Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xheladin Mjeku: Kurorëzimi i dekadës së sukseseve

| E diele, 28.11.2010, 08:58 PM |


U SHËNUA  DHJETËVJETORI I KLUBIT TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË NË BOTË “DRITA”

 

KURORËZIM I DEKADËS SË SUKSESEVE

 

Shkruan: XHELADIN MJEKU

 

          Çmimi “Ali Asllani - Liriku më i mirë i vitit”, iu dha poetit  Myrteza Mara-Vlorë. Në Konkursin e Klubit për përvjetorin e tij, u ndanë edhe çmimet për Prozë: Robert Goro (Athinë) me librin me tregime “E diela e çmendur”, në Poezi: Xheladin Mjeku (Prishtinë) me vëllimin poetik “Mëkatet e Orfeut” dhe në Letërsi për fëmijë e të rinj: Aleko Likaj (Bordo-Francë) me librin “Lepurushi refugjat” (përrallë e ilustruar).

 

           Në lokalin “DELICATA”, Tavros-Athinë, u organizua Veprimtaria e dhjetëvjetorit të Klubit të shkrimtarëve shqiptarë në botë “Drita 10-vjet”. Në këtë dhjetëvjetor morën pjesë, shkrimtarë, artistë e dashamirë të letërsisë, personalitete të kulturës, politikës dhe diplomacisë shqiptare. Për aktivitetin dhe veprimtarinë dhjetëvjeçare të Klubit “Drita” foli nismëtari dhe kryetari i këtij Klubi shkrimtari Nase Jani, i cili evidentoi arritjet në fushën e botimeve, veprimtarive letrare, konkurseve, panaireve të librit dhe zgjerimit të Klubit “Drita”, me shtrirje në gjithë kontinentet ku ka krijues shqiptarë. Në kuadër të Klubit, aktivitetet e tyre letrare dhe krijuese i zhvillojnë  165 anëtarë nga Europa, SHBA, Kanadaja, Australia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, e më gjërë. Poashtu duhet veçuar edhe aktivitetin e Klubit në fushën e botimit të krijimtarisë letrare dhe shkencore të anëtarëve të tij, me revistën ”Pelegrin”, e cila vitin që shkoi shënoi pesëvjetorin e daljes.

            Në këtë veprimtari u ndanë Çmimet “Kadmus”, që organizon prej vitit 2004, Klubi i Shkrimtarëve “Drita” dhe Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena”. Presidentja e Shtëpisë botuese “Toena” znj. Irena Toçi, pasi vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Klubin, në emër të Jurisë, të përbërë prej: Prof. Dr. Jorgo Bulo (Kryetar), Diana Çuli, Irena Toçi, Ermir Nika dhe Nase Jani (anëtarë), shpalli fituesit, ku midis tridhjetë e dy krijuesve që konkurruan, fituesit janë:

              Në Prozë, Robert Goro (Athinë) me librin me tregime “E diela e çmendur”. Në Poezi: Xheladin Mjeku (Prishtinë) me vëllimin poetik “Mëkatet e Orfeut” dhe në Letërsi për fëmijë e të rinj: Aleko Likaj (Bordo-Francë) me librin “Lepurushi refugjat” (përrallë e ilustruar). Librat fitues do të botohen nga Shtëpia Botuese “Toena”. Pjesëmarrësit në këtë Konkurs u nderuan me Diploma Mirënjohje. 

             Çmimi “Ali Asllani - Liriku më i mirë i vitit”, që jepet për nder të Poetit dhe Diplomatit Ali Asllani, nga Klubi “Drita” dhe Ambasada Shqiptare në Athinë, prej vitit 2006, këtë vit i takoi  poetit Myrteza Mara nga Vlora.

