| E diele, 28.11.2010, 08:58 PM |
Turqia dhe iluzioni ballkanas i aleancës
Nga Dritan Hila
Në një pasazh të romanit të tij “Skënderbeu”, Sabri Godo e karakterizon shpirtin ekspansionist turk me këto fjalë të vëna në gojën e heroit të tij: “Turku ka nevojë për kalin, jataganin dhe Kuranin”.
Ky shpirt ekspansiv i ngjizur në ADN-në osmane, pasi kishte zgjeruar një shami toke të vogël që quhej emirati i selxhukëve në malet e Kaukazit, në një perandori që shtrihej në tri kontinente, u ndal për herë të parë në portat e Vjenës në rrethimin e dytë të saj. E megjithatë mbeti doktrinë zyrtare e Perandorisë së Osmanëve deri ditën e fundit të saj.
Në ditët e sotme, mund të thuhet se karakteristika qëndron dhe shpirti turk ka mbetur i njëjtë: Shprehja “Pamja e jashtme shpesh të gënjen”, duket sikur është stisur për Turqinë, pasi disfata në Luftën e Parë Botërore dhe ngushtimi i Perandorisë së Osmanëve në kufijtë e asaj që sot është Republika Turke, ridimensionoi edhe politikën e saj të jashtme, ku gati për një shekull, pasardhësit e osmanëve ishin ose një shtet me politikë të theksuar neutraliste në gjysmën e parë, ose anëtarë besnikë të NATO-s më vonë, por me një profil të ulët ndërkombëtar, e megjithatë, themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturk, duket se midis rreshtave kishte lënë edhe mesazhin për rolin e ardhshëm të Turqisë, ku duke folur për politikat që duhej të ndiqte vendi i tij, thoshte se “Turqia duhet të kujdeset si për paqen brenda kufijve ashtu edhe për atë jashtë kufijve”.
Vështirë ta ndash se kur një komb ndihet i sigurt në vetvete, pasi edhe Roma u bë perandori botërore, kur fshatarët e shtatë kodrave buzë lumit Tevere, shtynin gjithmonë e më shumë kufijtë e fshatit, për të pasur brezin e sigurisë, deri sa arritën dhe e shtrinë në tri kontinente.
Sot, pavarësisht se jo mbi kalë, por në tanke “Leopard” të importuar nga Gjermania ose F16 të prodhuar nga “Turkish Air Industries” me licencën amerikane (është vendi i dytë në botë që ka më shumë F16 në organikën e vet pas SHBA-së), ushtria turke është forca e dytë taktike në NATO dhe një mbështetëse e shpesh aktore e politikës së brendshme e të jashtme turke. Dhe me islamikët në fuqi, duket se në kohët moderne po projektohen otomanët e rinj, të gatshëm të thyejnë portat e Vjenës dhe të ringrenë perandorinë. Duket sikur këtë dyshim po e trupëzon edhe politika e jashtme turke nëpërmjet gojës së ministrit të saj të jashtëm, dhe po e përhapin mediat botërore.
Por a qëndron sa thuhet dhe a mund vërtet Turqia të ringjallë Perandorinë Otomane? A ka dëshirë enturazhi ekzistues ta bëjë këtë? Apriori përgjigjja është se nuk ka asgjë më të gabuar ta mendosh dhe mendjelehtësi më të madhe ta llogarisësh politikën turke të shkëputur nga mundësitë e saja reale.
Turqit e sotëm e dinë mirë, pavarësisht se nuk e thonë, se nuk shikohen me aq shumë dashuri në vendet ku kanë valëvitur dikur flamurin me gjysmë hëne. Perandoria e osmanëve ka lënë shije të hidhur në perceptimin e arabëve dhe pavarësisht se feja i bën vëllezër, vahabizmi, sekti zotërues në Arabinë Saudite dhe dinastia sunduese aktuale e këtij vendi, kanë lindur pikërisht si rebelim ndaj pushtimit otoman. Po kështu, edhe vendet e tjera arabe që shtrihen deri në oqeanin Atlantik, kanë të shënjuar në biografitë e tyre kryengritje, masakra, dhunë dhe luftëra që u kanë shkaktuar osmanëve dhe anasjelltas, saqë nuk mund të flitet për një aleancë të re. Secili prej tyre ka krijuar një profil dhe aleanca rajonale e botërore, si dhe objektiva komplet të ndryshme nga ato turke.
