| E shtune, 27.11.2010, 04:48 PM |
ME RASTIN E DITËS SË FLAMURIT
NË VEND TË TELEGRAMIT: APEL PËR SENSIBILIZIM
Me 28 nëntor, në ditën e ngritjes së flamurit tonë kombëtar dhe shpalljes së pavarësisë, shqiptarët kudo në botë shënojnë në mënyrën e vet ditën e shenjtë dhe të bekuar të fillimit të krijimit të shtetit shqiptar.
Bashkimi Demokratik Shqiptar përkulet me nderim dhe respekt të veçantë para kujtimit të atdhetarëve të mëdhenj të kombit tonë, nga të gjitha viset shqiptare, të cilët, në themelin e shtetit vendosën jetën, dijen, pasurinë dhe gjithçka që kishin, të atyre atdhetarëve që sakrifikuan dhe luftuan me pushkë dhe me pendë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kujtojmë të gjitha luftërat dhe heronjtë e kombit tonë, ata njerëz që e bënë historinë tonë nga veprat e të cilëve jemi frymëzuar e do të frymëzohemi.
Bashkimi Demokratik Shqiptar përgëzon të gjithë shqiptarët që këtë ditë të rëndësishme të historisë ta përkujtojnë me rezultate të mëdha në të gjitha fushat.
Bashkimi Demokratik Shqiptar përgëzon të gjithë bashkatdhetarët tanë në diasporë, ata që dhanë kontribut të madh në të gjitha momentet e rëndësishme historike të popullit shqiptar, që në këto ditë mblidhen dhe kujtojnë me nderim përpjekjet e pashembullta të kombit tonë për mëvetësi, për të qenë një komb i bashkuar.
Në këto ditë të vështira të popullit shqiptar në Maqedoni, Bashkimi Demokratik Shqiptar apelon për një bashkëpunim të thellë të të gjitha forcave politike në vend, duke shpresuar në tejkalimin e të gjitha kundërthënieve të brendshme ndër-shqiptare në interes të avancimit të çështje së përgjithshme shqiptare.
Për të thyer përpjekjet e Maqedonisë që të imponojë heshtjen me qëllim të mbulimit të krimit ndaj shqiptarëve nën pretekste të ndryshme, Bashkimi Demokratik Shqiptar fton të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh përkatësitë politike, që të ngrenë zërin e protestës dhe të ndikojnë te institucionet dhe autoritetet ndërkombëtare që të bëjnë presion mbi Maqedoninë për të ndalur një herë e përgjithmonë politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Me respekt të veçantë,
Bardhyl Mahmuti
26 nëntor, 2010