              “Mirënjohja e Shkrimtarëve” është titulli i nderit që jep Klubi i Shkrimtarëve “Drita” për politikanët, diplomatët dhe personalitetet e jetës kulturore, të cilët ndihmojnë jetën letrare. Në këtë veprimtari me këtë Titull u nderua deputeti, z. Fatmir Toçi: “Për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Klubin “Drita” dhe përkrahjen e pandërprerë që u ka dhënë krijuesve shqiptarë jashtë Shqipërisë.” Ndërkaq Klubi i Shkrimtarëve “Drita” u nderua me “Çerfitikatë Mirënjohjeje” nga Ministri i Kulturës së Shqipërisë, z. Ferdinad Xhaferraj: “Për veprimtarinë e tij të gjithanshme, duke dhënë një kontribut të veçantë në bashkimin e krijuesve shqiptarë të kudondodhur nëpër botë, në zbulimin dhe përkrahjen e talenteve të reja, në ruajtjen dhe pasurimin e traditave të Kulturës Kombëtare Shqiptare dhe vlerave më të mira të letërsisë shqipe. Roli që ka luajtur Klubi i Shkrimtarëve Drita, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në integrimin e kulturës shqiptare në kulturat e vendeve ku ata jetojnë”, thuhet në fjalën përshëndetëse me rastin e ndarjes së kësaj çertifikate. 

           Poashtu me “Diplomë Mirënjohjeje” u nderuan edhe disa Anëtarë që kanë kontribuar më shumë në jetën letrare të këtij Klubi. Për  Veprimtari të Shquar në jetën Kulturore Artistike në Greqi u nderuan edhe Grupi Folklorik “Vëllazërimi” me drejtues z. Kastriot Lekdushi, regjisori dhe aktori Lefter Simoni,  z. Kujtim Vani, znj. Flutura Tafillaku dhe z. Artan Leskaj, për kontributin e tij në dhënjen e lokalit të tij për aktivitete kulturore, duke e kthyer atë në qendër kulturore për shqiptarët.

         

Nase Jani
Nase Jani
Këtë veprimtari kulturore e nderuan personalitete të politikës, kulturës dhe diplomacisë shqiptare, si: Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, z. Dashnor Dervishi, Deputeti i Parlamentit Shqiptar z. Fatmir Toçi, Drejtori i Librit dhe Bibliotekave në Ministrinë e Kulturës, shkrimtari Ermir Nika, Presidente e Shtëpisë Botuese “Toena” zonja Irena Toçi, Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”-Vlorë, shkrimtari Myrteza Mara, etj.

           Emocione të veçanta sollën përshëndetjet e dërguara nga Shkrimtari Dritëro Agolli (Kryetar Nderi i Klubit Drita), albanologu i shquar Dr. Robert Elsie, Dr. Vili Minarolli, ambasador i Shqipërisë në Vjenë, (ish ambasador në Athinë) dhe shumë miq tanë nga: Shqipëria, Italia, Kosova, Franca, SHBA, etj.

           Për të bërë edhe më madhështor këtë manifestim u zhvilluan disa aktivitete, ndër të cilat veçohen veprimtaria e  aktorëve Lefter Simoni dhe Eglantina Kume, të cilët  recituan poezi nga Ali Asllani dhe fituesi i konkursit, Myrteza Mara. Kënga “Drita që rrezaton dritë” kushtuar 10-vjetorit të Klubit Drita, shkruar nga Kastriot Lekdushi dhe kënduar nga Grupi i talentuar “Vëllazërimi”, të veshur me kostumet e tyre popullore dhe Torta-Simbol me qirinjtë e dhjetëvjetorit, në duart e këngëtares Vasilika Sakaj, ishin një nga surprizat tjera të kësaj veprimtarie.

           Me hapjen e shampanjave dhe Urimit “Gëzuar dhjetëvjetorin”, nën drejtimin e kompozitorit dhe instrumentistit të talentuar Andrea Ndreçka, vazhdoi pjesa e dytë e veprimtarisë me këngë, vallëzime, e urime tavolinash, deri në pasditen e asaj të diele të 21 nëntorit. Kësaj veprimtarie  të ideuar dhe drejtuar me kompetencë nga regjisori dhe aktori Lefter Simoni mund t’i shtohet edhe mendimi se një përkushtim emtuziastësh të kudondodhur në botë për të krijuar, kultivuar, ruajtur dhe zhvilluar jetën kulturore dhe letrare është për t’u admiruar,  por meriton edhe  një përkrahje më të madhe amësore.