshtur
Kujtimet ndjell të kohës që ka shkuar,
E shoh si humbjet shtohen pa u reshtur,
Dhe qaj me lot që s'paskan të pushuar.


Përloten sytë e mi nga dëshpërimi
Për shokë e miq që vdekja fsheh në varr,
Për dashurinë e humbur nga trishtimi
Po tretem unë e mbeta duke qarë.


Vajtoj me dhembje dhembjet e dikurshme,
Nis me rënkime duke numëruar
Një varg të gjatë humbjesh të pashlyeshme,
Që prapë i qaj dhe pse i kam vajtuar.


Por kur mendoj për ty, o mike e dashur,
Më ngjan se humbje kurrë s'paskam pasur.


XXXII


Po mbete gjallë deri atëherë,
Kur vdekj' e ashpër hi më bën e pluhur
E fati i ringjall edhe një herë
Ca vargje që t'i la një mik i humbur,


Dhe vargjet krahason me poezinë,
Që shkruan rinia ku e ku më mirë,
Të miat duaji për dashurinë,
Rinisë çmoji rimën e arrirë.


Më ngushëllo, e dashur, me mendimin:
"Me kohën muzë e mikut t'ishte rritur,
Më ngrohtë do ma bënte përkushtimin
Dhe majat më të larta kish arritur.

Ai vdiq. Dhe pse këndon më mirë rinia,
Ajo ka stil, tek ai zjen dashuria!"


XXXIV


Pse më premtove ditë kaq të bukur,
Më bëre që të dilja veshur lehtë,
Kur një stuhi me shi më zuri rrugës,
Shkëlqimin tënd me terr mbuluan retë.


S'mjafton që retë prapë i shpërtheve
Për të më tharë trupin e fytyrën.
S'e quajmë të mirë mjekun neve,
Kur plagën ai shëron , por jo munxyrën.


As turpi yt s'e zhduk trishtimin tim,
Dhe pse pendohe, prapë i humbur jam.
S'i sjell keqardhja e fyesit lehtësim
Atij që fyerjet si një kryq i mban.


Por loti yt si perlë dashurie
Ma zhduk çdo gjurmë a vepër ligësie.


XLIII


Shikoj më mirë kur puliten sytë,
Që gjëra të pakëndshme shohin ditën,
Kur fle, në ëndërr del vegimi yt
Dhe terri i natës kthehet bëhet dritë.


Kjo hija jote që dhe terrin ndrit
Ç'tabllo të bukur do të kish krijuar
Një ditë të kthjellët me më shumë dritë,
Kaq fort kur ndrit për syrin e verbuar.


Ah, si do t'i uroja unë sytë,
Po të të shihnin ditën plot me dritë,
Kur dhe në errësirë imazhi yt
Prej syve as në gjumë nuk m'u shqit !


Si nata, dita nxin kur s'të shikoj,
Zbardh natën dita kur të ëndërroj !


XLIV


Sikur ky kurmi im të ish mendim,
S'kish largësi që të më priste rrugën,
Mes hapësirës si një vetëtimë
Drejt teje do ta kisha çarë udhën.


S'prish punë dhe sikur të jem aherë
Larg teje, dhe në fund të botës qoftë,
Kapton mendimi tokë e det si erë
Dhe vjen tek ti posa më shkrep në kokë.


Më vret mendimi që nuk jam mendim
Dhe nuk vij dot atje ku ti ke shkuar,
Ç'të sjellë koha pres me pikëllim,
Sepse me ujë e baltë jam gatuar.

Por uji e balta lotë më dërgojnë,
Të dy me brengë shpirtin ma helmojnë.


XLVIII


Me sa kujdes, kur udhën pata marrë,
Me kyç çikrrimat unë i pata mbyllur,
T'i prekë s'desha as një gënjeshtar
Ca sende krejt pa vlerë që kisha kyçur.


Por ti, që perlat kthen në send pa vlerë,
Që ngushullim më je dhe brengë e mall,
Që të kam shpirt e në kujdes përherë,
Për çdo kusar je pre në rrugë të madhe.

Ty nuk të mbylla në asnjë sëndyk,
Të lash atje ku s'je, por je përherë,
Të lash në kraharorin tim pa kyç,
Ku po të duash, hyn e del sa herë.


Se dhe aty të vjedhin kam ca frikë,
Gurin e çmuar e vjedh dhe një fisnik.


