| E diele, 28.11.2010, 08:35 PM |
N’ DAÇ ME PA PARAJSË PËR S’ GJALLI
N’ daç me pa parajsë për s’ gjalli –
Dil n’ Gollak , ku t’ shuhet malli !
N’ daç me ditë ç’ është e vërteta –
Dil n’ Gollak , ku t’ shtohet jeta !
N’ daç me t’ mbajt për jetë sevdaja –
N’ Novobërdë , dil te Kalaja !
Prej aty sheh bjeshk’t e borës ,
Kosovën si n’ shuplakë t’ dorës !
N’ daç me i pa bjeshk’t e Dragashit –
Dil n’ Marec , në maje t’ Zllashit !
Ia sheh majën Lubotenit
Edhe bjeshkët e Shkëlzenit !
N’ daç me i pa bjeshk’t e Drenicës –
N’ Prapashticë , dil n’ majë t’ Lisicës !
I sheh lisat, e sheh fierin –
Ku e kanë mbrojt t’ parët kufirin !
N’ daç shëndet që t’ mos rrokë verdhëza –
Te Hani i Sherifit , shko mblidh lertha !
Shko mblidh lertha për Shën Gjergj –
N’ daç prej sëmundjeve mos me u dergjë !
N’ daç me i pa yjet në qiell –
Shko pi ujë në Hajkobillë !
N’ krua të Dafinave shko pi ujë –
S’ ka me t’ shkelë kurrë këmba e hujë !
N’ daç me t’ rrokë dielli i mëngjesit –
Dil n’ Tugjec , n’ maje t’ Mërçezit !
Prej aty e sheh Rugovën ,
Bjeshk’t e Sharrit dhe Kosovën !
N’ daç t’ mos kesh n’ këtë jetë kurrë gajle –
Dil në Gëmicë , pi ujë n’ Pogllavle !
N’ daç n’ këtë jetë gjithmonë me u kënaqë –
Shko pi ujë gurre n’ Jallaçë !
N’ daç freski që t’ mos kapë etja –
Shko në Sfircë e dil te Tepja !
Shih Sjarinën e kah Medvegja –
Vëllezërit tanë t’ mos i rrokë dergja !
N’ daç me t’ ecë damarët prej gjakut –
Dil pi ujë n’ gurra t’ Gollakut !
N’ daç mushkëritë me ta pa hairin –
Dil n’ Gollak e thithja ajrin !
N’ daç për jetë mos me t’ kapë frika –
Dil pi ujë n’ gurra te Kika !
Dil në maje t’ Setilisë –
Thirri me zë , Nënë Shqipërisë !
Gjilan, më 26.11.2010. Demir KRASNIQI