| E diele, 28.11.2010, 09:00 PM |
VJESHTA LETRARE E GJILANIT
MBRËMJE PËRKUSHTIMI
Shkrimtarit Ibrahim IBISHIT (16.XII.1953 – 23. XI. 2010)
POETI QË RRËMBEU PËRJETSHËM STINËN E TIJ TË JETËS
Nga Sabit Rrustemi
Në portat e jetës, trokasim me dëshirën e secilit prej nesh. Pa e menduar asnjëherë, se, ngjitur për trupi gjithnjë na përcjell dhe një e trokitur e papritur, e padëshiruar, tinzare, një troktije e akulltë, siç është vdekja vetë.
Kjo troktije tronditëse, befas, më 23 nëntor 2010 do shtangë dhe jetën e mikut, poetit e njeriut të 57-të vjeshtave, Ibrahim Ibisht.
Derisa ai, po përmbushte orarin e përditshëm të ditës, kafenë e mëngjesit, përgatitjen për të shkuar në tempullin e dijës ku e prisnin voglushët, pastaj, më pas, mqitë për kafe dhe, në mbrëmje vonë, vargjet që prisnin të pustonin hapësirat e bardha duke buruar nga zemra e tij vetmitare, ajo troktije, në pjesën e tij më të ndieshme, zemrën, do ta shtangë, sëpari në klasë, para atyre zogjve që syhapur prisnin prej tij, ushqimin e çdoditshëm, alfabetin e dijes dhe një ëmbëlsirë me metafora. Tevona, kolegët, miqtë, ata të cilët do përshpejtojnë drejt ambulancës, rrugës për në emergjencë, në përpjekjet e ngulmëta për ta shmangur atë shtrëngatë zemre.
Por…aty në hyrje të kryeqendrës, duke u lësuar rrëmbimthi tatëpjetës, shtrëngata e papritur, në një hapësirë të vogël veture, do t’ ia rrëmbejë dhe atë pak frymë që
… e, unë me mikun tim dhe tijin, mbetëm pa e parë atë ditë, në ditën e fundit të jetës së tij… pa e ftuar dhe për kafe…për pak fjalë e, frymëzime…mbetëm duke e pritur për ta parë pas sa ditësh, ashtu siç e kishim lënë që më pare…po, edhe pa e faleminderuar për lirikën e fundme që lexuam nga Ai: Diçka si sheti apo sorollatje nëpër shi…
… se kush ia mendonte vdekjen, atij?! Ishte në majat e shpërthimeve krijuese, në moshën e tij më të mirë. Me afërsinë njerëzore, shpirtërore, krijuese. Me butësinë e njeriut të mirë të kësaj toke. Me ndjeshmërinë e përhershme dhe ndërrimet e papritura të gjendjeve shpirtërore, njësoj si vetë stina e lindjes dhe jetës së tij. Vjeshta.
Sa shumë kishte shkruar për Vjeshtën, Sa shumë ishte identifikuar e mishëruar me këtë stinë. Pa më shkuar mendja, se mes saj, edhe
Mos më dëshiro mirëseardhje, më tha. Unë për Vjeshtën shkoj dhe në fund të botës. Përtej saj. Shkoj. E, lëre më këtu, në Gjilan. I mora lakmi. Madje, pak sikur e xhelozova.
Edhe tash, më drithëron ajo lutje, ai zë, ajo poezi që e kisha lexuar vetëm pak ditë para asaj date. Përkatësisht me 10 nëntor 2010. Ti dhe Vjeshta ime. Ah,
“Unë jam jeta unë jam poezia/ veç pak nectar buze më fal/ dhe kurrë nuk do të ta them/ sa fortë të dua/ sepse të vetmen dashuri/ me vete në varr do e marr/ emrin askush s’ do ia di”. E , çka të të them, Ibro, miku im, i shkrova në cast. Një ritëm i vargut me ritmin e dhembjes e të dashurisë, shkrihet lehtë e butë e pikon nëpër ëndrra, nëpër këto metafora që bosht kanë Vjeshtën, të dashurën, atë ëndërr të panxënë. Ibro…S’ gjeja fjalë që ta përgëzoja. Mos u mundo, më tha. Ngushëllova veten kur tjerët s’ ma ndiejnë e s’ ma shohin dhembjen që kam. Sërish mendja na iku te vjeshta, te e dashura, te poezia vetë… që rrodhi me “Diçka si sheti apo sorollatje nëpër shi”.
Autri i baladave me shi e mërzi, na tha troç: zjarri i vjeshtës vjen ndizet nga një re e mbarsur me shi. I dashuruari çmendurisht në Vjeshtën po udhëtonte që moti drejt saj, për ta nxënë përjetshëm si stinë të prehjes së tij.