L


Sa rëndë e kam që rrugën ta vazhdoj,
Kur mesi aq i lodhshëm u përshkua.
Me veten time flas edhe mendoj:
"Sa udhë u bë, aq zemra t'u largua".

E lodhur nga mjerimi që rëndon,
Kjo kafshë që më bart po ec javash,
Se me instinkt djallushka e kupton
S'ka qejf kalorësi nga ti ta ndash.


Mamuzet-gjak i ngulen në lëkurë,
Por kafsha hapin kurrë s'e nxiton,
Një hingëllimë nxjerr nga kjo munxyrë,
Që më fort se mamuzet po më shpon.


Ky kalë më kujton me hingëllimin:
Pas gazin lashë e para kam hidhërimin.


LI


Ja fal vonesën, pra, të shkretës kafshë
Që teje mengadalë më largoi:
Kur ik nga ti, pse mos të ec javash ?
Kur kthehem vetëm duhet të nxitoj.


Aherë kafshën si do mos e shaj,
Dhe vrapi do më duket i ngadaltë !
I hipi erës, e shpuroj pastaj,
Mbi flatra hipur kush mund të ma dalë ?


Kur rend dëshira, lindur dashurie,
M'i shpejti kalë s'mundet t'ia kalojë,
Dëshira hingëllin prej krenarie,
Dhe, ja, gërdallën prapë e shfajësoj :


"Nga ti kur iki, le të ecë ngadalë,
Tek ti kur vij, nevojë s'kam për kalë".


LV


Mermeri i përmendoreve mbretërore
Dot nuk jeton sa vargu i fuqishëm,
Në varg do të shkëlqesh më madhështore
Se në një gur që Koha shemb furishëm.


Kur luftërat shtatoret do t'përmbysin,
Përleshjet kur s'do t'lënë gur mbi gur,
As shpatë e zjarr i Marsit ty s'të zhdukin,
Përjetë rron në vargun që po thur !


As vdekja, as harresa s'të cënojnë,
Kujtimi yt do mbetet i pashuar
Në sytë e brezave që do t'jetojnë
Gjer ditën e Gjyqit Madh sa pa filluar.

Gjer ditn' e Gjyqit Madh, kur të të zgjojnë,
Ti rron në këngë e sy që dashurojnë.


LX


I sulen bregut plot me gurë valët,
Minutat tona në një fund shpejtojnë,
Ndërrojnë vend të prasmet me të parat
Dhe tok përpara me mundim nxitojnë.


I porsalinduri sa del në dritë
Drejt pjekurisë çapat i nxiton,
Me errësirën luftë bën përditë,
Me Kohën-mëmë që e shkatërron.


Se Koha shumë shpejt e çart të ritë,
Ballin e bukur e shëmton, e rrudh,
As më e bukura ndër bukuritë
Nga kosë e Kohës nuk shpëtoka kurrë.


Përballë Kohës vargjet do qëndrojnë
Dhe për inat lavdi do të këndojnë.


LXIV


Kur dorë e Kohës shoh si e shëmton
Çdo gjë të bukur pa asnjë mëshirë,
Të lartat kulla shesh si i rrafshon,
Të shndritshmin bakër kthen në errësirë;


Kur Oqeanin shoh të zemëruar
Tek mbretërinë e Tokës zhvat përditë,
O Tokën, humbjet për të plotësuar,
Sa herë Detit tokën i grabit;


Kur stinët shoh përherë si ndërrohen
Apo një shtet që s'ka asnjë shpëtim,
Këto që shoh më bëjnë të mendohem:
Do marrë Koha dhe gëzimin tim !


Si vdekja ky mendim i zi më duket
Dhe për thesarin qan ky shpirt e lutet !


LXVI


I lodhur vdekjen lus, s'duroj më dot
Kur shoh në lypës dinjitetin kthyer,
Dhe laron me të mira mbushur plot,
Dhe pabesisht mirëbesimin thyer,

Dhe ndern'e lartë keqas poshtëruar,
Dhe të përkryerën me qëllim përbuzur,
Dhe vashën virgjër egërsisht çnderuar,
Dhe forcën nga i dobëti përulur,


Dhe marrëzi të çiltrën emërtuar,
Dhe nga gënjeshtra të vërtetën tallur,
Dhe artin nga pushteti të pranguar,
Dhe marrëzinë urtësi të shpallur.


