| E hene, 22.11.2010, 10:58 PM |
Korrupsioni që gatuhet në kuzhinat e politikës
Shkruan: Shaban Peraj
Sot është bërë traditë po edhe temë e diskutimit të politikanëve tanë tema e korrupsionit, një temë që tashmë është bajate për vet ata që e thonë, po edhe e mërzitshme për qytetarin e thjeshtë. Se nga lindi ky term, kush e përdori për herë të parë ka pak rëndësi, rëndësi ka kush e thotë dhe në cilat rrethana e thotë? A mjafton ky term të përsëritet apo të thuhet nga ata që i prijnë politikës shqiptare? E them këtë pikërisht nisur nga fakti se të gjithë ata që do duhej të mos e përmendin fare termin korrupsion, kam bindjen se kjo fjalë ka lindur pikërisht aty, në kuzhinat e tyre është hartuar, po edhe aty ka filluar të zbatohet e veprohet. Gjërat që i bëjnë vetë këta prijës të politikës duan që t’ua përshkruajnë të tjerëve, e për vete paraqiten sikur të ishin evlja, kurse pjesa tjetër, ajo e masës të ishte pjesë e një veprimtarie të tillë. Ky veprim është diku aty në mesin e tyre, ata e dinë mirë ate, ndaj bëjnë sikur kjo dukuri është me karakter shoqëror dhe ndryshe nga veprimet e masës së gjërë e të pafajshme mundohen që topin ta hedhin në oborrin e të tjerëve.
Çdo gjë mund të vihet nën kontroll, por karakteri i tyre vështirë të kontrollohet ndaj për njeriun e moshuar është turp që të pijë gji, po edhe prerja prej gjirit është vështirë të bëhet nga ata që karrierën e tyre e kanë filluar pikërisht nga kjo dukuri. Ndaj, nxehja e tyre gjoja se merakosen për një dukuri të tillë është diçka e veçantë në këto rrethana kur nuk dëgjon gjë tjetër veçëse: ky dhe filani kanë bërë këtë dhe atë, kanë përvehtësuar kaq e aq pasuri shoqërore, kanë ngritur kaq e aq objeke afariste, kanë privatizuar këtë e atë objekt institcional e çka jo, gjë që qytetari i thjeshtë edhe po të dojë nuk ka mundësi ta bëjë. Atëherë, çështja është kush e bënë këtë nëse jo prijësit e politikës, ata që në rrethanat e krijuara “t’i qepin teshat sipas kutit të tyre”, apo ata që mezi sigurojnë kafshatën e gojës? A ka gjë më makabre që sot në politikën shqiptare të akuzojnë njëri tjetrin, si nga pozita ashtu edhe opozita për veprime të tyre, për pasuri të krijuar brënda natës e që nuk ia dinë fillin nga u ka ardhur. Për gjithë këtë çështja është: kush kend sulmon, kush akuzon, apo duhet thënë troç: hajni akuzon hajnin dhe të dalë ku të dalë se “helbete” politikë është kjo! Kjo edhe për faktin se si mund të të jetë tani në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që ish kryeparlamentari, z. Daci të akuzohet e të dënohet për ate se sa shpenzime ka bër për vënien e dhëmbëve, çfarë syzash paska blerë, apo atje në Shqipëri të dëgjojmë akuza të ndryshme nga opozita shqiptare siç është rasti i fundit i Sajkeq Tahirit ndaj kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Kjo dhe të tjerat janë një fatkeqësi e dhimbshme, e dëmshme për tërë shoqërinë tonë, ku çdo gjë viktimizohet, nëpërkëmbët gjithandej nëpër tokat shqiptar. Një dukuri e tillë e ka një kufi, me deklarata të tilla nuk shkohet edhe aq larg, por ajo që është shqetësuese është fakti se të gjithë, pa një përjashtim janë pjesë e së përditshmës, janë pjesë e korrupsionit, ndryshe gjërat do zhvilloheshin sipas ligjit e kushtetutës. Kjo nuk ndodhë, pavarësisht se të gjithë përbetohen në kushtetutë e ligj, ndaj jemi këtu në situata aspak të lakmueshme për vendin, për popullin i cili detyrohet të dëgjojë thashethëme të përditshme, të pakuptimta e bajate si për vete ashtu edhe për të tjerët. Pra, kjo “hije e shkopit” që nuk është i drejtë, ashtu edhe sjelljet e dikujt nuk janë të drejta, nuk e kanë të balancuar mirë peshoren, ndaj edhe nuk mund të jenë të drejta deklaratat e tyre. Pikërisht vota e zgjedhësve këtyre personave u ka dhënë një vend sipas sjelljeve të tyre, ndaj është e kotë të presësh një trajtim tjetër prej tyre pa e ndryshuar vetën.
Vlera njerëzore e një njeriu del në shesh në rastet kur të njëjtit të mësojnë vetën, e me te duke mësuar edhe të tjerët, ndryshe nëse kjo nuk ndodhë atëherë postet dhe funksionet e arritura me rrugë të tjera janë të pandershëm, janë dëmi i shoqërisë, janë si parcela toke të përshtatshme për hedhjen e çdo mendimi të keq siç është korrupsioni. Në vend që për hirë të masës, të asaj mase që u dha besimin të jenë më të butë, politkanët e njërit apo taborrit tjetër bërtasin: kapeni hajnin.