| E enjte, 25.11.2010, 10:58 PM |
Bedri Dedja - Monument i letërsisë për fëmijë
Nga Caterina Zuccaro, publiciste në RAI-Romë
Falenderoj me gjithë zëmër shoqatën “Artemia” për ftesën që më dërgoi për të marrë pjesë në këtë prezantim në Itali të Bedri Dedjes. E quaj nder të madh të jem e pranishme që të jap dëshminë time mbi një autor të madh që meriton të dalë nga rrethi domosdoshmërisht i ngushtë ku gjuha e shkrimeve të tij e mban të mbyllur.
Letërsia shqiptare në Itali në fakt është pak e njohur. Do të guxoja të thoshnja që, me përjashtim të Ismail Kadaresë i cili zë skenën e madhe mediatike dhe tregëtare, sidoqoftë i përkthyer nga frengjishtja, ka një numër të vogël autorësh të tjerë të njohur nga një publik dhomëze të ngushtë dhe mandej ka autorë të rëndësishëm që në Itali janë fare të panjohur.
Një prej tyre është, pa dyshim, Bedri Dedja, figurë poliedrike pedagogu, shkrimtari dhe përkthyesi që me tregimet dhe romanet e veta ka ushqyer breza të tërë fëmijësh shqiptarë. Një vepër kjo e Dedjes që, në brazdën e traditës popullore shqiptare, gjen forcën dhe aftësinë të sjellë risi, duke e rilexuar atë pasuri me sytë e sotëm dhe duke e projektuar drejt së ardhmes për t’u folur edhe fëmijëve të ditëve tona, të mësuar tashmë me mekanizmat e elektronikës dhe heronjtë e videolojërave.
Ndër personazhet që e gjallërojnë veprën e tij në fakt mund të njihen, mbase edhe te emrat, tipat e përrallave dhe tregimeve popullore, të rilexuar megjithatë në çelës - aktualiteti dhe të veshur përsëri, pa tronditje shpirtërore, me sjelljet dhe problematikat e ditëve tona duke provuar përsëri sikur të ishte e nevojshme që moderniteti i përjetshëm i një kulture, i çfarëdo kulture, qëndron në aftësinë e saj për të mos u fosilizuar në atë që është apo ka qenë në një moment të caktuar të historisë së saj, po të zhvillohet gjithnjë, të përparojë drejt përpunimeve të reja, duke u udhëhequr nga përvoja, marrëdhënie, ndërveprime të reja.
S’është pa kuptim që heronjtë protagonistë të universit tregimtar të Dedjes janë vetë në pjesën më të madhe fëmijë, në një vepër që nën rroben e letërsisë për fëmijë, fsheh brendi metaforike e simbolike që u flasin lexuesve të çdo kohe.
Në veçanti, në romanin e tij të fundit “Presidenti i Planetit të Kuq” (“Il Presidente del Pianeta Rosso”), i botuar pas vdekjes më 2006 në saje të angazhimit të së bijës Edlira, shpëtimi i universit tonë nga sulmi i mafies kozmike i ngarkohet me sukses një truprojeje të guximshme fëmijësh tokësorë dhe marsianë.
Është një nder për mua që Edlira Dedja të më ketë kërkuar të përkthej një roman aq të jashtëzakonshëm.
Në kundërshtim me çdo përqeshje nga ana e shkencës zyrtare, ky grup trim heronjsh të vegjël fantastikë që arrin rastësisht te heroizmi, shkon me kozmobuz në Mars dhe, së këndejmi, i udhëhequr nga Presidenti i Planetit të Kuq, i zgjedhur nga fëmijët e Marsit dhe dëgjues lakmitar i përrallave të tyre, në fund të një lufte të luajtur sipas temave dhe mënyrave të përrallës tradicionale të veshur mjeshtërisht me rroba ultrateknologjike, arrin të mposhtë të keqen.
Bedri Dedja kërkon të thotë se shpëtimi i shoqërisë tonë nga rrënimi dhe dekadenca nuk qëndron në kënetën e bindjeve sociale të cilave u nënshtrohen të rriturit, po është te fëmijët, te fantazia e tyre dhe te aftësia e tyre për të besuar tek e pamundura, duke shndërruar kështu çdo përrallë të bukur në realitet.
Vepra e Dedjes është një ftesë për të mbetur fëmijë në zemër, nga ana e një njeriu që, duke vepruar kështu, u bë monument i letërsisë për fëmijë. Dhe jo vetëm për fëmijët, më lejoni ta them.