Të gjitha më mërzitën, dua të iki,
Por më vjen keq mos vetëm mbetet shpirti.


LXXX


Sa ndruhem kur për ty nis për të shkruar!
Një më i mirë shkruan për hirin tënd
Dhe, me lëvdata duke të lartuar,
Ma lidh ai gjuhën sa të sjell ndër mend.

Por vlera jote ngjan si oqeani,
Që mban tok me anijen barkn'e vogël,
Çan dallgët barka ime si luani,
Paçka se mund të duket sa një gogël.


Me pakëz ndihmë më mbaje ti mbi valë,
Kur ujërat tua anijë e tij përshkon,
Por kush për barkën vritka mendjen vallë,
Kur detin një anijë e zbukuron ?


Po qe se ai lundron e mbytem unë,
Do thonë nga dashuria ra në fund.


XCI


Krenohen ca se janë nga derë e parë,
Për pasuri a forcë plot të tjerë,
Për kuaj ca, fajkoj apo zagarë,
Disa për rrobat aq pa shije prerë.


I ka secili qejfet krejt të ndryshme,
Por vetëm një më shumë i jep gëzim,
Për mua janë ato të papranueshme,
Asnjë nuk më kënaq sa qejfi im.


Kur ti më do, nuk pyes për derë të parë,
Për pasuri a rroba bukur prerë,
As për fajkoj, për kuaj a zagarë,
Kur të kam ty, tërë botën kam aherë.


Trishtohem kur mendoj se mos ma merr
E mbetem krejt i varfër dhe i mjerë !


CXXVII


E bukur s'quhej ngjyrë e zezë dikur,
Edhe kur ish, të bukur nuk e çmuan,
E zeza ka tani dhe hir, dhe nur,
Gjersa me turp të bukurën mbuluan.

Qëkur çdokush si do ndryshon Natyrën
Dhe fsheh me ngjyra fallso çdo shëmtim,
Të bukurës ia ndotën krejt fytyrën,
Ajo u nxi e humbi çdo nderim.


E dashura ime dhe flokët edhe sytë
Prandaj i ka të zinj e të vajtuar,
Ata sikur po mbajnë zi të dy
Për bukurinë keqas poshtëruar.


Asaj kaq shumë i shkon ky petk i zi,
Sa thua tjetër s'ka më bukuri.


CXXVIII


Sa herë ti, që je muzika ime,
Me gishtat tu mbi drurin e bekuar
Muzikë luan dhe plot drithërime
I shkrin aq ëmbël tingujt e kulluar,


Ia kam zili kërcimit të çdo tasti,
Që hidhet lart të t'puthi dorën pak,
Të shkretat buzë, që u ikën rasti,
Nga trimëri' e tyre skuqen flakë.


Sa shumë të preken buzët dëshërojnë,
Të nd'rrojnë vend me tastet kërcimtare,
Aq butë gishtat nëpër to kalojnë,
Sa druri s'duket më i vdekur fare.

Ti falua gishtat tasteve të lumtur
Dhe mua buzët falmi për t'i puthur.


CXXX


S'i ndrisin sytë të dashurës si dielli,
M'i kuq se buzë e saj është çdo koral,
Ka flok të zi spërdredhur porsi teli,
Dhe gjinjët-grurë s'janë borë e bardhë.


Kam parë trëndafil të kuq, të bardhë,
Me trëndafilin nuk ka ngjashmëri,
Parfumi të kënaq me ern' e rrallë,
Kurse e dashura era vjen njeri.


Kam qejf që ta dëgjoj ajo si flet,
Dhe pse muzika është më e ëmbël,
Nuk di një perëndeshë si baret,
Në dhe e dashura vë dy këmbët.

Dhe prapë, për qiell, e dashura më pëlqen,
Më pak të stisur se ajo nuk gjen.


CXXXII


I dua sytë e zinj plot pikëllim
Që keq u vjen për mikun e harruar,
Tregon kjo zi me sa trishtim
I shohin vuajtjet që më ke shkaktuar.

S'i shkon shkëlqimi i diellit mëngjezor
Të zbehtës Lindje herët në agim,
S'ua shton as ylli i plotë mbrëmësor
Shkëlqimin qiejve në Perëndim.


Sa bukurinë ta shton ky sy i zi !
Oh! zemra jote më do kishte hir,
Sikur si sytë ajo të mbante zi
Edhe të kish për mua pak mëshirë.


