| E shtune, 27.11.2010, 10:59 PM |
Alma Papamihali
PER FLAMUR SHQIPTARI S´FAL - Gëzuar 28 Nëntorin, festën e flamurit
FLAMURIT
Heej, heeeej!
Ku ka këmbë që mbi ty shtrihet,
Fjalë të mprehtë, që të godasë,
Vdes çdo gojë pa të sharë ende,
A guxoftë “poshtë të thërrasë”.
Kush rrëfen dot para gjakut,
Zemrës, rrahjet kush ja ndal,
Mos provo t´ja marrësh qiellit,
Për flamur, shqiptari s´fal!
Kushdo qofsh ore i mjerë,
Ngado ardhsh, apo zvarritesh
Vetëkryqëzohu me zinxhirë,
I pavlerë, çfarëdo të hiqesh!
Kush guxon më lart se ti,
Krahë shqiponje në çdo jetë,
Shqiptari të qofshim falë
Në flamur - bekimi vetë!
PRITNA O VENDLINDJE
Pritmë ti pritmë, unë s´kam për të vdekur,
As si e mbytur dhe as si e huaj,
Rrënjosur s´do mbetem, lulëkuqe e zbehur,
As peshë-lehta, këtij dheu harruar...
Kujtimet e tua pelerinë s´do jenë
Dhe nëse acari gurin mund ta ngrijë
Pritmë ti pritmë, unë s´kam për të vdekur,
Asnjë lule e huaj, trupit s´do më mbijë!
Do jesh ti ajo, që s´do t´ma lexosh mallin,
Kjo gjuhë perëndie, këdo do mbajë gjallë,
Pritna o vëndlindje, askush s´ka për të vdekur,
Kushdo që të ka lënë, ta ka dhënë fjalë´!
28 NENDOR I DHE NGJYRE ATDHEUT
Afron ditë e madhe, ëndërr shqipëtare,
Nuk sheh kund në botë, shqiponjë dykrenare,
Askund s´mund të gjesh, flamur qëndisur gjak,
Ndaj nuk zbehet ngjyra, ndizet bëhet flakë.
Afron ditë e madhe, bij të Skënderbeut,
"28 Nëntor", i dhe ngjyrë Atdheut,
Ngjyrose një komb, kuq e zi valëvitur,
Në ballkon të Vlorës, pavarsia zbritur.
Afron ditë e madhe, shqiptarizmi zgjuar,
Më shumë se ngahera, ndihemi bashkuar,
Kishim qindra vite kështu pa u ndjerë,
Si shtëpi e madhe, me të njejtën derë.
Afron ditë e madhe, fluturo shqiponjë,
Mbi malet shqiptare, mbi Kosovën tonë,
Krahët shtrive qiellit, u ndjeve çliruar,
Të pavdekshëm jemi, veç kështu bashkuar!