Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Çoçaj: Morti i thashethemeve!

| E merkure, 24.11.2010, 10:58 PM |


Morti i thashethemeve!

 

Nga Blerim Çoçaj

 

Thashethemet, janë bërë  pjesë e përditshme e jetës private, publike  dhe politike në Kosovë. Ato, janë  interpretuar në mënyra të ndryshme, duke shkaktuar, efekte  të kundërt  nga realiteti. Interpretimi i tyre, shoqërinë dhe vendin tonë e ka kthyer prapa n’kohë. Të gjithë janë bërë pjesë  “interesante” e  thashethemeve. Atyre nuk ka mundur t’i ikën as ndërkombëtarët. Madje, këta të fundit nuk kanë hezituar që interpretimin e thashethemeve të prodhuar  nga shpirtligjtë, t’i  shfrytëzojnë  edhe  për “demaskimin” e personaliteteve  më të çmueshëm të këtij vendi. Të atyre të cilët pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit, morën përsipër  formimin dhe ndërtimin e shtetit. Pavarësisht realitetit, fuqia e thashethemeve në Kosovë, fatkeqësisht edhe sot po tenton  të tregojë  "pushtetin" e saj, kundër  njerëzve më të çmueshëm të këtij vendi. Kjo fuqi e thashethemeve, vazhdon t’i mbajë “peng”, njerëzit të cilët  ende janë të gatshëm t’i japin shumë këtij vendi, të nëpërkëmbur me shekuj. Të gjithë e dimë se thashethemet nuk ekzistojnë vetëm në shtetin më të ri të botës-Kosovë. Ato  ekzistojnë edhe në shoqëritë evropiane. Por, mënyra e konceptimit të tyre në shoqëritë evropiane ku demokracia është e zhvilluar,  është krejtësisht e ndryshme nga ajo që ka ndodhë deri më tash në realitetin e Kosovës. Përhapja dhe interpretimi i thashethemeve dhe paragjykimeve nga njerëz llafazanë, shpirtvegjël e shpirtligë, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë, edhe në mënyra të ndryshme po vazhdon t’i  shkaktojë  dëme  vendit  tonë. Fatkeqësisht, ato, tashmë kanë zbritur nga shtresa më e  “ulët” e shoqërisë, te ajo më e “larta”, e cila  po merret  me politikë. Edhe pse dihet se interpretimi i thashethemeve, është  i dëmshëm dhe duhet t’u qëndrojmë sa më larg, të gjitha partitë politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit, kanë një tërheqje magnetike ndaj tyre. Në mungesë të një vizioni dhe programi politik, në kuadër të fushatës parazgjedhore, shumë  anëtarë dhe personalitete të këtyre subjekteve politike, po praktikojnë  interpretimin e thashethemeve! Por, sa mund të ketë  efekte pozitive, krijimi i thashethemeve në “tregun” e  fushatës parazgjedhore të 12 dhjetorit? Vetë fakti që ato krijohen nga njerëz    ndryshëm dhe atë nga partitë politike, efekti i tyre nuk mund të jetë pozitiv. “Krijimi i thashethemeve kërkon  mençuri, por  dhe mjeshtëri. Ato nuk mund të krijohen  në treg nga kushdo, kurdo dhe kudo...”, na shpjegonte si studentë gjatë ligjërimit të lëndës Letërsia popullore, prof. dr.Sabahudin Cena. Pra, për të krijuar thashetheme, përveç,  që duhet  të jesh i ngritur intelektualisht, duhesh të jesh edhe ‘mjeshtër’  i mirë i tyre . Në  bazë të këtij shpjegimi, përfaqësuesit e partive tona politike, të cilët për interesa të ngushta politike, duke interpretuar thashetheme mundohen t’ia ngulin njëri-tjetrit, (s’e)kanë asnjërin nga elementet e shpjeguar  nga profesori Cena. Në mungesë të mjeshtërisë së  krijimit të  thashethemeve, ata  janë bërë vetëm keqinterpretues të tyre,duke  i lëshuar kurdo e kudo lloj-lloj, thashetheme për njëri-tjetrin. Shoqëria jonë çdo ditë e më shumë po mbahet peng nën dhunë të thashethemeve, shpifjeve, apo të inateve banale e egoiste të njerëzve  të ndryshëm    partive  politike. Nën këtë dhunë të  tmerrshme, ata  po ia  vrasin jetën çdo ditë njëri-tjetrit,por edhe vetë qytetarëve më shumë se sa vrasja  ekonomike. Për shumë njerëz, thashethemet që dëgjojnë, sidomos rreth vetes shkaktojnë një stres dhe presion të jashtëzakonshëm psikologjik. Nuk janë të rralla rastet kur  vetëm për shkak të  thashethemeve, janë shkaktuar konflikte, të cilat kanë përfunduar edhe në humbje të jetës së  njerëzve. Prandaj, interpretimi i tyre  nuk do të duhej të  praktikohet nga asnjë subjekt politik për marketing, gjatë fushatës zgjedhore të 12 dhjetorit. Krijimi dhe interpretimi i thashethemeve  për njëri-tjetrin, apo njërën-tjetrën parti gjatë fushatave zgjedhore nuk mund të prodhojë rezultate të favorshme, e aq më pakë fitore të zgjedhjeve. Partitë politikë këtë fushatë zgjedhore më mirë do të ishte sikur ta shfrytëzojnë për shpalosjen e vizionit, dhe programit të tyre. Qytetarët (votuesit) më shumë se kurrë kanë nevojë të dinë se cila do të jetë perspektiva dhe e ardhmja e tyre në katër vitet e ardhshme. Ata  janë të ngopur me thashetheme të  ndryshme. Në këto zgjedhje, përveç shpalosjen e  programeve konkrete për qeverisjen e vendit,qytetarët nga partitë politike po e presin edhe shpalljen e mortit të thashethemeve. Vetëm morti i thashethemeve,  shoqërinë dhe vendin tonë, do ta dërgojë  përpara n’kohë.