Do të betohesha unë atëherë
Se bukuria qënka e zezë sterr !


CXXXVIII


Kur be më bën se thotë të vërtetën,
Sikur besoj, paçka se më gënjen,
Mos më kujton kaq të pazot për veten,
Një buzëqumësht që nuk njeh hiletë ?

Më kot mendoj se më kujton të ri,
Tani për mua vapa shkoi me gushtin,
Që më gënjen dhe vetë ajo e di,
Dhe me gënjeshtra njëri tjetrin mbushim.


Po pse s'më thotë ajo se më gënjen ?
Po pse s'i them as unë se jam plak ?
Besnike të më duket i pëlqen,
Të jem i vjetër s'më pëlqen aspak.

Ja pra si e gënjej dhe më gënjen,
Gënjeshtra që të dyve na pëlqen.


CXLI


Për besë, nuk të duan sytë e mi,
Që vese shohin tek personi yt,
Veç zemra ra me ty në dashuri
Dhe s'pyet për ato që shohin sytë.


Me fjalë veshët s'm'i ke mrekulluar,
Nga prekja dora s'ndjen kënaqësi,
As shija me nuhatjen si të ftuar
Qejf s'kanë të të vijnë në gosti.


Të pesë shqisat dhe as mendja ime
S'ia kthejnë mendjen zemrës së marrosur,
Si skllave ty ajo të bën nderime
Dhe më ka bërë si të handakosur.

Prej saj s'fitoj asgjë veçse mjerim,
Me dhëmbje ma shpërblen mëkatin tim.


CXLIII


Porsi amvisa që, kur do të kapë
Ndonjë nga zogat gardhin tek kapton,
Lëshon përdhe fëminë e shkon me vrap
Të ndjekë zogën që po fluturon,


Ndërsa nis e bërtet me lot e vaj
Kërthiri i gjorë e turret të arrijë
Atë që s'sheh veç zogën para saj
Dhe foshnjën lë të qajë e të ulurijë,

Ashtu po rend ti pas atij që ik,
Dhe unë, foshnja jote, pas të vi.
Por po e kape, ec tek unë vrik,
Si nënë më qafo me dhemshuri.

Po erdhe prapë të më qetësosh,
Do lutem Uillin tënd ta rifitosh.


CXLVIII


Ç'm'i zu, të mjerit, sytë dashuria,
Me të vërtetën s'po ujdis vështrimi :
Ku paskan shkuar vallë mendt' e mia
Që të vërtetën s'shquajnë nga mashtrimi ?


E bukur në i duket syrit tim,
Pse bota si të bukur s'e vështron ?
Të paktën ta pranonte shpirti im:
Nga dashuria syri po gabon.


Si mund ta shohin sytë të vërtetën,
Kur dashuria me lot i ka mbuluar ?
Shpesh herë nuk shikon as dielli vetë
Nga reja qielli për pa u pastruar.


Dinakja dashuri më ka verbuar,
Të metat sytë për të mos dalluar.


CLII


E di dhe ti që ta kam shkelur besën,
Por edhe ti dy herë ke tradhtuar:
Për mua shkele në fillim martesën,
Pastaj një tjetër duke dashuruar.


Pse të qërtokam për tradhtitë e tua,
Kur njëzet herë unë kam tradhtuar ?
Të shaj sepse të ndahem teje dua,
Në nderin tënd më duke mos besuar.


Të jam betuar se ke mirësi,
Se je e dashur, je e drejtë, e besës,
Që të shkëlqesh, verbova sytë e mi
Dhe i ndërseve kundër së vërtetës.


Për bukurinë tënde u betova ,
Dhe me gënjeshtra veten e mbulova.


CLIV


Kur Zoti i dashurisë ra të flinte,
Pishtarin zemërndezës vuri pranë,
Por, nimfat, që të qeta flaka s'linte,
Iu qasën, kur në gjumë atë e panë.


M'e bukura pishtarin pati marrë
Që mija zemra njerëzish kishte ngrohur,
Ky gjeneral dëshirash plot me zjarr
Nga një e virgjër shpejt qe çarmatosur.

Në ujë nimfat shpejt pishtarin shuan,
Përroin ngrohu zjarri i dashurisë.
Nga dashuria plot këtu shpëtuan.
U futa mos shpëtoja prej lubisë.


Nga zemra ime ujët shpejt u vak,
Nga ujët zemra nuk u ftoh aspak.