| E merkure, 24.11.2010, 10:59 PM |
Passepartout, ose si Islami i bën shqiptarët e Maqedonisë të mos kenë dinjitet nacional shqiptar
Nga Kastriot MYFTARAJ
Emisioni "Passepartout" i datës 19 tetor 2010 në Tv Alb, një emetues shqiptar në Shkup, është një nga ato ngjarje që vërtetojnë se feja islame i ka bërë shqiptarët e Maqedonisë që t' u mungojë dinjiteti nacional shqiptar. Se është një gjë të thuash jam shqiptar, dhe një gjë tjetër të kesh dinjitet nacional shqiptar. Tema e emisionit në fjalë ishte "Përpasje mentalitetesh", ku fjala ishte për mentalitetin e shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi, Luginën e Preshevës. Drejtuesja e emisionit, Driniza Zhuta, e kishte konceptuar emisionin si një debat me tre të ftuar. Por çudia fillonte këtu se të ftuarit qenë një djalë nga Presheva, i cili studionte në Tetovë, një vajzë studente nga Tetova, e cila ishte anëtare e një OJF-je që quajtur "Mult" (Multikulturalizmi),
si dhe Maria Gollçovska, një vajzë sllavo-maqedone, e cila është studente e gjuhës shqipe në Shkup.
Natyrisht se është e pavend që në një emetues shqiptar në Maqedoni, apo kudo qoftë në hapësirën shqiptare, të diskutohet për përplasjen e mentaliteteve mes shqiptarëve në dy anët e kufirit, dhe të mungojnë të ftuar nga Shqipëria dhe Kosova. Nga shqiptarët jashtë Maqedonisë ishte vetëm studenti nga Presheva, i cili për më tepër tha se mentaliteti i zonës nga vinte ai ishte shumë i afërt me atë të Kumanovës, tek shqiptarët e Maqedonisë. Mungesa e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, pse jo dhe të atyre të Malit të Zi, ngjante diçka më tepër se një lapsus, kur shikoje se në emision ishte ftuar dhe një sllavo-maqedone. Një sllavo-maqedone do të ishte me vend që të ftohej në një debat televiziv në një emetues shqiptar, kur bëhej fjalë për përplasjen e mentalitetit mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe sllavo-maqedonëve, ose mes shqiptarëve dhe sllavëve në përgjithësi, por jo mes vetë shqiptarëve. A ndodh që një shqiptar të jetë i ftuar në një debat televiziv ku diskutohet ndryshimi i mentalitetit mes sllavo-maqedonëve mesveti, pra mes atyre që janë për kombin maqedon dhe atyre që e quajnë veten bullgarë?
Maria Gollçovska dukej se e shijonte shumë situatën në të cilën gjendej. Ajo në fillim tha: "Unë shoqërohem shumë me shqiptarët, kam shumë shokë e shoqe, dal shumë shpesh me ta. Mësoj për traditat, zakonet". Por kur drejtuesja e emisionit e pyeti se cila
traditë, apo zakon shqiptar i kishte bërë përshtypje, Gollçovska u përgjegj se i kishte bërë përshtypje agjërimi në muajin e Ramazanit, kur njerëzit nuk hanë dhe pinë ditën, por natën. Ne maqedonët nuk e kemi këtë tha ajo me një fije ironie. Kur drejtuesja e emisionit e pyeti Gollçovska-n për ndonjë traditë tjetër shqiptare që i kishte bërë përshtypje, sllavo-maqedonia u përgjigj se nuk ishte shumë kompetente për traditat dhe zakonet.
Përgjigjia e Gollçovskës tregon se edhe ata sllavo-maqedonë të cilët shtiren si më të afruar ndaj shqiptarëve, në fakt i shohin shqiptarët e Maqedonisë thjesht si islamikë. Gollçovska u tha shqiptarëve të pranishëm në emision, si dhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë: Për ne sllavo-maqedonët ju jeni arabë! Prandaj e kemi ngritur në Shkup kryqin më të lartë në botë, që t' i themi Perëndimit të krishterë se këtu është një nga fushëbetejat e Perëndimit me Islamin.
Gollçovska fliste me një buzëqeshje të këndshme, por nesër tipa të tillë bëhen si Biljana Plavsiç lidere të fushatave të genocidit, amazona që bekojnë flamujt e ushtrisë që bën spastrim etnik. Nesër Gollçovska e këndshme do të kqyrë me të njëjtën buzëqeshje se si masakrohen të tre të rinjtë shqiptarë me të cilët gjendej në
emision.
Drejtuesja e emisionit, e cila në raste të tjera nuk heziton që t' u ndërhyjë të ftuarve, duke debatuar me ta, këtë herë nuk bëri asnjë vërejtje. Ky mosreagim erdhi për faktin se ajo nuk u ndje e fyer si shqiptare, se ajo ndjehet krenare si muslimane. Në profilin në facebook të kësaj Driniza Zhutës pashë se ajo kishte pëlqyer disa faqe islamike globale, ndër të cilat "I am muslim and I'm proud". Mosreagimi i drejtueses së emisionit dhe dy të
pranishmëve të tjerë, posaçërisht studenteshës nga Tetova, tregoi se shqiptarët e Maqedonisë e kqyrin veten si muslimanë në fillim, pastaj si shqiptarë.