Në Ballkan, përjashto boshnjakët, që janë një produkt “sui generis” i pushtimit të këtij gadishulli nga osmanët dhe rrjedhimisht kanë afinitet me trashëgimtarët e tyre, edhe vetë shqiptarët, si popullsi që beson pjesërisht në islam, kanë vërejtjet e tyre historike për otomanët.
Është e vërtetë që kanë qenë të privilegjuar në hierarkinë osmane, por kjo vlen për elita të caktuara, ndërsa masa e madhe e shqiptarëve ishte mish për top në radhët e jeniçerëve dhe nizamëve dhe këtë e vërteton një folklor i tërë që qan vuajtjen nën sundimin e osmanëve. Ndërkohë, popullsia e krishterë shqiptare shpeshherë ishte pre e dhunës shtazarake të tyre, ose e të deleguarve shqiptarë të Portës së Lartë, ndaj vështirë të ketë trashëguar simpati. Dhe ajo që shqiptarët, pa dallim feje, nuk kanë mundur t’u falin osmanëve, ishte përdorimi i Shqipërisë si plaçkë tregu, ku nëse sot pretendohet një dashuri shqiptare ndaj trashëgimtarëve të Portës së Lartë, mund të kërkohej vetëm nëse do ishin sjellë në mbrojtjen e interesave shqiptare, ashtu siç u soll Rusia me sllavët e saj në Ballkan, ose Anglia e Gjermania ndaj Greqisë.
A mundej Perandoria e Osmanëve, kur pa se nuk kishte më mundësi të mbronte zotërimet e saja në Ballkan, t’u dhuronte pavarësinë brenda kufijve natyralë që shqiptarët kishin dhe që ato mote ishin tërësisht nën zotërimin otoman? Patjetër që mundej, por preferoi t’i linte gjellë për qentë që do i shqyenin në luftën ballkanike dhe ta katandiste shtetin e ri shqiptar vetëm në një të tretën e territorit që shqiptarët popullonin. A mundej perandoria të mbyllte njërin sy ndaj përhapjes së gjuhës shqipe nga patriotët ortodoksë e bektashinj shqiptarë, në mënyrë që të formësohej kombi i ri? Patjetër që mundej, por perandorisë i interesonin shqiptarët për aq sa shërbenin si baza furnizimi të ushtrisë otomane me lëndë të parë. Ndaj masa e shqiptarëve të sotëm, e shikon atë periudhë pesëshekullore si shkaktare të prapambetjes ekonomike e shpirtërore aktuale dhe, sa më sipër, janë kujtime që nuk shlyhen lehtë.
Po ashtu shteti shqiptar modern është ngjizje e ideve rilindëse të frymëzuara nga betejat e Skënderbeut kundër pushtimit otoman. Rrjedhimisht ky shtet kështu si ekziston sot, vështirë të jetë aleat i Turqisë në betejat e saj për ekspansion.
A mjaftojnë problemet që kemi me Greqinë që shqiptarët të hidhen në krahët e Turqisë? Aspak jo, pasi të mendosh kështu i thonë të jesh dritëshkurtër. Shqipërisë asnjëherë nuk i ka ardhur shpëtimi nga Turqia dhe asnjëherë nuk e ka parë Turqinë dhe Greqinë si breg ku duhet të mbërrijnë. Vetë rilindësi Naim Frashëri vargëzonte: “O dritë që lind andej nga perëndon”, duke artikuluar aspiratën perëndimore të shqiptarëve. Ndërsa të hedhësh ide se mund të kërcënosh BE-në, që nëse nuk na pranon në gjirin e saj, ne do krijojmë aleanca rajonale, këto janë fantazi infantile, që shumë-shumë të çojnë në hiç.
Aleati ynë më i madh shqiptar në kohët moderne janë Shtetet e Bashkuara, korrigjuesit e padrejtësive që na bëri historia; synimi ynë është që shpirtërisht, mendërisht dhe kulturalisht të bëhemi qytetarë të Europës. E meqenëse të drejtën se kemi gjetur asnjëherë nga shtetet e tjera ballkanike dhe asnjë nga këto virtyte nuk gjenden në Ballkan, natyrshëm që veshët e shqiptarëve pëlqejnë më shumë muzikën e Uashingtonit sesa avazin e lindjes, ndërsa vlerat t’i kërkojnë në tokën që fillon në brigjet e Pulies dhe mbaron në Bruksel.