Gjilan, 27 Nëntor 2010
***
NË VEND TË FJALËS SË FUNDIT
Nga Albina Idrizi
Ndodhë, papritur të ndalet përgjysmë një rrugëtim, një fjalë, një këngë. Ndodhë, të ngelet përgjysmë një varg, një letër, një mendim. Dhe ti që mbetesh në anën tjetër ndjehesh peng i së pathënës, ndjehesh bosh i së papërfunduarës. Mu siç u ndjeva unë me lajmin e hidhur për vdekjen e mikut Ibrahim Ibishi, sepse isha unë ajo që duhej t’ia ktheja letrën e fundit, fjalën e fundit ndaj sot, ndajë me ju dhimbjen e një ndarjeje të tillë, aq të beftë, aq të rëndë për të gjithë ne, miqtë e tij në jetë dhe në art. Me këtë rast them se, ekzistojnë disa njerëz me të cilët nuk ka nevojë të flasësh për t’u kuptuar. Nuk ka nevojë t’i shohësh për të ndjerë praninë e tyre. Të tillët kanë fuqinë e fjalës që dëgjohet edhe pa folur. Të tillët kanë fuqinë e pranisë që ndjehet edhe pa i parë. Ndikojnë në çdo ditë tënden dhe pa e ditur ti. Pahetueshëm të ndihmojnë në formim, në bindje, në ide. Në shpalim ndjenjash, mendimesh, horizontesh,... Dhe vetvetiu i ndjenë të afërt, të dashur, pjesë të jetës dhe të personalitetit tënd. Të tillë pra janë edhe poetët, shkrimtarët, njerëzit e artit në përgjithsi. I tillë ishte Ibrahim Ibishi. Sepse të dashur miq, ‘shkrimtari i mirëfilltë është një qenie njerëzore me shenjë të veçantë dalluese, dhuruar nga vetë Zoti.. citim ky nga Ibrahim Ibishi tek Magjia e shkrimit, ngaqë, sipas autorit, krijimi letrar është një gdhendje mjeshtërore me një imagjinatë të përkryer gati me një afinitet hyjnor.Prandaj, njerëzit e tillë nuk vdesin. Rugëtimi i tyre nuk ndalet. As fjala. As vargu poetik. Mjafton ta rilexosh, ta rijetosh dhe, ta ringjallësh. Vepra që mbetet ta gëzojmë është ngushllimi për të mos mbetur asgjë në mes e pathënë, e papërfunduar,....Dhe për fund, duke u shërbyer me vargjet e poetit Enver Gjergjeku shtoj se, për shkrimtarin e denjë, poetin e dëshmuar, pedagogun e përkushtuar, familjarin e dashur, mikun e sinqertë dhe me të gjitha këto njeriun e mirë Ibrahim Ibishin, vdekja nuk është fjala e fundit.Lavdi dhe nderim të përjetshëm jetës dhe veprës së tij.
***
Vepra Letrare e Ibrahim Ibishit është formulim i ndjenjave të thella shpirtërore
Nga Nexhat Rexha
U lind në Kremenatë të Kamenicës, në vitin 1953.Shkollimin fillor e kreu ne vendlindje,Tyxhec e Strezoc,ndërsa Normalen dhe Shkollën e Lartë pedagogjike në Gjilan. Me shkrime letrare merret qysh nga shkolla fillore.Poezinë e parë e botoi si nxënës i Normales.Punimet e veta i botoi në të gjitha gazetat ,që nga vitet e 80` ta.Punoi ne Shkollën Fillore “Idriz Seferi të Strezocit dhe shkollen fillore “Shkëndija”në Hajvali deri në ditën e 24 nëntorit 2010,kur edhe vdiq ne krye të detyrës edukative –arsimore.
Ibrahim Ibishi në jetën kulturore ishte aktiv gjithnjë dhe iu përkushtua asaj deri në fund të jetës së tij.Ishte kryetari i parë i Klubit letrar NOSITI në Dardanë i themeluar në vitet e 90`ta.
Ibra ishte i lidhur me Gjilanin, sepse shkollimin e bëri në këtë qytet dhe gjithnjë jetoi me ëndrrën për ditët më të bukura të Gjilanit.
Botoi këto vepra letrare:
“Varr në qiell”, poezi, 1995
“Shiu për kërpudha” , tregime, 1996
“Korbat mbi muranë” , tregime, 1996
“Shtjella e vetmisë” , roman, 2000, (Laureat i çmimit “Hivzi Sulejmani” të LSHK.
“Trëndafil në varrezë” , roman, 2000,
“Kaçurrelja që vrapon pas erës” , poezi, 2002
“Njerëzit e vjeshtës ose Dashuria e një të çmenduri” , roman, 2004,
“Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, vështrime kritike, 2008
“Baladë shiu”, poezi, 2008.
Ibrahimi deri në ditën e fundit ishte aktiv në jetë dhe kurrë nuk u nda nga puna. Ibrahimi u
Vepra Letrare e Ibrahim Ibishit është formulim i ndjenjave të thella shpirtërore. Ai në tërësinë e vepres letrare që e shkroi apo e la në dorëshkrim, në vargje, apo në prozë ka ndjeshmërinë për jetën,njeriun me të gjitha tabllot, që e karakterizojnë frymëmarrjen e tij në faza dhe periudha të ndryshme historike.
Ibra ishte mik shumë i dashur dhe gjithnjë fliste për të bukurën në art dhe në jetë.
Ai çmonte dinjitetin e çdo njeriu deri në sakajin e të mundshmes.
Në parathënien e librit me vështrime kritike për rolin e shkrimtarit ai shkruan: ”Vazhdimisht do të rropatesh të jesh vetvetja dhe, kurrë nuk do t`ia dalësh, megjithëse do të përdorësh edhe verën për ta çjerr maskën e mbarshtrimit të vetevetes. Prandaj, gjithnjë do të jesh i vetmuar, nga se ti jeton në një tjetër botë,me të tjerët njërëz dhe të tjera perëndi”.
________
Ibrahim i dashur
Vjeshtën e deshe shumë
por ne do duam më shumë Pranverën
stinën që do të mbajë gjallë përgjithmonë vargjet e tua
Ndajmë dhembjen me të afërmit, kolegët dhe mbarë miqtë e letërsisë
Redaksia Zemra Shqiptare