Të tre shqiptarët të cilët qenë në emision janë në moshë të re, drejtuesja e emisionit është në fillim të të tridhjetave, ndërsa dy studentët qenë në fillim të të njëzetave. Ata reflektojnë mentalitetin e rinisë shqiptare në Maqedoni. Me gjeneratën më poshtë tyre gjërat janë edhe më keq. Në Maqedoni, fëmijët shqiptarë këndojnë këngën "Xhihadi jem" të një këngëtari shqiptar nga Kosova që prezantohet si Princ Double H. Asnjë nga të tre
shqiptarët që gjendeshin në emision nuk ngjante nga pamja e jashtme si një islamik praktikues. Drejtuesen e emisionit, me pamjen që kishte mund ta vendosje fare mirë në një televizion në Danimarkë, ose në Gjermani. Studenti nuk ishte me mjekër si të islamikëve praktikantë, dhe studentja tjetër nuk e kishte kokën të mbuluar me hixhab. Të tre, në pamje të parë kërkonin të krijonin përshtypjen se kishin formim perëndimor, e megjithatë një situatë e krijuar nga sllavo-maqedonia, e cila gërvishti pak lëkurën e
tyre shqiptare, bëri që të shfaqet islamiku apatik.
Unë bëra një kërkim në facebook për këtë drejtuesen e emisionit dhe pashë se veç faqes së përmendur më lart, ajo kishte pëlqyer faqen "I love Allah" (ku në vend të fjalës "love" është një zemër e kuqe). Gjithashtu kishte pëlqyer edhe faqet Qendra religjioze "Namazi", si dhe "Kundër djegies së Kuranit në Amerikë më 11 shtator". Ndër pëlqimet e saj kishte edhe pesë faqe në maqedonisht. Pas kësaj fillova ta shikoj këtë vajzë si ekzemplar të asaj që unë e quaj Albarabia. Kjo vajzë është një albarabe, pra një shqiptare e arabizuar. Ky lloj tipi ka një maskë perëndimore, por shpirti është islamik. Ajo mund ta quajë emisionin edhe "Xhihadi jem" se kështu do të jetë më e sinqertë. Se ka edhe një lloj Xhihadi pasiv, i cili për mua është më i keqi, kur një sllavo-maqedone i fyen shqiptarët si arabë në një debat televiziv, në një emetues shqiptar dhe kurrkush prej të pranishmëve nuk reagon ndaj saj.
Të rinjtë si kjo Driniza janë të shumtë ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës. Ata shprehen krenarë që janë muslimanë, por kur bisedon paksa me ta, shikon se as që e kanë lexuar Kuranin dhe as që e njohin historinë e ngjarjeve që sollën deri në krijimin e tij. Një prej tyre më ka bërë pohimin e çuditshëm se "Unë nuk e kam lexuar Kuranin por ndjehem mirë me fenë time". E kishte fjalën për Islamin natyrisht. Nëse u thua se shqiptari i vërtetë nuk mund të jetë musliman, ata fyhen dhe të përgjigjen ashpër. Por nëse u thua si Gollçovska se nuk janë veçse muslimanë, ata nuk fyhen dhe nuk reagojnë, kinse nuk kanë kuptuar gjë. Islami ka bërë që shqiptarët e Maqedonisë të humbin dinjitetin nacional.
Në Tv Alb, disa kohë më parë ishte i ftuar Nexhmedin Spahiu, një ndër promovuesit e idesë së kombit kosovar. Ndër të tjera ai tha se është një gjë e mirë që shqiptarët e Maqedonisë janë shumë të lidhur pas religjionit Islam, se kjo bën që ata të mos vriten
mesveti siç ndodh me shqiptarët në Shqipëri. Shumë burrë i mençur ky Nexhmedini! E përse atëherë u rrahën ashtu besimtarët shqiptarë në Xhaminë e Isa begut në Shkup! Pastaj, si ndodh që në botën islame që prej kohës së Muhametit nuk kanë pushuar luftrat mes vetë muslimanëve, aq sa shumë më tepër muslimanë janë vrarë nga dora e vetë muslimanëve, se nga dora e jomuslimanëve. Për këto Nexhmedini nuk ka përgjigje, e nuk kanë as ata imamët që shfaqen me shumicë në Tv Alb, sa e bëjnë ta meritojë emrin Tv Albarab.
Emisioni "Passepartout" reflekton edhe një nga dukuritë më të çuditshme kulturore bashkëkohore në hapësirën shqiptare, në dy anët e kufirit, që është se media shqiptare përtej kufirit shfaq në trajtë karikature të këqijat e medias në Tiranë. Kështu, kemi emisionin "Shqip" në Top Channel në Shqipëri. "Shqip" në Top Channel! A nuk të duket sikur ky është një televizion në anglisht ku ka dhe një emision në gjuhën shqipe! Mustafa Nano është natyrisht i paarritshëm në vetëtallje, derisa ai bën emisionin "Deja vu" në Top Channel. Tv Alb në Maqedoni është një televizion me një emër të bukur shqiptar. Por, përtej emrit, njerëzit e këtij emetuesi të ri shqiptar, nuk mund të rrinin pa ndjekur trendin e imitimit karikaturesk të homologëve të Tiranës. Kështu tash kemi emisionin "Passpartout" në Tv Alb! A nuk mund ta quanin emisionin thjesht "Gjithandej", derisa qëllimi i emisionit është që të cekë të gjitha temat, por që kryesisht i interesojnë rinisë. Jo me sa duket.