Duke iu rikthyer Turqisë në një vështrim më global, me rikorrigjimin e politikave të saj, ku qenien pjesë të BE-së nuk mendon ta arrijë më nëpërmjet nënshtrimit, por politikave të partneritetit dhe pse jo imponimit, duke i afruar Europës jo përafrimin e vlerave, por asetet e saja ekonomike, demografike dhe gjeopolitike, mund të thuhet se pakicat fetare dhe simpatizantët e saj në Ballkan, do t’i përdorë më shumë si element për të arritur objektivat e saj se sa si partnerë për të hyrë në BE së bashku me ta.
Tashmë Turqia, e mbështetur nga rritja e saj ekonomike që po e shndërron në fuqi të rangut të dytë, popullsinë gati 80 milionëshe që e rendit në vendet e mëdha të botës, si dhe ushtrinë si element kualitativ të mjeteve që ka politika e këtij vendi në dorë, po synon shtrirjen e saj në Azi. Indikator i zgjerimit të synimeve të saj është programimi për ndërtimin e aeroplanmbajtëses së parë turke, program i ndërprerë momentalisht për arsye teknike dhe buxhetore. Po ashtu, marrëveshjet ushtarake të lidhura me Uzbekistanin, Kirgistanin e Kazakistanin, janë shprehje e synimeve të saj dhe origjina e përbashkët dhe gjuha e ngjashme, i bën aleatë natyralë për ekspansionin turk këtë radhë drejt zemrës së Azisë. Në shërbim të synimeve të saj ekspansioniste, Turqia ka filluar të riadaptojë aleancat e saj. Qëndrimi kritik ndaj Izraelit është një tregues, i cili më shumë se sa fetar ka lidhje me objektivat e reja që vendi i ka vënë vetes dhe Izraeli nuk është shoku me të cilin mund të prezantohesh në botën islame. Por që këtu fillojnë edhe pikëpyetjet e natyrshme për politika që kanë mbi një shekull që nuk aplikohen.
A do pritet në këto zona krahëhapur dhe a do mund të rifitojë skeptrin e sundimtarit rajonal? Psikologjikisht, duke kujtuar masakrën ndaj armenëve në fillim shekullin e 20, vështirë të thuhet që shtrirja turke do shkojë si në gjalpë dhe do mirëpritet. Ndërsa materialisht, edhe sikur të abstragosh rezistencën nga fuqi tradicionale në rajon si Rusia e më tej India dhe Kina, që të bëhesh fuqi të duhen teknologjitë për zhvillimin ekonomik dhe t’i konvertosh ato në ushtri, teknologji të cilat i ka Perëndimi, dhe në këtë pikë qëndrimi ndaj Izraelit është certifikatë sigurie në vendet e Perëndimit.
Në ditët e sotme, programues të së ardhmes e shikojnë Turqinë si një fuqi miqësore, e cila duhet pyetur, të paktën për problemet rajonale. Dhe shpresa e perëndimorëve është që eksperimenti turk të jetë i suksesshëm jo vetëm si dashamirësi ndaj një fuqie që ende e konsideron mike, por edhe si rasti kur islami mund të bashkëjetojë me demokracinë dhe vlerat europiane të të drejtave të njeriut që ndodhen në bazën e tyre. Në këtë pikëpamje, Perëndimi ka vënë bast duke përkrahur Erdoganin, megjithëse ende nuk ka besim të plotë te formimi i tij demokratik dhe duke paralajmëruar ushtarakët, garantët tradicionalë të laicitetit të shtetit dhe rreshtimit pro perëndimor të Turqisë, që të mos ndërmarrin ndonjë hap të fortë ndaj proceseve aktuale. Po ashtu, Perëndimi do një Turqi të fortë ushtarakisht, por këtë radhë si Vjena e re e Europës kundër sulmeve të terrorizmit me bazë në Lindjen e Mesme dhe Azinë e Vogël.
Nëse Turqia do ndjekë rrugën të cilën e filloi Ataturku, natyrisht me korrigjimet që kërkon koha, ka për të qenë risi në botën islame; pjesë e rëndësishme integrale e qytetërimit modern dhe do ketë si deri më tani përkrahjen e tij. Në të kundërtën, aeroplanmbajtësen që ka planifikuar të ndërtojë, vështirë se do ta realizojë me inxhinierët e universiteteve të Ulan Batorit dhe Tashkentit.